• Rrëzohet teza e Edi Ramës për “modelin shqiptar te koalicioneve”, Bylykbashi dhe Vasili tregojnë ku përdoret ky model në BE

 

  • Ndryshimet e njëanshme te Edi Rames me rregullat e zgjedhjeve kanë për qëllim të reduktojnë humbjen e Edi Ramës në 25 Prill.

 

  • Asnjë truk dhe asnjë tentativë e Edi Ramës nuk do te ndale fundin politik të kësaj maxhorance në 25 prill dhe fitoren e opozitës në zgjedhje

 

  • Ndryshimet e njëanshme jo vetëm nuk sigurojnë lista të hapura, por u heqin të drejtën partive politike të garojnë të lira në një koalicion, i cili, megjithatë, do ta mundë Edi Ramën në të 12 qarqet e Shqipërisë

 

  • Kandidimi i kryetareve ne 4 qarqe, PD: Ndryshimet e njëanshme kundër rekomandimeve te OSBE/ODIHR për zgjedhje të lira e të ndershme. E mundim Ramën në 12 qarqe

 

DEKLARATA E PLOTË E OERD BYLYKBASHIT NË KONFERENCËN PËR MEDIAN

 

Oerd Bylykbashi: Përshëndetje! Jemi në këtë komunikim me ju të nderuar gazetarë, në lidhje me reformën zgjedhore dhe  gjendjen ku është reforma zgjedhore në prag të votimit të nesërm të parlamentit.

Është një reformë zgjedhore e cila u ngrit mbi bazën e një Marrëveshje, ajo e 14 Janarit, e cila kishte si mekanizëm të reformës konsensusin midis partive politike, jo vetëm midis maxhorancës në Parlament, por edhe mes maxhorancës dhe opozitës të bashkuar, si i vetmi instrument që legjitimon një reformë konsensuale, siç kërkohet nga BE.

Ju e dini që reforma konsensuale është një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave të Shqipërisë.

14 Janari shtoi bazat për atë që ishte 5 Qershori, marrëveshja e cila konkludoi të gjitha parametrat mbi të cilat Këshilli Politik i cili funksionon mbi mekanizmin e konsensusit, miratoi më 30 qershor tekstin integral, konsensual për reformën zgjedhore.

Është ky tekst i cili më datë 23 korrik u miratua nga Parlamenti, siç ishte rënë dakord në marrëveshjen e 14 Janarit, pa asnjë ndryshim.

Është kjo reformë zgjedhore konsensuale në Këshillin Politik që garantoi konsensus për të rritur standardin e zgjedhjeve të vitit 2021. Është një reformë zgjedhore e cila solli instrumente shtesë për të garantuar që zgjedhjet e 2021 të kenë sa më pak probleme dhe t’i priten duart ndërhyrjes së partisë në pushtet për të transformuar rezultatin e zgjedhjeve siç ka bërë në të shkuarën.

Me votimin e nesërm të bazuar në votimin e njëanshëm të ndryshimeve kushtetuese, Edi Rama shkatërron pikërisht marrëveshjen e 14 Janarit, shkatërron konsensusin që ndërtoi Këshillin Politik, shkatërron marrëveshjen e 5 Qershorit dhe produktin konsensual të kësaj marrëveshje.

 Duke ndërhyrë drejtpërdrejtë në elementë që u dakordësuan në 5 Qershor, u miratuan në aspektin teknik në 30 qershor dhe parlamenti i kaloi dhe i bëri ligj konsensual më datë 23 korrik të këtij viti.

Ndërhyrjet e nesërme do të krijojnë konfuzion në mënyrën se si do të funksionoi sistemi zgjedhor dhe e gjithë kjo bëhet vetëm për një qëllim, sesi Edi Rama të reduktojë sa më shumë që të ketë mundësi humbjen e tij në zgjedhjet e ardhshme.

Në çdo rast, asnjë truk dhe asnjë tentativë e Edi Ramës për të ndërhyrë në sistemin zgjedhor nuk do të ndalë atë që në 25 prill do të jetë fundi politik i kësaj maxhorance dhe fitorja e opozitës.

