• Shkelje e rëndë e ligjit me vetingun në polici. Numri 2 i Policisë, Gjovalin Loka, operativ i Sigurimit të Shtetit. Loka duhet të dëbohej nga policia edhe sepse fshehu të kaluarën nga formulari i vetëdeklarimit.

 

  • Enkelejd Alibeaj zbulon dokumentin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu shkeli ligjin për të mbrojtur Lokën dhe mbi 500 sigurisma të tjerë në Policinë e Shtetit.

 

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

 

 

Konfirmimi në detyrë i numrit 2 të Policisë operativit të Sigurimit të Shtetit, Gjovalin Loka, është një shembull flagrant i kriminalizimit të Policisë nën drejtimin e Edi Ramës.

 

Shkelja e rëndë e ligjit për të mbajtur dhe promovuar në Polici njerëzit e Sigurimit është tregues i shndërrimit të policisë në një organizatë në shërbim të partisë shtet dhe jo të qytetarëve.

 

Me mbajtjen në krye të policisë të Gjovalin Lokës kundër ligjit të vetingut, Policia e Shtetit i është dorëzuar pa kushte organit që mbajti nën terror vendin për 45 vjet. Mënyra armiqësore në sjelljen me qytetarët, metodat që përdor për të shtypur, dhunuar, rrahur, e nëpërkëmbur qytetarët janë tregues i zaptimit të Policisë nga ish sigurimsat.

 

Numri 2 i Policisë së Shtetit do të duhej të dëbohej nga Policia, së paku për arsyen se ligji i vetingut në polici, shkruan e bardha mbi të zezë, në nenin 38 pika “g” se qenia “anëtar i ish-sigurimit të shtetit” përbën kusht skualifikues.

 

Një fakt i tillë është i dokumentuar zyrtarisht nga Autoriteti i Dosjeve.

 

Jo vetëm kaq! Numri 2 i Policisë së Shtetit do të duhej të dëbohej edhe për faktin, se e fshehu një fakt të tillë në formularët e vetëdeklarimit.  Neni 62 i ligjit të vetingut në polici përcakton, shprehimisht, se mospasqyrimi i të dhënave përbën në vetvete shkak për shkarkim nga detyra.

 

Për të mbrojtur një anëtar të Sigurimit të Shtetit, në shkelje të rëndë të ligjit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliaj ka mashtruar publikisht duke shpërdoruar detyrën. Ne disponojmë dokumentat e plotë që e provojnë këtë mashtrim.

 

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit i ka kërkuar informacion Ardi Veliut për të dhënat mbi anëtarët e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilët janë ende në radhët e Policisë së Shtetit.

 

Ky është dokumenti, në të cilin Drejtori i Përgjithshëm ka guxuar të mashtrojë dhe të mohojë me shkresë zyrtare ekzistencën e ish sigurimsave në Policinë e Shtetit, kur zëvendësi i tij, Gjovalin Loka jo vetëm ka kryer Shkollën e Sigurimit, por edhe ka punuar operativ i Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste.

 

E vërteta është se ekspertët llogarisin se në këto 7 vjet e gjysëm, janë më shumë se 500 sigurimsa të tjerë që janë rifutur dhe punojnë në nivele të larta të strukturës së Policisë së Shtetit.

 

Tallja me ligjin, kompromentimi kriminal i Policisë së Shtetit duke ringjallur jo vetëm në metoda, por edhe në personel njerëzor ish-Sigurimin e Shtetit është një këmbanë alarmi se projekti politik i Edi Ramës nuk ka lidhje me demokracinë dhe shtetin ligjor.

 

Kjo është një arsye më shumë përse shqiptarët, në rastin më të parë, do ta rrëzojnë me votë këtë regjim autokratik, duke i dhënë vetes një shans real për të zgjedhur një qeveri dhe kryeministër normal, që ka të parin interesin e qytetarëve.