Projektbuxheti 2018 duhet të jetë akti i fundit i kësaj qeverie, të cilin ne nuk duhet ta lejojmë të zbatohet. Për ndalimin e projektit mafioz, PD paraqiti amendamentet e veta në Kuvend.

· Amendamentet synojnë zhbërjen e sistemit kriminal të taksave, duke propozuar thelbin e programit të PD që e nxjerr Shqipërinë nga kriza: taksën e sheshtë 9%; TVSH-në 15% si dhe rritjen e nivelit për mbledhjen e TVSH-së në 12 milionë lekë të reja.

· Miliarda lekë të konçesioneve, skemave korruptive dhe atyre për pastrimin parave në vend që t’u jepen tek 0,01 % e shqiptarëve, duhet të shkojnë për shumicën e shqiptarëve dhe aty ku vendi ka më shumë nevojë.

· Amendamentet janë për financimin e teksteve shkollore deri në klasën e nëntë, për rritjen e buxhetit në arsim në 5%, mbështetjen e fermerëve me 15 milionë euro subvencione, rritjen e pagave dhe pensioneve në nivelin e vitit elektoral, rritjen me 20% të fondit për ndihmën ekonomike.

· Synimi i PD është të frenojë projektin kriminal të Ramës me buxhetin e PPP (Pastrimit të Parave të Pista), të bëjë gjithçka brenda hapësirës së ngushtë parlamentare, për t’i shkurtuar mandatin kësaj qeverie që ka lidhur fatin politik me interesat kriminale. ​

Deklarata e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas mbledhjes me grupin parlamentar për 16 amendamentet e deputetëve demokratë

Nesër, Edi Rama ka ndërmend të finalizojë nen për nen buxhetin e pastrimit të parave të pista, buxhetin e varfërimit dhe goditjes së qytetarëve, biznesit të vogël dhe të mesëm, të fermerëve, të fëmijëve dhe prindërve tyre, sa i përket sistemit arsimor, të rrënimit të mëtejshëm të shëndetësisë përmes koncesioneve korruptive, të ndotjes së Shqipërisë me skemën 400 milionë euro të inceneratorëve si skemë korruptive dhe mafioze e kriminale.

Qëndrimi i opozitës, qëndrimi i Partisë Demokratike ka qenë dhe mbetet i qartë dhe i vendosur kundër këtij projektbuxheti i cili është dhe duhet të jetë akti i fundit i kësaj qeverie të cilin ne nuk duhet ta lejojmë të zbatohet dhe pjesë e këtij qëndrimi do të jetë edhe dita e nesërme në Parlament.

Ditën e nesërme në Parlament, me qëllim për të bërë transparencën totale para qytetarëve dhe me qëllim për të dhënë kontributin parlamentar për ndalimin e këtij projekti mafioz, ne do të paraqesim amendamente në Kuvend të cilat synojnë në rradhë të parë; të zhbëjnë sistemin kriminal të taksave që është ndërtuar këto 4 vite duke propozuar taksën e sheshtë 9%; TVSH-në 15% si dhe rritjen e nivelit për mbledhjen e TVSH-së në 12 milionë lekë të reja. Nuk janë asgjë e re, nuk besoj se habiteni sepse janë pjesë e programit ekonomik të Partisë Demokratike i cili është hartuar me mbështetjen e ekspertëve më të shquar ekonomikë të vendit dhe të huaj, dhe është çertifikuar si një program ekonomik që e nxjerr Shqipërinë nga kriza ekonomike dhe i jep mundësinë për zhvillim dhe për rritje ekonomike duke garantuar mundësi për të gjithë dhe duke garantuar mbi të gjithë, konkurrencë të ndershme.

Së dyti; ne do të propozojmë që blloku i parave që u çohet si dhuratë, si patë e pjekur, oligarkëve dhe karteleve të tij për të pastruar paratë e drogës, përmes skemës së konçesioneve që u kushton qindra milion euro çdo vit shqiptarëve dhe skemës së pastrimit të parave të pista. PPP 1 miliardëshe të zhbëhet dhe këto para në vend që të shkojnë si pata të pjekura tek 0,01 % e shqiptarëve, një konglomerat kriminelësh të pasuruar me para të drogës dhe oligarkëve që po bëhen gati t’i pastrojnë këto para të drogës , këto para të shkojnë aty ku shoqëria, vendi, Shqipëria ka më shumë nevojë.

Së pari tek fëmijët e shqiptarëve , të cilët nuk kanë pse paguajnë tekstet shkollore, ku me përqindje fare të vogël të parave që u jepen konçesionarëve, iceneratorëve, oligarkëve me PPP, mund të paguhen tekstet shkollore për të gjithë fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Së dyti për rritjen totale të buxhetit në fushën e arsimit në 5%.

Pra kjo është në kuadër të mbështetjes për fëmijët , të rinjtë shqiptarë , pa të cilët nuk mund të ketë të ardhme.

Së treti, mbështetja e fermerëve në nivelin e 15 milion eurove të subvecioneve.

