Sapo u konstituua Këshilli Politik sipas dokumentit të kompromisit për fillimin e refomës zgjedhore, dokument i cili përcakton procedurën në çfarë mënyre do të ecë kjo reformë zgjedhore, e cila duhet të mbyllet brenda 15 marsit. Ky Këshill autorizon përfaqësuesit politikë dhe ekspertët që të operojnë me konsensus. Ky konsensus duhet të qendrojë deri në momentin e miratimit, siç është dakortësuar në dokumentin e kompromisit dhe ajo që ne bëmë të ditur, qendrimin e opozitës së bashkuar, i cili do të bëhet publik është prioriteti i çështjeve, që pëpruthet 100% me prioritetet që përcakton OSBE/ODIHR:

lufta kundër shitblerjes së votës

presioni mbi zgjedhësit

presioni mbi zgjedhësit, që janë punonjës të administratës

abuzimi me burimet shtetërore

manipulimi i listave

keqpërdorimi i policisë së shtetit

cënimi i sekretit të votës

cënimi i lirisë së votës

Këto janë ato çështje që reforma do t’i trajtojë me prioritet dhe, sigurisht të trajtojë të gjitha çështjet e tjera pa asnjë përjashtim, duke patur parasysh arritjen e rekomandimeve dhe standardeve të OSBE/ODIHR-it.

Ky dokument do t’ju bëhet publik dhe besoj që nga ky moment detyra  e përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve është të ecin shpejt me hartimin e reformës brenda një periudhe sa më të shkurtër, brenda 15 marsit.

Pyetje: Zoti Bylykbashki do të pranoni që kjo reformë të miratohet nga një kuvend që ju e quani ilegjiti dhe për të cilin keni protestuar?

Oerd Bylykbashi: Unë nuk kam çtë shtoj asgjë nga dokumenti i kompromisit. Aty bëhet shumë e qartë – Kuvendi i Shqipërisë duhet ta miratojë atë që do të dalë me consensus, pa asnjë ndryshim.