• “Mjaft u tallët me demokratët”, Gazment Bardhi: Hallet dhe problemet personale secili t’i mbajë në shtëpinë e tij, jo në shtëpinë e demokratëve.

KOMUNIKIMI I PLOTË ME GAZETARËT I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM GAZMENT BARDHI

Mirëdita të gjithëve!

Jam sot edhe një herë përpara jush për të shprehur shqetësimin e thellë me vijimin e talljes me demokratët dhe me shqiptarët. Ju sot keni qenë dhe jeni bërë besoj pa dëshirën tuaj dëshmitarë se si po vijohet me një proces të talljes dhe të fyerjes të çdo anëtari të Partisë Demokratik. Dua të ripërsëris apelin tim drejtuar cilitdo që gjykon dhe vlerëson se do të duhet të mblidhet, Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike dhe që pretendon se ka arritur të sigurojë kuorumin e nevojshëm për fillimin e proceduarave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, të ndjek procedurat sipas statutit të partisë. Sot, në fakt nuk janë fyer vetëm çdo anëtarë i Partisë Demokratike, sot më së shumti është fyer dhe është tallur edhe me atë pakicë që kanë besuar tek lëvizja e zotit Berisha. Edhe se kurë siç në fakt janë të gjitha të dhënat tona të jetë arritur të sigurohet 1/8 apo 1/10 e firmave të anëtarëve të Kuvendit, vullneti i tyre nuk mbyllet dot në kasafortë dhe nuk bëhet shoë me vullnetin e atyre demokratëve.

Edhe zëri i pakicës së pakicës, do të duhet të dëgjohet. Edhe nëse 1/10 e delegatëve të Kuvendit kanë nënshkruar për thirrjen e Kuvendit, zëri i tyre do të duhet të dëgjohet nga institucionet e partisë. Prandaj do të dua sinqerisht edhe një herë të ripërsëris thirrjen time si sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike që nxirri firmat nga kasaforta, mos bëni shoë me gazetarë që nuk janë në gjendje të verifikojnë jo vetëm nëse janë apo jo nënshkruesit e formularëve anëtarë të Kuvendit Kombëtar, po nuk kanë mundësinë të dinë janë apo nuk janë demokratë, janë apo nuk janë gjallë, apo janë apo nuk janë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Dorëzoni kërkesën në protokollin e Partisë Demokratike, respektoni institucionet e Partisë Demokratike, dhe jepuni mundësinë demokratëve të shprehin në transparencë të plotë vullnetin e tyre të lirë siç kanë bërë në fakt gjatë gjithë këtyre 30 viteve.

Unë dje iu kam shpjeguar procedurën statutore dhe nuk është proces, apo procedurë, janë rregulla se si funksionon një institucion që nuk vepron në ilegalitet. Kjo parti është krenari e demokratëve, ne nuk fshihemi dhe nuk veprojmë në ilegalitet. Është krenari e Shqipërisë e Shqipërisë Partia Demokratike dhe nuk mund të tallet askush as me demokratët, as me Partinë Demokratike.

Rregullat janë të qarta, kërkesa do të duhet të dorëzohet zyrtarisht në protokollin e Partisë Demokratike, do të duhet të mblidhen institucionet për të shqyrtuar kërkesën dhe padyshim do të duhet të dëgjohet zëri i çdo demokrati, qoftë ky edhe zëri i pakicës së pakicës. Dje iu kam bërë një thirrje për t’i verifikuar qëndrimin e para një jave apo 10 ditëve të po themi zërit përfaqësues të kësaj lëvizjeje, i cili kishte shpjeguar në një studio televizive, një javë përpara depozitimit të firmave apo 10 ditë, ekzaktësisht kish thënë atë që thash unë dje.

