Qeveria pamundëson marrjen e pagesës së papunësisë për mijëra punonjës. Burokracia dhe marrja e të dhënave personale, shkaku kryesor i bllokimit të aplikimit.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENO BOZDO

 

Qeveria po ua bën jetën ferr personave që duhet të marrin pagesën e papunësisë për shkak të pandemisë! Duke treguar sa e shkëputur është nga realiteti, qeveria ka nxjerrë pengesa burokratike që vështirësojnë apo pamundësojnë marrjen e pagesës nga mijëra punëtorë.

Për të përfituar ndihmën financiare, qeveria u kërkon punonjësve e-mailin, pra adresën e postës elektronike dhe numrin e  celularit. Shqetësimi i shprehur nga ana e kompanive është se shumica e punëtorëve nuk kanë adresë e-maili. Madje një pjesë e tyre nuk kanë as numër celulari personal.

Pa plotësimin e këtyre të dhënave, aplikacioni qeveritar për marrjen e pagesës së papunësisë bllokohet. Askush nuk përfiton dot asgjë. Kjo do të thotë që ta bësh të pamundur dhënien e ndihmës apo, në rastin më të mirë, ta vështirësosh atë në maksimum.

Ky është një nga ato raste  që tregon se qeveria merr vendime aty për aty, të pamenduara dhe në kaos, duke i shkuar pas krizës, jo duke i paraprirë asaj.

Siç tregojnë këto dy dokumente zyrtarë, në datën 26 Mars, kërkesa për emailin dhe numrin e telefonit nuk ekzistonte. Ajo u shtua më pas pa asnjë argumentim. Aplikimi për pagesën e papunësisë që kërkon emailin dhe numrin e telefonit mund t’i shërbejë qeverisë për marrjen në mënyrë indirekte të të dhënave personale të qytetarëve, por ajo ua bën edhe më të vështirë jetën mijëra punonjësve.

Ky është një shembull sesi me apo pa krizë, me apo pa virus, qeveria është plotësisht e pandjeshme ndaj problemeve reale dhe situatës shumë të vështirë ekonomike që po kalojnë familjet shqiptare.

Për qindra mijëra shqiptarë pagesë e papunësisë së detyruar është burimi i vetëm i të ardhurave. Aplikimi për përfitimin e kësaj pagese duhet të jetë sa më i thjeshtë, sa më i shpejtë. Burokracia apo çdo skenar tjetër që vonon pagesën sot do të thotë uri!

 

Bashkengjitur materialet e paraqitura ne konference nga zoti Bozdo: