Prezantohet zyrtarisht para strukturave të Partisë Demokratike në Durrës, kandidati për kreun e Bashkisë së Durrësit nga dy nënkryetarët Grida Duma dhe Agron Gjekmarkaj, si dhe deputetë të qarkut Durrës.

Nënkryetarja Grida Duma gjatë fjalës së saj u ndal në vlerat që përfaqëson kandidatura e Luan Hotit, jurist në profesion, si personi i duhur për t’u zgjedhur në krye të bashkisë Durrës pas një qeverisjeje më shumë se 2 dekada të PS-së.

Hoti, i cili mban edhe postin e kreut të komanduar të degës lokale u shpreh se ndihej i privilegjuar nga besimi që i kanë ofruar të gjitha strukturat dhe njëkohësisht premtoi se më 6 mars bashkia do t’u rikthehet qytetarëve.

“Ndihem i privilegjuar që më besuat unanimisht këtë detyrë kaq të respektuar, për të drejtuar bashkinë e qytetit tonë. Kam besimin e plotë që duke e njohur mirë që nga baza deri tek kjo kryesi të gjithë familjen tonë politike të Partisë Demokratike, të gjithë së bashku më 6 Mars do të jemi fitues të kësaj bashkie. Fillojmë fushatën tonë për ta kthyer bashkinë në shërbim të këtij qyteti kaq të bukur turistik, nga më të mirët në rajon, pasi gjendja e këtij qyteti tashmë dihet”, tha kandidati për kreun e Bashkisë së Durrësit, Luan Hoti.

Për nënkryetarin e PD-së, Agron Gjekmarkaj, përzgjedhja e Hotit për garën e 6 marsit, është përzgjedhja më e mirë, sepse vetëm kështu Durrësi do të shpëtojë nga kthetrat e mafias së betonit, për t’u kthyer në një bashki të qytetarëve dhe për qytetarët.