PJESËMARRJA NË ZGJEDHJE, BASHA: NUK KA GRUP KRIMINAL DHE ALIBI QË SHPËTON EDI RAMËN DHE BANDËN E TIJ NGA LARGIMI

 

Pyetje: Ju do të kërkoni deri në fund qeveri tranzitore, por më thatë se edhe nëse nuk realizohet një qeveri tranzitore ju prapë do të jeni të gatshëm për zgjedhje?

Lulzim Basha: Ne nuk kemi në dorë asgjë më shumë se sa të shfaqim vullnetin tonë politik për t’i dhënë shqiptarëve dhe Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme. Përballë kemi një njeri dhe një grup njerëzish të cilët e kanë jetike të mbrojnë krimet, korrupsionin, dështimet e tyre gjatë këtyre viteve.  Pjesë e kësaj është sabotimi i reformës zgjedhore, të cilën u përpoqën ta sabotonin me akte të ndryshme, i fundit ishte ai te Teatri, është sabotimi dhe kapja e reformës në drejtësi. Këto janë akte të përkohshme, sepse shumë shpejt dita do të vijë kur kjo qeveri që tashmë i ka ditët e numëruara, do të përballet me vullnetin popullor dhe nuk do të ketë asnjë forcë, asnjë kriminel, asnjë grup kriminal të përsërisë atë që ndodhi në vitin 2017-të.

Pyetje: Zoti Basha keni 48 orë deri në përmbylljen e reformës zgjedhore, çfarë janë të pa negociueshme për ju? Kush janë pikat që nuk tolerohen?

Lulzim Basha: Shiko, asnjë pikë nuk ka kuptim në qoftë se nuk ka vullnet  për ta zbatuar atë. Kështu që fillim e mbarim pika më e rëndësishme është: do të ketë apo nuk do të ketë qeveri pa Edi Ramën kryeministër. Në qoftë se nuk ka qeveri pa Edi Ramën kryeministër të tjerat janë pesë me hiç, por ne jemi aty për të bërë detyrën tonë që, të paktën, kuadri ligjor nesër, nën qeverisjen tonë, nën drejtimin tim, mos të kenë gojë dhe të thonë shikoni…

Pyetje: Pra ju po shprehni vullnetin për të zgjidhur diçka, por edhe po nuk u zgjidh jeni gati për betejë thoni dhe nuk tërhiqeni nga asgjë?

Lulzim Basha: Pa diskutim, nuk ka grup kriminal, nuk ka alibi, nuk ka shkatërrim të procesit të reformës zgjedhore që shpëton Edi Ramën dhe bandën e tij nga largimi.

Pyetje: Ka pasur mjaft komente sipas të cilave opozita nuk duhet të hyjë në zgjedhje, sepse vetëm legjitimon një sistem që drejtohet nga Edi Rama. A ka diskutim që opozita të mos hyjë në zgjedhje ose të tërhiqet nga zgjedhjet siç veproi me daljen nga parlamenti dhe në mos paraqitjen në zgjedhjet lokale?

Lulzim Basha: Opozita po ndërton bashkë me qytetarët, bashkë me grupet e interesit që nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit tek fermerët, tek biznesi, tek të papunët, tek rinia e studentët, tek profesorët e universiteteve, aleancën më të madhe që ka njohur Shqipëria në këto 30 vite për t’u përballur dhe për të fituar mbi këtë minorancë.

Pyetje: Aleancë për zgjedhje apo aleancë për muhabet?

Lulzim Basha: Aleancë për interesin publik që, padiskutim do të marrë formës përmes shprehjes së vullnetit të shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme

Pyetje: Kjo do të thotë që opozita do të dalë në zgjedhje në të gjitha rrethanat?

Lulzim Basha: Kjo do të thotë që çdokush do të gjejë veten tek program ynë, tek alternativa jonë, tek programi jonë për ta shpëtuar vendin nga kjo e keqe. Çdo ditë më shumë me Edi Ramën është një ditë me e keqe, një familje më shumë zhytet në varfëri, një biznes mbyllet, një kompani nxjerr më shumë të papunë, një student largohet në emigracion. Kësaj duhet ti japim fund një orë e më parë. Ne kemi planin, unë kam vizionin, kam planin, kam vendosmërinë, kam ambicien, kam përvojën për ta drejtuar këtë betejë dhe ajo që shoh në këto takime është që të gjithë po thonë: “Rama duhet të largohet një orë e më parë. Ti je shpresa jonë, na mblidh, na bashko të shkojmë drejt ndryshimit që mezi po e pret çdo shqiptar”. Dhe kjo, po ta them me sinqeritetin më të madh, pa fije propagandë, përfshin shumë njerëz të cilët e cilësojnë veten e tyre si të majtë apo si socialist.

 

“NUK I BËJ NDER RAMËS DUKE BËRË REPLIKA ME PRESIDENTIN”, BASHA: BETEJËN E DREJTËSISË E BËRA 4 VJET MË PARË. KAPJA E SAJ U BË PAS MIRATIMIT TË 6 LIGJEVE

 

Pyetje: Më thatë se ka një tentativë për ta çuar vëmendjen tek reforma në drejtësi dhe  kjo bëhet për llogari të Edi Ramës. Tek reforma në drejtësi, tentativën për ta çuar diskutimin e kishte Presidenti i Republikës.

Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë

Pyetje: Mendoni se Presidenti i Republikës po i shërben Edi Ramës?

Lulzim Basha: Presidenti i Republikës është në detyrën e tij kushtetuese, është sfida e tij, përgjegjësia e tij për të mos lejuar tentativën e qartë, projektin e qartë të qeverisë për të kapur organet e drejtësisë. Këtë e ka bërë, këtë vazhdon ta bëjë. S’është lajm ky. Si u bë ky lajm?! Pse u bë ky lajm?!

Pyetje: Ju thatë që Edi Rama ka provokuar. Çfarë ka provokuar ai?

Lulzim Basha: Edi Rama nxori deputetët e vet dhe tha se do të bëjmë ndryshime kushtetuese dhe ligjore dhe pastaj fshehu dorën si gjithmonë.

Pyetje: Pra, ju mendoni se Twitteri i ambasadores amerikane i referohet kryeministrit të vendit?

Lulzim Basha: Nuk mendoj, jam i bindur dhe ia kam shprehur këtë kujtdo që më ka pyetur.

Pyetje: Po citoj Presidentin që thotë se nuk më ka dëgjuar opozita , ka bërë gabim fatal largimi nga parlamenti dhe disa të tjera.

Lulzim Basha: Nuk i bëj unë nder Ramës të merrem sonte në replika me Presidentin. Presidenti ka mendimin e veta. Unë kam qëndrimet e mia. Është në mandatin e tij që të bëjë gjithçka që të zhbëjë sa është e mundur kapjen e drejtësisë nga qeveria. Unë e kam bërë detyrën time para 4 vitesh. Para 4 vitesh kur ne fituam betejën, mos harro, për ndryshimin e Kushtetutës sipas Komisionit të Venecias, Edi Rama zhbëri këtë konsensus me këto 6 ligje. Në këto moment gjithçka mori fund. E vetmja mënyra për t’iu rikthyer reformës në drejtësi është për të zbatuar Kushtetutën siç u aprovua me 22 korrik.

Pyetje: Jeni penduar për largimin nga Parlamenti?

Lulzim Basha: Në asnjë sekondë nuk jam penduar sepse po të mos ishim larguar nga parlamenti, bota sot nuk do ta shihte siç e sheh këtë për një regjim, fasadë që mbulon të vërtetën e një qeverie të falimentuar, të dështuar e të kriminalizuar.

Pyetje: Dukeni sot krejt ndryshe në vullnetin për të hyrë në zgjedhje për tu përballur. Vjen nga presioni ndërkombëtar apo vjen nga bindja që ju keni se mund të fitoni zgjedhjet?

Lulzim Basha: Nga vetëdijesimi total i shqiptarëve por edhe i faktorit ndërkombëtar se ka ardhur koha për një ndryshim dhe një ndryshim të thellë.

 

 

NJË LAJM I KEQ DHE NJË LAJM I MIRË NGA DREJTËSIA  E KAPUR PREJ EDI RAMËS, BASHA: PA U NDËSHKUAR VJEDHJA, NUK KA NDRYSHIM

 

Pyetje: Presidenti Meta ka folur për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në Reformën në Drejtësi. Ai ka publikuar një seri mesazhesh të ardhura nga një ambasador identitetit e të cilit nuk e përcaktoi, ku Presidenti linte të kuptohej mund të merrej vesh me Ramën për emrat konkretë të Gjykatës Kushtetuese. E keni parë këtë mesazh dhe cili është opinioni juaj?

Lulzim Basha: Nuk kam asnjë çudi, çuditem me ata që çuditen. Katër vite më përpara kemi bërë një betejë të jashtëzakonshme, unë personalisht dhe Partia Demokratike, që Shqipëria të kishte një reformë në drejtësi të standardit europian dhe ata që çuditen sot më drejtonin gishtin mua dhe thonin: ky është kundër reformës.

Lulzim Basha: Mesazhet që më kërkoni të komentoj nuk kanë pikë rëndësie. Nuk është asgjë në krahasim me skandalet e tjera që kanë ndodhur më përpara. Asgjë.

Pyetje: përse nuk ka pasur më përpara një reagim Partia Demokratike për këtë çështje?

Lulzim Basha: Sepse nuk përbën asnjë lajm për ne. Reforma në Drejtësi është kapur tërësisht nga Edi Rama, është projekt i tij të kapë reformën në drejtësi.

 

Pyetje: Me apo pa ndihmën e ndërkombëtarëve?

Lulzim Basha: Sigurisht që ndërkombëtarët kanë përgjegjësinë e tyre për sa kohë që kanë qenë bashkë hartues dhe bashkëshoqërues të reformës, por nuk mund t’i vë fajin pragut për derën. Një gjë është e qartë: ky e ka kapur reformën, ky është lajmi i keq për shqiptarët. Kjo është arsyeja që 4 vjet pas reformës në drejtësi, asnjë zyrtar i kapur në hajdutëri, në vjedhje, në korrupsion, asnjë kriminel nuk është vënë para drejtësisë. Asnjë krim i rëndë, as krimet elektorale nuk janë ndëshkuar. Ky është lajm i keq. Pse është lajm i keq?!  Është lajm i keq sepse zhbën besimin e shqiptarëve te Reforma në Drejtësi dhe këtë po të shikoni e kanë konstatuar edhe vetë studimet e financuara nga BE dhe SHBA. Ky është një lajm i keq që pa diskutim zbeh besimin e njerëzve te reforma në drejtësi, zhbën dhe dëmton kredibilitetin e kujtdo që ka investuar tek Reforma në Drejtësi. Ka një një lajm të mirë…

Pyetje: Lajmi akoma më i keq është se banditë e kriminelë po lirohen nga burgu dhe ky është një kambanë alarmi për këtë vend…

Lulzim Basha: Pa diskutim. Edhe kjo nuk ndodh rastësisht, ndodh gjithmonë para zgjedhjeve. Ky është lajmi i keq. Edi Rama e ka kapur dhe e kontrollon drejtësinë dhe për fat të keq asnjë nga gabimet, dështimet, korrupsioni, kriminaliteti i Edi Ramës dhe i ministrave të tij nuk po shkojnë para drejtësisë. Ky është lajmi keq. Lajmi i mirë është se ditët e kësaj qeverie janë të numëruara dhe nesër opozita që është sot qeveri le të kontrollojë drejtësinë e re, për sa mund ta kontrollojë, sepse synimi im nuk është të vë nën zgjedhë drejtësinë e re, përkundrazi, le të kemi një drejtësi sa më agresive me qeverisjen e re. Kjo është ndarja dhe balancimi i pushteteve. Kjo është ajo që i bën vendet e përparuara, të përparuara.

Pyetje: Ju e dini që kur drejtësia është e kapur bëhet me kryeministrin e radhës dhe kjo ndodh rëndom.

Lulzim Basha: Nuk është ashtu dhe ne kemi pasur prova që nuk ka ndodhur kështu sepse ne kemi qenë në qeverisje dhe kemi pasur jo vetëm Prokurorë të Përgjithshëm të emëruar nga Partia Socialiste, por edhe Prokurorë të Përgjithshëm të emër gjatë kohës që kemi qeverisur ne të cilët kanë qenë agresivë. Është çështje e vullnetit politik. Edi Rama i trembet drejtësisë së pavarur. I trembet se do të japë përgjegjësi për ato 2 miliardë kontrata koncencionare, për vjedhjet pafund të pasurisë së shqiptarëve.

Pyetje:  Kështu thuhet gjithmonë ku je në opozitë dhe më pas ai që ikën nga pushteti nuk jep llogari për asgjë!

Lulzim Basha: Kështu ka ndodhur deri tani, prandaj sfida kryesore e opozitës që drejtoj unë, nesër në qeverisje, është t’i jap fund pandëshkueshmërisë. Prandaj detyra kryesore nuk është të largojmë këtë regjim, këtë kryeministër, por t’i çojmë para drejtësisë. Pa u ndëshkuar korrupsioni, pa u ndëshkuar vjedhja, pa u ndëshkuar kriminaliteti që sollën Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij nuk mund të ketë ndryshim në Shqipëri dhe ndryshimi do të jetë zero. Prandaj zotimi im i parë para shqiptarëve është që nuk do të ketë vetëm largim të këtyre, por do të ketë ndëshkim të tyre.

 

“NDËSHKIM PËR ÇDO KRIM”,  ZOTIMI KRYESOR I BASHËS: NUK KA PËR TË  PASUR NDRYSHIM TË VËRTETË NË SHQIPËRI PA NDËSHKUAR EDI RAMËN, ERJON VELINË, MINISTRAT E KORRUPTUAR DHE SHËRBËTORËT E TYRE TË VERBËR PËR ÇDO SHKELJE LIGJORE

 

Pyetje: A ka një marrëveshje të diskutuar apo të nënkuptuar, sy ndër sy apo me ndërmjetës mes jush dhe kryeministrit Rama për këtë situatë dhe sidomos për post zgjedhjet 2021?

Lulzim Basha: Propagandë e lodhur dhe e vjetër. E para e punës në të njëjtën javë ata që shpërndajnë këtë propagandë hedhin versione . P.sh: drejtori i një media të madhe kombëtare, madje qeshëm para nja dy muaj me presidentin pasi mbaruam një takim në mënyrë informale, dhe po qeshnim sesi të njëjtit njerëz në mëngjes thonë që ka marrëveshje që Rama të bëhet president e Meta kryeministër, e pasdite ka marrëveshje që Basha të bëhet kryeministër dhe Rama president. Janë të njëjtit njerëz. Dhe po qeshnim me njëri-tjetrin. Domethënë ishte diçka kaq qartësisht pjesë e propagandës së Edi Ramës saqë nuk ia vlen të komentohet. Tani të të them diçka serioze.: përtej dallaveraxhinjve të vegjël dhe provincialë që megjithëse u pasuruan, megjithëse dolën dhe shëtitën, megjithëse ndërtuan vila luksoze, blenë makina, shijuan jetën në luksin e saj dhe në veset e saj, prapë se prapë ngelën provincialë të vegjël, përtej dallaveraxhinjve të Tiranës që janë pesë a gjashtë që kujtojnë se sjellin rreth e qark gjithë Tiranën, dy gjëra fondamentale, themelore, që nuk kanë të bëjnë as me ata as me darkat e tyre luksoze, as me dëshirën e tyre për të mbajtur në këmbë një kufomë politike si Edi Rama të cilit i ka ardhur fundi.

Pyetje: Cilat janë këto dy gjëra?

Lulzim Basha: E para, nuk ka për të

pasur ndryshim të vërtetë në Shqipëri pa ndëshkuar Edi Ramën, pa ndëshkuar Erjon Velinë, pa ndëshkuar ministrat e tyre të korruptuar, pa ndëshkuar shërbëtorët e tyre të verbër për çdo shkelje ligjore. Dhe unë kam thënë se mund të mos jetë e shpejtë, drejtësia mund të dojë kohën e vet, por ky do të jetë dhe është zotimi im personal, sot si kryetar i opozitës dhe nesër si kryeministër i shqiptarëve: Ndëshkim për çdo krim.

Lulzim Basha: Pse duhet tu besojmë ju?

Lulzim Basha: Për arsyen fare të thjeshtë se pa ndodhur kjo qeveria e ardhshme nuk do të ketë mundësinë të ndërtojë asnjë projekt të besueshëm dhe unë të jesh i bindur jam shumë i ri për tu koritur para shqiptarëve dhe kam ndërmend që me gjithë sfidat para të cilave ndodhet Shqipëria të dal faqebardhë para çdo shqiptari të djathtë apo të majtë. Dhe nuk do të kem mundësi të realizoj asnjë projekt, asnjë premtim, pa mbajtur premtimin kryesor sado kohë dhe energji të na kushtojë që gjithë padrejtësitë, gjithë vjedhjet, gjithë krimet, të shkojnë para drejtësisë.

 

BASHA I VENDOSUR: ÇDO KOMPANI QË PËRFSHIHET NË AFERËN E RAMËS DHE VELIAJT PËR TEATRIN DO TË HETOHET NGA DITA ZERO E KRIJIMIT TË SAJ

 

Teatri ishte vija e kuqe. Duhet të jesh i verbër që të mos ta shohësh që bashkë me teatrin ka rënë dhe maska e Edi Ramës. Nga Berlini në Bruksel të gjitha gazetat e mëdha të botës e kanë kuptuar që këtu ka një autokrat të korruptuar, një hajdut ordiner, i cili kaq u trullos kur e pa reagimin e shqiptarëve, edhe reagimin e të majtëve edhe të socialistëve, edhe të faktorit ndërkombëtar dhe doli në parlament dhe e pranoi vetë se përse e kishte shkatërruar. Tha, me dy fjalë që unë e shkatërrova se me duhej trualli. Se donte të vidhte truallin dhe të bënte projektin Rama- Veliaj- Fusha me 200 milionë eurot e drogës.

Pyetje: Ka premtuar që  nuk do të preket fare trualli dhe që teatri do të ndërtohet i ri.

Lulzim Basha: Kush e ka premtuar? Ky që ka premtuar 300 mijë vende pune ? Ky që premtoi shëndetësinë falas? Fjala ka premtuar dhe Edi Rama ka premtuar vetëm një fjali.

Pyetje: Zoti Basha do të ndaloni ndërtimin e tij?

Lulzim Basha: Ne do t’i qëndrojmë kontratës  që kemi me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, e cila parashikonte në rastin e shembjes rindërtimin ashtu siç ishte , aty ku është dhe çuarjen para drejtësisë të çdokujt nga Edi Rama dhe Erion Veliaj deri tek ata që i shërbyen atij akti barbar dhe kriminal.

Pyetje: Po sikur ta fillojë ndërtimin ku do ta ndërtoni teatrin?

Lulzim Basha: E para e punës çdo kompani që përfshihet në këtë aferë do të hetohet nga dita zero e saj.

Pyetje: Ky është kërcënim për kompaninë që do të shkojë?

Lulzim Basha: Ky është premtim, që nga dita kur ka filluar biznesi me çanta me çokollata apo cigare e çamçakëz, sido që ta këtë filluar  biznesin e deri më sot qeveria ime do të hetojë cdo veprimtari tw saj.

Në qoftë se futet në këtë aferë ashiqare korruptive, që nuk ka njeri, nuk ka socialist, nuk ka ministër socialist, edhe ai Erion Veliaj që kishit këtu që ia bënte gek-mëk se e di çfarë është, pasi është pjesë e saj. Çdo entitet privat që bëhet pjesë e kësaj do të hetohet nga dita zero. Se këta të gjithë do të hetohen për këtë që kanë bërë.