Në të gjithë përpjekjen e tij për të thënë që procesi i reformës, që ai po përmbyll në një mënyrë të njëanshme, nuk është gjë tjetër veçse ishte një përpjekje për të përdorur Këshillin Politik, por pa sukses që të legjitimonte njëanshmërinë e ndryshimeve kushtetuese që jo vetëm nuk iu garantuan zgjedhësve shqiptarë listat e hapura, por nga ana tjetër po heq mundësinë që partitë politike të garojnë të lira në një koalicion i cili do ta mundë Edi Ramën në të 12-të qarqet e Shqipërisë.

Më lejoni të theksoj edhe diçka që duhet të jetë në vëmendjen e të gjithë publikut shqiptar. Edi Rama me këto ndryshime që voton nesër ndryshon rregullat themelore të lojës pasi loja ka filluar. Procesi zgjedhor tashmë ka filluar me daljen e dekretit të Presidentit të Republikës, partitë politike kanë fituar të drejtën që të përdorin instrumentat e ligjit sot në fuqi, përfshi koalicionet zgjedhore siç janë sot në fuqi, dhe ndryshimi i rregullave bie ndesh me standardin e Këshillit të Europës dhe OSBE-së që elementët thelbësore nuk ndryshohen kur ka kaluar një vit para datës së zgjedhjeve. Pra, çdo ndryshim i nesërm bie ndesh me standardin dhe është vetmja arsye pse OSBE/ODIHR-i do të ishte garanti i Marrëveshjes së 14 Janarit për mosdakordësi. Në tre javë ne tentuam që t’i drejtohemi ODIHR-it dhe për tre javë rresht PS bllokoi Këshillin Politik për t’iu drejtuar ODIHR-it që të na jepte opinionin e tij në lidhje me përputhshmërinë, me standardet për atë që po bën PS.

 

Pyetje: Çfarë do të bëjë PD-LSI për të frenuar nesër miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Parlament? A keni ju një thirrje 24 orë para votimit për ata të cilët nuk u bindën djegies së mandateve, referohem opozitës parlamentare, të cilët nesër kanë në dorë edhe votimin e këtyre ndryshimeve?

 

Oerd Bylykbashi: Opozita e bashkuar tashmë ka shpjeguar qartë qëndrimet e saj përsa i përket të gjithë kësaj tentative të Edi Ramës për të ndryshuar rregullat, me një qëllim të vetëm që të mos humbasë zgjedhjet aq thellë sa me rregullat aktuale i humbet.

Ajo që është e qartë është se sido që ta bëjë sistemin opozita fiton zgjedhjet e ardhshme. Dhe angazhimi jonë është që me zgjedhjet e ardhshme rezultati të jetë i tillë, të jetë i thellë që të mos i lërë shteg Edi Ramës që të ndryshojë sistemin, në çdo formë që ai dëshiron.

Të gjitha qëndrimet tona janë bërë jo vetëm publike por janë bërë prezentë faktorit ndërkombëtar, i cili tashmë e ka të qartë shkeljen e çdo standardi për sa i përket zgjedhjeve të ndershme, një komponent thelbësor si për OSBE-në, të cilën z.Rama e pretendon se e drejton, edhe për Këshillin e Europës.

Pra, ndryshimet e nesërme nuk do të pengojnë fitoren e opozitës në asnjë rast. Sigurisht më pas është barra morale për të gjithë ata që i dhanë mundësinë Edi Ramës të ndryshonte Kushtetutën në mënyrë të njëanshme nëpërmjet pazaresh, siç ajo që shohim dhe në tekstin aktual që përpiqen të miratojnë nesër, ku dispozita të caktuara shkojnë drejtpërdrejtë ndeshmë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në të shkuarën të cilat i kemi trajtuar dhe i kishim zgjidhur, rikthehen sërish me shkelje standardesh në lidhje me barazinë e kandidimit dhe mosdiskriminimin e subjekteve zgjedhore.

Pra, është detyrë e atij Parlamenti që nesër të mos kalojë atë draft i cili nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të dërrmojë standardet e zgjedhjeve, por kjo nuk pengon opozitën për të fituar zgjedhjet e ardhshme.

Pyetje: Zoti Bykykbashi ju jeni shprehur vazhdimisht që propozimet e mazhorancës për listat dhe koalicionet janë antikushtetuese. A do ta çoni kodin që të miratohet nesër në Kushtetuese? Ju thatë që Rama tentoi të përdorte Këshillin për të kaluar draftin e tij të njëanshëm! Në çfarë mënyrë ka dashur t’ju përdorë?

