• Mirënjohje dhe falënderim për bashkëqytetarët. Shërim të shpejtë të prekurve nga virusi. Përkushtimi i mjekëve është shpresë për të gjithë.

 

  • Qeveria duhet të marrë masa për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e mjekëve dhe personelit shëndetësor. Çdo vonesë dhe neglizhencë është me pasoja të rënda.

 

  • Është urgjente pajisja me numër të mjaftueshëm të kiteve dhe tamponave testues për analizat. Kjo qetëson qytetarët, izolon në kohë të prekurit, frenon përhapjen e virusit.

 

  • Transparenca është armiku numër një ndaj panikut. Qytetarët duhet të informohen jo thjesht për gjobat, por mbi të gjitha për kapacitetet e sistemit shëndetësor për të përballuar fluksin.

 

  • Nuk ka më kohë për të pritur për të ndihmuar ekonominë. I bëj thirrje qeverisë që pa asnjë vonesë të rishikojë buxhetin 2020. Duhen ndërmarrë menjëherë masa në mbështetje të qytetarëve, të të punësuarve, shtresave në nevojë dhe të bizneseve.

 

  • Pezullim të kontributeve, pagesë për punonjësit privatë, përjashtim nga tatim fitimi, fshirje e pagesave të energjisë dhe ujit për familjet në nevojë dhe bizneset e vogla e të mesme në zonat më të prekura.

 

  • Përjashtim nga kamatëvonesat dhe gjobat, pezullim i shkëputjes së energjisë, përjashtim nga taksat dhe tarifat vendore, mbështetje për shtresat në nevojë dhe të moshuarit me ushqime dhe detergjentë.

 

  • Marrja e këtyre masave është mbështetje jetike për njerëzit sot, por edhe garanci për të mirën e përbashkët nesër. Ne nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo krizë, por e sigurt është që nëse nuk marrim këto masa sot, do të jetë shumë vonë nesër

 

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

 

Të dashur bashkëqytetarë,

Dua ta nis fjalën time këtë të dielë në mbrëmje, me një mirënjohje dhe falënderim për të gjithë ju bashkëqytetarë të dashur dhe me urimin tim nga zemra për ju dhe të dashurit tuaj, që të jeni mirë dhe ta kalojmë sa më lehtë këtë kohë të vështirë.

 

Një urim  të veçantë kam për shërim sa më të shpejtë për të 41 bashkëqytetarët tanë që janë konfirmuar të prekur nga virusi COVID-19 dhe që po trajtohen nga personeli ynë i shkëlqyer shëndetësor.

 

Jam plot me shpresë se me përkushtimin dhe kujdesin e mjekëve dhe infermierëve tanë, do arrini ta mposhtni këtë virus.

 

Ndaj dua të përsëris edhe sot mirënjohjen nga zemra për cdo mjek, për cdo infermier, për çdo punonjës të shëndetësisë që është në krye të detyrës.

 

Personeli mjekësor me kapacitet të plotë është i domosdoshëm në këtë periudhë, ndaj dhe dua ta bëj të qartë:

 

Qeveria duhet të marrë masa për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e mjekëve dhe infermierëve. Ti pajisë pa asnjë vonesë me të gjitha mjetet  e nevojshme të mbrojtës. Çdo vonesë dhe neglizhencë e mëtejshme në këtë drejtim është e pafalshme dhe me pasoja shumë të rënda për shëndetin e tyre dhe për pasojë të të gjithë shqiptarëve.

 

Po kaq urgjente është pajisja me numër të mjaftueshëm të kiteve dhe tamponave testues për të bërë të mundur analizat për këdo që dyshohet se është i prekur nga virusi. Kjo jo vetëm do të qetësonte qytetarët që jetojnë me dyshimin se mund të jenë të prekur, por do të bënte të mundur edhe izolimin në kohë të atyre që janë prekur, duke frenuar përhapjen e virusit.