Grupi i ekpertëve të ekonomisë dhe financave publike në Partinë Demokratike zhvilluan një takim online me Misionin e FMN-se, znj. Yan Sun, Shefe e misionit të FMN-së për Shqipërinë dhe znj. Stephanie Eble, Përfaqësuese e Përhershme, Rezidente në Vienë.

Takimi u fokusua në shqetësimet kryesore të FMN-së në lidhje me ekonominë e vendit, situatën ekonomike të krijuar gjatë pandemisë si dhe sa kanë afektuar këtë situatë problemet strukturore të ekonomisë shqiptare.
Ekspertët e Partisë Demokratike vunë në dukje një sërë problematikash, sidomos mbi zhvillimet e muajve të fundit, gjatë së cilës dhjetëra mijëra biznese kanë falimentuar, 137 mijë të papunë i janë shtuar ushtrisë së të papunëve, 61% e bizneseve reflektojnë rënie të të
ardhurave në vend ndërkohë që plaga ekonomike vazhdon dhe thellohet dita ditës.

Prodhimi industrial ka rënë me 11.2%, investimet e huaja direkte ranë me 100 mln euro dhe besimi në ekonomi ka rënë me 50.2 pikë përqindje duke qenë niveli më i ulët në 18 vite. Paketat mbështetëse më të ulta në rajon me vetëm 0.86% të PBB-së dhe mungesa deri më sot e planit të rimëkëmbjes ekonomike, thellon akoma edhe më shumë problematikat ekonomiko-sociale dhe dëmton rëndë bizneset.

Amnistia Fiskale dhe Penale është një nga shqetësimet kryesore që i vjen vendit në kushte pandemie. Kjo nismë ligjore jo vetëm është tërësisht e pavend për situatën ekonomike dhe dëshpuruese që ka vendi por është një tjetër shenjë hipokrizie e qeverisë. Nëse ky ligj miratohet me qëllimin e vetëm për të ndihmuar trafikantët e drogës dhe ato që duan të
pastrojnë parà, qeverisja e ardhshme e Opozites së Bashkuar do ta abrogojë duke përfshirë edhe efekte prapavepruese në ligj.

Shqetësimi i kahershëm i PD, që është reflektuar dhe në raportet e KLSH-së, ka qenë edhe zëri i “Detyrimeve të Prapembetura”, të cilat vlerësohen në vlerën 70 miliardë lekë, duke treguar qartasi mungesën e eficencës në manaxhimin e financave publike në vend.

Sakaq, u shprehen shqetësimet në lidhje me koncesionet dhe PPP-të që janë po aq të kritikuara nga FMN dhe çdo institucion tjetër ndërkombëtar, të cilat prekin vlerën e rreth 13% të PBB-së, duke vendosur në rrezik buxhetin e shtetit me kontrata për të cilat nuk ka patur analiza të sakta kosto-përfitim dhe janë shembujt më domethënës të praktikave abuzive dhe korruptive nga qeveria shqiptare.

Një tjetër shqetësim i PD ka qenë dhe mbetet Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila është kritikuar specifikisht edhe nga FMN.

Gjithashtu gjatë takimit, grupi i ekspertëve prezantoi piketat kryesore të Planit Ekonomik të PD, nje plan që ka në bazë të saj mbështetjen e ekonomisë dhe sektorëve të saj, nxitjen e konsumit, punësimit dhe zhvillimit por dhe uljen e informalitetit.

Vetëm konkurenca e lirë, ekonomia e tregut dhe jo favoritizmi, lufta ndaj vjedhjeve dhe abuzivizmit mund të nxjerrin ekonominë shqiptare nga kriza disavjecare.