•             Korça në varfëri si kurrë më parë. “Njerëzit marrin ushqim me lista ose duke lënë pengje”. Bizneset Bashës: Xhiro ka rënë me 70%.

•             Basha: Ramavirusi është pandemia e varfërisë dhe e krizës, që po shkatërron vendet e punës. Prioriteti ynë nr. 1 është të ringrejmë ekonominë, të rrisim punësimin dhe mirëqenien.

•             Basha: Situata është keq e më keq. Ne do të çlirojmë biznesin nga ankthi i terrorit të taksidarëve, duke futur në karantinë 1 vjeçare inspektoriatet.

•             Basha: Sistem konkurues taksash për rajonin. Për biznesin e vogël deri në 140 milionë lekë, do të jetë vetëm 1 taksë, 0.5% e xhiros vjetore. Çdo taksë apo tarifë tjetër, do të zhduket.

•             Basha: Për  biznesin e madh, taksa e sheshtë 9 %, për më shumë vende pune dhe investime. Kjo sjell zinxhir pozitiv për ekonominë, më shumë konsum dhe më shumë para në xhepat e biznesit dhe qytetarëve. ​

 

NJOFTIMI PËR TAKIMET E KRYETARIT BASHA ME BIZNESIN

 

Korça është një nga zonat më të mirëqena në vend, por kriza ekonomike ka depërtuar edhe aty. Pronarët e bizneseve të vogla i thanë kreut të opozitës Lulzim Basha se gjendja është përkeqësuar shumë, njerëzit blejnë me lista ose lënë pengje në këmbim të ushqimit.

 

“Punët janë si mos më keq, jam drejt mbylljes së biznesit, të cilin e kam prej 20 vjetësh”- thotë Luani. Ai tregoi i revoltuar se me ushqimoren e tij modeste po paguan taksa si biznes i madh, megjithëse, siç tha ai, premtimi i kryeministrit ishte ndryshe.

 

“Kryeministri ka kopjuar programin e Partisë Demokratike, por nuk e kupton, kështu që mos iu refero fare atij.”- iu përgjigj kreu i opozitës, duke theksuar se në krizë të thellë janë si biznesi i vogël, edhe ai i madh. Për të vënë dukje gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve, pronari i ushqimores i tregoi zotit Basha bllokun me listat e ushqimeve të marra nga qytetarët dhe të papaguara.

 

“Këtu janë 5-6 milionë lekë pa u mbledhur. Njerëzit nuk kanë.  Korça eshte e mbaruar, njerëzit po ikin. Konsumi ka rënë, të rinjtë janë pa punë”- u shpreh Luani, ndërsa Besjani, që ka një pikë shpërmdarje të ushqimeve në të gjithë Korçën, tregoi për një tjetër fakt të rëndë, që po vihet re në disa qytete.

 

“Njerëzit lënë pengje për të blerë ushqime, edhe mobilje lënë pengje. Unë furnizoj gjithë qarkun dhe mund të them se ka rënie 70 % të xhiros”- u shpreh ai, duke kërkuar nga zoti Basha që qeveria e tij të marrë masa për të rritur konsumin, për të punësuar të rinjtë dhe për të rritur mirëqenien.

 

MESAZHI I PLOTË I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA.

 

Këtu në Korçë jam me dy përfaqësues të biznesit korçar, sipërmarrja e vogël, sipërmarrja e madhe, siç e shikoni nuk është se ka ndonjë të re apo diçka ndryshe nga qytetet e tjera. Konsumi ka rënë 70 përqind, -thotë Besjani, i cili është një sipërmarrës i ri i një pike shpërndarjeje, ndërsa Luani, i cili operon këtë dyqan, të cilin e kanë klasifikuar si biznes të madh, e patë vetë nga brenda se çfarë lloj biznesi i madh është, ka një stok pa paguar prej 5 apo 6 milionë lekësh të vjetra.

 

Gjendja është e tillë në Korçë. Në një nga qytetet do të thoja që nuk dallohet për varfëri, por një nga qytetet me më shumë mirëqenie në Shqipëri. Bashkë kemi qënë përmes kamerës së këtij telefoni dhe Facebook-ut, me sipërmarrës në qytete dhe fshatra të tjera të vendit dhe e keni parë se situata është keq e më keq.

 

Ndaj dua të theksoj edhe njëherë masat stabilizuese urgjente që ne do të ndërmarrim ditën tonë të parë në pushtet.

 

Së pari, do të çlirojmë biznesin nga ankthi, nga klima e tmerrshme e biznesit, në të cilën është zhvendosur për shkak të terrorit qeveritar dhe të administratës, duke futur në karantinë inspektoriatet. Një vit karantinë për inspektoriatet, në mënyrë që këta njerëz të mos përballen nga mëngjesi deri në darkë, sa ngrini qenat-ulni qepenat, me inspektorë, me tatimorë, me lloj-lloj harbutësh, që vijnë sa për xhepat e tyre edhe për xhepat e pushtetarëve.

 

Së dyti, duke vendosur një sistem taksash konkurues për rajonin. Sa i përket biznesit të vogël siç është Luani, 140 milionë lekë e poshtë, do të kenë një taksë 0.5% e xhiros vjetore. Çdo taksë tjetër lokale apo qëndrore çdo tatim tjetër, çdo lloj tjetër formë tarifimi do të zhduket. Do të ketë vetëm një taksë dhe asnjë tarifë dhe asnjë taksë tjetër. Së dyti, për biznesin e madh ne do të vendosim taksën e sheshtë 9% e cila do të synojë që më shumë para të mbeten për investime për hapje vende pune të cilat natyrisht, për çdo vend të ri pune, do të thotë më shumë konsum. Dhe më shumë konsum, do të thotë edhe më shumë mundësi, edhe më shumë të ardhura në xhepat e njerëzve edhe më shumë xhiro për sipërmarrjen, do të thotë nisje e një zinxhiri pozitiv për ekonominë shqiptare. Pa këto masa, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të hidhet drejt një gropë gjithmonë e më të thellë, siç është hedhur këto 7 vite.

 

Pa diskutim, në këtë kohë të vështirë të koronavirusit, në majën e gjuhës të çdo shqiptari është një rrezik tjetër, po kaq i madh, madje edhe më i madh që tanimë njihet si Ramavirusi, që është pandemia e varfërisë, pandemia e krizës ekonomike, pandemia e krizës sociale, e cila po shkatërron ditë për ditë mirëqenien familjare, vendet e punës dhe po shkakton një stres të jashtëzakonshëm në shoqëri dhe në familjet shqiptare.

 

Ju përshëndes nga Korça, nga kjo e dielë e trishtë për biznesin, e trishtë për qytetarët, por plot me besim se me masat e duhura, në kohën e duhur, pa humbur asnjë ditë dhe duke u dhënë njerëzve atë që meritojnë, jo lëmoshë por drejtësi mbështetje nga taksat e tyre do t’ia dalim ta ringremë biznesin e vogël, ta fuqizojmë atë, të ngremë konsumin dhe të ngremë sipërmarrjen shqiptare, së bashku me fermerët shqiptarë.

 

Ky është prioriteti numër 1 i Partisë Demokratike, i programit tonë ekonomik, ky është prioriteti numër 1 i qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme dhe ky është prioriteti im i parë dhe kryesor, ekonomia juaj, punësimi dhe mirëqenia. Ju përshëndes dhe ju uroj një të diel sa më të paqtë!