• Emërimi i ish-agjentit të Sigurimit të Shtetit Albert Dervishaj në krye të Policisë së Shtetit, Edi Rama dhe Sandër Lleshaj shkelën ligjin, duhet të shkarkohet. Heshtja e tyre konfirmon skenarin për kapjen e policisë.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, IZMIRA ULQINAKU

3 ditë pas denoncimit të Partisë Demokratike se në krye të Policisë së Shtetit është emëruar një agjent i sigurimit të shtetit, Edi Rama dhe Sandër Lleshaj vazhdojnë të heshtin.

Asnjë fjalë nga Edi Rama, asnjë fjalë nga Sandër Lleshaj, dy njerëzit që kanë emëruar bashkëpunëtorin e sigurimit, në postin e nëndrejtorit të policisë.

Kryeministri në ikje dhe shërbëtori i tij, Lleshaj, heshtin, sepse janë ata përgjegjës për emërimet e të inkriminuarve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit në drejtim të Policisë.

Albert Dervishaj është emëruar si numri 2 i Policisë së Shtetit në shkelje të ligjit që e ndalon përfshirjen në polici të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.

Emëruesit e tij në krye të Policisë së Shtetit, heshtin sepse ata e dinë ekzistencën e dosjes me numër regjistri 7559 në degën e sigurimit në Korçë në emrin e Albert Dervishajt.

Albert Dervishaj është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në periudhën e diktaturës. Numri dy i Policisë ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit për 10 vite.

Sipas të dhënave, Albert Dervishaj, është rekrutuar nga Sigurimi në datën 24.08.1981 me numër regjistri 7559.

Punëtori operativ që e ka tërhequr në bashkëpunim ka qenë Ali Anadolli dhe është mbajtur në bashkëpunim nga punonjësi operativ Qirjako Prifti.

Albert Dervishaj duhet të shkarkohet menjëherë nga detyra dhe ata që e kanë emëruar në krye të policisë, Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Në qeverisjen e Partisë Demokratike, të gjithë ata që kanë shkelur ligjin do mbajnë përgjegjësi ligjore e penale dhe policia do të kthehet në shinat e ligjshmërisë duke i shërbyer vetëm sigurisë së vendit dhe qytetarëve.