Dhe ju do duhet t’i drejtoni mikrofonin dhe ta pyesni pse pas një jave ndryshoi mendim? Sepse përgjigjja është e qartë. Në atë datë ku shpjegoheshin siç duhej procedura ishte besimi se do të mblidheshin ¼ e firmave të anëtarëve të kuvendit dhe në skadim të afatit, u provua që nuk u arrit dot të mblidheshin firmat e ¼ së anëtarëve të Kuvendit dhe u shpikën rregulla të reja, u ble një kasafortë dhe u mbyll vullneti i qoftë edhe një pakice shumë të vogël të anëtarëve të Kuvendit Kombëtarë në kasafortë dhe me të po bëhet shoë, tallje dhe po fyhet edhe vullneti i atyre që kanë firmosur sado qoftë numri i tyre dhe kam besuar realisht te kjo procedurë.
Më lejoni, ky është Flamur Noka në datën 29 tetor: (Video)

Flamur Noka: “Momentin që ¼ e delegatëve, e atij numri të deklaruar publikisht dhe të dokumentuar të delegateve depozitohen tek selia qendrore, ka një zyrë që protokollen shkresat, Kryetari, së bashku me Kryesinë, që nuk është mbledhur kurrë, kanë detyrë të operojnë, të thërrasin Kuvendin.”

Kjo është procedura që do të duhet të ndiqet sipas statutit të Partisë Demokratike, sipas rregullave të funksionimit të Partisë Demokratike. Ta dëgjojmë dhe një herë dhe e ftoj të ndjekin ekzaktësisht procedurën jo që ka shpjeguar dje sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, po procedurën që ka thënë në 29 tetor zoti Flamur Noka. Ta ndjekim dhe një herë ju lutem. (Video)

Ju lutem, depozitoni kërkesën në protokollin e Partisë Demokratike.

Jepuni mundësinë institucioneve të Partisë Demokratike të ndjekin procesin dhe tëmble4dhim Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Zyrtarët e Partisë Demokratike, funksionarët e Partisë Demokratike, anëtarët e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike janë njerëz të lirë, me vullnet të lirë dhe që kanë vlerësimin dhe mendimin e tyre i cili do të duhet të dëgjohet.

Pyetje: Në një kohë që nuk ka marrëveshje me palët tjetër, pse nuk ngrini një komision?

Gazment Bardhi: Nuk ka palë në Partinë Demokratike. Nuk do të duhet të ketë palë në Partinë Demokratike. Partia Demokratike është një, është e demokratëve, është pronë e demokratëve. Cilido që për një interes momental personal apo për një hall personal synon të përçajë Partinë Demokratike, synon të krijojë palë në Partinë Demokratike, nuk i bën shërbim demokratëve, i bën shërbim regjimit të Edi Ramës. Ne kemi një interes të përbashkët, rrëzimin një orë e më parë të regjimit të Edi Ramës. Ky duhet të jetë fokusi jonë. E kam thënë edhe dje dhe dua ta përsëris. Hallet dhe problemet personale secili t’i mbajë në shtëpinë e tij, jo në shtëpinë e demokratëve. Kjo është shtëpia e demokratëve, nuk është shtëpia e askujt tjetër.

Pyetje: A mund të ngrihet një komision për ta verifikuar këtë?

Gazment Bardhi: Patjetër që do të ndiqet e gjithë procedura, por fillimisht do të duhet të ketë një kërkesë. Në momentin që flasim nuk ka një kërkesë për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. E ripërsëris, të ndjekin jo procedurën që thotë Sekretari i Përgjithshëm i partisë, të ndjekim procedurën që ka deklaruar në datën 29 tetor zoti Flamur Noka. Në 29 tetor PD-ja kishte një zyrë protokolli ku dorëzoheshin kërkesa, kishte Kryesi, kishte kryetar, kishte sekretariat partie, kishte Këshill Kombëtar, sot ka vetëm kasafortë. Jo, nuk është kështu. Kasafortë mund të ketë kushdo për çështje të tij personale, mund të blejë kasafortë për çështje të tij personale. Partia Demokratike nuk është kasafortë, as bunker. Partia është institucion, e përsëris është krenari e demokratëve Partia Demokratike, është krenari e Shqipërisë Partia Demokratike. Nuk jemi celulë ilegale ne, jemi strukturë që veprojmë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin shqiptar, në përputhje me rregullat e miratuara nga organet statutore të Partisë Demokratike. Nëse dikush ka vendosur të veprojë si celulë apo si strukturë ilegale është i lirë ta bëjë. Por këtë nuk mund ta bëjë në emër të demokratëve, nuk mund ta bëjë në emër të Partisë Demokratike. Është në lirinë e tij të veprojë padiskutim. Në ilegalitet, por jo në emër të demokratëve, jo në emër të Partisë Demokratike.

