FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha përshëndeti dhe uroi mbrëmjen e sotme në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ presidentin amerikan Donald Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Berisha theksoi mbështetjen e fortë që demokratët shqiptarë i kanë dhënë Trump-it, duke e quajtur një udhëheqës që promovon paqen, zhvillimin dhe vlerat konservatore tradicionale në SHBA dhe në mbarë botën. Kryedemokrati, Sali Berisha theksoi përkushtimin e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare ndaj aleancës me SHBA-në dhe ndau mirënjohjen për qytetarët amerikanë që kanë zgjedhur Trump-in për këto ideale.
Berisha theksoi se mbështetja e tij për Donald Trump nuk ishte thjesht një preferencë personale, por një detyrim moral dhe etik, i përforcuar nga “kodi i nderit dhe i marrëveshjes.” Berisha shpjegon se, pavarësisht sulmeve të shumta ndaj Trump-it dhe ndarjes globale kundër tij, ai zgjodhi të qëndronte pranë përkrahësve të Partisë Demokratike dhe shqiptarëve që ndajnë të njëjtat vlera konservatore.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, përpjekjet për të diskredituar Trump-in janë pasqyruar në etiketimet dhe demonizimin ekstrem, duke e cilësuar Trump-in si një lider që, gjatë mandatit të tij, ka respektuar lirinë e shtypit dhe ka përmirësuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve amerikanë. Në të njëjtën kohë, ai kritikoi përpjekjet ndërkombëtare për ta penguar Trump-in dhe theksoi përfshirjen e kryeministrit Edi Rama në lobimin për kundërshtarët politikë të Trump-it.
Berisha e lidhi mbështetjen e tij për Trump-in me situatën e brendshme të Shqipërisë, duke kritikuar rolin që ka luajtur Xhorxh Soros në vend, duke e cilësuar si një promovues të ideologjive që shkatërrojnë vlerat tradicionale, familjet dhe që përforcojnë “narkoshtetin.” Sipas Berishës, kjo ka kontribuar në largimin e shqiptarëve nga vendi dhe një krizë të thellë për opozitën shqiptare.
Kryedemokrati, Sali Berisha e përshkroi fitoren e Donald Trump-it si një “goditje në zemër” ndaj Xhorxh Soros-it, të cilin e quan “kryekorruptori” dhe “kryecensori” global. Berisha e kornizoi këtë fitore jo vetëm si një triumf për Trump-in, por si një ngjarje që sfidon një rend botëror që po shkatërron vlerat tradicionale dhe po përqafon një formë të re të autoritarizmit dhe censurës.
Lideri histori i PD, Sali Berisha nënvizoi se deklarata e tij për të mbështetur Trump-in dhe për të inkurajuar mbështetësit e Partisë Demokratike në SHBA nuk është për përfitim personal, por për të mbrojtur interesat e Shqipërisë nga ndikimi që Soros dhe aleatët e tij kanë mbi vendin. Ai pohon se ndikimi i Soros-it në Shqipëri ka ndihmuar në forcimin e një qeverie të korruptuar, duke e bërë vendin një “republikë droge” dhe duke ndikuar në përpjekjet për të dobësuar opozitën shqiptare.
Gjithashtu, gjatë fjalimit të tij në protestën maratonë, Berisha me fjalë zemre përshëndeti edhe Elon Musk për qëndrimin e tij kundër Soros-it dhe kundër asaj që Berisha e konsideron si “globalizëm shkatërrues,” i cili synon të zhdukë identitetin kombëtar dhe strukturën tradicionale të familjes.
Kryetari i PD, Sali Berisha bëri një krahasim midis sfidave që ai dhe Donald Trump kanë përjetuar, duke theksuar se të dy janë përballur me sulme që synojnë t’i heshtin dhe t’i dobësojnë përmes mjeteve të padrejta. Ai akuzon drejtësinë e SHBA-së, të cilën e lidh me ndikimin e Xhorxh Soros-it, si një institucion të korruptuar që përndjek Trump-in me akuza të padrejta.
Berisha përmendi sulmet fizike ndaj tij, duke e krahasuar atë me përpjekjet për të dëmtuar Trump-in në SHBA. Ai e përshkruan këtë si ndërhyrje politike dhe shpifje kundër Trump-it dhe vetë atij, duke përfshirë përpjekjen për të ndaluar emrat e tyre në fletët e votimit, si dhe konfiskimin e simboleve të partisë.
Berisha gjithashtu përmend çështjen e Charles McGonigal, një ish-zyrtar i FBI-së, i akuzuar për korrupsion dhe lidhje të dyshimta me kryeministrin Edi Rama. Sipas Berishës, McGonigal, në bashkëpunim me Ramën, ka ndihmuar në përndjekjen e padrejtë të Trump-it dhe në ndërhyrje të tjera kundër opozitës
Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, lideri opozitar, Sali Berisha përforcoi idenë e rikthimit dhe të forcës për të tejkaluar sfidat, duke e krahasuar rikthimin e tij në politikë me atë të Donald Trump-it. Ai u shpreh se rikthimi i Trump-it, pavarësisht pengesave dhe sulmeve të ndryshme, është një ngjarje me ndikim të madh global, që mund të shërbejë si frymëzim për shqiptarët.
Berisha i kujtoi përkrahësve të tij vështirësitë që ai vetë ka përballuar në karrierën e tij, përfshirë atentatet dhe presionet politike pas rebelimit komunist, që nuk e kanë ndalur në udhëtimin e tij politik. Duke iu referuar një thënieje të famshme: “se nuk mund të lahesh në të njëjtin lumë dy herë” — Berisha deklaron se është rikthyer jo vetëm dy herë, por është i përgatitur të rikthehet edhe një herë të tretë, duke i dhënë kuptim vendosmërisë së tij për të qëndruar në politikë dhe për të udhëhequr opozitën shqiptare.
Duke bërë një paralelizëm me situatën në Shqipëri, Berisha deklaron se ai dhe mbështetësit e tij janë të vendosur për të luftuar kundër atyre që i quan “fara e Xhorxh Sorosit” dhe “hajdutët” që po dëmtojnë vendin dhe po detyrojnë shqiptarët të largohen nga atdheu i tyre. Ai e përshkruan këtë “farë” si një elitë që jeton në luks dhe nuk ndan realitetin e vështirë të qytetarëve shqiptarë.
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi rëndësinë e përkushtimit ndaj nevojave të qytetarëve për një jetë më të mirë, për paga të denja, për arsim e shëndetësi cilësore, duke përsëritur se është “radha jonë” dhe duke i nxitur mbështetësit për fitore në përballjen e tyre të ardhshme.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta. Mirënjohjen më të pakufijshme, ju misionareve dhe misionarëve të vërtet të kauzës së drejtë të dinjitetit, lirive të njeriut, interesit kombëtar, vlerat universale të njeriut të lirë.
Përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme, që çdo natë shpërndajnë në të katërta anët e vendit të vërtetat e narkoregjimit të Edi Ramës.
Por sot, këtu në emër tuaj, të PD, të opozitës shqiptare i uroj, i përcjell urimet më të përzemërta presidentit të 47-të të SHBA-ve, z.Donald Trump për rikthimin e tij më të jashtëzakonshëm të të gjitha kohërave.
Një përshëndetje të përzemërt qytetarëve të SHBA-ve për votën e tyre, të cilët votuan dje për vlerat më sublime, më të arrira që njerëzit e lirë ndajnë njëri me tjetrin, kombet e lira nderojnë dhe respektojnë. Votuan dje, në një botë me luftra dhe të pasigurtë për Donald Trump, udhqheqësin që më shumë se kushdo tjetër premton dhe garanton paqe, prosperitet, zhvillim.
Mirënjohje të pakufijshme për ata që votuan për burrin e madh të kombit amerikan, mbrojtës kryesor i vlerave tradicionale konservatore në SHBA dhe në botë.
Të dashur miq, këtu demokratët shqiptarë, Sali Berisha në oqeanin elektoral planetar, jeni ndër më të paktët që mbështetët haptas, pa rezervë presidentin Donald Trump dhe zgjedhjen e tij.
Vetëm 5 ditë më parë në një studio televizive do të më pyesnin: për cilin je? Përgjigja e prerë: për Republikanët.
Miq, dua të jem i sinqertë me ju. Nuk kisha asnjë parashikim timin, sepse siç e patë ju kundër Donald Trump-it u përdorën aktet më të rënda. U dëmtua dy herë në mënyrë mizore jeta e tij, vetëm e vetëm që ai të mos ishte presidenti i 47-të i SHBA-ve.
Nga ana tjetër, ndaj tij lëshoheshin etiketat më të pamerituara. Një njeri që qeverisi, drejtoi Amerikën për 4 vite dhe që nuk burgosi, nuk paditi një gazetar të vetëm, kundërshtar të tij, një njeri që i bëri amerikanët më të pasur, më të sigurtë, e demonizonin çdo ditë në shkallën më ekstreme me epitetet nga më të turpshmet.
Mblidhnin mbarë botë të shprehej kundër tij. Edi Rama organizonte takime gjoja me diasporën për të lobuar për kundërshtarin politik etj, etj.
Pra, nuk ishte e mundur për mua të parashikoja se cili do të ishte fitimtari, por kodi i nderit dhe i marrëveshjes kërkonte që unë t’u qendroja atyre, pavarësisht nga çdolloj rezultati dhe çdlloj çmimi.