Pyetje: Hetimin duhet ta bëjë prokuroria, çfarë punë keni ju?

Lulzim Basha: Nesër në qeveri do të hetohet me të gjitha, me hetimin financiar, me hetim antikontrabandë me krimin ekonomik të policisë. Ky është një premtim dhe një zotim

Pyetje: A nuk është kërcënim për biznesin?

Lulzim Basha: Po po, me standardet e Edi Ramës dhe të hajdutërisë kështu siç thua ti është. Me standardet e shqiptarëve është ashtu si unë. Vendet e botës nuk kanë një mekanizëm të tillë që në mes të pandemisë në vend që të ndihmojë njerëzit shkon shkatërron teatrin për të  të vjedhur territorin dhe merr 30 milionë euro, do të marrë 30 milionë euro borxh.

Pyetje: Do ta bëni për çdo punë publike për çdo gjë?

Lulzim Basha: Absolutisht për të gjithë ata të përfshirë në korrupsion. Fare normale. Të gjithë ata që janë përfshirë në afera të tilla duhet ta dinë dhe e kemi shpallur që në shtator të vitit 2018 programi ynë është “ndiq paranë”. Ato kompani që me paratë e marra borxh, me paratë e qytetarëve shqiptarë, apo akoma më keq me paratë e trafikut të drogës që sot po investohen masivisht në projekte zhvillimi në Tiranë, të gjitha do të përballen me ligjin. Unë do të jem gardian i interesit të shqiptarëve dhe interesi i shqiptarëve do të pengojë aferat korruptive.

Pyetje: Do ta pengoni ndërtimin e godinës së re?

Lulzim Basha: Me çfarë do ta pengojmë? Me artilerinë e kujt? Do t’i çojmë përpara drejtësisë. Kurthe të tilla me porta të vogla të një dështaku provincial që me porta të vogla ka arritur në 22 vjet t’ua fusë të gjithëve, politikanë, shokë, miq, të huaj, nuk funksionojnë me Lulzim Bashën. Jam kalibër tjetër. Nuk  bie në kurthet e tij, por nëse guxon të ecë përpara, për këtë që ka bërë padiskutim që do të shkojë para drejtësisë, por nëse guxon të ecë përpara edhe atë do ta paguajë shumë shtrenjtë dhe kushdo tjetër., Do ta paguajë shumë shtrenjtë, është qartësisht e paligjshme. Do të jetë pjesë e vendosjes së drejtësisë ai dhe çdokush që i vihet në krah.

 

 

“TAKSA E SHESHTË 9%”, BASHA: PREMTIMI IM NUK ËSHTË LUKSI, POR NJË EKONOMI DHE SHQIPËRI NORMALE

 

Lulzim Basha: Partia Demokratike qëndron për taksën 9% për taksën e sheshtë.

Pyetje: Jeni i bindur për këtë sepse e kam dëgjuar që e keni përsëritur dy –tre herë këtë gjë?

Lulzim Basha: Është e panegociueshme. Ia kam thënë edhe aleatëve tanë që mund të negociojmë aspekte të tjera të programi ekonomik me të cilën jemi në fazë të përparuar në përfundim të këtij plani, po e pasurojmë edhe me aspektet anti-COVID sepse sigurisht kjo është një situatë që kërkon masa të tjera, por 9% taksë e sheshtë është e panegociueshme.

Pyetje: Pra, do të jetë 9% taksë e sheshtë për çdo qytetar dhe biznes të Republikës së Shqipërisë?

Lulzim Basha:  Me përjashtim të 300 mijë lekëshit të parë ku do të jetë 0%.

Pyetje: Pra, për ata që marrin deri 300 mijë lek do të jetë 0 dhe për këdo mbi 300 mijë lekë….

Lulzim Basha: Dhe për këdo tjetër 300 mijë lekëshi i parë do të jetë I përjashtuar dhe pjesa tjetër do të tatohet 9%.

Pyetje: Kanë rëndë dakord edhe LSI-ja dhe forca të tjera?

Lulzim Basha: Taksa e sheshtë 9%, kontributet shoqërore 18%, riprezantimi I fashës së energjisë për biznesin për biznesin prodhues, fashës mbrojtëse jo asaj që është sot dhe për shtresat në nevojë. Heqja e taksës Rama për karburantin që e bën karburantin tonë më të shtrenjtin në Europë dhe si rezultat prodhimet tona jokonkurruese që nga trangulli, speci, domatja, shalqiri dhe deri tek prodhimet industriale apo shërbimet tona janë më të shtrenjta se të Kosovës, janë më të shtrenjta se të Maqedonisë së Veriut, të mos marrim të tjerat, pikërisht prej këtyre faktorëve. Kjo është një pjesë, mund ta zhvilloj edhe më shumë se ka edhe masa të tjera por do të jem me ekipin tim që t’ua tregoj.

* Taksa e sheshtë 9%,

* Kontributet shoqërore dhe shëndetësore 18%.

* 9% mbi 300 mijë lekëshin, duke hequr 300 mijë lekëshin e parë.

Kjo është pjesa fiskale dhe nuk ka asgjë të përbashkët me rrënimin që quhet taksë progresive, me hajdutërinë që quhet taksë progresive që kishte një qëllim që të gjunjëzonte të varfrit dhe të shkatërronte shtresën e mesme dhe ata kanë marrë goditjen më të madhe.

Askush para meje nuk ka guxuar që për interesin publik të sakrifikojë interesat e partisë së vet, siç ishte djegia e mandateve apo që të hedhë një hap ekstrem, por që sot të gjithë e kuptojnë se përballë kanë një njeri, një autokrat që është e keqja e vendit Edi Rama, që është e keqja e Shqipërisë Edi Rama, që është e keqja e çdo familje. Sot kjo ka sjellë bashkimin më të madh të njerëzve, edhe të majtëve, domosdoshmëri për ta larguar. Detyra ime është që me alternativën time të siguroj këdo, jo vetëm votuesit e mi, por edhe të majtët që me Lulzim Bashën dhe me qeverinë e ardhshme do të jenë në duar të sigurta dhe që ekonomia nesër do të ndryshojë, do të mundësojë mirëqenie për të gjithë jo vetëm për një grusht njerëzish që janë bërë pashallarë të këtij vendi.

Dua t’i siguroj shqiptarët që unë kam planin, kam vizionin, kam vendosmërinë, përvojën dhe ambicien t’i nxjerr nga kjo situatë ekonomike. Nuk ju premtoj as luks, as pasuri marramendëse, por ju premtoj qeverisje normale, ekonomike normale, Shqipëri normale.

 

“JE TEPËR EUROPIAN”, BASHA TREGON SI DO TË SJELLË NDRYSHIMIN PËR ZBATIMIN E LIGJIT DHE NJË PROPOZIM I RI PËR KUFIZIMIN E NUMRIT TË MANDATEVE TË KRYEMINISTRIT

 

Pyetje: Pse një qytetar i Republikës së Shqipërisë do të duhet të votonte Lulzim Bashën? Çfarë do të ndryshonte për këtë qytetar?

