Berisha: Nuk do pajtohemi me dhunimin e të drejtave të opozitës në parlament, do u japim përgjigjen që meritojnë!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME GRUPIN PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar ditën e sotme, akuzoi me tone të ashpra qeverinë se po shtyp opozitën dhe po e privon nga të drejtat e saj kushtetuese për të kontrolluar ekzekutivin dhe zbatimin e ligjit. Berisha deklaroi se në 10 seanca të fundit parlamentare, opozitës i është mohuar fjala në nëntë prej tyre, duke mos lejuar as debatet për programin qeveritar, buxhetin dhe aktet ligjore. Berisha tha se ministrat refuzojnë interpelancat dhe paraqitjet në komisione, ndërsa kërkesat për komisione hetimore janë hedhur poshtë në mënyrë antikushtetuese. Lideri demokrat tha se, Rama po e trajton opozitën si “vasale të partisë-shtet” dhe po tenton ta asgjësojë politikisht.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se shqiptarët kanë parë dokumente që tregojnë pazare të dyshimta mes Ramës dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, përfshirë tendera që lidhen me tunelin e Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës, ku shumat shkojnë deri në 230 milionë euro dhe janë realizuar në shkelje të ligjit. Berisha tha se Balluku ka firmosur tendera të diskutueshëm pavarësisht kundërshtimeve të Damian Gjiknurit dhe Arben Ahmetajt, ndërsa Rama e ka mbrojtur atë duke thënë se “Lubia më zgjidh punët e mia”.

Ai kujtoi gjithashtu rastin e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta, i cili dha dorëheqje për një akuzë të montuar nga Rama dhe Filip Çakulli, duke theksuar se Meta zgjodhi të paraqitej si qytetar para prokurorisë dhe jo si zëvendëskryeministër, një veprim që sipas Berishës tregon standardin që qeveria nuk e ndjek kur vetë kryeministri përfshihet në skandale.

Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi gjithashtu ligjin për barazinë gjinore, duke e quajtur një “përmbysje të rendit juridik” dhe një hap drejt “post-marksizmit ekstrem”. Ai argumentoi se ligji e vendos barrën e provës mbi të akuzuarin, i heq prindërve të drejtën për edukimin e fëmijëve dhe vendos mekanizma censurimi, duke i penguar opozitës dhe qytetarëve të diskutojnë lirshëm çështje që lidhen me bindjet morale dhe fetare. Berisha theksoi se ligji ka elemente censurimi të debatit publik dhe se nuk është miratuar në shumë vende të BE-së, ndërsa Gjykatat Kushtetuese në Francë dhe SHBA e kanë rrëzuar si antikushtetues.

Në lidhje me funksionimin e parlamentit, Berisha akuzoi kryeministrin se po mbyll debate dhe pengon veprimtarinë e deputetëve opozitarë, duke u shprehur se mazhoranca nuk lejon diskutime dhe se çdo pengesë buron direkt nga Rama, ndërsa Taulant Balla vepron vetëm si përcjellës i urdhrave të tij. Kryedemokrati theksoi se opozita nuk do të bëhet kurrë “vegël e mazhorancës” dhe se do të japë një përgjigje të merituar për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese dhe interesit të qytetarëve.

FJALA E PLOTË

Mblidhemi sot në këtë mbledhje jashtë radhe apo të jashtëzakonshme të grupit parlamentar për shkak të një situate të jashtëzakonshme në të cilën ne ndodhemi për shkak të vendosmërisë të pandalshme të narkoqeverisë për të shtypur me të gjitha potencialet opozitën dhe opozitarizmin.

Për ta shndërruar atë në një vegël apo në një instrument pa vlerë për asnjë funksion për qytetarët, mbrojtjen e interesave të tyre, për t’ia mbyllur asaj gojën, de facto për ta asgjësuar atë politikisht si forcë politike parlamentare.

Ne jemi dëshmitarë që me seancën e fundit u bënë 10 seanca parlamentare në të cilat qeveria në 9 prej tyre i mohoi opozitës çdo debat për çdo çështje që erdhi në parlament, duke filluar nga programi i qeverisë, miratimi i Këshillit të Ministrave, duke përfunduar tek miratimi i buxhetit dhe çdo gjë tjetër.

Ju jeni dëshmitarë sepse në 10 seanca ka pasur vetëm një seancë me debat dhe kjo ka qenë seanca ku është diskutuar për institucionet e drejtësisë.

