FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në ditën e 318-të të protestës maratonë gjatë fjalimit të tij iu drejtua me tone të ashpra kryeministrit Rama dhe ish-ministrit, Ilir Beqja për përfshirje në skema korruptive që përfshijnë koncesionet në shëndetësi, të cilat kanë çuar në shpërdorim të qindra milionë eurove dhe kanë shkaktuar dëme të rënda për qytetarët shqiptarë. Berisha i përshkroi këto akte si “vjedhjen e dytë të shekullit”, që ka rezultuar në vdekje dhe invalidizime të shumta për shkak të mungesës së shërbimeve shëndetësore bazë, ilaçeve dhe mjeteve të nevojshme për trajtim. Sipas Berishës, koncesionet për sterilizimin, check-up-in dhe analizat janë mbivlerësuar në mënyrë drastike, duke shtuar se kostoja e sterilizimeve është rritur deri në 83 herë më shumë krahasuar me çmimin e ofruar më parë nga spitalet publike.
Kryedemokrati, Sali Berisha kritikoi abuzimet financiare në lidhje me koncesionin e shërbimeve të sterilizimit në shëndetësi të kryeministrit Ramëa dhe ish-ministrit Beqja. Berisha tha se kostoja e këtij shërbimi u rrit me 83 herë, nga 1 milionë euro në 83 milionë euro në vit, duke e konsideruar këtë një akt të rëndë korrupsioni që ka dëmtuar rëndë shëndetin publik në Shqipëri. Berisha thekson se, për shkak të kësaj situate, mbi 1 mijë pacientë në vit mbeteshin pa operacione për shkak të mungesës së seteve kirurgjikale.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha shtoi se pajisjet e sterilizimit, të blera me taksat e shqiptarëve dhe që mund të mbulonin nevojat për sterilizim në vend, u përvetësuan pa pagesë nga kompania që lidhej me Rama, Beqja dhe Rrapaj. Berisha e cilëson këtë si një skandal të pashembullt që përfshin edhe përdorimin falas të lokaleve, ujit dhe energjisë elektrike nga kompania.
Kryedemokrati, Sali Berisha deklaroi se kryeministri Rama dhe Vilma Nushi kanë shkelur Kushtetutën duke mos u paraqitur në një komision hetimor parlamentar që po hetonte koncesionet e shëndetësisë. Ai i akuzoi për korrupsion të thellë, duke thënë se kjo mosparaqitje është një shkelje e hapur e ligjit dhe një akt që injoron Kushtetutën. Berisha e përshkruan Vilma Nushin si një person pa mëshirë, duke e quajtur “vampire” për rolin e saj në përfitimin nga analizat mjekësore të paplotësuara dhe falsifikuara, ku ndajnë fitime të paligjshme me Edi Ramën.
Kryetari i PD, Sali Berisha bëri një premtim para qytetarëve në protestën maratonë për të dyfishuar buxhetin për shëndetësinë si pjesë e programit të tij politik. Ky premtim synon rritjen e investimeve për ilaçet, parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve, dhe diagnostikimin e hershëm, me fokus në teknologjitë moderne për shërbime shëndetësore.
Berisha kritikoi qeverinë aktuale për mungesën e përparimit teknologjik në shërbimet onkologjike, duke përmendur si shembull mungesën e një pajisjeje PET-Scaner në Spitalin Onkologjik për më shumë se 12 vite. Ai e cilëson këtë si një shenjë të keqmenaxhimit dhe krimit institucional ndaj pacientëve.
Premtimet e Berishës përfshijnë gjithashtu rritjen e mbështetjes për mjekët dhe infermierët për të shmangur largimin e tyre nga spitalet dhe për të përmirësuar shpërblimin e tyre. Berisha u zotua për zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme, duke e bërë atë më të madhen në rajon, si dhe për të siguruar aksesin e pensionistëve dhe pacientëve onkologjikë në ilaçe dhe aparatura të domosdoshme.
Lideri demokrat, Sali Berisha iu bëri thirrje qytetarëve për të marrë pjesë nesër, në orën 11:00, në protestën para Bashkisë për largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Berisha e paralajmëroi Veliajn që të dorëhiqet dhe të përballet me pasojat.
Kryetari i PD, Sali Berisha risolli në kujtesë gjithashtu lidhjet midis kryeministrit Rama dhe McGonigal, duke e cilësuar këtë si një çështje që do të çojë në ndëshkimin e Ramës dhe të tjerëve të lidhur me të.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufishme ju guximtareve dhe guximtarëve të pamposhtur që qëndruat si vigan ndaj çdo presioni, ndaj çdo padrejtësie, ndaj çdo kërcënimi të mafies shqiptare të Edi Ramës, mafies më të rrezikshme të Europës, por edhe mafies së Xhorxh Sorosit, e cila përdori vizat si një armë ideologjike kundër jush.
Përdori vizat për t’u ndëshkuar ju, mbrojtësve të të vërtetave universale të qytetarëve të lirë në Shqipëri, SHBA dhe kudo në botë.
Të dashur miq, ditët e fundit në seanca maratonë zhvilloi hetimet komisioni hetimor parlamentar lidhur me vjedhjen e dytë të shekullit.
Vjedhjen e Edi Ramës, Ilir Beqjes, Korbës së Kovidit, Manastirliu mbi të sëmurët.
Vjedhje që kushtuan mijëra e mijëra jetë.
Mijëra e mijëra invalidizime nga sëmundjet e pakuruara.
Vjedhje të cilat në aspektin e pasojave ngrihen në nivelin e krimeve kundër njerëzimit.
Deputetët e opozitës iu faktuan shqiptarëve se Ilir Beqja, ky hajdut pa fytyrë, pa nder, pa moral; se Edi Rama, ky hajdut pa fytyrë, pa nder, pa moral përdorën sistemin e shëndetësisë për të vjedhur dhe shpërdoruar qindra milionë euro dhe për t’i bërë gropën dhe për të çuar në varr mijëra e mijëra të sëmurë për mungesë ilaçesh, për mungesë mjetesh për operacion, për mungesë shtrimesh në spitale.
Në këto seanca, doli e qartë si drita e diellit se koncesioni i sterilizimit dhe koncesioni i check-upit dhe ai i analizave ishin një vjedhje e tmerrshme.
Për të krahasuar përmasat e saj, Lubi Balluku me Edi Ramën në rrugë dhe vepra publike vjedh 90 përqind të fondeve.
Lubi Manastirliu, Edi Rama dhe Beqja i tyre në rastin e sterilizimeve kanë rritur çmimin jo 10, jo 30, jo 60 por 83 herë në krahasim me koston e tyre kur ky proces kryhej nga shteti dhe spitalet publike.
Ndaj dhe ju që ndoqët seancat e shkëlqyera të këtij komisioni, patë se si një shërbim sterilizimi iu kushtonte shqiptarëve rreth 1 milion euro në vit.
Tashmë në duart e narkobanditëve, Edi Ramës, Ilir Beqës, Korbës së Kovidit, ky shërbim iu kushtonte 83 milionë euro.
Duke tejkaluar çdo imagjinatë, duke tejkaluar çdo imagjinatë jo vetëm me çmimin, por edhe imagjinatën se morali i zi njerëzor mund të pranonte një vjedhje të tillë.
Ndërkohë, çdo vit sipas KLSH, mbi 1 mijë të sëmurë, dhe ju lutem qytetarëve ta dëgjojnë, mbi 1 mijë të sëmurë mbeteshin pa u operuar, mbeteshin në mëshirë të fatit të tyre sepse spitalet nuk ishin në gjendje të blinin nga Rama, Korba e Kovidit dhe Beqja ky hajdut i pangopur dhe i pashpirt, të blinin setet kirurgjikale për t’i operuar ata.
Por vjedhja nuk ishte vetëm me rritjen 83 herë të çmimit të sterilizimit.
Vjedhja ishte sepse aparaturat më moderne të importuara dhe që paguhen nga taksat e shqiptarëve për sterilizimin, dhe që mjaftonin për sterilizimin e të gjitha seteve në Shqipëri, i mori falas kompania Rama-Beqja-Rrapaj.
Falas mori lokalet.
Falas mori ujin dhe energjinë elektrike.
Të gjitha këto pra e thellojnë në mënyrë të tmerrshme këtë vjedhje të padëgjuar ndonjëherë.
Edi Rama, që është sjellë si katil i vërtetë ndaj të sëmurëve, e konstatuat, e vutë re, nuk u paraqit në komision, ndonëse ligji dhe Kushtetuta e detyrojnë.
Por miqtë e mi, në komisionin hetimor parlamentar nuk u paraqit edhe gruaja që në qoftë se do kishte një emër të dytë, do quhej vampire, vampire, vampire, Vilma Nushi.
Kjo kriminele e pashpirt, që merr nga taksapaguesit dhe ndan me kushëririn e burrit të saj, Edi Ramën, në check-up, dhjetëra e dhjetëra milionë euro analiza të pabëra, nuk vinte, nuk e lejonte kushëriri i burrit të saj bandit, Rama, sepse jo vetëm Rama që është mbi ligj dhe Kushtetutë, por edhe sojsorollopi i tij i fëlliqur qëndron mbi ligj dhe Kushtetutë.
