Zonja dhe zotërinj!
Të nderuar bashkëqytetarë!
Dy ditë më parë, pak kujt mund ti ketë shpëtuar një lajm mbi përgjigjen që ky që duhet të qëndrojë këtu mbrapa, i kishte kthyer pyetjes, se si do të frenohet ikja e shqiptarëve.
Dhe në atë që tashmë njihet si përpjekja e tij diabolike për të normalizuar të keqen, u lexua qartë mesazhi i tij se nuk ka forcë ta ndalojë largimin e shqiptarëve.
Pyetja që sot dua të shtroj përpara shqiptarëve, përpara të gjithë ju që na ndiqni nga vatrat tuaja apo nga emigracioni, është nëse realisht është e pamundur që të ndalohet kjo katastrofë kombëtare që po ndodh, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim.
Teksa shohim shkolla që mbyllen për mungesë njerëzish, nxënësish, fshatra që zhduken nga harta e Shqipërisë kur largohen apo ndërrojnë jetë banorët e fundit, të rinj dhe të reja që ikin përditë, studentë që nuk duan të kthehen në vendin e tyre pas një përvoje jashtë.
Pra një tkurrje alarmuese që vendos në pikëpyetje serioze qëndrueshmërinë tonë si shoqëri, jo vetëm për sot, por për dekadat në vazhdim.
Përgjigjen e ketij që ulet prapa, këtij që ndër rekordet e zeza në drejtim të vendit ka arritur të shënojë edhe renditjen e Shqipërisë përpara Sirisë së Asadit në luftë civile, sa i përket numrin e azilkërkuesve në Europë, e keni.
Jo vetëm me fjalë, sic është shprehur vetëm dy ditë më parë, por edhe me vepra.
Sepse në 8 vite, edhe pse ka rritur taksat, Edi Rama ka marrë borxh sa të gjitha qeveritë e Shqipërisë marrë së bashku, nga 1991 deri në 2013-ën, miliarda euro borxh në emër të shqiptarëve, nga xhepat e shqiptarëve, që nuk u përkthyen dhe nuk përkthyen në mirëqënie për familjet e thjeshta shqiptare, as nuk shkuan për një sistem arsimor më të mirë, as për një sistem shëndetësor më cilësor, as në mbështetje për bujqit dhe blegtorët tanë, as në rroga më të larta dhe as në pensione dinjitoze për të moshuarit tanë.
Miliarda euro borxh në emër të shqiptarëve, edhe njëherë sa të gjitha qeveritë marrë bashkë nga 1991 deri në 2013-ën, që nuk shkuan për qytetarët dhe jo vetëm nuk e bën dot Shqipërinë një vend më të jetueshëm, por e kthyen në një vend që konkuron me shtetet në luftë civile për numrin e njerëzve që duan të largohen dhe kërkojnë azil.

Po ku shkuan këto miliona e miliarda euro boxh?
Përgjigja është e thjeshtë.
Në këtë shtet të cilësuar si të kapur nga korrupsioni, nga vetë Transparency International, të cilin Departamentit Amerikan i Shtetit e rendit si vendin më të korruptuar në Ballkan dhe në Europë, këto miliarda euro borxh të marra në emër të shqiptarëve shkuan dhe shkojnë për një grusht të vogël njerëzish, që janë të lidhur ngushtë me këta që ulen mbrapa
Që e mjelin shtetin e shqiptarëve si doktorë shkencash, edhe pse nuk kanë diplomë nga akademia e barinjëve me të cilën tallen për të mbuluar dështimin në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.
Mjafton t’i hedhim një sy projekt buxhetit të vitit të ardhshëm, ku duket qartë se cilat janë prioritetet e tyre.
Jam i vetëdijshëm se këto javë diskutimesh në komisione mund tju kenë lodhur të dashur bashkëqytetarë nga shifrat e shumta që keni dëgjuar për shkak të debateve.
Sidomos nga shifrat e larta që shpesh herë është vështirë t’i kuptosh, ti përkthesh, ti rrokësh në përditshmëri.