Janë kaluar ligje, projektvendime, akte normative dhe në asnjërën prej tyre në mënyrë absolute nuk është lejuar opozita të debatojë, të marrë fjalën, të paraqesë mendimet, të mbrojë interesat e zgjedhësve të saj që kanë votuar kundër një qeverie si kurrë ndonjëherë në historinë 33-vjeçare të parlamentit pluralist.

Nuk ka ndodhur kurrë sepse nuk mund të ndodhë si rregull.

10 seanca parlamentare ku vetëm në njërën opozita ka pasur mundësi të shprehet.

Dhe, të mos harrojmë, 10 seanca parlamentare të paraprira nga qindra mbledhje komisionesh, në të cilat opozita ka marrë pjesë në mënyrën më serioze. Në të cilat opozita është përkushtuar me seriozitetin më të madhe për të paraqitur objeksionet, sugjerimet, propozimet për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Pra, me gjithë këtë punë shumë serioze që ju keni bërë në komisionet parlamentare- dhe më serioze shumë se puna e të tjerëve- por kur vjen puna pas komisioneve në aulën e parlamentit, Edi Rama urdhëron të mbyllë mikrofonat për opozitën.

Me gjithë kontrollin e jashtëzakonshëm që ka në media, kontrollon më shumë, më lehtë lajmet që dalin nga komisionet parlamentare, por rikthimi apo mbyllja i veprimtarisë në komisione, një veprimtari shumë serioze e deputetëve të opozitës, has në asgjësimin e të drejtës së tyre për të debatuar për ligjet, për projektet, për vendimet që janë miratuar në ato komisione. Që janë hedhur poshtë në ato komisione.

Janë bërë 10 seanca në të cilat si kurrë ndonjëherë në histori, ministrat nuk lejohet të vijnë në interpelanca.

Janë bërë 10 seanca që refuzohet çdo mocion me debat. Të drejta të sanksionuara në Kushtetutë këto për opozitën.

Janë bërë 10 seanca, refuzohen në mënyrë antikushtetuese të gjitha kërkesat e opozitës për komisione hetimore parlamentare.

Pra, opozita privohet jo vetëm nga e drejta, por nga detyra e saj themelore për të kontrolluar ekzekutivin, për të kontrolluar zbatimin e ligjit.

Nuk mund ta kryejë këtë.

Në tërësi ministrat nuk refuzojnë vetëm interpelancat, por refuzojnë edhe paraqitjen para komisioneve.

Dhe nxjerrin mbi parlamentin ata që nuk mund të jenë kurrë, zëvendësministrat apo drejtorët.

Në parlament, deputetëve u mohohen të drejtat më themelore që Kushtetuta dhe rregullorja e parlamentit u garanton atyre.

Opozita trajtohet si një vasale e partisë-shtet me të cilën ajo mund të bëjë ç’të dojë.

Ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme, shqiptarët panë me dokumente se si Edi Rama me Belinda Ballukun bëjnë pazaret më të ndyra në kurriz të tyre, me tendera që shkojnë 200 milionë euro në tunelin e Llogarasë, pa respektuar asnjë nen të ligjeve të këtij vendi.

Se si gjithçka vendoset në vizitat e tyre në Ankara, në takim me kompani.

Dhe se si e njëjta kompani, që përdoret për tunelin e Llogarasë, përdoret për aeroportin e Vlorës për të njëjtat qëllime, të njëjtat mekanizma.

Në çdo vend të botës, kryeministri jep dorëheqjen para një skandali të tillë.

Nuk duhet të them kurrë se Belinda Balluku është e pafajshme, përkundrazi më vjen keq që jam detyruar t’ia ndërroj emrin nga Belindë në Lubi – dhe kam bërë mirë- sepse njeri më të papërmbajtur mbi tokë për vjedhje e hajni nuk ka.

Por ajo, shumicën i ka për llogari dhe së bashku me Edi Ramën.

Po, të faktuara tashmë.

Cili është qëndrimi i Edi Ramës ndaj këtyre superskandaleve?

Tunelit të Llogarasë, në të cilin kompania që ofroi 130 milionë euro, iu dështua tenderi për ta fituar kompania turke me 180 milionë euro, për të shtuar 50 milionë.

