• Kapja e 2.6 ton lëndë narkotike në Mal të Zi, Alibeaj: Kaloi nëpër territorin shqiptar pa i hyrë gjemb në këmbë. Ngjarja u mbajt e fshehur, provë e bashkëpunimit të qeverisë me krimin.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

 

Media raportoi se dje, në Podgoricë, është kapur një sasi prej 2.6 ton lëndë narkotike.

 

Kamioni së bashku me lëndën masive të drogës ka kaluar në gjithë territorin shqiptar, prej Kapshticës e deri në Han të Hotit. Pa u shqetësuar e pa i hyrë gjemb në këmbë.

 

2.6 ton lëndë narkotike janë kapur përtej kufirit shqiptar, në Mal të Zi.

 

Kjo ngjarje risjell edhe një herë në kujtesën e shqiptarëve vitet e errëta 2014-2017 të qeverisë Rama kur vendi u shndërrua në plantacion gjigand droge e kur sasi të tilla masive përshkonin territorin shqiptar, vite kur policia shqiptare ishte bashkëpunëtore dhe mbështetja e këtij trafiku ishte deri në rangje qeveritare.

 

Kjo ngjarje, e cila mbahet e fshehur nga qeveria, apo duke e kaluar me një njoftim të thatë, është provë e qartë, se qeveria e Ramës, vetëm “qimen e bardhë ka ndërruar, por zakonin nuk e ka harruar”.

 

E njëjta papërgjeshmëri politike, i njëjti skenar bashkëpunimi me krimin, i njëjti skenar justifikues i policisë, sipas së cilës për drogën e kapur jashtë kufijve, që ishte gjeneruar apo kaluar nëpërmjet territorit shqiptar, kjo e fundit kishte kontribuar duke bashkëpunuar!

 

E në fakt ka edhe një rastësi tjetër: sasi të tilla çuditërisht si në atë kohë edhe tani, zbulohen para periudhave zgjedhore.

 

Provë është fakti se levizjet e drejtueseve të policisë në këto ditë, nuk synojnë luftën ndaj krimit e drogës, e trafikut, por thjesht përgatitjen për mësymjen në zgjedhje!

 

Kjo ngjarje, tregon në rastin më të mirë, se Policia e Shtetit është tërësisht e shpartalluar dhe se nuk ka kurrëfarë kontrolli mbi territorin dhe mbi fenomenin kriminal të drogës që është plaga me e madhe që e ka bërë Shqipërinë të lëngojë nën qeverisjen Rama.

 

Në rastin më të keq, atë që ka më shumë gjasë, tregon se policia është bashkëpuntorë me krimin.

 

Rrugët, portet dhe dyert e kufijve të Shqipërisë janë të shkallmuara që droga të trafikohet në sasira kolosale.

 

Në fakt është edhe njëra edhe tjetra.

 

Policia e shtetit e rënë në duart e njerëzve që dallohen për bashkëpunimin me krimin dhe trafiqet, nga njëra anë e kanë shpartalluar me qellim atë, e nga ana tjetër, pasi e kanë paralizuar praktikisht, krerët e saj janë aksionerët kryesorë në trafikun e drogës.

 

 

Ja pse qeveria e Ramës sot është tërësisht e refuzuar dhe pa asnjë besueshmëri për agjensitë lgjzbatuese partnere.

 

Edhe sikur të marrim për të vërtetë versionin e Policisë së Shtetit në deklaratën e saj për shtyp, kur pohon se kamioni me ngarkesën e drogs ka hyrë nga Greqia e ka dalë në Mal të Zi, dhe se policia shqiptare nuk ka patur asnjë sinjalizim.

 

Në fakt, midis Greqise, Shqipërisë dhe Malit të Zi, fatkeqësisht vendi i cili dallohet  në këtë 8 vitet e fundit, në gjithë raportet ndërkombëtare si gjenerues i kanabisit, vend kultivues i tij, është Shqipëria.

 

Kjo është e vërteta e hidhur që Rama, i ka bërë vendit tonë, pasojat e së cilit janë duke i vuajtur shqiptarët.

 

Kjo është një ndër arsyet se përse vendet e BE-së, qartësisht e vënë gishtin në plagë, teksa detyrohen të mos hapin dyert e integrimit.

 

Krimi dhe trafiqet janë një nga produket e vetme “Made in Albania” të përcjella në Europë. Krime, trafiqe, pasiguri dhe strehë e ngrohtë për kriminelët është shndërruar ky vend nga Edi Rama.

 

Ndaj, zgjidhja e vetme për shqiptarët dhe të ardhmen e Shqipërisë, është të reagojmë të gjithë së bashku me vote në 25 prill, për të larguar këtë regjim të krimit si e zeza më e madhe për ne, e që përditë e më shumë po shndërrohet si i tillë edhe për Europën.

 

Në 25 prill, të izolojmë bandën në qeveri për të mos pranuar izolimin e vendit nga bota.

 

Në 25 prill, të çlirohemi nga droga e nga bandat për një të ardhme europiane për vendin.

 

Në 25 prill, të çlirojmë vendin nga krimi e t’i hapim rrugën sundimit të ligjit dhe prosperitetit.