• “Asnjë qindarkë për përballimin e pandemisë”, PD: Qeveria braktis qytetarët për të paguar inceneratorët. SPAK të mos fle mbi dosjen e mafias së plehrave.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DHURATA ÇUPI

 

Këtë javë numri i të infektuarve nga Covid 19 arriti kulmin, në shkolla virusi është përhapur si gripi, qytetarët po paguajnë vetë për mjekimin, bizneset janë në krizë te thellë dhe mijëra familje rrezikojnë të mbeten pa një punë.

 

Çfarë po bën qeveria në ikje në këtë situatë kaq kritike, që prek thuajse çdo derë shqiptare? Ka nxjerrë një paketë të tretë ekonomike? As që bëhet fjalë! Edi Rama refuzon ta bëjë!

 

Ka marrë vendim për të kompensuar shtresat në nevojë për përdorimin e maskave? As për këtë nuk shqipton asgjë kryeministri në ikje.

 

Ka vendosur fonde në dispozicion për të siguruar higjienë dhe kushte minimale sigurie në shkolla? As kjo nuk ka ndodhur! Asgjë që është në interesin e qytetarëve nuk ka ndodhur, edhe pse opozita i ka bërë gati planin e shpejtë të rimëkëmbjes, që i vjen në ndihmë çdo familje.

 

Mes qytetarëve dhe inceneratorëve, Edi Rama ka zgjedhur këtë biznes korruptiv për të hedhur aty 75 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.

 

75 milion euro janë marrë nga xhepat e qytetarëve më të varfër të Europës dhe janë transferuar në parajsë fiskale, ku fshihen pronarët e kompanive fantazëm të inceneratorëve që nuk ekzistojnë.

 

Vetëm me 1 firmë të vetme, u ka dhënë 2 milionë euro para pak ditësh inceneratorit të Tiranës dhe atij të Fierit. Kemi faktuar këto ditë me pamje se inceneratorët nuk ekzistojnë. Ekziston vetëm vjedhja e tmerrshme që vazhdon t’u bëhet shqiptarëve.

 

Në këtë kohë të vështirë për njerëzit, 2 milionë euro janë shumë. Me to, mund të ishin siguruar maska për gjithë dimrin për 1 milionë shqiptarë (pensionistë, në ndihmë ekonomike, mësues, të papunë nga Covid-i)

 

Me 2 milionë euro, që Rama firmos për inceneratorët, 2 mijë binzese të vogla mund të merrnin çekun 1 mijë euro, një ndihmë e propozuar nga Partia Denokratike për të lehtësuar sadopak krizën e thellë ekonomike, dhe rënien e konsumit.

 

Është koha që Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion të mos fle mbi biznesin mafioz të plehrave në Shqipëri.

 

Aktet kriminale të kësaj qeverie duke vjedhur shqiptarët për llogari të mafias së plehrave duhet të ndëshkohen!

 

SPAK duhet të thotë pse qeveria, brenda 1 dite, i dha, praktikisht vetëm 1 kompanie me 1 mijë euro kapital, biznesin 400 milionë euro të plehrave? Kush fshihet pas kompanisë guaskë që gllabëron paratë e shqiptarëve?

 

Mënyra sesi do të hetohet kjo dosje e tmerrshme mafioze përbën një test për SPAK-un dhe pavarësinë e tij.