 

Oerd Bylykbashi: Gjykata Kushtetuese nuk ekziston 4 vite pas miratimit të reformës në drejtësi. Është bllokuar në mënyrë të qëllimshme që çështje madhore dhe shkelje themelore të Kushtetutës, askush të mos jetë në gjendje t’i çojë në Gjykatë Kushtetuese.

Modeli që propozon Partia Socialiste është antikushtetues, koalicionet nuk janë të drejtë që të propozojnë kandidatë. Kushtetuta është në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor në fuqi, me modelin e koalicionit që kemi sot, i cili është model që ekziston, është në fuqi. Koalicioni me listë të përbërë që ka Shqipëria është marrë nga modeli italian dhe sot është në fuqi në Itali, ligji zgjedhor italian.

Ju keni Edi Ramën që ka gjithë këto kohë që thotë se “Nuk ekziston askund në Europë ky model”, –“Më jepni një rast të vetëm dhe tërhiqem”.

Ne e kemi marrë nga Italia në vitin 2003, ne e kemi marrë me konsensus në vitin 2003, pra PS-PD e kanë miratuar me konsensus këtë model. Dhe Italia, parlamenti italian e ka miratuar në nëntorin e vitit 2017 ligjin ashtuquajturin ligji “Rosato”, i cili aplikon për zgjedhjet për parlamentin italian, koalicionin me listë të përbërë siç e kemi ne, është sot në fuqi.

Nga viti 1995 Italia aplikon koalicionin me listë të përbërë për të gjitha zgjedhjet në nivel rajonal apo në nivel bashkie.

Modeli me listë të përbërë, pra ky që përfshihet në ligjin “Rosato”, apo në ligjin “Tattarela” në Itail për zgjedhjet administrative, përdoret si me listë të mbyllur edhe me listë të hapur me votim preferencial, gjë që rrëzon tezën e Edi Ramës që  për shkak se hapet lista duhet rrëzuar koalicioni zgjedhor.

Kushtetua e Shqipërisë e 30 korrikut nuk përcakton asnjë model por qartazi ndalon modelin që propozon PS dhe është tërësisht në përputhje me atë që ka sot Kodi Zgjedhor.

Tashmë, për publikun shqiptar ky është një përshkrim i ligjit “Rosato” i cili do të jetë në dispozicioni tuaj. Pra, për publikun shqiptar është edhe vendi i referencës nga e kemi marrë dhe ku përdoret sot e kësaj dite.

Është një model që është përdorë në Francë, në Belgjikë; por nëse doni një model të madh e kemi pranë nesh vendin nga e kemi marrë e përdor sot e kësaj dite. Bie teza e Edi Ramës që ky model nuk ekziston.  Koalicioni me listë të përbërë është në fuqi në një vend, në një nga demokracitë më të mëdha të Bashkimit Europian. Është gjithashtu i mirënjohur si model në institucionet e specializuara për zgjedhjet e përshkruajnë ekzakt siç funksionojnë në Shqipëri. E kemi marrë prej tyre, për rrjedhojë nuk ka asnjë ndryshim. Ajo që propozon Edi Rama është hequr në mënyrë konsensuale si problematike.

Pretendimi se është e pamundur që me listën e hapur të ketë edhe koalicione, me votim preferencial e kemi thënë edhe më herët, që nëpërmjet kësaj flete votimi të bëhet votimi për partinë që preferohet, partinë e koalicionit që preferohet dhe më pas të zgjidhet kandidati, pra numri që i korrespondon kandidatit në listën e partisë së koalicionit.

Në një fletë votimi kaq të vogël, jo më atë librin e trashë apo fletën e votimit çarçaf që pretendon Edi Rama, zgjidhet problemi.

Pra, të jetë e qartë: E gjithë përpjekja e Edi Ramës është që të ndryshojë rregullat e lojës duke futur një koalicion që përpiqet të pengojë opozitën e bashkuar, por kjo është e pamundur, prish standardin, kjo duhet shënuar, por opozita do ta çojë deri në fund këtë betejë dhe në çdo rast zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojë.

Për sa i përket Këshillit Politik, u përpoq që ta përdorte Këshillin Politik si justifikues por e pati të pamundur, në tre javë dështoi që ta bënte këtë. E vetmja gjë që bëri pengoi zbatimin e marrëveshjes së 14 Janarit për të dërguar një kërkesë në ODIHR që të na jepte opinionin zyrtar në lidhje me këtë çështje.