Dhe nuk janë 50 milionë, janë absolutisht 90 milionë, sepse vetëm urat që nuk i ka ndërtuar janë në preventiv dhe tender 20 milionë.

Me një fjalë, në total tuneli shkon 230 milionë.

Por një gjë është, tunelin, Lubia e ka kontraktuar, siç thotë, me urdhër të Edi Ramës.

Dhe e vërteta, u them dy gjëra tani.

E vërtetë është se kjo i ka bërë të qartë Edi Ramës se do ta marrë me vete në qoftë se e lëshon.

Dhe tani unë do t’u informoj ju për mbledhjen top-sekret që u zhvillua në selinë e PS.

Në atë mbledhje, janë mbledhur deputetët dhe drejtuesit për Tiranën.

Në atë mbledhje Edi Rama u ka bërë të qartë atyre se drejtuese e qarkut të Tiranës do jetë Lubi Balluku.

Dhe se Skapi i partisë ka sulmuar Partinë Socialiste dhe ka sulmuar Edi Ramën se aty nuk qëndron dhe se të gjithë problemin e kanë tek unë. E kanë tek ai.

Prandaj Belinda është vetë pafajësia, beteja që na bëhet është politike dhe ju vazhdoni punën duke pasur Belindën në krye, Lubinë në krye për Tiranën.

Pas skandalit të tunelit të Llogarasë, zoti Pacolli informoi shqiptarët për një skandal identik me të, për një tender që nuk u zhvillua kurrë përveçse në zyrën e Lubisë, për një objekt që ishte parashikuar në kontratë 105 milionë, dhe gjer tani është 140 milionë dhe janë edhe 30-40 milionë që duhen investuar për t’u përfunduar.

Sepse Edi Rama dhe Lubia kishin parashikuar atë me një qëllim të vetëm, aeroportin më ët madh në Ballkan, që të realizonin vjedhjen më të madhe në Ballkan.

Por një gjë, e vërtetë është, që ne nuk ndërhyjmë në ato punët e brendshme të aksionerëve, i zgjidhin vetë ata, por një moment kishte aty. Momenti supermafioz i kërcënimit me jetë të Bexhet Pacollit.

Ai ka domethënien e madhe në vetvete, ai ka domethënien se cilët janë enturazhi i Edi Ramës dhe Lubi Ballukut.

Zoti Pacolli, natyrisht me atë superkujdesin e tij, nuk citonte Ramën.

Por po tha Lubia, është Rama, kjo është e njohur.

Por i tha gjërat.

Pra, qytetarët duhet ta dinë se dy ministra të qeverisë socialiste, përkatësisht Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj nuk kanë pranuar të firmosin tenderin për aeroportin e Vlorës sepse nuk kanë qenë dakord për 120 milionë euro që duheshin paguar për biletat e munguara.

Dhe ata normal kanë kërkuar që aeroporti të ndërtohej me faza, siç është bërë me aeroportin e Tiranës.

Me një fjalë, kanë kërkuar atë që duhej pranuar dhe nuk kanë pranuar të firmosin.

Kur Lubia ka firmosur, Edi Rama u ka thënë atyre se kjo më zgjidh punët e mia, ju nuk më duheni gjë.

Por në vend që të japë dorëheqjen së bashku me Lubinë e tij, ai ka deklaruar në mbledhjen e partisë, në mbledhjen e Tiranës, se ky është një sulm që Skapi i partisë i bën Edi Ramës dhe Lubia nuk ka asnjë përgjegjësi. Nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore. Asnjë gjë prej gjëje.

Dhe në fakt siç e shihni, ajo vazhdon veprimtarinë, ndonëse si një fantazmë, sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Sepse autori i kësaj është Edi Rama dhe kjo ka zbatuar urdhrat e tij kriminalë.

Ka shkelur ligjet e vendit dhe është përgjegjëse absolutisht 100 përqind, por bashkë me Ramën.

Ata që mendojnë se ky është një popull pa memorie, unë u rikujtoj se ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta, për një regjistrim të manipuluar nga Edi Rama dhe Filip Çakuli, në të cilin përmendej shifra 700 mijë, që në të vërtetë ishte letër me shkrim që një kompani i kishte dërguar Ilir Metës, që moszbatimi i vendimit të gjykatës ndaj saj, ajo kishte fituar vendimin në gjykatë për një hidrocentral, dhe moszbatimi i vendimit ia ka kushtuar atij një dëm 700 mijë euro. Ajo letër ekziston në dokumentet e shtetit, ekziston kudo.