Pyetje: Kur është mbledhur kryesia e Partisë Demokratike për t’i propozuar LSI-së listën e përbashkët? Në cilën ditë dhe në cilën orë?

Gazment Bardhi: Nuk është mbledhur sepse nuk ka patur një dakordësi nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Lëvizja Socialiste për Integrim për të patur mundësi që t’i propozoheshe kryesisë së partisë hyrja me një listë të përbashkët. Qëndrimi konstant edhe publik i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë që do të duhet të dilnim në dy lista të veçanta pavarësisht qëndrimit tonë se aksioni opozitar apo vullneti opozitar të maksimizohej. Nëse do të përfshiheshim në një listë qëndrimi dhe vlerësimi krejt normal i Lëvizjes Socialiste për Integrim sipas vlerësimeve të tyre ishte që ata do të maksimizonin votën duke hyrë në dy lista të veçanta. Besoj i kujtoni deklaratat publike të zonjës Kryemadhi që me ndryshimet e njëanshme të kodit dhe të Kushtetutës nga Edi Rama përfitonte Lëvizja Socialiste për Integrim sepse nga 19 mandate që kishte marrë në 2017 do të arrinte të merrte nëse s’gaboj ka thënë më shumë se 40 mandate me ndryshimet e njëanshme që kishte bërë Edi Rama në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ku besoj në fakt biem dakord të gjithë që ato ndryshime të njëanshme dhe ai veprim akti i paprecedent i regjimit i Edi Ramës ishte një dhunim flagrant jo vetëm i mundësisë që e gjithë opozita të garonte sipas rregullave të njohura paraprakisht, por ishte edhe një nga shkaqet që nuk u përkthye në mandate i gjithë vullneti i popullit opozitar.

Pyetje: Pas deklaratave të mbrëmshme, doni t’i ktheni një përgjigje Elona Gurit?

Gazment Bardhi: Nuk e njoh fare kush është zonja. Unë kam dhënë me dhjetëra konferenca për shtyp. Ju jeni dëshmitarë, konferencat e mia janë publike, ato që u fshehën dhe nuk erdhën një ditë në qarkun e Elbasanit edhe pse drejtuan qarkun e Elbasanit, janë arsyeja e vetme se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk arriti dot të merrte asnjë mandat për fat të keq në qarkun e Elbasanit. Besoj ju e dini që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka zhvilluar fushatë në qarkun e Elbasanit.

Pyetje: Zoti Bardhi, cila është marrëdhënia e Partisë Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim?

Gazment Bardhi: Nuk kam dal sot këtu për të vlerësuar marrëdhënien me Lëvizjen socialiste për Integrim. Iu përgjigja në respekt pyetjes duke qenë se ka një deklaratë të pakuptimtë të kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim ndaj një deklarate krejt normale dhe të vërtetë të bërë nga ana ime, një fakti publik të njohur edhe nga opinioni publik që Partia Demokratike ka patur për të dalë me një listë të përbashkët me LSI, me qëllim maksimizimin e vullnetit opozitar, dhe qëndrimin koherent të LSI për të hyrë në dy lista të veçanta.

Kjo deklaratë e imja ka përbërë një shqetësim ndaj zyrtarëve të LSI. Nuk e kuptoj arsyen pse. Sepse ky është një fakt publik. Unë kam pohuar një fakt që është pohuar edhe nga znj. Kryemadhi.

Pyetje: Keni të dhëna që ka patur presione në bazë apo se firmat nuk janë dhënë me vullnet të plotë të Kuvendit?

Gazment Bardhi: Sigurisht që unë kam të dhënat e mia por unë nuk dua të paragjykoj askënd. Ajo që unë e them dhe kam tre ditë që e kërkoj ën cilësinë dhe autoritetin që më jep Statuti i Partisë që duke qenë se kemi dëgjuar nga mediat që disa anëtarë të Kuvendit Kombëtar kërkojnë të jenë pjesë e Kuvendit Kombëtar po i lus, kam tre ditë, të ndjekin procedurën.

Të dorëzojnë kërkesën në Protokollin e Partisë Demokratike dhe t’i japin mundësi institucioneve dhe organeve statuore të PD për të thirrur Kuvendin Kombëtar. Nëse kanë interes për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD dhe nëse këto dy muaj nuk janë tallur me demokratët apo secilin prej tyre që mund të ketë besuar apo ka besuar realisht që e gjithë lëvizja e z. Berisha, ka qenë një lëvizje për të demokratizuar Partinë Demokratike.

Fakti është në fakt publik, që lindi si e tillë pra si një betejë për Statutin e Partisë. Besoj e mbani mend për këtë lindi, betejë për Statutin e Partisë, për funksionimin e organeve të partisë?! Dhe tani ka përfunduar si betejë për ta shndërruar PD në celulë ilegale, që mbyllet në kasaforta dhe në dollapë. Ndërkohë që demokratët janë njerëz të lirë, me vullnet të lirë, e kam thënë ditën e parë nuk i ka mbyll dot në kasafortë, në dollap dhe në shishe Edi Rama, nuk mund t’i mbylli dot demokratët askush në kasafortë.

Ndiqni procedurat, sillni kërkesat në Protokoll. Të mblidhen organet e partisë ta shqyrtojnë kërkesën e secilit, qoftë edhe një anëtar i vetëm ka të drejtë të dëgjohet nga organet e partisë. Por nuk mund të dëgjohen demokratët duke i mbyllur në “kasafortë” dhe duke ardhur dhe duke ju ftuar ju, “hajde t’i nxjerrim letrat përpara tek tavolina dhe të bëjmë sikur po verifikojmë letrat që janë mbi tavolinë!”. Se po t’i hapni ndoshta ato letra mund të gjejmë edhe emrin tuaj aty. Por ju nuk jeniu delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD, apo jo?!

Sikundër PD nuk ka 4200 anëtarë partie, ka më shumë se 100 mijë anëtarë partie. Prandaj do të duhet të ndiqet procesi statuor për të mos bërë kakofoni shifrat, për të mos e shndërruar pakicën në shumicë të rreme e për t’u tall dhe për të fyer demokratët, e për të tollovitur e shfokusuar betejën e PD ndaj regjimit të Edi Ramës.

Pyetje: Z.Paloka tha që nuk ka zyrë Protokolli në PD?

Gazment Bardhi: Kjo është një gënjeshtër. Dhe ju jeni dëshmitar sepse rrini njëlloj sa unë në selinë qendrore të PD, ka një zyrë Protokolli ku protokollohet çdo shkresë që hyn apo del nga PD. Ju ftoj t’i referoheni shkresave tona drejtuar institucionit, ku secila prej tyre ka një numër protokolli dhe një datë.

Nuk besoj se i protokollon roja tek dera apo jo?! I protokollon zyra e Protokollit në PD dhe këtë e dinë shumë mirë z. Paloka sepse ka ushtruar funksione dhe ushtron funksione shumë të larta në PD. Nuk e dija që z. Paloka i ka dhënë vetes të drejta për të qenë zyra e Protokollit në PD. E ka një zyrë protokolli PD.

Kryetari i Këshillit Kombëtar është një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike, një funksion statutor shumë i rëndësishëm. Nuk është as mbajtës i çelësave të kasafortës, as roja e kasafortës.