Por 2 miliardë euro për 7 kontrata te reja me PPP, tregojnë qartë se prioritet vazhdojnë të kenë shpërdorimin e parave shqiptare në shërbim të klientëve të tyre, në mënyrën më të pacipë.
Prandaj, kur e pyesin për largimin e shqiptarëve, ngre supet
Sepse atë karrige e mban me dhe për një grusht të vogël njerëzish.
Jo për ndërtimin e kushteve të domosdoshme që të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi ta ndërtojnë të ardhmen këtu, pranë familjeve dhe njerëzve të tyre të dashur.
Dhe kjo cmenduri me paratë e shqiptarëve, të vendit më të varfër të Europës, 50% e të cilëve jetojnë me rrezikun e varfërisë dhe përjashtimit social, sipas Eurostatit, shifër që është më e larta në ballkan, 2 herë me e lartë se mesatarja e vendeve të Europës.
Kjo cmenduri dhe babëzi për pushtet dhe pasuri, ka bërë që të eksportojmë shqiptar të eksportojmë bashkëqytetarët tanë, të eksportojmë prindërit e fëmijëve shqiptarë që ju është mohuar një e ardhme më e mirë në vendin e tyre e të importojmë hallexhinj nga cepat më të largët të botës, për të zëvendësuar bijtë dhe bijat e shqiptarëve, me skllevër modernë, pa të drejta politike.
Ndaj edhe sot, kur PPP-të zënë gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto, sipas FMN-së, me borxhin publik më të lartë të historisë 30 vjecare të Shqipërisë pluraliste, përgjigja e këtij që ulet prapa, për cmimet e rritura, për konsumin dhe të ardhurat në rënie të shqiptarëve më të ulëtat në Europë, është e njëjta si për largimin e shqiptarëve: ngritje supesh.
Pak problem është për ta se Shqipëria po përballet dhe do të përballet me efektet shkatërrimtare që sjell largimi i mjekëve, personelit shëndetësor, inxhinierëve, ekspertëve, pra e pjesës më të gjallë dhe të kualifikuar të shoqërisë.
Pak problem për ta është largimi i të rinjve i cili do të godasë dhe po godet pamëshirshëm ekonominë e vendit, me rënien e pashmangshme të fuqisë së kualifikuar punëtore.
Pak problem për ta që sistemi arsimor po përballet me rënien e vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe të studentëve.
Pak problem është për ta që kjo zbrazje e klasave, në të gjitha nivelet, do të thotë edhe rënie e numrit të mësuesve dhe pedagogëve.
Pak problem për ta është se rënia e popullsisë, që do të thotë edhe rënie e lindjeve, do të godasë sistemin e sigurimeve shëndetësore dhe atë të pensioneve.
Sepse hallet e tyre nuk janë hallet e qytetarëve, sepse hallet e tyre janë koncesionet dhe PPP-të.

U mjafton që zinxhiri i interesave që i mban të lidhur politikanët e korruptuar dhe oligarkët të vazhdojë të qarkullojë miliarda euro, ti pastrojë ato në parajsat fiskale, pa shqetësimin më të vogël se kjo rrotë e dhjamosur nga babëzia e pafre po rrokullis në humnerën ekonomike shumicën dërrmuese të shoqërisë shqiptare.
Natyrisht, kjo masakër me taksat e shqiptarëve, e cila prodhon edhe gjendjen e njerueshme dhe të zymtë ekonomike dhe shoqërore ku ndodhet Shqipëria , nuk ndalet me fjalë, as vetëm me raporte ndërkombëtare që tregojnë natyrën e vërtetë të një pushteti të korruptuar dhe efektet e tij mbi jetën e njerëzve.
Ajo që ndodh jashtë kësaj salle, e ka origjinën në këtë sallë, ku shumica e qytetarëve nuk përfaqësohet si e tillë, për shkak të aleancës së politikanëve me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Dhe zgjidhja që ne ofrojmë për qytetarët shqiptarë është vetingu në politikë.