Dhe pas ekspertizës që i bë regjistrimit, ajo doli se ishte cut-and-paste në 27 vende. Instituti më serioz i ekspertizës në Itali.

Pavarësisht nga kjo, Ilir Meta, duke ditur standardin që ekziston, më ka ardhur në zyrë, më ka thënë se unë jap dorëheqjen nga çdo detyrë shtetërore, sepse unë nuk shkoj të ulem para një prokurori si zëvendëskryeministër.

Unë do shkoj të ulem si qytetar para atij.

Kjo më takon dhe ka dhënë dorëheqje.

Ka dhënë dorëheqjen pra për një akuzë që Edi Rama kishte montuar me Filip Çakullin, se ato 700 mijë euro që ishin në shkresë në të cilat një kompani shqiptare, mos gabohem me pronar nga Elbasani, pretendonte se është dëmi që i është shkaktuar se ministria nuk zbatonte vendimin e gjykatës.

Kjo është e vërteta.

Ai tha jo, unë do shkoj.

Kurse këtu bëhet fjalë për 90 milionë euro të zhdukura dhe kjo nuk ka faj, sepse faji është i Edi Ramës. Jo, faji është edhe i asaj, edhe i Edi Ramës.

Por ky është standardi.

Pra, ne jemi në këto kushte ku opozitës i mohohen të gjitha të drejtat kushtetuese dhe rregullorja.

Në të cilën, Edi Rama sundon mbi të gjitha ligjet dhe institucionet.

Mbron në mënyrë flagrante, nuk është rasti i parë ky, këtë e ka bërë me Saimir Tahirin.

U kujtohet ju, solli Antimafia Italiane kërkesën për arrest për Saimir Tahirin sepse e kishte dokumentuar në qindra regjistrime me klanin Habilaj, e kishim denoncuar ne, e kishte denoncuar Zagani që kishte një meritë të jashtëzakonshme se ishte oficeri kryesor i antidrogës në zonë.

Dhe Edi Rama zgjodhi të sulmojë prokurorët për kërkesën dhe nuk lejoi arrestimin e tij. Madje asgjë.

Kështu që është totalisht në mburojë të vjedhjeve dhe korrupsionit dhe ne gjer sot bëmë çdo përpjekje për të shfrytëzuar çdo hapësirë, për të përmbushur detyrimin tonë kushtetues ndaj zgjedhësve tanë, por qeveria mbylli çdo hapësirë.

Dhe ne sot duhet të diskutojmë për përgjigjen që do i japim kësaj gjendje të pashembullt që nuk ka ekzistuar ndonjëherë.

Së treti, duhet të ndalem pak tek ligji.

Ligji është një përmbysje e renditur juridik të Shqipërisë.

Është një përmbysje që e çon Shqipërinë absolutisht drejt post-marksizmit ekstrem.

Ligji kërkon që, ndër të tjera, barrën e provës ta ketë i akuzuari dhe jo akuzuesi.

Në qoftë se ka një nen që shërben si neni i luftës të të gjithëve kundër të gjithëve, dhe ky parim i doktrinës së ekstremit marksiste, çdo njeri që nuk i pëlqen këtij apo atij, mjafton të nxisë një punonjës apo dikë që të thotë se më diskriminoi dhe ky duhet të provojë se nuk e ka diskriminuar.

Kjo është përmbysje.

Përveç kësaj, siç keni lexuar dhe dëgjuar, është shkatërrimtar për sistemin arsimor.

Faktikisht ua merr fëmijët prindërve nga fuqia edukuese e tyre.

Vendos censurën dhe ne duhet të jemi shumë të shqetësuar se një stinë censure që filloi në SHBA dhe që është përhapur edhe në Europë, është absolutisht një rrezik madhor për demokracinë kudo që ndodhet.

Në Departamentin e Shtetit u krijua njësia anticensurë.

Erdhën dhe e krijuan edhe në Shqipëri, në Ministrinë e Jashtme.

Në vizitën e tij në Shqipëri, zoti Blinken, të vetmen marrëveshe, përveçse t’u thoshte shqiptarëve se Edi Rama është një udhëheqës i jashtëzakonshëm, ishte firmosja e ngritjes së drejtorisë së censurës dhe pastaj krijimi i komisionit të censurës në parlament.

Çfarë tregoi hetimi që bëri Kongresi amerikan?

Hetimi tregoi se këto njësi merreshin me censurën, as të rusëve, as të kinezëve, por thjesht të kundërshtarëve, të gazetarëve, televizioneve dhe portaleve konservatorë.

Kjo u faktua.

Ky ligj ka nenin e censurës.

Do të flasë urata për Adamin dhe Evën apo hoxha për Ademin dhe Ajshen, ata i thonë jo, dënohesh, nuk është kjo origjina. Është tjetër.

Pra, kanë vendosur ligjin e censurës.

Gazetarët nuk e kuptuan, nuk e kanë lexuar ligjin.

Kanë kthyer nenin e censurës.

Tani, disa çështje janë çështje të ndërgjegjes.

Martin Luteri ishte një prift i thjeshtë, por u bë njeriu ndoshta ndër më të pavdekshmit e të gjitha kohërave, jo për tezat e reformimit, por për qëndrimin para konklavit.

Konklavi do ta hidhte në turrën e druve dhe ai u tha, kam shkruar vetëm ato që burojnë nga ndërgjegja ime dhe nuk ndryshoj asgjë.

Çfarë dua të them me këtë?

Nuk mund të ndryshojë njeriu bindjet e tij, as morale, as fetare që ka.

Nuk kemi bindje diskriminuese ne.

Këto ditë kanë qarkulluar në media një deklaratë të ish-kryetarit të shoqatës LGBT se Berisha na ka ndihmuar.

Absolutisht me ndërgjegje dhe vendosmëri i kam ndihmuar sepse jam kundër çdo diskriminimi.

Por kjo nuk do të thotë të fusim kazmën.

Kam qëndruar dhe qëndroj kundër diskriminimit.

Po jo në këtë mënyrë.

21 vende anëtare të BE nuk e kanë kaluar këtë ligj.

Prisni.

Të themi se kjo është politikë. Mirë. Po e ka hedhur poshtë ligjin Gjykata Kushtetuese franceze.

E ka hedhur poshtë.

E hodhi poshtë Gjykata Supreme amerikane.

Dhe vetë Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luksemburg thotë se problemi i gjinisë nuk buron nga e drejta evropiane. Nuk buron nga e drejta e Bashkimit.

Atëherë?

Mirë ti ke bërë këtë ligj, po pse e përjashton debatin nga ky ligj?

Si e përjashton debatin nga ky ligj.

Dhe pastaj merr dhe monton një seri mekanizmash për të sulmuar opozitën.

Ua them përsëri këtu shembullin e Martin Luterit, njeriu për ato që i ka në ndërgjegje, ato i mbron dhe do i mbrojë gjithë jetën pa asnjë lloj hezitimi.

Sikundër nuk i them atij mos mbro ato që mendon.

Dhe në qoftë se këta nuk po kryenin këto që themi ne me ligj, do ta debatonin. Do na thonin ne jo, nuk është censura.

Por se është censura.

Po si mund ta pranojmë ne censurën?

Miq, një gjykatës amerikan, e kishte paditur qeveria e presidentit Trump, i tha: Kushtetuta është për të mbrojtur urrejtjen.

Se ishte paditur që ka shprehur urrejtje.

Kushtetuta është për të mbrojtur urrejtjen zotëri.

Pra, duhet t’i dëgjojmë ata që janë gardianë të të drejtave dhe ligjeve.

Por këta e mbyllën në mënyrën më të turpshme, nuk lejuan diskutimet, krijuan ato që u interesonte.

Natyrisht, me të drejtat e opozitës, ne nuk mund të pajtohemi kurrë me këtë dhunim që u bëhet.

Prandaj, mendoj që sot të diskutojmë për një përgjigje të merituar.

Nuk duan parlament ata, por ne nuk bëhemi kurrë vegla të tyre.

Ne lamë çdo gjë, shkojmë në parlament.

Ju shkoni çdo ditë në komisione, dhe shkojmë aty, dhe ai e mbyll dyqanin aty. Merr mesazhin, mbylle i thotë Edi Rama, e mbyll ai.

Nuk është e Taulantit ajo, Taulanti është vetëm përcjellës. Se Taulanti është njeriu më i keqpërdorur në Shqipëri.

Por ky është kapitull tjetër.

Është Edi Rama ai që i bën të gjitha këto.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale