• PD dhe opozita ka qenë dhe është e hapur për të diskutuar me transparencë me shqiptarët cili sistem zgjedhor do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
  • Praktika e 7 viteve të fundit ka faktuar se cilido sistem të zgjidhet, do të dështojë, nëse nuk garantojmë ndarjen e politikës nga krimi, ndaljen e blerjes së votës dhe ndëshkimin e krimeve elektorale.
  • Alibia se “fajin e ka sistemi”, mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Ramës, sipas së cilës të gjithë janë njësoj dhe se fajin për kriminelët e ka çdokush, përveç atij që i kandidoi dhe bleu votat me ta.
  • Axhenda e Ramës është pushteti i tij personal. Axhenda ime është ekonomia, mirëqenia, dinjiteti i shqiptarëve dhe demokracia.
  • Jemi të gatshëm të hedhim çdo hap për t’i dhënë fund këtë vit, një orë e më parë, krizës së thellë politike, ku e ka futur vendin Edi Rama dhe qeveria e tij e dështuar.

KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA.

Pyetje: Zoti Basha, do të zhvilloni një mbledhje me aleatët, është rënë dakord për të gjitha pikat që përfshin Reforma Zgjedhore? Kujtojmë këtu një nga pikat më të diskutuara ka qenë ajo e sistemit zgjedhor. Aleatët kanë kërkuar ndryshim sistemi, a ka një konsensus?

Lulzim Basha: Në emër të Partisë Demokratike dhe të opozitës së bashkuar, kam qenë dhe jam i hapur, e kemi shprehur këtë zyrtarisht, për të diskutuar me të gjithë qytetarët shqiptarë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, cili sistem zgjedhor do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nisur nga praktika e 7 viteve të fundit, mund të themi me siguri të plotë se cilido sistem të zgjidhet, do të dështojë, nëse nuk garantojmë ndarjen e politikës nga krimi, ndaljen e blerjes së votës me paratë e pista dhe ndëshkimin e krimeve elektorale nga një drejtësi e pavarur. Ndaj, nga kjo pikëpamje,  mund të them se alibia, se “fajin e ka sistemi”, fatkeqësisht mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Ramës, sipas të cilës jemi të gjithë njësoj, sipas të cilës fajin e ka çdokush, përveç atij,  për kandidimin e personave me rekorde kriminale, për kapjen e gjithë kupolës së shtetit dhe policisë duke blerë vota me krimin e organizuar. Në fakt e dimë të gjithë se Shqipëria është sot në një krizë të thellë politike, e cila ka precipituar në krizë ekonomike dhe në një krizë të paimagjinueshme emigracioni, për shkak të përgjegjësive të këtij kryeministri dhe të dështimit total të tij dhe të qeverisë së tij.

Pyetje: Kryeministri sot nga Vjena ka deklaruar se vendi nuk ka një krizë politike, ndërkohë që reforma e re zgjedhore të bëhet bashkë me opozitën jashtë parlamentare, pra me ju, duke pasur parasysh edhe rekomandimet e OSBE-ODIHR. Komenti juaj?

Lulzim Basha: Unë zgjedh të besoj Bundestagun dhe nuk besoj se ka shqiptar që në mes të Bundestagut dhe Edi Ramës, zgjedh këtë të fundit. E shkruar e zezë mbi të bardhë, vendi është në një krizë të thellë politike dhe këtë shqiptarët, jo vetëm opozita, e ndjejnë në lëkurën e tyre. E ndjejnë në papunësinë që rritet, në bizneset që mbyllen, e ndjejnë në mungesën totale të shtetit që nxori në pah tërmeti i 26 nëntorit. E nxori mbretin lakuriq. E nxori shtetin pa emergjenca civile, tregoi se edhe një shtet i ri si Kosova kishte dhjetëra herë më shumë kapacitete për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe e tregon sot ku i ka braktisur me mijëra familje në pikë të hallit. Dua t’ju falënderoj ju dhe kolegët tuaj që vazhdoni t’i mbuloni, në veçanti, në këto ditë të acarta. Axhenda e Edi Ramës është pushteti i tij personal. Për pushtetin e tij personal e ka zhytur vendin në një krizë të thellë legjitimiteti. Sot është publikuar një raport nga Finch, që tregon se Shqipëria renditet me fundin e botës, si një vend me qeveri ilegjitime. Axhenda e tij, është pushteti i tij. Axhenda ime është ekonomia, shpëtimi ekonomik i Shqipërisë, demokracia, dinjiteti dhe mirëqenia e çdo shqiptari. Dhe në funksion të kësaj, jemi të gatshëm të hedhim çdo hap të nevojshëm, për t’i dhënë fund një orë e më parë, krizës së thellë politike, ku e ka zhytur vendin Edi Rama dhe qeveria e tij e dështuar.

Pyetje: Zoti Basha, a ka PD në tryezë emra të tjerë kryebashkiakësh që kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit?

Lulzim Basha: Për të gjitha këto çështje do të informoheni hap pas hapi.

Pyetje: Një pyetje për tensionin SHBA-Iran. Sa e rrezikuar është Shqipëria?

Lulzim Basha: Liria dhe demokracia e vërtetë ka një çmim të lartë. Në kuptimin e brendshëm, shqiptarët po e kuptojnë, e kanë kuptuar tashmë, se pa luftuar për demokracinë ditë për ditë, ajo rrezikon të zhduket nën peshën e një qeverie të korruptuar dhe të inkriminuar. Po kështu, liria ka një çmim të lartë ndërkombëtarisht dhe unë jam krenar që, si ministër i jashtëm, kam rreshtuar Shqipërinë krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO dhe besoj fort se kjo aleancë vlerash, mbi të gjitha, është një aleancë e lirisë, dinjitetit njerëzor. Ndaj dua të shpreh edhe njëherë në emrin tim, në emër të PD dhe në emër të opozitës së bashkuar, qëndrimin tonë të qartë, që e kemi bërë të ditur prej orës së parë të zhvillimit të ngjarjeve, përkrah SHBA, përkrah vlerave të lirisë dhe demokracisë.