• PD dorëzon në SPAK padinë për shembjen e paligjshme të Teatrit. PD: Nëse SPAK vepron si i pavarur, Edi Rama dhe Erion Veliaj shkojnë në burg. Lista me veprat penale dhe të akuzuarit.

 

DEKLARATAT E PËRFAQËSUESVE TË PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI, ÇLIRIM GJATA DHE LEDIO BRAHO PAS DORËZIMIT TË PADISË NË SPAK

 

ALBANA VOKSHI, PËRFAQËSUESE E PD

 

Ne e dorëzuam padinë për shembjen e paligjshme të teatrit në SPAK, sepse besojmë se dikush duhet të shkojë në burg për krimin e kryer. Përveç shërbëtorëve që kanë hedhur firmat në vendime të paligjshme, Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të ndëshkohen nga drejtësia, sepse kanë vepruar me Teatrin si një organizatë kriminale.

Ata kanë shkelur çdo ligj për të çuar përpara projektin e grabitjes së tokës publike të Teatrit dhe pas Teatrit. Një drejtësi e pavarur e ka shumë të thjeshtë të faktojë këtë të vërtetë dhe t’i vërë prangat Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Një vendimmarrje e tillë nuk është në kompetencën e këshillit Bashkiak të Tiranës.

Ne kemi kërkuar nga prokuroria që të vendosë sekuestro preventive për truallin e kaluar në pronësi të bashkisë me vendim qeverie. Kjo do të ndalë çdo akt tjetër, si ndërtimin e një projekti të paligjshëm, ashtu edhe grabitjen e truallit për të ngritur atje kullat e oligarkëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Partia Demokratike e konsideron çështjen e shëmebjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar një provë për funksionimin e pavarur të SPAK-ut. Me apatinë e deritanishme, SPAK ka zhgënjyer këdo që ka besuar se ky institucion do të ndëshkojë qeveritarët e korruptuar dhe bandat e krimit të organizuar.

SPAK i ka aty të gjitha faktet. Mjafton që prokurorët të bëhen shërbëtorë të politikës dhe kjo çështje çon pas hekurave Edi Ramën dhe Erion Veliajn.

Edi Rama në bashkëpunimin kriminal me Erion Veliajn ka zgjedhur vetë projektin fitues, pa hapur më parë garën për konkurs sipas përcaktimeve të Ligjit për Prokurimet Publike. Këtë e pohuan edhe pas shembjes barbare të Teatrit, siç e cilësoi Le Monde, apo pas vendimit me stil hitlerian, siç shkroi der Standard. Është Edi Rama që ka zgjedhur arkitektin Bjarke Ingels për këtë projekt që 1 vit e gjysmë përpara se kompania Fusha ta paguante atë, si projekt privat.

Nëse SPAK-u ka vullnet për të zbatuar ligjin, faktet janë të plota për ta ndëshkuar këtë korrupsion kriminal të Edi Ramës dhe Erion Veliajt me Teatrin Kombëtar.

Ligji për Prokurimin Publik e detyron qeverinë shqiptare të kryejë konkurs ndërkombëtar për projektin e Teatrit të ri. Por kryeministri ka shkelur ligjin duke eliminuar garën dhe duke diktuar vetë projektin dhe koston e lartë të tij, 30 milionë euro.

SPAK e ka për detyrë të ndalë jo vetëm grabitjen e truallit të teatrit dhe tokës publike, por edhe të 30 milionë eurove që do të merren borxh për të mbuluar pastrimin e parave të pista me projektin kriminal të Edi Ramës për teatrin dhe Kullat që do ta rrethojnë atë.

Në një kohë kur shqiptarët po vuajnë pasojat e keqqeverisjes nga Edi Rama, të ortakërisë së tij kriminale me një grusht njerëzish me të cilët po vjedh Shqipërinë, 30 milionë euro borxh janë një gur i rëndë edhe mbi shpinën e fëmijëve të prokurorëve të SPAK-ut.

Gjatë gjithë këtyre 22 viteve në politikë, në postet më të larta drejtuese si ministër, kryetar bashkie dhe kryeministër, Edi Rama ka patur si qëllim vetëm pasurimin e paligjshëm.

SPAK ka në dorë një çështje historike që ndan dy kohë. Koha kur drejtësinë e bën politika duhet të marrë fund me vendosjen e drejtësisë për Teatrin. Kjo është koha kur qeveritarët e korruptuar duhet të shkojnë në burg!

