• “Po paguajmë qeranë me borxhe”, banorët e Durrësit denoncojnë tek Basha mungesën e bonusit për shtëpitë me qera. Dështimi i qeverisë pas tërmetit, banorët hyjnë në shtëpitë e dëmtuara.

Një muaj e gjysëm pas tërmetit, banorë të Durrësit i thanë kryetarit të opozitës Lulzim Basha se nuk kanë marrë akoma bonusin e qerasë.

“Po e paguajmë vetë dhe kemi hyrë në borxhe”- u shpreh një banor i zonës së plazhit, ku zoti Basha takoi me dhjetëra banorë të pallatave të dëmtuara, që dëshmojnë të njëjtën gjë. Paguam nga 45 mijë lekë për dokumenta tek noteri, hapëm numrin e llogarisë në bankë, siç e kërkuan dhe akoma nuk ka kaluar asnjë lek”- thotë një kryefamiljar tjetër.

Duke vënë në dukje dështimin e qeverisë për të menaxhuar situatën pas tërmetit, kreu i opozitës theksoi se situata është në përkeqësim, pavarësisht  se qeveria mori sërish kohë për të vepruar si në kushte emergjence.

“Këta e zgjatën gjendjen e jashtëzakonshme, por asgjë nuk po bëjnë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve.”- u shpreh zoti Basha.

Të njëjtën situatë pohuan shumë prej punëtoreve të një fasonerie që vizitoi në zonën e Durrësit. As ato nuk e kanë marrë ende bonusin e qerasë nga Bashkia e Durrësit, gjë që ua ka rënduar edhe më shumë jetën.

“Nuk të shikojnë me sy, nuk të hapin dyert për asnjë gjë. Të përcjellin duke gënjyer. Ku të vemi të përplasemi, sepse nuk dimë ku të përplasemi.”- u shpreh e revoltuar një nga punëtoret e fasonerisë.

Përveç mungesës së bonusit së qerasë, kryetari Basha u njoh me një realitet të rrezikshëm për shumë familje, të cilat janë kthyer në shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti, pas braktisjes nga qeveria dhe bashkia.

“Kemi dalë dhe kemi hyrë prapë, në shtëpi, sepse nuk na ka ardhur njeri të na shikojë shtëpinë ku jetojmë ose të na japë një ndihmë. “- i tha zotit Basha një nga kryefamiljarët që banonte në zonën e plazhit.

Gjatë bashkëbisedimit me pronar dhe punonjës të fasonerisë, zoti Basha u njoh dhe me faktin se shteti ka qënë inegzistent në këto momente të vështira për ta.

Bizneset nuk kanë patur asnjë mbështetje nga shteti për dëmet e shkaktuara ndërkohe që duhet të paguajnë taksat e rritura dhe fuqia blerëse është në nivelet minimale.

Mosmarrja e masave të menjëhershme, do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë dhe punësimin në Durrës dhe gjithë Shqipërinë.

Një qeveri e ardhur nga vota e krimit nuk mund të ketë prioritet tjetër veç krimit, duke braktisur qytetarët siç ka ndodhur dhe në Durrës e zona të tjera.

“Unë jam këtu për t’ju thënë se ka një zgjidhje, ka një alternative, të cilën do ta vendosni ju me votë.

Ndryshimin e keni ju në dorë. Ulja për biznesin e taksës nga 15% në 9%, ulja me 30% e çmimi të energjisë, ulja me 500 lekë për çdo litër karburant. Të gjitha këto para, të cilat biznesi sot ia paguan shtetit në formën e taksave, ne do t’ia lëmë biznesit dhe do të vendosim me ligj për rrogën minimale 300 Euro. Edhe biznesi fiton më shumë, edhe punëmarrësi fiton më shumë dhe situata sociale rregullohet. Ky është propozimi ynë. Doni të bëhet ligj? Vota e vendos. Dy gjëra mos harroni, që vendi i ka mundësitë, nuk ka përse të jetë kështu situata dhe që këto mundësi të kthehen në realitet e keni ju në dorë me votë.”- tha zoti Basha.

Gjatë qëndrimit në Durrës, kreu i opozitës vizitoi edhe një biznes të prodhimit të bulmetit, ku shpjegoi se në planin e Partisë Demokratike ndihma për bizneset me bazë prodhimet bujqësore dhe blegtorale është prioritet, duke i mbrojtur njëkohësisht edhe nga prodhimet e pakontrolluara të importit.