KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme për shtyp ku akuzoi mazhorancën qeverisëse për shkatërrimin e parlamentarizmit dhe paralajmëroi nisjen e një faze të re të veprimit opozitar, hapjen e një platforme parlamentaro-qytetare përpara ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Berisha tha se ‘narkomazhoranca ka kaluar në ekstrem’ duke e përjashtuar opozitën nga debati parlamentar. ‘Nga 9 seanca të zhvilluara, opozita është lejuar të diskutojë vetëm në një seancë. Kjo do të thotë asgjësim i parlamentit dhe parlamentarizmit,’ deklaroi ai.
Sipas kryedemokratit Sali Berisha, ky është një shkelmim i Kushtetutës dhe i vetë rendit demokratik të vendit, ndërsa deputetët e opozitës ‘do t’i drejtohen qytetarëve përmes fjalës dhe debatit të lirë përpara Kryeministrisë’. ‘Opozita nuk do e bojkotojë parlamentin, por do zhvillojë betejën edhe brenda tij, edhe jashtë tij,’ theksoi kreu i PD-së.
Kryetari i opozitës njoftoi gjithashtu se protestat kombëtare janë të vonuara, duke paralajmëruar se shumë shpejt Partia Demokratike do shpallë protestën e parë kombëtare. ‘Kjo është opozita e votës së dhunuar dhe kjo është mazhoranca e zgjedhjeve të vjedhura. Ftojmë të gjithë qytetarët që janë gati të luftojnë për votën e lirë kundër një regjimi që e ka konfiskuar dhe e ka blerë atë,’ theksoi kreu i PD-së, Sali Berisha. Sipas tij, qeveria ka përdorur ‘të gjithë potencialin shtetëror, financiar, logjistik dhe mediatik’ për të ndikuar dhe deformuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhje. Kundërshtimi i ligjit për identitetin gjinor: ‘Familja është shtylla e kombit’.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha u shpreh se, me ligjin e miratuar mbrëmë në parlament, për identitetin gjinor ‘iu vu kazma familjes shqiptare’. ‘Në parlamentin e dhunës, të votës së vjedhur, votohet ligji në të cilin gjinia zëvendësohet me përkatësinë e shumëfishtë gjinore. Në të njëjtën ditë kur Gjykata Supreme e SHBA sanksionon dy gjini, mashkull dhe femër, Shqipëria miraton një ligj që shkon në drejtim të kundërt,’ deklaroi krydemokrati, Sali Berisha.
Berisha akuzoi mazhorancën se e ka kaluar ligjin ‘pa debat, në mes të natës dhe në pabesi’, duke shkelur marrëveshjen për ta diskutuar në mënyrë transparente. Ai paralajmëroi se PD ‘nuk pajtohet me këtë ligj’ dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe kushtetuese për ta anuluar, përfshirë edhe inicimin e një referendumi kombëtar. Ai theksoi se kjo është një betejë për mbrojtjen e familjes tradicionale shqiptare, në bashkëpunim me ‘çdo besimtar dhe çdo prind që kërkon që fëmija i tij të edukohet në përputhje me gjininë me të cilën ka lindur.’
Në vijim të fjalës së tij, kreu i PD-së Sali Berisha e cilësoi qeverinë si ‘narkoshtet’ që ka humbur çdo legjitimitet, duke u mbështetur te raportet ndërkombëtare për zgjedhjet e 11 majit. ‘Pavarësisht mbështetjes së këtij narkoshteti, raporti i ndërkombëtarëve rrëzoi legjitimitetin e qeverisë,’ tha Berisha. Ai shtoi se ‘Shqipëria është kthyer në rrezik kryesor për Europën me eksportin e kriminalitetit’, ndërsa kartelet shqiptare të drogës, sipas tij, ‘janë degë të karteleve të Amerikës Latine dhe ndër më të rrezikshmet në kontinent’.
Gjatë konferencës, kryedemokrati Sali Berisha theksoi se opozita është e vendosur të vijojë betejën politike e qytetare me të gjithë forcën e saj. ‘Ne nuk nënshtrohemi. Ne do qëndrojmë me të gjithë potencialin dhe forcën tonë kundër këtij regjimi’. Kryetari i Partisë Demokratike, e cilësoi këtë betejë si një përballje për fëmijët, për familjet shqiptare dhe për miqtë e Shqipërisë, duke e paraqitur si një mision moral dhe kombëtar kundër regjimit të Edi Ramës.