 

ÇLIRIM GJATA, SEKRETAR PËR ÇESHTJET LIGJORE PD

 

Kjo mund të ishte bërë që para dy javësh, por ne pritëm që SPAK ta fillonte kryesisht. Pritëm një shenjë, një hetim nga SPAK-u, prandaj e sollëm vetë kallëzimin. Kallëzimi ka ardhur me vepra penale që i takojnë kompetencës lëndore të SPAK, me emra që i takojnë kompetencës lëndore të SPAK dhe është i detyruar të fillojë një hetim. Hetimin nuk e fillon as me thirrje as me pyetje, por veprimi i parë që duhet të bëjë, duhet të bllokojë dokumentacionin, sekuestron e dokumentacionit. Në qoftë se nuk merren e madje shumë shpejt, a ka mundësi që sot, a ka mundësi që nesër në pikë të mëngjesit, të merren këto veprime, po su bënë këto! Ne po presim qoftë edhe si një shenjë, si një dritë në fund të tunelit që SPAK-u të tregojë se kjo reformë në drejtësi ia ka vlejtur, që ky institucion që u bë me aq mund dhe sakrificë ia ka vlejtur. Këtë po presim!

 

LEDIO BRAHO, JURIST PD

 

Është vetë hierarkia e shtetit që shpjegon më qartë se kush është hierarkia e kësaj organizate kriminale. Po të vini re në kallzim ka nga kryeministri, kryetari i bashkisë dhe vijon deri tek nëpunësit e tjerë të administratës së bashkisë apo institucioneve të tjera të bashkisë. Vetë shteti ka një strukturë dhe e gjithë kjo strukturë është shndërruar në strukturë të një organizate kriminale për të arritur tek qëllimi i paligjshëm që është shembja e godinës së Teatrit Kombëtar. Duhet të kemi parasysh se paligjshmëria fillon që nga projektimi, kjo e provuar edhe me deklarata publike si nga arkitekti Bjarke Ingels e deri tek kryeministri apo kryetari i bashkisë, ka filluar nga projektimi dhe ka vazhduar deri tek shembja. Vetë fakti që vetë organet që kanë marrë vendimin nuk kanë pritur që këto vendime të marrin formë të prerë, tregon se ka qenë një qëllim imediat për të shfrytëzuar kohën e pandemisë dhe për të mos u lënë mundësi palëve që të kërkonin pezullim në gjykata sa i përket shembjes. Dhe sekuestro preventive pikërisht për këtë kërkohet që të shmanget dhe afera prej 30 milion eurosh, në mënyrë që të mos jepen leje për sa i përket kësaj godine. Duhet të kemi parasysh diçka tjetër: Në momentin që është dhënë leja e prishjes nuk mund të jepet kur do të ndërtohet një godinë e re në truallin e një godine ekzistuese, leja e prishjes është pjesë e lejes së ndërtimit. Ndërkohë që këtu nuk është kryer në këtë mënyrë dhe po ashtu është shmangur Këshilli Kombëtar i Territorit dhe të gjitha janë veprime të paligjshme dhe janë përfshirë kaq shumë aktorë dhe faktorë sa që është e pamundur që të shmanget organizata kriminale dhe kryerja e veprave penale në kuadër të kësaj organizate.

 

 

KALLËZIMI ËSHTË PËR KRYERJEN E 9 VEPRAVE PENALE TË MËPOSHTME:

 

  1. “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i K.Penal,
  2. “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, parashikuar nga neni 154 i K.Penal, “Shkatërrimi i veprave kulturore”, parashikuar nga neni 160 i K.Penal,
  3. “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal,
  4. “Shkelja e barazise se pjesëmarrësve ne tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i K.Penal,
  5. “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga
  6. neni 259 i K.Penal,
  7. “Korrupsioni pasiv i funksionareve te lartë shtetërorë ose i te zgjedhurve vendore”, parashikuar nga neni 260 i K.Penal,
  8. “Organizata kriminale”, parashikuar nga neni 333 i K.Penal
  9. “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 i K.Penal.

 

KALLËZIMI DREJTOHET KUNDËR:

 

Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë;

Erjon Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tirane;

Arbjan Mazniku, Alban Dokushi, Taulant Tusha, Erindi Bejko, Jonida Halili, Julinda Dhame, Ditjon Baboci, Dhimitraq Furxhi, Frida Pashako, Berta Piro, Laura Deliu, Elena Jaupaj, Jetmir Hasa, në cilësinë e nëpunësve civilë pranë Bashkisë Tiranë dhe propozues për shembjen e Teatrit Kombëtar;

Toni Gogu, Kryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë;

Ing. Agron Hysenlliu, Ing. Afrim Cenga, Ing. Artur Hasantare, Ing. Olsi Nunaj, Ing. Elbarina Nunaj, në cilësinë e funksionarëve të Institutit të Ndërtimit.

Dallëndyshe Bici, Kryeinspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.