Është Kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, drejton dhe moderon mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Pyetje: Z. Bardhi, ju keni cituar një rregullore të vitit 2010 por Statuti është i ndryshuar. A vlen kjo Rregullore, a është e ligjshme edhe për Statutin aktual?

Gazment Bardhi: Patjetër. Çdo rregull, deri në momentin kur nuk janë miratuar akte të tjera nën-statutore, çdo rregull i këtij akti statutor që nuk bie ndesh me Statutin aktual të partisë, është i zbatueshëm.

Unë prandaj ju lexova rregullin e Statutit të 2009-ës, për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Është identik i njëjti rregull me atë që është sot në fuqi. Që nënkupton rregullat nën-statutore, që kanë dalë në zbatim të këtij rregulli statutor, janë sot të aplikueshme.

Dhe procesi është i qartë.

Dorëzohet kërkesa me shkrim dhe kjo kërkesë e ¼ të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, shqyrtohet dhe kryesia e merr në shqyrtim për të përcaktuar vendin, datën dhe orën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.

Besoj jeni të qartë se unë jam Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, dhe nuk ka asnjë njoftim për mbledhje të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Mund të ketë në datën 11 një miting, është e drejtë e kujtdo të organizojë mitingje, të organizojë foltore, por Kuvend Kombëtar të Partisë Demokratike, ka kur atë e thërret Kryesia e Partisë, apo Këshilli Kombëtar, me kërkesë të Kryetarit të Partisë, ¼ së anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, ose ¼ të anëtarëve të partisë.

Kjo është procedura e thirrjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Pyetje: Në rast se kjo kërkesë nuk depozitohet zyrtarisht për thirrjen e Kuvendit, ju do t’i bëni publike faktet apo të dhënat se thoni se keni, se nuk janë siguruar këto firma apo janë siguruar me forcë?

Gazment Bardhi: Unë nuk jam institucion që do të duhet t’i provoj dikujt diçka. Ka një pretendim që janë siguruar firma për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. Deri dje bërtitej me të madhe, duhej të mblidhet Kuvendi Kombëtar, dhe tani që është dita për të mbledhur dhe për të sjellë kërkesën për të mbledhur Kuvendin Kombëtar, nuk sillet kërkesa por mbyllet në kasafortë.

Apeli im është do të ishin ¼ e firmave të ndiqet procedura sipas Statutit.

Por edhe tani që nuk janë ¼ e firmave, mund të jenë 1/8 apo 1/10, edhe zëri i këtyre demokratëve do të duhet të dëgjohet në institucionet e partisë.

Nuk mund të mbyllet në kasafortë.

Edhe nëse janë 1/10 e anëtarëve apo delegatëve të Kuvendit Kombëtar në atë kasafortën e zyrës së z. Paloka, të dalin nga aty, të protokollohen, dhe t’i dërgohen kryesisë së partisë, për të vlerësuar shqetësimin e kësaj pakice.

Është krejt legjitime të dëgjohet edhe mendimi, shqetësimi apo vlerësimi i pakicës, por nuk dëgjohen dot demokratët duke i mbyllë në kasafortë.

Demokratët dëgjohen duke i nxjerrë nga kasaforta, duke i respektuar, duke mos i fyer dhe duke e çuar zërin e tyre tek institucionet e partisë.

Dhe institucion nuk është kasaforta. Kasaforta është mjet personal, që secili ta ketë në zyrën e tij nëse i duhet.

Unë nuk kam kasafortë në zyrën time se s’kam çfarë të fsheh në zyrën time, por cilido është i lirë të ketë kasafortë në zyrën e tij, por jo të mbyllim demokratët në kasafortë.

Mund të mbyllim halle personale në kasafortë, por jo demokratët.

Demokratët kanë vetëm një hall. Halli i tyre është rrëzimi një orë e më parë i regjimit të Edi Ramës.

Ju falemnderit.