Nuk e bëra deklaratë për veten time, jo absolutisht. E bëra për ju, demokrate dhe demokratë, për opozitaret dhe opozitarët. E bëra për për shqiptarët dhe shqiptaret.
E bëra për ju, sepse ai që mund të quhet kovodi moral i kohërave, Xhorxh Soros dhe doktrina e tij kanë shndërrua Shqipërinë në laboratorin eksperimental të shkatërrimit të vlerave, të shkatërrimit të familjeve, të ndërtimit të narkoshtetit, të përzënies së shqiptarëve nga Shqipëria.
Atë prononcim, atë thirrje për anëtarët e PD, mbështetësit e saj në SHBA, nuk e bëra për veten time, as për të ndërhyrë në zgjedhje të kujt, por e bëra sepse Shqipëria, republika e drogës dhe e Xhorxh Sorosit përjetoi një nga krimet më të rënda, dramat më të mëdha, grushtin e shtetit kundër opozitës shqiptare.
Grushtin e shtetit kundër opozitës shqiptare në një vend që midis të gjitha vuajtjeve të shekujve dhe mijëvjeçarëve, vuajtjen më të madhe kishte patur mungesën e demokracisë.
Grushtin e shtetit kundër një vendi partner, anëtar i NATO-s, një vend që kishte bërë me zemër të hapur, kishte vendosur një bashkëpunim luajal me SHBA-të, por tani për monstrën Xhorxh Soros, duhej që të gjitha pushtetet t’i kalonin montrës, Edi Rama.
Duhej që Shqipëria të mos kishte opozitë, duhej të fshihej, të fshihej historia e Shqipërisë. Duhej këtu, që ambasadorja e Xhorxh Sorosit, Yuri Kim të fshihte historinë, të thërriste për arrestime persekutime me diplomatë të tjerë.
Duhej pra, Shqipëria të mos kishte opozitë, por vetëm banda, kriminelë dhe esmenë antishqiptarë.
Atëherë, më thoni ju mua, a nuk do u tradhëtoja unë ju, a nuk do tradhëtoja unë interesat shqiptare, në qoftë se nuk do bëja thirrje shqiptarëve, anëtarëve, mbështetës të PD të votonin për Donald Trump-in?
Miqtë e mi, fitorja e Donald Trump-it është goditja në zemër e një përbindëshi, e kryekorruptorit të planetit, e kryecensorit të planetit, Xhorxh Soros.
I dërgoj një përshëndetje të përzemërt Elon Musk, që deklaroi sonte se do i përkushtojë betejën e tij, betejës kundër Sorosit, kundër kësaj të keqeje që ka zëvendësuar marksizmin, kundër globalizmit që shkatërron kombe dhe familje.
Miqtë e mi, Zoti e deshi që të ketë disa ngjashmërira midis opozitës shqiptare dhe opozitës së SHBA-ve, presidentit Donald Trump.
Edi Rama, Taulant Balla, etj., goditën tek shkon në miting me objekt hekur me qëllimin e verbër që Sali Berishës t’i shuhej zëri, të mos fliste dot.
Donald Trump-i, po në publik kërkuan t’i mirrnin jetën ata që donin të përcaktonin presidentin e SHBA-ve, jo me votën e amerikanëve, por me dhunën më të egër njerëzore.
Dhe pasi dështuan, e përsëritën përsëri. Ndaj edhe u thashë, 5 ditë përpara zgjedhjeve, deklarova se mbështesim kandidatin e Partisë Republikane, pa qenë të sigutë se ç’do të ndodhte më vonë.
Por, drejtësia e Xhorxh Sorosit në SHBA është turpi i Amerikës dhe turpi i njerëzimit. Përveç Shqipërisë, nuk ekziston kund në botë, sepse prokurorët që bënin fushatë me reklamat televizive se do ta pjekim në hell po u zgjodh Donald Trump-i.
Formuluan ndaj tij akuza monstruoze, njëlloj si këta prokurorë, qenie mercenare që konsiderojnë korrupsion pagesat e vajzës për të atin, të deklaruara. Bamirësitë për fëmijët që kanë nevojë për mjekim.
Monstrat janë monstra kudo që ndodhen. Ato kanë verbërinë njerëzore.
Miqtë e mi, a nuk e ndaloi Edi Rama emrin tim në fletën e votimit?
A nuk ia ndaluan Donald Trump-it emrin në disa shtete në fletën e votimit?
A është e vërtetë kjo, apo jo? Na morën vulën. Pra, ngjashmërira kemi.
Po së fundmi, a nuk përdorën McGonigalin, ky tradhëtar i fwlliqur, i shitur i kombit të tij që vjen korruptohet në zyrat e Edi Ramës. Zyrtari i agjencisë më të fuqishme të botës.