Në programin tonë ekonomik , ne kemi një skemë të fuqishme të mbështetjes së fermerëve por minimumi që shteti duhet të bëjë për këta, është niveli prej 15 milion euro që shteti arriti në vitin 2013, por që prej atij viti nuk ka asnjë mbështetje reale me subvecione për fermerët.

Tre fabrika sallami në Korçë marrin të gjithë paratë e subvecioneve, ndërkohë që fermerët korçarë që janë përgjegjës për mbi 30 % të prodhimit bujqësor në Shqipëri, nuk shohin asnjë kacidhe.

Pse? Sepse prioritet i Edi Ramës janë pakica dhe jo shumica e njerëzve që punojnë me djersën e ballit.

15 milion euro subvecione për fermerët është një prej amendamenteve që ne do të paraqesim nesër.

Po kështu ne do të paraqesim një amendament që qeveria të mbajë nivelin e rritjes së pagave dhe pensioneve si në vitin elektoral. Nuk është pjesë e vizionit tonë. Sipas vizionit tonë, rritja do të jetë më e madhe dhe më e fuqishme për pagat dhe në veçanti për pensionet.

Por të paktën të mbajnë të njëjtin nivel që mbajtën për vitin elektoral.

Është plotësisht e mundur. Nëse prioritet i tyre janë pensionistët shqiptarë, nëse prioritet i tyre është rritja e pagave, e kanë fare të lehtë që paratë t’i heqin nga duart e oligarkëve, t’i heqin nga PPP, t’i heqin nga konçesionet korruptive dhe t’i çojnë për rritje pagash dhe pensionesh. Propozimi tjetër ka të bëjë me shtresat në nevojë, me më të goditurit nga kriza ekonomike, duke propozuar rritjen me 20 % të fondit total për ndihmën ekonomike, e cila po kështu mbetet e pamjaftueshme edhe sikur propozimi ynë të pranohet, por të paktën është një hap që të çon drejt mundësisë për të futur në skemën e ndihmës ekonomike më shumë familje që sot janë në gjendje të mjerueshme, dhe për ta vazhduar këtë në vijim.

Ju kujtoj edhe një herë se 43% e shqiptarëve, nuk ngrohin dot shtëpitë dhe kjo sipas statistikave të vitit të kaluar, çka është përkeqësuar këtë vit.

20% e rritjes ekonomike nuk do ta zgjidhte problemin, por do të ishte shenja e parë e ndryshimit të politikës në vend, e vënies së interesave të qytetarëve dhe parave të taksapaguesve në shërbim të njerëzve dhe jo në shërbim të oligarkëve dhe pushtetarëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Sot pasdite do të keni në dispozicion të gjithë propozimin tonë të plotë.

Synimi ynë është së pari; të frenojmë projektin kriminal, të buxhetit 2018 të pastrimit të parave të pista, së dyti, të bëjmë gjithçka, edhe brenda hapësirës fare të ngushtë që ekziston në parlament, për t’i shkurtuar mandatin një qeverie të papërgjegjshme dhe një kryeministri që sundon përmes gënjeshtrës dhe propagandës, një kryeministri dhe një qeverie të faktuar tashmë para gjithë botës, si të lidhur me krimin, përfitues nga kartelët e drogës, dhe që e ka lidhur fatin e saj politik, vetëm me interesat kriminale dhe me pastrimin e parave të pista të drogës.

Me këto propozime do të shkojmë nesër në Parlament dhe do të bëjmë betejën tonë parlamentare me përjegjësi të plotë para zgjedhësve tanë, para njerëzve për të cilët kemi zgjidhjet tona politike, biznesit të vogël dhe të mesëm, fermerëve shqiptarë, rinisë shqiptare, pensionistëve shqiptarë, por po kështu me përgjegjësi para çdo shqiptari të djathtë dhe të majtë, për të frenuar një orë e më parë, këtë të keqe të madhe që ka zënë vendin. Për të frenuar projektin ogurzi të Edi Ramës dhe për të ecur drejt projektit tonë politik, zgjidhjes së vetme për stabilitet në Shqipëri, një qeveri anti-mafia, e cila të rikthejë legjitimitetin përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Pyetje: Z. Basha, si mund të frenohet projekti ogurzi, siç e cilësuat ju?

Duke vetëdijesuar qytetarët, duke u angazhuar në një dimension shumëdimensional i cili të përfshijë edhe angazhimin e të gjithë qytetarëve me një përballje pa kthim, për t’i treguar Edi Ramës dhe kastës që sot qeveris, që nuk ka dhe nuk ka pasur në asnjë çast mbështetjen legjitime. Studimi i fundit Bashkimit Europian tregon se 20% e shqiptarëve janë detyruar të shesin votën. I keni të qarta shifrat dhe nuk ka nevojë t’i bëjmë matematikën se çfarë tregon kjo. Kjo tregon një qeverisje pa legjitimitet. Por ne nesër do të bëjmë vetëm një pjesë të detyrës tonë, që është përballja parlamentare.