Një instrument që shërben për pastrimin e politikës dhe njëkohësisht krijon premisat e domosdoshme për rritjen e përgjegjshmërisë të politikanëve. Në mënyrë të tillë që të mos përfaqësojnë interesa korruptive dhe kriminale, por interesat e qytetarëve.
Duke thyer bashkëpunimin mes politikës, krimit dhe oligarkisë, ne mund të adresojmë realisht krizën e korrupsionit që ka gjunjëzuar shtetin, ka shkërmoqur demokracinë dhe zgjedhjet, dhe po mbyt të ardhmen e Shqipërisë duke e bërë të pajetueshme për shqiptarët.

Që parlamenti, që qeveria dhe institucionet e tjera që u përkasin qytetarëve, të punojnë për familjet shqiptare, për problemet e vogla dhe të mëdha që shqetësojnë cdo ditë njerëzit e këtij vendi, duhet që këto institucione të mos jenë strehë për ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe që janë pasuruar në kurriz të tyre, duke marrë vendime dhe ulur e ngritur kartonat në favor të krimit dhe të oligarkisë në dëm të familjeve shqiptare.
Padyshim e di, që kjo nismë e shumëpritur nga qytetarët, nga disa anatemohet si drakoniane. Shoh edhe se si po shkelet syri ekraneve mes atyre që duken të pangjashëm në tip, por janë të ngjashëm në halle.
I shoh teksa po saldojnë edhe aleanca të fshehta e publike, të diktuara nga frika që ju ngjall përballja me atë që i kanë bërë këtij vendi, të dëshpëruar për të ruajtur ekuilibrat dhe status quo-në e vjetër.
Por rendi i gjërave ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë.
Prandaj kundërshtarët e vetingut në politikë do të jenë pakicë e papërfillshme, sepse të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në një makth të korrupsionit dhe lidhjeve me krimin.
Ndërsa të shumtë, në fakt shumicë absolute janë të gjithë ata shqiptare e shqiptarë që përfitojnë nga fundi i këtij makthi.
Madje edhe më të paktë duhet të ishin ata në radhët e Partisë Socialiste që kundërshtojnë propozimin e Partisë Demokratike. Sepse ata i kanë shtuar vettingut për gjyqtarë e prokurorë, edhe vettingun për policinë dhe tani vettingun për noterët, nuk kanë asnjë arsye për të mohuar për veten, atë që kanë votuar e duan të votojnë për të tjerët.

E në rast se nuk pranojnë t’i nënshtrohen të njëjtit proces që kanë bërë të detyrueshëm me ligj për të tjerët, atëhere cdo politikan i këtij vendi, më të varfërin e më të korruptuarin në Europë, duhet të dalin përpara qytetarëve, dhe ta thonë troc nëse nuk e voton këtë ligj se e konsiderojnë veten mbi ligjin.
Apo njësoj si derrat e Fermës së Kafshëve të Orëell-it, të pranojnë me zë të lartë se “është më i barabartë se të tjerët”!
Megjithatë, në asnjë rast projekti ynë nuk do të ndalet. Asnjinga “derrat e kënaqun”, as nga politikanët e frikësuar, as korrupsioni apo lidhjet e tyre me krimin nuk do të na ndalin.
Pasi ashtu sic luftuam për dekriminalizimin, që në fillim e kundërshtuan, por në fund u detyruan ta pranojnë, ashtu do të luftojmë për vetingun e politikanëve, dhe do ta cojmë një hap më para pastrimin e politikës.
Duke hapur një horizont të ri shprese në përfaqësimin politik, që do të përmirësojë cilësinë e vendmimmarrjes, do të normalizojë politikën, do të rigjallërojë demokracinë dhe do të zhbëjë status quo-në e zgjedhjeve të masakruara, e drejtësisë së kapur dhe ekonomisë së shkatërruar që mban peng të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ju faleminderit!