Pyetje: Përderisa po hyni në zgjedhje me rregulla loje të njëanshme a do t’i njihni rezultatet e zgjedhjeve?

 

Oerd Bylykbashi: Reforma nisi me marrëveshjen e 14 Janarit për të plotësuar rekomandimin e OSBE/ODIHR-it, rekomandimin numër një të vitit 2019: një reformë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, siç ka qenë gjithmonë.

Dhe kjo u sanksionua në atë marrëveshje. Pjesëmarrja e opozitës dhe kontributi i saj në këtë reformë konsensuale nëpërmjet Këshillit Politik, ishte i vetmi moment ku opozita kishte një detyrë në lidhje me 15 kushtet e vënë Shqipërisë, në mënyrë specifike kushtin për reformën zgjedhore konsensuale.

Këtë detyrë dhe këtë angazhim opozita e kreu 100%, jo vetëm duke nderuar zbatimin e marrëveshjes së 14 Janarit, por me kontribut konsensual, me propozime të vazhdueshme, përfshi edhe një paketë ligjesh përveç Kodit Zgjedhor që i presin duart ose bëjnë të vështirë shitblerjen e votës, krime të tjera zgjedhore. Dhe nëse Prokuroria nuk do të bëjë detyrën, do të jetë e qartë që është pjesë dhe palë me qeverinë në këtë çështje.

Jemi ulur në reformën zgjedhore pa bërë zgjedhje se kush ulet para nesh; Partia Socialiste, lidershipi i saj është i tëri i inkriminuar. Kështu që reforma zgjedhor është një detyrë më vete, ne angazhohemi në maksimumin tonë dhe Kodin Penal duhet të bëjë punën me vete. kushdo që ka përgjegjësi penale, siç kërkon edhe Bashkimi Europian dhe Bundestagu përpara tij, ata që kanë kryer krime zgjedhore duhet të përballen me drejtësinë. Ne bëmë pjesën tonë, drejtësia duhet të bëjë pjesën e vet.

Detyra jonë ishte reforma zgjedhore konsensuale, ne e bëmë këtë deri më 30 qershor për interes të integrimit europian dhe interes të publikut morëm pjesë për të bllokuar Edi Ramën në tentativën për të prishur rregullat. Dhe sot vazhdojmë të denoncojmë këtë dhe rrëzojmë dhe farsën e tij të fundit, që modeli i koalicionit zgjedhor që ka Shqipëria nuk gjendet askund. Pra, është e provuar se vendi nga e kemi marrë e ka sot në fuqi.

Në reformën zgjedhore në 14 Janar hymë për të rritur standardet e zgjedhjeve. Me atë miraton nesër Edi Rama, nëse nuk ndalet në atë farsë në të cilën është kthyer parlamenti, standardet e zgjedhjeve bien, cenohen edhe parimet themelore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kështu që për sa na përket ne, prova për atë që ishte 2017-a  sot është në sytë e publikut, nuk ka nevojë që t’i provojmë më tej, është në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it duke filluar nga ato zgjedhje e më pas, është në sytë e kujtdo që është një pushtet i bazuar në grabitjen e votës së shqiptarëve.

2021 nuk do t’i japë këtë mundësi, çfarëdo që të bëjë nesër Edi Rama nuk do të pengojë humbjen e tij në zgjedhje, mundet vetëm të përpiqet ta zvogëlojë por jo ta ndryshojë.

Pyetje: Pse nuk e prezantuat më herët  modelin italian, por një ditë para votimit të kodit? Dhe e dyta a keni një koment për variantin e kandidimit të kryetarit të partisë në 4 qarqe?