FJALA E PLOTE:
Narkomazhoranca apo pseudomazhoranca ka kaluar në ekstrem.
Në parlament nga 9 seanca të zhvilluara, me gjithë angazhimin më serioz të opozitës në çdo komision, në çdo seancë, ju jeni dëshmitarë se opozita është lejuar të diskutojë vetëm në një seancë, çka do të thotë de facto asgjësim i parlamentit dhe parlamentarizmit.
Çka do të thotë shkelmim i Kushtetutës, rregullores së parlamentit, rendit kushtetues të vendit.
Çka do të thotë mohim i të drejtave të opozitës.
Plas çdo skandal, jo tanimë kryeministri, por as ministrat nuk paraqiten në interpelancë.
Në këto kushte do i sugjeroj grupit parlamentar dhe partisë që opozita të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe aty deputetët e opozitës, qytetarët, të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet, denoncimet.
Pas 9 seancash, opozita është lejuar të debatojë vetëm një ditë në parlament.
Atëherë ne kalojmë në debat me qytetarët.
Kjo përbën një hap të domosdoshëm për t’iu përgjigjur represionit në parlament të opozitës, të pluralizmit, shkelmimit të ligjeve, të Kushtetutës, në funksionimin e këtij institucioni.
Kjo nuk do të thotë bojkot i parlamentit, jo.
Por kjo do të thotë se opozita do zhvillojë betejë edhe brenda parlamentit.
Ajo ka të gjithë potencialin, të gjithë trashëgiminë dhe kësaj dhune të pandërprerë, kësaj mbyllje goje të opozitës në parlament, ajo do i përgjigjet me mjete adekuate, si në komisione, ashtu edhe në sallën e parlamentit.
Së pari.
Së dyti, kjo është opozita e votës së dhunuar.
Kjo është mazhoranca e zgjedhjeve të vjedhura.
Protestat kombëtare janë tejet të vonuara dhe së shpejti do komunikojnë para jush protestën e parë kombëtare dhe pastaj në vazhdim, ku ftojmë të gjithë ata qytetarë që janë të gatshëm të luftojnë për votën e lirë kundër një regjimi që e ka konfiskuar atë, e ka vjedhur atë.
Kundër një regjimi që ka përdorur të gjithë potencialin ekzekutiv, shtetëror, financiar, logjistik, mediatik për të blerë, për të influencuar, për të ndikuar dhe për t’u marrë votën shqiptarëve.
Përpjekja jonë për të transformuar parlamentin në një tribunë të fjalës së qytetarëve dhe interesave të tyre, has në absurditetin, në banditizmin e paprecedent parlamentar në historinë e vendit.
Qeveria u miratua pa debat.
Programi i saj pa debat.
Buxheti dje pa debat.
Të gjitha pa debat.
Atëherë ne do hapim platformën parlamentaro-qytetare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave si hap i parë.
Por ne ndaj këtij regjimi jemi të vendosur të qëndrojmë me të gjithë potencialin dhe forcën tonë.
Ne nuk nënshtrohemi.
Së dyti, duhet të rikthehem edhe njëherë ligjit që i vuri kazmën në themel shtyllës më kryesore të ekzistencës së kombit shqiptar, që është familja.
E them këtu, e përsëris, e thashë edhe dje në parlament, është familja dhe mbi të gjitha familja shqiptare, ajo që ka mbartur ekzistencën e këtij kombi, mbijetesën e tij në kushtet më të jashtëzakonshme.
Në të njëjtën ditë kur Gjykata Supreme e SHBA, 9 vite pas gjykimit të Gjykatës Supreme të Francës, sanksionon dy gjini, mashkull, femër, burrë, grua dhe përjashton njohjen e çdo gjinie tjetër, në parlamentin e dhunës, të votës së vjedhur, votohet ligji në të cilin gjinia zëvendësohet me përkatësinë e shumëfishtë gjinore.
Zëvendësohet me identitetin gjinor me diversitet të gjerë.
E gjitha kjo kalon pa debat në pabesi, në kundërshtim me marrëveshjen e arritur po dje paradite që ligji të afrohet dhe debati të zhvillohet jo pas orës 1 të natës, por në një kohë kur qytetarët mund ta ndiqnin.
Dhe ata e votuan, por kur e kuptuan se ata nuk mund të mbronin para shqiptarëve ligjin që shkonfiguronte shtyllën kryesore të ekzistencës së kombit, familjen, vendosën ta votojnë pa debat, morën pushim gjersa i mblodhën në të katër anët deputetët që nuk i kishin dhe realizuan votimin siç e patë mbrëmë.
Në këto rrethana, PD nuk pajtohet me këtë ligj.
Ajo do ndërmarrë të gjitha hapat kushtetuese, do rikonsiderojë referendumin dhe çdo gjë të mundshme dhe të nevojshme për anulimin e këtij ligji, i cili në fakt përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar pasi rrëzon të paktën 4 nene të Kushtetutës.
Pasi rrëzon Kodin e Familjes.
Rrëzon Kodin Civil.
Kodet, pra, të cilat përbëjnë bazën juridike të shtetit.
Kjo përpjekje do bëhet në bashkëpunim të ngushtë me çdo shqiptar që e ka familjen sa hyjnore, aq edhe tokësore.
Me çdo besimtar që i konsideron librat e shenjtë të besimit të tij fetar si kodin moral të familjes së tij.
Me çdo prind që në përputhje me Kushtetutën e vendit, do që fëmija e tij të marrë edukimin fetar të familjes së tij. Në përputhje me gjininë, me të cilën ka lindur.
Pra, të gjitha këto kërkojnë një përgjigje të fuqishme nga qytetarët dhe ne nisim këtë betejë me bindjen më të thellë se pavarësisht nga mbështetja e këtij narkoshteti, ky narkoshtet nuk ka legjitimitet.
Se pavarësisht nga mbështetja e këtij narkoshteti, raporti i ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 11 majit rrëzoi legjitimitetin e kësaj qeverie.
Se pavarësisht nga të gjitha mbështetjet, Shqipëria është rrezik kryesor me eksportin e kriminalitetit në Ballkan dhe në Europë.
Dhe se kartelet shqiptare të drogës, degë të karteleve të Amerikës Latine, janë sot kartelet më të rrezikshme për Europën.
Ne e bëjmë këtë betejë jo vetëm për fëmijët tanë dhe veten tonë, por e bëjmë edhe për miqtë tanë dhe partnerët tanë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: PS-ja ashtu sikurse paralajmëroi në seancën plenare, i ka kërkuar Komisionit të Etikës që të ju përjashtojë ju nga punimet e Kuvendit me 30 ditë. Nëse Komisioni i Etikës e pranon këtë propozim dhe ju përjashton, cili është qëndrimi juaj?
Sali Berisha: Qëndrimi im është ky që shpreha këtu. Unë shpreha qëndrimin.
Partia Demokratike u bllokua në 9 seanca përveç njërës. PD-ja do të krijojë platformën e saj, para zyrës së narkodiktatorit të parlamentit.
Kjo është përgjigja.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Ju përmendët pak më parë bandat dhe narkosin, kam një pyetje për pastrimin e parave të pista në sektorin e ndërtimit. Dy ditë më parë kreu i SPAK, Altin Dumani është shprehur se, Tatimet dhe Doganat nuk kanë referuar asnjë rast për pastrimin e parave të pista në ndërtim dhe turizëm. Ndërkohë guvernatori Gent Sejko ka deklaruar se, rritja e qirave ka ndikuar në rritjen e inflacionit, pra ka prekur ekonominë e familjeve shqiptare. Në një kohë kur duket se ekonomia është në mërishën e parave të pista cili do të jetë propozimi dhe qëndrimi i opozitës.
Sali Berisha: Deklarata e Altin Dumanit, është një skandal. Një skandal i vërtetë. Shteti shqiptar ka një agjenci kundër larjes së parave, dhe kjo agjenci ka të gjithë autoritetin shtetëror për të shqyrtuar çdo transaksion të dyshimtë në Republikën e Shqipërisë.
