• Bie propaganda e qeverisë, personeli shëndetësor është i pambrojtur. Mungojnë pajisjet elementare në qendrat shëndetësore. Në Kamëz nuk ka as maska të standardeve të OBSH-së, as dezinfektantë, as doreza.

DEKLARATAT E PLOTA TË PËRFAQËSUESVE TË PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI DHE GAZMENT KODUZI, PJESË E GRUPIT TË PUNËS PËR MONITORIMIN E SITUATËS SË KRIJUAR NGA KORONAVIRUSI

ALBANA VOKSHI

Jam këtu me doktor Koduzin si pjesë e grupit të punës që ka ngritur kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha për të monitoruar situatën në lidhje me koronavirusin. Të gjithë tashmë jemi të ndërgjegjshëm që Shqipëria është në një rrezik potencial për mbërritjen e koronavirusit, pasi shteti fqinj, me të cilin kemi shumë shkëmbime humane, tashmë është në gjendje alarmi, si dhe janë shpallur edhe rastet e para në vende të tjera të rajonit.

Kemi zgjedhur, bashkë me doktor Koduzin, Qendrën Shëndetësore Kamëz, pasi është një nga qendrat që mbulon një rajon shumë të madh, me rreth 200 mijë banorë, është një qendër që funksionon 24 orë në ditë pasi ka edhe pjesën e urgjencës në të.

Çdo ditë, në një ditë normale situate gripale janë rreth 200 pacientë që mbërrijnë në pjesën e pacientëve të sëmurë kronikë, por edhe ato të urgjencës, që do të thotë që numri i pacientëve, por edhe familjarëve të tyre që mbërrijnë në këtë qendër në ditë është shumë i lartë.

Pas shpalljes të grupit të punës nga ana e kryetarit, z. Basha, kanë ardhur me qindra telefonata, mesazhe tek anëtarët e grupit të punës, por edhe në Partinë Demokratike, si nga qytetarë, ashtu edhe nga mjekë dhe personeli i qendrave shëndetësore, mjekë të Urgjencës Kombëtare dhe të QSUT-së. Shqetësimi i tyre është se nuk është marrë asnjë masë nga qeveria për pajisje dhe me mjete elementare. Ne shkuam dhe biseduam edhe me disa mjekë të kësaj qendre shëndetësore, pamë vetë situatën. Nuk janë pajisur deri tani as me doreza, as me maska të standardeve të OBSH-së, as me dezinfektantë. Praktikisht, mjekët dhe stafi shëndetësor i kësaj qendre shëndetësore, jo vetëm i kësaj qendre por i gjithë qendrave shëndetësore në Shqipëri, stafi mjekësor i gjithë spitaleve në Shqipëri dhe urgjencat, praktikisht, janë në mëshirë të fatit. Qeveria po bën propaganda. Mjeku është kontakti i parë me pacientin, është ai i cili mund ta marrë virusin i pari dhe mund të rrezikojë jo vetëm jetën e tij, por edhe jetën dhe shëndetin e familjarëve të tij dhe të pacientëve, sepse mund të jetë bartës.

Jo vetëm kaq, por një gjë shqetësuese është për të cilën ne u informuan që dje për shembull – kjo qendër shëndetësore nuk ka pasur 24 orë ujë. Mendoni pak një qendër shëndetësore të cilës qeveria nuk i siguron as ujin. I vetmi njoftim i qeverisë është: lani duart, lani duart, por në mungesë të ujit si mund të bëhen vizitat?! Si mund të mbahet higjena e një qendre shëndetësore?!

Janë telefonata që kemi marrë edhe nga mjekë të Urgjencës Kombëtare, të cilët janë mjekë në gatishmëri që shkojnë dhe në shtëpi për vizita. Nga informacionet që kemi, të gjithë mjekët janë pajisur vetëm me një maskë. Mendoni pak që një maskë ka një afat kohor, maksimumi dy ose tre orë dhe mund të jetë vetëm me një njëpërdorim. Pra, nëse shkon në një vizitë tjetër, duhet të përdorësh një maskë tjetër, gjë që mjekët e urgjencës nuk e kanë në dispozicion. Po ashtu sinjalizime kemi që edhe mjekë në reparte të ndryshme të QSUT-së, janë të papajisur me mjetet elementare. Kjo do të thotë se stafi shëndetësor i spitaleve, i qendrave shëndetësore është në mëshirë të fatit.

GAZMEND KODUZI

Ne si pjesë e Grupit të Punës pranë PD, po vlerësojmë masat që ka ndërmarrë qeveria për mbrojtjen e popullatës, por nuk kemi lënë pas dore dhe jemi sot këtu, për të parë se sa të mbrojtur janë anëtarët e personelit shëndetësor.

Kjo është shumë e rëndësishme, sepse personeli shëndetësor është kontakti i parë me pacientin dhe ata janë të ekspozuar ndaj çdo virusi. Në qoftë se ata kontaminohen nga ky virus, përveçse nuk do të kenë mundësinë të ofrojnë nesër shërbim, por do të jenë dhe bartës të këtij virusi dhe do të kontaminojnë me dhjetëra e me qindra pacientë, që do të vizitojnë në ditët në vazhdim. Pra, bëhen bartës dhe shpërndarës të këtij virusi. Nga kontakti me kolegët vurmë re që nuk asnjë lloj mase mbrojtëse, as maskë, as dezinfektant, as doreza.

Ka dy arsye për këtë situatë.

1. E para, qeveria po merret me propagandë, nuk po merret me punë.
2. E dyta, është shkatërrimi i autonomisë në qendrat shëndetësore, heqja e mundësisë së menaxhimit financiar. 2-3 javë më parë kemi ngritur alarmin se operatori shëndetësor, një atavizëm i sistemit shëndetësor, ka detyruar drejtorët e qendrave shëndetësore që të delegojnë blerjen e mallrave tek ky operator. Pra, maskat duhen blerë nga ky operator, ndërkohë, nëse qendra shëndetësore do të kishte autonomi, këto pajisje që sot mungojnë, qendrat i blinin vetë fare mirë dhe mbronin personelin shëndetësor.

Ka indiferencë dhe paaftësi totale nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe insitucioneve të tjera për të siguruar jetët e pesonelit shëndetësor, familjarëve të tyre dhe popullatës.

ALBANA VOKSHI

Qytetarët nuk duhet të panikohen. Lajmi i mirë është që ende në Shqipëri nuk ka një njoftim zyrtar, të paktën, për koronavirus. Vetë qytetarët duhet të marrin masa individuale për higjenën e tyre dhe të kontaktojnë stafin shëndetësor. As qytetarët, as mjekët, as personeli shëndetësor nuk kanë nevojë për propagandën qeveritare, nuk kanë nevojë për show. Qeveria të mos harxhojë miliona euro për një grup oligarkësh dhe klientësh të saj duke paguar koncesione abuzive korruptive, kriminale, të panevojshme, por këto para t’i përdorë për t’u përgatitur për situaën e krijuar nga coronavirusi.

Grupet e Partisë Demokratike do të vazhdojnë të jenë në terren për të monitoruar gjendjen jo vetëm në Tiranë, por dhe në qytete të tjera. PD do të vazhdojë të jetë zëri i mjekëve dhe i personelit shëndetësor, që tani punojnë në kushte të një terrori psikologjik dhe shantazhi nga ana e qeverisë, do të jemi zëri I çdo qytetari që ngre shqetësim për situatën.