•  Padia për incineratorin e Tiranës, Mirel Mërtiri nuk shkon në gjykatë për përballje me opozitën. Ina Zhupa dhe Belind Këlliçi: Të vendosur në betejën për mbrojtjen e ineteresit publik kundër aferave korruptive të Ramës dhe Veliajt.

DEKLARATA E INA ZHUPËS

Ishim në një seancë gjyqësore përballë Mirel Mërtirit të inceneratorit të Tiranës, i cili na ka hedhur në gjyq, si dy përfaqësues të Partisë Demokratike, mua dhe z.Belind Këlliçi, për denoncimin publik që ne kemi bërë me fakte dhe prova për aferën e inceneratorit të Tiranës.

Ne të dy, si përfaqësues të PD, kemi dalë në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të fondeve publike që janë përdorur nga taksat e qytetarëve për t’ia dhënë incineratorit të Tiranës në një kontratë të bërë në vitin 2017 dhe sot që ne flasim ende nuk ka një godinë, e cila të kryejë djegien e mbetjeve të qytetit të Tiranës, ashtu siç ishte parashikuar në kontratë dhe siç paguajnë qytetarët e Tiranës.

E gjithë kjo padi është bërë që ne të trembemi, që në të tërhiqemi nga beteja përballë atyre që zotërojnë inceneratorin e Tiranës, por edhe zyrtarëve të lartë publik që ua kanë dhënë inceneratorin e Tiranës, por as unë dhe as z.Këlliçi, as partia politike që ne përfaqësojmë nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga beteja për të mbrojtur interesin e qytetarëve. Do të qëndrojmë përballë. Do të themi të vërtetat gjithë kohës. E kemi çuar këtë çështje për padi edhe në SPAK dhe do të jetë SPAK-u që do ta gjykojë edhe më thellë çështjen e inceneratorit të Tiranës, inceneratorit të Fieri,t por edhe inceneratorin e Elbasanit.

• Çdo ditë Bashkia e Tiranës paguan për inceneratorin e Tiranës 650 ton mbetje, pavarësisht mbetjeve dhe punës që bëjnë.
• Ne deri më sot kemi paguar 23 milionë euro në kontot e inceneratorit, që nuk ekziston të Tiranës.
• Çdo vit, parashikohet që do të paguajmë 6.8 milionë euro, po për inceneratorin e Tiranës.

Këto janë fakte të shkruara, ekzistojnë, mjafton që secila media të shkojë në Sharrë dhe të verifikojë: Nëse bëhet djegia? A kryhet djegie e mbetjeve? Apo thjesht groposje e tyre, si një mal dherash përpara syve të qytetarëve.

Ne nuk mund të heshtim. Ne nuk kemi ndërmend të heshtim, përballë çdo afere të qeverisë “Rama”, të bashkisë Tiranë dhe cilido zyrtar që është përfshirë në marrjen e parasë publike, në tjetërsimin e parave publike, në marrjen e parave të qytetarëve, kur nuk ka asnjë përfitim për qytetarët e Tiranës.

Ju e dini shumë mirë që sesi Sharra, brenda natës u kalua nga një shërbim publik në një shërbim privat. Dhe pa ndryshuar asgjë. E vetmja gjë që ndryshoi ishte kostoja që paguanin qytetarët e Tiranës për atë shërbim që merrej për pastrimin e qytetit dhe për mbetjet e qytetit.

Ne do të qëndrojmë. Sot ishte seanca e dytë. Do të kemi edhe përballje të tjera me z.Mërtiri, i cili na ka hedhur në gjyq, duke gjykuar se ne kemi shpifur. Ndërkohë që ne po themi të vërtetat dhe nuk kemi asgjë personale me z.Mertirin, as nuk e njohim personalisht, as nuk kemi interes personal, por kemi thjesht interesin publik të çështjes së inceneratorëve të Tiranës.

DEKLARATA E BELIND KËLLIÇIT

Ne personalisht Mirel Mërtirin as nuk e njohim. E prisnim sot sërish në gjykatë për ta parë dhe për fytyrë kush është dhe nuk erdhi. Kjo nuk është çështje kundër Mirel Mërtirit apo individëve të caktuar. Kjo është një çështje për të cilën ne paditemi për shpifje pse kemi thënë të vërtetën dhe pse kemi dalë në krah të mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Flitet për një aferë korruptive ku janë dhënë 23 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston.

Sot është 1 Qershori dhe unë uroj të gjithë fëmijëve, gëzuar! Është një ditë shumë e bukur. Pak a shumë 5 vite më parë një i mitur, Ardit Gjoklaj, humbi jetën në landfillin e Sharrës. Dhe kur kemi qenë për të denoncuar nga landfilli i Sharrës rastin edhe të humbjes së jetës së Ardit Gjoklaj, na është thënë nga punëtorët që “kjo nuk ka ndodhur në landfillin e Sharrës dhe se ne po gënjenim”, siç pretendohet që ne sot, sërish po gënjejmë.

Mirel Mërtiri sot na kish kërkuar edhe psikolog. Nuk e di për çfarë? Për të vlerësuar dëmin, mbase vjedhjen që kanë bërë. Se ne kemi thënë që janë vjedhur 400 milionë euro por mbase janë 420 milionë euro, me këtë koncesion korruptiv që rëndon xhepat e taksapaguesve të kryeqytetit.

Çdo ditë në Tiranë qytetarët paguajnë 51 mijë euro në ditë që Tirana të pastrohet. Dhe kryeqyteti sot është më i pisët se kurrë. Sot, Tirana është e pajetueshme; keni kulla, keni beton dhe nuk keni asnjë park, asnjë lulishte. Tiranës po i merret fryma. Sikur të mos mjaftonte vetëm betoni, tashmë është edhe afera korruptive e inceneratorit të Tiranës që rëndon më shumë mbi xhepat e qytetarëve dhe të rinjve që kanë vendosur të jetojnë në këtë vend dhe të rrinë në këtë vend.

Nëse mendojnë se do të na stepin, të bindur të jenë që nuk do të ndalemi.

E presim sërish në seancën e radhës në 22 korrik. Mirel Mërtiri të vijë ta njohim edhe për fytyrë kush është. Dhe për t’ia bërë të qartë që kjo çështje nuk është kundër tij, por është kundër çdo hajduti që fut duart në xhepat e taksapaguesve dhe që vjedh paratë publike, fondet publike.

Ne e kemi thënë dhe stërthënë që do t’i shkojmë kësaj afere publike deri në fund. Dhe për të gjetur në fakt që kush janë pronarët e vërtetë të tre inceneratorëve; të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Për të parë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe për të bërë transparencë, se ku shkojnë paratë e tyre, paratë e buxhetit të shtetit.

E them edhe një herë që Shqipëria, për fatin e saj të mirë, gjeografikisht ndodhet në zemër të Europës por me standarde jemi në zemër të Afrikës, si standarde të Zimbabve të Mirel Mërtirit. Kështu që i bëjmë thirrje publike, edhe unë personalisht, të vijë në gjyq, të përballet në seancë, nuk ka asnjë problem, të themi të vërtetat tona. Le të vendosë gjykata pastaj se kush po shpif në këtë mes.

Nëse mendojnë se do të na intimidojnë, se do të na mbyllin gojën e kanë shumë- shumë gabim.

Faleminderit!