Situata e përmbytjeve në Bashkinë Shkodër, në territoret e njësive administrative Ana e Malit, Dajç, Bërdicë, Velipojë vazhdon të jetë e rëndë. Me qindra, mijëra hektarë tokë janë akoma nën ujë, duke rënduar kësisoj edhe situatën pospërmbytje në ato territore ku uji ka filluar të largohet.
Me sipërfaqe të tëra toke të mbjellë, tashmë janë dëmtuar dhe kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit. Bashkia Shkodër ka ngritur prej disa ditësh grupet e evidentimit të cilët po punojnë në terren për evidentimin e dëmeve.

“Kemi kërkuar pranë Komisionit të Emergjencave Civile në Prefekturë, pranë Ministrisë së Bujqësisë, direkt në komunikim edhe me ministren, vlerësimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet për shkak të shkarkimeve në kaskadën e Drinit gjatë javës së fundit.

Në këto momente që po flasim, emergjenca vazhdon të jetë për gjënë e gjallë. Kërkesa jonë vazhdon të jetë permanente për sigurimin e mbi 150 ton koncentrat të domosdoshëm për gjënë e gjallë, për këto fshatra, për një periudhë 10 ditore.

Ndërkohë me vlerësimin e dëmeve do të verifikojmë vazhdimësinë e nevojës për sigurimin e ushqimit për gjënë e gjallë, për periudhën e dimrit dhe pranverës, pasi bëhet fjalë për toka bujqësore tashmë të dëmtuara rëndë, të mbjella me foragjere, jonxhë, njëkohesisht me grurë por edhe me perime sidomos në zonën e nën-Shkodrës.

Duhet të kemi në konsideratë që gjatë periudhës së pandemisë, për shkak të një pune të lavdërueshme që të gjithë njerëzit kanë bërë në tokat bujqësore, kemi edhe territore më të mëdha të mbjella. Rrjedhimisht, kemi edhe dëmtime më të mëdha. Nevoja për të ndërhyrë është e domosdoshme, dëmshpërblimi është mëse i domosdoshëm.

Është detyrim i qeverisë shqiptare të marrë masat e menjëhershme për vlerësimin e dëmeve dhe dëmshpërblimin e asaj që është produkti bujqësor tashmë i shkatërruar në këto njësi administrative.

Në vitin 2018, kemi patur një situatë të ngjashme me këtë që kemi kaluar këto ditë. Në vitin 2018 ne nuk kemi patur asnjë para’ të dhënë si dëmshpërblim për banorët. Në vitin 2018, ne bëmë të gjitha evidentimet por asnjë lek nuk u pagua pavarësisht se kjo u premtua.

Ne kemi pastruar të gjitha kanalet e dyta dhe të treta kulluese, në të gjithë këto territore. Bëhet fjalë për 85% të sistemit të kullimit të pastruar nga Bashkia Shkodër. Me kalimin e lumenjve tek kanalet kulluese dhe në tokat bujqësore, gjithçka dëmtohet. Prandaj dëmshpërblimi për fermerët është mëse nevojë.

Nga ana tjetër Bashkia Shkodër kërkon të gjithë dëmshpërblimin për punën e realizuar për pastrimin e kanaleve të dyta dhe të treta.
Investimet e domosdoshme të munguara duhet të alokohen në buxhetin e qeverisë për hapjen e kanaleve të para kulluese gjë që nuk është bërë në këtë territor, është kompetencë e Bordit të Kullimit dhe e Ministrisë së Bujqësisë. Prandaj ndërhyrja e koordinuar, sukurse e bën Bashkia Shkodër për ta mbështetur procesin e kullimit, duhet të jetë vazhdimësi e investimeve qoftë në kullim por edhe në të gjithë veprat mbrojtëse, të cilat që në vitin 2013 nuk janë realizuar, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme jo vetem të Bashkisë por sidomos të banorëve të këtyre zonave të përmbytura”, tha Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi.