•             Mesazhet kërcënuese kundër gazetarëve nga Erion Veliaj,  akte mafioze kundër lirisë së medias.

 

•             Erion Veliaj duhet të shkarkohet dhe SPAK të nisë hetimet për të paktën dy vepra penale.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

 

Përshëndetje!

 

Shqetësimi ynë i parë sot është për të gjithë ata shqiptarë që po torturohen dhe rraskapiten prej 5 ditësh në kufi, pa ujë pa ushqime, pa shërbime shëndetësore, ku është krijuar një krizë e vërtetë humanitare. Është një krizë që tregon dështimin e qeverisë për të komunikuar me qytetarët e vet në këtë kohë kaq delikate dhe të rrezikshme për shëndetin. Është krizë e  krijuar nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie, e cila nuk testoi dhe vazhdon të mos testojë masivisht për parandalimin e përhapjes së virusit.

 

Është e turpshme që as Edi Rama dhe asnjë nga ministrat e tij nuk ndërprenë pushimet, por vazhdojnë të relaksohen në resortet dhe vilat luksoze të bregut sipas një axhende që nuk ka asnjë lidhje me interesin e qytetarëve.

 

Shqetësimi i dytë ka të bëjë me lirinë e medias dhe kërcënimin e gazetarëve nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 

Mesazhet kërcënuese të Erion Veliajt, të bëra publike dy ditët e fundit, përbëjnë prova ligjore të një akti të dënueshëm kriminal . Ato e nxjerrin në pah kryebashkiakun e Tiranës si një politikan mafioz, armik të lirisë së medias.

 

Gjuha e egër, denigruese dhe e urrejtjes ndaj një gruaje gazetare, mesazhet kërcënuese “se nuk ka për t’ia falur” Beti Njumës pse u dha zë artistëve kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, provojnë se Erion Veliaj përbën një kërcënim të rëndë për fjalën e lirë, i gatshëm të eliminojë këdo që cënon pushtetin e tij, duke u thënë qytetarëve të vërtetën.

 

Të gjithë i dinë metodat e Erion Veliajt për t’u mbyllur gojën gazetarëve. Ato nisin me dhurata të vogla për festa, udhëtime jashtë vendit, projekte të ndryshme të bashkisë, lejet e ndërtimit, licensat vendore, tjetërsimi i pronës publike për 1 euro deri tek ortakëria në koncesionin korruptiv të inceneratorëve.

 

Ndaj atyre që nuk u ble dot heshtjen, Erion Veliaj, me mbështetjen e Edi Ramës, përdor metoda të tjera mafioze për t’u mbyllur gojën. Këto metoda kryetari i Bashkisë së Tiranës i ka përdorur edhe përpara mesazheve kërcënuese ndaj gazetarëve të  Ora Neës.

 

Emisioni “Publikus”, që investigoi vrasjen e të riut Ardit Gjoklaj në Sharrë u mbyll, gazetarja Alida Tota u pushua nga puna me një telefonatë të Veliajt. Ka dhjetëra dëshmi nga gazetarë të tjerë që kanë mbajtur qëndrime kritike për Erion Veliajn dhe Bashkinë e Tiranës janë pushuar nga puna ose u është bërë presion drejtpërsëdrejti prej tij.

 

Kush flet për Tiranën e betonizuar, për Tiranën pa vende argëtimi për fëmijët, për pastrimin e parave të krimit përmes lejeve të ndërtimit,  kush flet për për rritjen e faturës së ujit, por ujë nuk ka në shtëpi, kush flet për ndotjen e madhe të qytetit, për mungesën e parkimeve, për trafikun e çmendur nga zënia e rrugëve me betoniere dhe kulla, kush flet për një kryeqytet identiteti i të cilit po shuhet nën beton, kush flet për vjedhjet me taksat e qytetarëve që paguajnë më shumë së kushdo në Shqipëri pa marrë asgjë mbrapsht, kush flet kundër pushtetit të Erion Veliajt dhe Edi Ramës, i duhet mbyllur goja.

 

Dhjetëra mesazhet e Erion Velisë dëshmojnë mekanizmin dhe metodat mafioze e përdorura nga Kryetari i paligjshëm i Bashkisë së Tiranës për të kërcënuar dhe shantazhuar median që nuk i nënshtrohet makinerisë së stërmadhe të propagandës që paguhet me miliona Euro të zhvatura qytetarëve të Tiranës nga taksat e rritura.

 

Partia Demokratike kërkon fillimin e menjëhershëm të hetimit penal ndaj Erjon Veliajt për kryerjen e të paktën 2 veprave penale: shpërdorim i detyrës dhe pengimi në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur.

 

Erion Veliaj duhet shkarkuar menjëherë dhe duhet vënë para drejtësisë.