Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me ministrinë e Jashtëm të Vatikanit, Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher.

Në një postim në “Facebook”, shoqëruar dhe me foto nga takimi në Vatikan, kryedemokrati Basha thekson se ka diskutuar me ministrin Gallagher “për sfidat me të cilat po përballet Shqipëria, nga situata e vështirë ekonomike tek korrupsioni që jua bën më të vështirë jetën shqiptarëve”.

Mesazhi i Bashës:

Kënaqësi dhe privilegj të pritesha në Romë në Shtetin e Vatikanit, nga ministri i Jashtëm, Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher. Mirënjohje për rolin dhe kontributin që Vatikani ka luajtur në momente vendimtare për shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë.
Diskutuam për sfidat me të cilat po përballet Shqipëria, nga situata e vështirë ekonomike tek korrupsioni që jua bën më të vështirë jetën shqiptarëve. Të dhënat e fundit tregojnë se është thelluar pabarazia dhe shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë janë zhytur në varfëri.
Shpreha vullnetin tim dhe të PD për të bërë gjithçka në luftën kundër korrupsionit, një betejë jo e lehtë, por rruga e vetme për të kthyer shpresën, zhvillimin dhe mirëqenien për qytetarët tanë.
Një vend të rëndësishëm në këtë takim zuri dhe Kosova dhe zhvillimet në rajon. Sot po bëhet gjithnjë dhe më e domosdoshme përmbyllja e marrëveshjes me njohje reciproke, për ti mbyllur rrugë çdo mundësie për destabilizim në rajon. Për këtë kam kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e Vatikanit. Duke e falenderuar shkelqësine e tij për mikpritjen, e ftova dhe shpreha urimin për ta mirëpritur në një kohë të përshtatshme në Shqipëri.