 

Oerd Bylykbashi: Që në momentin e parë kur ka nisur debati në Këshillin Politik, por edhe në publik, opozita e ka bërë të qartë: Shqipëria ka marrë këtë model koalicioni dhe është një model koalicioni që garanton një lloj liste të hapur të partive politike, që u garanton zgjedhësve të jenë ata që vendosin me votë sa e fuqishme është një parti ose sa e pafuqishme është një parti. Pra nuk e vendosin koalicionet, nuk e vendosin marrëveshjet e kryetarëve. Nëpërmjet kësaj flete votimi (tregon modelin e fletës) i japin ata fuqinë partive. Dhe ne që në fillim kemi thënë se ky model është marrë nga Italia dhe sot ju sjellim provën që rrëzon pretendimin e Edi Ramës që ky model nuk ekziston askund. Në Kodin aktual është në fuqi ekzakt modeli që vendi ynë fqinj Italia përdor prej shumë vitesh, por i rikonfirmuar në vitin 2017-të. E përsëris: Në sistemin zgjedhor italian për të gjitha nivelet e votimit, modeli i koalicionit me listë të përbërë përdoret edhe për votim me listë të mbyllur, siç e kemi pasur ne deri dje, edhe në votim me listë të hapur preferenciale siç do ta kemi në zgjedhjet e ardhshme. Pra, pretendimi që hapja e listës rrëzon koalicionin me listë të përbërë, është zero. Nuk ka asnjë vlerë. Ju do të keni mundësinë të merrni referencat dhe ta dokumentoni këtë falsitet i cili heq edhe pretendimin e fundit në tentativën e Ramës për të ndryshuar rregullat pasi procesi zgjedhor ka filluar.

Në lidhje me pyetjen e fundit, dhënia e të drejtës së kryetarit të partisë që të garojë në shumë se një qark, në 4 qarqe siç është rasti aktual, së pari duhet thënë që është një Pazar i ulët i bërë në parlament për të kaluar këtë që kërkon Edi Rama: heqjen e koalicioneve me listë të përbërë, asgjë tjetër. Nga ana tjetër mashtroi shqiptarët se do të hapte listat e kandidatëve dhe këtë nuk e bëri. Por ajo që duhet theksuar gjithashtu është që ky Pazar për 4 qarqe ku një kryetar mund të kandidojë, bie ndesh drejtpërdrejtë me rekomandimin Nr. 2, të vitit 2009 për zgjedhjet në Shqipëri i cili godiste një të drejtë të njëjtë që kodi zgjedhor i asaj kohe i jepte kryetarëve të partive të garonin në më shumë se në 1 qark. Në atë kohë ODIHR e konsideroi se kjo ishte në kundërshtim me parimet e barazisë dhe të mos diskriminimit në zgjedhje, e për rrjedhojë Shqipëria duhet ta hiqte. Për këtë arsye them që është një Pazar i ulët sepse e çon procesin zgjedhor nën standardet e OSBE-së, vetëm e vetëm që Edi Rama të marrë votat e asaj që e quan vetën opozitë në Parlament, që ti japë mundësinë vetes të ndryshojë koalicionet, sepse e di shumë mirë në të 12 qarqet, koalicioni i Opozitës së Bashkuar e mund në mënyrë të thellë.

Pyetje: Pyetje: Provën e modelit italian pse nuk e paraqitët që në tryezën e këshillit politik kur z.Gjiknuri bëri thirrje edhe në takimin  fundit për të prezantuar një model të ngjashëm? Pse reaguat 2 dit me vonesë për ndryshimet e kodit zgjedhor? Çfarë pritët apo ka një marrëveshje mes Ramës e Bashës për këto ndryshime?

 

Oerd Bylykbashi: Një gjë shumë të thjeshtë për të, por mbi të gjitha për maxhorancën që pasi ia thamë qartë që këtë model koalicioni që përdoret në Europë e kemi marrë nga Italia ta verifikoni, është shumë e thjeshtë ta kërkoni dhe ta gjejë kushdo.

Kështu që nuk ka asnjë lloj vonesë, por ajo që duhet të jetë e qartë është qëllimi i Edi Ramës që në mënyrë të njëanshme të ndërrojë rregullat e lojës. Vetëm kaq.

Sigurisht nëse do të garojë me listë të përbashkët për koalicionin e tij, mund t’ia shtojë në kundërshtim me Kushtetutën ta provojë dhe ta shtojë me Kodin Zgjedhor. Por ai nuk mund të caktojë rregullat e kundërshtarëve të tij vetëm pse ka frikë nga opozita dhe koalicioni i opozitës së bashkuar.

Vetëm shihni rrotull tij dhe do ta shihni qartë se nuk ka asnjë aleat sepse fatura 7 vjeçare e  keqqeverisjes i ka larguar të gjithë prej Edi Ramës dhe i ka bërë kundërshtarë të tij.