A nuk ishte ky, MCGonigal që persekutoi shpifje e trilloi për dosjen ruse për Donald Trump-in?
Gjë që ai e tha dhe mbeti epike: le kalbet në ferr gjer në fund, tha Donald Trump për McGonigalin.
Ne themi: le të kalbet McGonigali bashkw me Edi Ramën deri në fund!
Të dashur miq, ngjarja e djeshme ka ndryshuar Amerikën, dhe për aq sa Amerika ndikon në botë, edhe botën.
Ajo ka disa mësime të mëdha për shqiptarët.
Mësimi i parë për qytetarët shqiptarë është se, rikthimi është i mundur, rikthimi është i jashtëzakonëshm.
Rikthimi i Donald Trump, pasi u përpoqën me atentate të përcaktonin presidentin e SHBA-ve është rikthim sa tokësor, aq edhe hyjnor.
Por, siç e dini dhe ju, Sali Berisha u rikthye pas rebelimit komunist. Përballoi bomba, atentate dhe çdo gjë. Por besimi i tij te shqiptarët dhe i shqiptarëve tek ai bën që i të jetë kryeministër në vitin 2005-2013.
Mos harroni, ju lutem, mos harroni kurrë takimin tonë të parë në hotel Rogner në mbledhjen e parë të Rithemelimit.
Në atë takim unë u rrëfeva ju se, një president i SHBA-ve i kishte thënë një mikut tim kur ai po fliste për mua, se në ujërat e një lumi nuk lahesh dot dy herë.
Unë, atë shtator të 2021 isha personi që në ujërat e një lumi isha larë dy herë, por u zotova se do të lahem edhe herën e tretë!
Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë!
Miq, mësimet e rikthimit epik të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë janë të një vlere të paçmueshme.
Në një moment kritik të jetës së tij, atëherë kur dora vrastare në të qindtën e milimetrit do t’i kishte mbyllur gojën përgjithmonë. Fjala e parë që shqipëroi, pasi u ngrit si luan: fight, fight, fight!
Në sulm, në sulm, në sulm!
Në sulm, se kjo kalbësirë që kemi përpara nuk i reziston dot kurrë zemërimit, sulmit, revoltës popullore shqiptare.
Miq, ju e patë fushatën, se si u rreshtuan në krahun e zonjës Harris ato që quhen celebritete njëri pas tjetrit në koncerte, në filma, në çfarë të thuash. Të mendojë njeriu, që votë njeriu për Donald Trump-in nuk do mbetet, nuk do të votojë kush.
Elita politike botërore, po e po, elita kulturore, elita kjo e ajo e me radhë. Por të gjitha këto nuk arritën t’i mohonin fitoren plebiçitare Donald Trump dhe të votohej ndër votimet më të mëdha në SHBA-të dhe më thellë. Të fitojë të gjithë garat, presidentin, kongresin, senatin, dhomën e të tjera me radhë.
Pse, miq kjo? Si ndodhi?
Ata nuk ishin njerëz të parespektuar. Ata i respektonim dhe ne, por problemi i tyre ishte se ata janë kilometra larg halleve, derteve të qytetarëve të thjeshtë të SHBA-ve.
Ata jetojnë me njëri-tjetrin në lukse të shfrenuara, në parti, kurse qytetari jeton me ato që blen në dyqan, me naftën që blen te pompa e benzisën, me ushqimet që merr, me veshjet.
Pra, qytetari e ka jetën krejtësisht tjetër, dhe kur u pyetën masivisht amerikanët, ose ku në çdo takim Donald Trump u shtronte vetëm një pyetje: a jeni sot më mirë se 4 vite më parë, apo keni qenë 4 vite më parë?
Amerikani i ndershëm që të phonte të kundërtën nuk kishte. Ndaj dhe atë e votuan të gjithë ata që jetonin me djersën, mundin e tyre. Por, që 4 vite më parë Donald Trump kishte bërë të mundur që të jetonin më mirë, të merrnin rroga më të mira, të blinin në dyqanet e tyre më shumë me të njëjtën sasi parash.
Pra, shkëlqimi i botës, parada luksi e salltaneti para gjykatësit, popullit amerikan u zbeh, u venitën. Triumfoi përfaqësuesi i tyre, Donald Trump, presidenti i 47-të i SHBA-ve.
Ndaj dhe ne, besimin, hallin e qytetarit duhet ta kemi të parin. Rrogat, pensionet, shkollat, spitalet, minimumin jetik. Për të gjitha këto do të qendrojmë ne për t’i dhënë goditjen e merituar dhe shkatërrimtare kësaj fare të Xhorxh Sorosit, farë hajdutësh. Kësaj fare që përzënë shqiptarët nga Shqipëria.
Duhet të punojmë me çdo qytetar, duhet të bashkohemi.
Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë!
Fitore, fitore, fitore!