·        Me Ministrin e Jashtëm të Austrisë ndamë shqetësimin për mosbesimin që qeveria shqiptare ka krijuar tek shumë faktorë europianë, duke mos plotësuar kriteret kryesore për negociatave.
·        Opozita është e vendosur të japë kontributin e saj për tejkalimin e krizës së rëndë politike dhe problemet e shkaktuara prej saj, që pengojnë integrimin.
·        Rruga që ka zgjedhur Rama duke fajësuar Euorpën dhe opozitën është absolutisht e gabuar para marrjes së vendimit të BE.
 

KOMUNIKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA PAS TAKIMIT ME MINISTRIN E JASHTËM TË AUSTRISË

Falenderova ministrin Schallenberg për mbështetjen e jashtëzakonshme austriake e, në veçanti, mbështetjen që i jep procesit të hapjes së negociatave për Shqipërinë.

Ndamë së bashku shqetësimin për qëndrimin e shumë faktorëve europianë në raport me mosbesimin që ka krijuar qeveria shqiptare duke mos plotësuar kriteret kryesore të hapjes së negociatave.

E sigurova që Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar janë të vendosura të japim gjithë kontributin tonë për të tejkaluar këtë krizë të rëndë politike dhe problemet kryesore të shkaktuara nga kjo krizë politike dhe nga kjo qeverisje, që janë edhe pengesa kryesore për hapjen e negociatave.

Dua ta them fare qartë para jush dhe para gjithë qytetarëve shqiptarë që rruga që ka zgjedhur Edi Rama është rruga absolutisht e gabuar në këto javë që ka mbetur në marrjen e një vendimi kaq të rëndësishëm për vendin tonë.

Është rruga e njohur e fajësimit të çdokujt tjetër, e sulmeve ndaj Bashkimit Europian, e sulmeve ndaj  qeverive europiane, e sulmeve ndaj shënjestrës së preferuar opozitës, Partisë Demokratike, medias, madje edhe qytetarëve, për të hequr vëmendjen dhe për të hequr përgjegjësinë nga, në fakt, i vetmi njeri përgjegjës në këtë situatë.

Dështimi për herë të katërt ka vetëm një firmë, vetëm një vulë, vetëm një emër dhe ky është Edi Rama.

Përtej këtij dështimi Edi Rama po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë dhe për t’i zgjidhur problemet që na mbajnë peng.

Opozita e bashkuar është në krye të detyrës. Propozimi ynë për daljen nga kriza dhe, në veçanti, propozimi për reformën zgjedhore vazhdon të mbetet në tryezë. Dhe me këtë përgjegjësi që kemi marrë para shqiptarëve, me të njëjtën përgjegjësi kam konfirmuar sot Ministrit të Jashtëm austriak se mund të mbështeten plotësisht tek PD, tek opozita e bashkuar.

Ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka që Shqipëria të mos mbetet peng i korrupsionit i lidhjeve të politikës me krimin, i kapjes së shtetit dhe asgjësimit të pushteteve të pavarura, qofshin drejtësia apo media e pavarur, dhe se synimi ynë kryesor është që, përmes zgjidhjes politike, t’u ofrojmë shqiptarëve atë që meritojmë. Të dalim nga marshi indietro ku e ka futur ekonominë dhe politikën kjo qeveri dhe ky kryeministër dhe të ecim përpara me vendosmëri, me vizion dhe me qartësi të plotë për të kryer detyrat tona të shtëpisë, duke luftuar korrupsionin, duke shkatërruar lidhjen e krimit me politikën, duke i nxjerrë paratë nga xhepat e politikanëve të korruptuar, të oligarkëve dhe bandave kriminale dhe duke i kthyer këto para aty nga janë vjedhur, në xhepat e shqiptarëve.

Pyetje: Dje kryediplomati i BE-së Josep Borrell u shpreh se Kosova nuk mund të jetë shtet për sa kohë kur superfuqi si India, Kina apo Rusia nuk e njohin pavarësinë. Sipas jush a ka ndonjë ndryshim në politikën e jashtme të BE-së në raport me Kosovën?

Lulzim Basha: Kosova është një vend i pavarur, i njohur nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së dhe nga shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Me mbështetjen e këtyre vendeve Kosova ka arritur progres të jashtëzakonshëm me konsoilidimin e praktikave demokratike, siç treguan edhe zgjedhjet e ditës së diel, që në fakt janë një shembull jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Në veçanti janë një shembull për Shqipërinë ku tregohet qartë se kemi të bëjnë me një shtet që ka institucione mjaftueshëm të konsoliduara për të garantuar demokracinë funksionale, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe respektin e të drejtave të minoritetit serb ç’ka nuk mund të mohohet nga askush dhe, me sa pashë, u përshëndet edhe nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Këto janë faktet. Kosova është një shtet i pavarur, i konsoliduar dhe. për Partinë Demokratike dhe opozitën e bashkuar, mbështetja ndaj Kosovës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, prosperitetit ekonomik dhe integrimin europian dhe euro-atlantik, bashkëpunimin më të ngushtë midis dy vendeve tona, është prioritet i dorës së parë.

Ju faleminderit.