Kjo agjenci ka shqyrtuar të paktën 5 herë gjatë këtyre viteve dhe e përgëzoj, çdo transaksion të familjarëve të mi. Dhe unë i përgëzoj, gjëja më normale.
Kjo agjenci, nuk mund të them se ka analizuar transaksionet e bosëve të drogës dhe të krimit, por nuk mund të përjashtoj se e ka bërë këtë. Nuk mund të them që nuk e ka bërë.
Por ka një gjë në themel që unë e kam denoncuar me dhjetëra herë para jush. Altin Dumani është përgjegjësi kryesor, për mos zbatimin e ligjit antimafia. Këtu qëndron gjithë problemi.
Se nëqoftëse Altin Dumani zbaton ligjin antimafia, ai konstaton se pronat e klanit Xhafaj, vijnë nga droga e Gerondit, dhe jo nga djersa e tyre. Por Altin Troplini nuk e bën këtë se është peng.
Nëqoftëse Altin Troplini është i interesuar, ja ku është hoteli 70 mln euro gjer tani i familjes Rama dhe Redi Mollës që e nxorrën nga burgu se është i teta Ollgës.
Nëqoftëse Altin Troplini është i interesuar, le të lexojnë Ola Xamën, një gazetare kurajoze, e cila bëri një hetim që Altini nuk e bëri. Dhe kjo gazetare i tha opinionit publik, se këto kulla, monumente të drogës dhe korrupsionit, vetëm 20% të parave i kanë nga bankat.
Dhe kjo mjafton për Altin Troplinin që tu vë drynin atyre kullave, me para të pista.
Por ai mburret se kam sekuestruar 63 mln euro. Gjë më të qesharake, në një kohë kur perandoritë e klaneve janë me miliarda.
Kjo është.
Ai tani ka marrë mision të dalë nëpër studio dhe të mashtrojë. I thotë publikut se për herë të parë tre zv/kryeministra, ky quan zv/kryeministra ata që kanë qenë.
Por gjer sot, siç mashtron ai, se ka një zyrtarë shumë të lartë të dënuar. Asnjë zyrtar shumë i lartë nuk është i dënuar për korrupsion. Asnjë për korrupsion.
Dhe për sqarim për publikun. Këta që duan të ua fshijnë memorien ju dhe tu hedhin trutë e atij që s’po e them, ju thonë ju se nuk ka ndodhur ndonjëherë, ministri në detyrë.
U them unë ju, nga viti 2008-2010, kanë lënë imunitetin dhe janë paraqitur para prokurorit dhe gjykatësit, zv/kryeministri në detyrë dhe dy ministria në detyrë, jo ish-ministrin, por në detyrë.
Ka dhënë dorëheqjen Ilir Meta në mënyrë absolute, bazuar në një dokument të falsifikuar nga Edi Rama me Filip Çakullin, i cili doli nga analiza e institutit italian më prestigjioz se ishte falsifikuar në 28 segmente.
Por ai e kishte atë burrni. Më erdhi në zyrë dhe më tha se, nuk shkoj te prokurori për tu hetuar si zv/kryeministër, por do shkoi tek ai të hetohem si qytetar i thjeshtë.
Për hirë të vërtetës, të njëjtën gjë, absolutisht ka bërë Fatmir Mediu, të njëjtën gjë ka bërë Lulzim Basha.
Se këta që duan ti hedhin publikut trutë e atij dhe mendojnë se publiku do besojë mashtrimet, jo mor. Ky quan zv/kryeministër Arben Ahmetajn të cili i lëshoi mandat arrestin, në një kohë që ai ishte larguar prej kohësh nga detyra dhe vetëm kur mori dokumentet e pllakave të banjës së ish-bashkëshortes nga i mori.
Pra, një propagandë vulgare, neveritëse.
Por edhe ata gazetarë të cilët qëndrojnë, ky është problemi ‘fact checking’. Gazetarë të cilët pranojnë mashtrime, bëhen bashkëpunëtor në mashtrim, nëse nuk bën ‘fact checking’.