Lulzim Basha: Dy gjëra do të ndryshojnë. E para institucionet do të fillojnë të funksionojnë ndryshe. Nuk do të ketë përqendrim të pushtetit si me Edi Ramën. Ajo që sot çdokush e dallon dhe që ma thotë, shumica ma thonë për kompliment, ka ndonjë që mendon se ma thotë me kunj që “je tepër europian”, ajo do të jetë realitet në institucionet e nesërme. Institucionet do të funksionojnë sipas ligjit. Ligji do të jetë bibla e institucioneve dhe jo vullneti im. E dyta, kjo do të thotë që do të kemi një reformë, pse jo dhe një reformë kushtetuese që do të garantojë që institucionet do të jenë në dorë të qytetarëve. Po, dhe unë e kam shprehur këtë. Për shembull kufizimi i pushtetit të qeverisë që të mos kemi prapë një Rama bis, larg qoftë se Zoti e do Shqipërinë, nuk besoj se do t’ia bëjë këtë, por edhe ne duhet të bëjmë punën tonë, është propozimi im që të forcojmë kontrollin dhe balancen. Ka shumë mënyra për ta bërë këtë: që nga procedurat e dyfishta të një parlamenti me një dhomë, parlamenti me dy dhoma që është preferenca ime me të njëjtin numër pa shtuar barrën fiskale, pa shtuar koston për qytetarët, por që qeveria të ketë dy pengesa për të kaluar, të mos kalojë brenda natës ligje për të zhvatur xhepat e shqiptarëve dhe për të pasuruar oligarkët. Pra një reformë të plotë kushtetuese. Kufizim të termave. Nuk ka pse të ketë Shqipëria një kryeministër për më shumë se 8 vite.

Pyetje: Jeni i gatshëm ta bëni këtë?

Lulzim Basha: Jam i vendosur ta propozoj dhe në qoftë se parlamenti i ardhshëm nuk do të kem votat për ta kaluar këtë si kryeministër do ti drejtohem popullit me referendum që kurrë më Shqipëria mos të ketë një kryeministër për më shumë se 8 vite.

Basha: Do të kërkoj referendum për kryeministrin me vetëm 2 mandate, nëse nuk do të kem votat e mjaftueshme si maxhorancë.

Lulzim Basha: Nuk ka pse të ketë Shqipëria një kryeministër për më shumë se 8 vite. Jam i vendosur ta propozoj dhe në qoftë se parlamenti i ardhshëm nuk do të kem votat për ta kaluar këtë, si kryeministër do t’i drejtohem popullit me referendum që kurrë me Shqipëria të mos ketë një kryeministër më shumë se 8 vite.

Pyetje: Pra të shkojmë tek sistemi amerikan?

Lulzim Basha: Kurrë më kryeministri të mos ketë më shumë se dy mandate.

Pyetje: Nuk e ka asnjë vend në Europë?

Lulzim Basha: Asnjë vend nuk ka patur këto rekorde të zeza ku shoqëria shqiptare të ketë mundësinë të zhvillohet ekonomikisht dhe politikisht si shoqëritë europiane, atëherë mund ta heqim këtë kufizim. Sot jam i vendosur ta vendos këtë kufizim. Jam i vendosur po kështu që të vendos kufizime të tjera të cilat do të bëjnë të mundur që shumë më shumë. Pushtetet të jetë në duart e qytetarëve, shumë më pak pushtet të jetë në dorën e elitës politike. Kjo është e para dhe e dyta është dhe më e rëndësishmja është mënyra se si do të veprojmë me ekonominë. 7 vite e ka shkatërruar ekonominë, 7 vite i vuri kazmën. Nuk mbajti asnjë premtim.

Pyetje: Kështu thoshte edhe Rama për Berishën. Kështu thoni edhe ju për Ramën.

Lulzim Basha: E vërteta është se nuk ka mbajtur asnjë premtim. Nuk po them unë se çfarë thoshte tjetri se ai mund të ketë thënë gjëra por i ka thënë të pavërteta, kurse unë po them të vërteta. Ti e di fare mirë që nuk ka 300 mijë vende pune. Ka 200 mijë të shpunësuar vetëm në 2 vitet e fundit. Ka 500 mijë të çuar refugjat. Unë po them të vërtetën. S’ka shëndetësi falas. Taksat i rriti, ty ta rriti taksën, shqiptarëve ua rriti taksën. Pra po them të vërtetat dhe kur them të vërtetën nuk duhet të relativizojmë. Një nga armiqtë më të mëdhenj të ndryshimit pozitiv në vend është relativizimi, për të thënë kështu ishte. Jo, nuk ka për të qenë me kështu, do të ndryshojë dhe me mua gjërat do të jenë ndryshe.