A nuk është ky një akt revolte kombëtare?
A nuk është kjo një sfidë që i bëhet çdo qytetari?
A nuk është kjo një nxitje për revoltë mbarëpopullore ndaj këtij banditi dhe sojit të tij të fëlliqur?
Hajdutja e pangopur nuk paraqitet në parlament, kriminelja e pafytyrë që regjistron qindra mijëra analiza të pabëra, false, të dokumentuara.
Pështyn parlamentin njëlloj si Olta.
Kushtetuta Nushi-Xhaçka është Kushtetuta e horrave dhe jo më e republikës, për të lëshuar më gojën më tutje. E kuptoni vetë.
Pra, i tmerruar, Edi Rama nuk lejoi monstrën njerëzore që me vjedhjet e saj përcjell çdo ditë në varr shqiptarë të pafajshëm, sepse nuk kanë ilaçe, sepse nuk operohen.
Nuk mund të paraqitej sepse ndan paratë me Edi Ramën.
Miq, ky refuzim i Kushtetutës përbën një akt madhor, përbën një krim kushtetues. Përbën një motiv tjetër të mosbindjes civile gjer në përmbysjen e kësaj qeverie.
Zotimi ynë është solemn para çdo qytetari shqiptar se me programin tonë, më së pari do dyfishojmë buxhetin për shëndetin e njerëzve.
Do dyfishojmë buxhetin për ilaçet e njerëzve.
Do dyfishojmë buxhetin për parandalimin e sëmundjeve, për mjekimin e sëmundjeve, për diagnozën e hershme të tyre.
Do bëjmë gjithçka që teknologjitë më moderne të kontribuojnë për shëndetin e shqiptarëve.
Të dashur miq, po ndalem kot në një aspekt.
12 vite më parë sollëm një PET-Scaner në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’.
Pas 12 vitesh nuk sjellin një PET-Scaner në Spitalin Onkologjik.
A mund ta imagjinoni? Po a mund të quhen ndryshe kriminelët veçse si këta?
Ndaj dhe ne zotohemi që të investojmë në teknologjinë më të lartë, por mbi të gjitha ne do investojmë tek mjeku dhe infermierët.
Do bëjmë që mundi dhe djersa e tyre të marrë të gjithë shpërblimin që meriton.
Do bëjmë gjithçka që nëpërmjet investimit tek mjekët dhe infermierët, spitalet tona të mos boshatisen nga personeli.
Specialitetet do të gëzojnë mbështetjen më të madhe.
Rimbursimi i ilaçeve, Shqipëria do të ketë listën më të gjerë të rimbursimit të barnave në rajon.
Kjo që bëhet sot me pensionistët, që u hiqen barnat e hollimit të gjakut dhe barna të tjera, është dënim për ta, është ndëshkim për ta.
Kjo që bëhet sot me të sëmurët në Onkologjik, që lihen pa aparaturat bashkëkohore të mjekimit dhe diagnozës, pa ilaçet jetike për luftën kundër atyre sëmundjeve, nuk do ndodhë kurrë më.
Miqtë e mi, një shëndetësi moderne, e cila i përgjigjet çdo emergjence me sukses dhe efikasitet, është zotimi ynë.
Me treguesit e shëndetit plotësisht të krahasueshëm me vendet e zhvilluara të BE.
Ndaj dhe ftoj qytetarët dhe qytetaret shqiptare të bashkohen me ne në mosbindjen civile.
Nesër në ora 11:00, të gjithë tek bashkia.
Erion, gjersa të të varim në shtyllën e turpit të historisë, aty do i kesh të revoltuarit e qytetit të Tiranës.
Erion, shko vetë me këmbët e tua, të mos të të çojmë ne zvarrë aty ku e ke vendin.
Të mos të të kapim për zverku, se tani Aleksi ka hallet e veta, nuk ka të tuat.
Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme.
Të vazhdojmë betejën tonë.
Ne kemi mbrojtur të vërteta në çdo kohë dhe do i mbrojmë ato edhe më shumë.
Ne ecim drejt fitoreve, Edi Rama drejt McGonigalit.
Edi Ramën e pret McGonigali.
Le ta mbrojë sa të dojë mercenar Dumani, por së bashku do kenë fatin e McGonigalit si armiq të sigurisë, të Shqipërisë dhe SHBA.
Si hajdutë, si të korruptuar, si njerëz që meritojnë çdo ndëshkim.
Ja pra, pse është radha jonë.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Fitore, fitore, fitore!