Shifni, lexoni mediat amerikane dhe mediat e tjera. Absolutisht të nesërmen e deklaratave të paraqesin ‘fact checking’. Ka rëndësi të madhe, se në këtë mënyrë mund të kthjellojnë hapësirën komunikative-mediatike të vendit.
Del ai thotë, për herë të parë. Ç’për herë të parë. Mirë është të mos citojmë një njeri që nuk e meriton të citohet.
Andon Kello, AbcNews: Ju folët për një platformë parlamentare, a lidhet kjo me një përjashtim të mundshëm nga parlamenti dhe nëse na jepni më shumë detaje, si do të jetë e organizuar, do jetë çadër, foltore, mikrofon, do të jetë e përditshme …
Sali Berisha: Të gjitha do jenë objekt diskutimi, por foltorja…
Dje për shembull, pesë deputetë tanë kishin përgatitur fjalimet pasi kishin marrë kontakt me zgjedhësit në zonat e tyre, që nuk mund të mbyllej kurrë parlamenti.
Ia mbylli ai, e ka dyqan ai.
Ndaj dhe ne nuk mund të rrimë, do krijojmë hapësirën tonë mediatike.
Pse para kryeministrisë?
Sepse Edi Rama është autori i saj, këta janë instrumente. Niko dhe Taulanti janë instrumente.
Ndaj dhe aty do fillojmë betejën tonë.
Andon Kello, AbcNews: Ditën e diel mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki. Ju nuk keni dalë në fushatë, por mbështesni 5 kandidatë të pavarur. Si e shihni garën …
Sali Berisha: Tani, jam në prag të zgjedhjeve, por ti i di konsideratat e mia për regjimin.
Një regjim që nuk pranon votën e lirë, është një regjim që duhet të rrëzohet sa më parë.
Anisa Kadesha, RTSH: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga nisja e protestave. Cili do të jetë qëllimi dhe deviza e këtyre protestave.
Sali Berisha: Pritshmëritë e mia janë shumë pozitive. Unë kam bindjen se ata qindra e mijëra shqiptarë që votuan në kushtet më të vështira kundër kësaj qeverie, do vazhdojnë misionin e tyre për përmbysjen e saj dhe rikthimin e të drejtës së votës së lirë.
Sikundër kam bindjen se platforma e opozitës para zyrave të narkodiktatorit do të jetë platforma më e ndjekur me gjithë përpjekjet që do bëjnë, të sigurta, me mediat që kontrollon qeveria.
Ju e morët vesh se çfarë skandali ndodhi në konferencën e shtypit të Edi Ramës, kur asnjë gazetar nuk guxoi ta pyesë atë për rolin e tij të dokumentuar, të faktuar në vjedhjen e 90 milionë eurove në tunelin e Llogarasë.
Parmbrëmë emisioni ‘Plug’ nxori dokumentet të cilat faktojnë se tuneli është kryekëput vepër Rama-Balluku ndaj dhe rëndom po e quan populli Palloshi i Gjatë.
Të bëjë ç’të dojë, por Belinda ka luajtur rolin më negativ, më përgjegjës për të, sigurisht nuk dua me asgjë të justifikoj qëndrimet e saj, por ju e patë si funksionon.
Bëje këtë, kam jetën time, kam këtë, kam atë, t’i them atij sipër, t’i them këtij poshtë.
Vetëm nuk shtet është ky.
Ky nuk është shtet, por është përshesh mafioz.
Njerëz mafiozë që nuk kanë as ligj, as moral.
Por përveç të tjerash, dy ura i kanë ngrënë dhe kanë zhdukur kanionin.
Kanë kryer krim shumë të rëndë.
Kanë rrafshuar kanionin për të përvetësuar 25 milionë euro që ka qenë kostoja e urave, që është absolutisht krim i shëmtuar i shumëfishtë.
Pra, shqiptarët nuk mund të thonë tani që nuk janë kapur me presh në dorë Edi Rama dhe Belinda Balluku.
Për shqiptarët është shumë e qartë se dardhat dhe kumbullat e prishura i ha Edi Rama dhe vartësve u hedh bishtat.
Ja pra, të gjithë këto janë kushtrim për qytetarët shqiptarë dhe unë jam i bindur se ata do ecin të sigurt drejt realizimit të qëllimeve të tyre, një qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

