• Basha në selinë e LDK-së: Investimi 30 vjeçar i LDK, si shtyllë e stabilitetit politik në Kosovë, do të përkthehet sërish në bashkëpunim me forcat e tjera politike për të arritur objektivat e përbashkët në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj. 

DEKLARATA E NËNKRYETARIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS, AGIM VELIU PAS TAKIMIT ME KRYETARIN E PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

Ne sot patëm kënaqësinë që në selinë e LDK, të prisnim Kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Lulzim Basha me bashkëpunëtorët. Ne diskutuam në përgjithësi situatën aktuale që është në Kosovë në lidhje me Covidin, por edhe me zhvillime të tjera politike që janë zhvillime edhe brendapërbrënda Kosovës dhe zhvillimet që lidhen me pozicionimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, e diskutuam edhe bashkëpunimin tonë shumëvjeçar që, si parti simotra dhe anëtarë të Partive Popullore Europiane që jemi, është fjala për një bashkëpunim mëse 30–vjeçar dhe diskutuam për mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

Falenderoj nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, sikundër dua të përsëris edhe publikisht urimet e mij më të mira për rikuperimin sa më të shpejtë të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës z.Isa Mustafa.

Në selinë e Partisë sonë simotër, Lidhjes Demokratike të Kosovës gjeta rastin të nënvizoj dhe njëherë vlerësimin tim dhe të Partisë Demokratike për rolin që kjo forcë politike luan si një shtyllë e stabilitetit politik në Kosovë, për investimin 30 vjeçar në pavarësimin, shtetformimin, demokratizimin dhe udhëtimin e Kosovës drejt objektivave të saj për antarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian, çka përbëjnë edhe shtratin e përbashkët të partive tona simotra, anëtare të Partisë Popullore Europiane dhe të Unionit Demokrat Ndërkombëtar. Sikundër shpreha besimin që ky investim 30 vjeçar, që e ka pajisur Lidhjen Demokratike të Kosovës me një përvojë të jashtëzakonshme dhe me një vlerësim mbarëqytetar, që kalon kufijtë e bindjeve politike të qytetarëve të Kosovës, duke nisur nga trashëgimia e Presidentit Ibrahim Rugova e duke vazhduar me investimin e LDK-së deri në ditët e sotme, do të arrijë të përkthehet në bashkëpunim edhe me forcat e tjera politike, në një të mirë për çdo qytetar të Kosovës e në veçanti për ato objektiva që kanë të bëjnë me përballimin me sukses të pandemisë së Covid-it, përballimin, në veçanti, të krizës ekonomike dhe pasojave sociale që kjo pandemi po sjell anë e mbanë rajonit e më gjerë, por, po kështu, edhe në plotësimin e aspiratave të qytetarëve të Kosovës  për lëvizjen e lirë në Bashkimin Europian dhe, natyrisht, për udhëheqjen me sukses të një investimi të përbashkët të institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe partnerëve tanë strategjikë të  Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, dialogun  me Republikën e Serbisë, me synim njohjen reciproke midis dy vendeve si një investim në të ardhmen europiane dhe euroatlantike të të gjithë vendeve të rajonit. Ju faleminderit!