• Është koha që qeveria te ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj dhe t’ia kthejë mandatin popullit shqiptar.

 

  • Shumica e vendeve ishin të një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave. Kushtet tregojnë se qeveria ka bërë hapa pas.

 

  • Krimi, korrupsioni, blerja e votës, mosfunksionimi i gjykatave, nuk janë probleme të brendshme të Europës, por të qeverisë së Ramës.

 

  • Me një qeveri të re, legjitime që drejton procesin e negociatave, përparimi është i mundur.

 

  • Kushtet e BE janë udhërrëfyesi ynë për të dalë nga kriza, për të ndërtuar një Shqipëri demokratike, me mundësi për të gjithë qytetarët e saj.

 

 

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

 

 

Përshëndetje të dashur bashkëqytetarë dhe ju uroj një javë të mbarë!

 

Vlerësim sipas meritës është qendrimi i prerë i vendeve anëtare për vendet që duan t’i bashkohen BE-së.  Shumica e vendeve ishin të një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave. Për këtë u artikuluan disa kushte që, në thelb, tregojnë se Shqipëria, nën këtë qeveri, ka bërë hapa pas, nga viti në vit.

Situata e rëndë ekonomike, mungesa e mundësive, që vjen prej kapjes së institucioneve dhe pabarazisë para ligjit, ka detyruar shqiptarët të largohen në numra rekord si azilkërkues.

 

  • Krimi dhe korrupsioni janë shqetËsim për vendet e Bashkimit Europian.
  • Ndëshkimi i blerjes së votës
  • Funksionimi i gjykatave të larta të vendit
  • Vënia para drejtësisë e te inkriminuarve dhe korruptuarve në nivele të larta janë kërkesat e panegociueshme për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

 

Këto nuk janë probleme të Bashkimit Europian, siç deklaron propaganda e kryeministrit aktual. Janë probleme të qeverisjes së tij.

 

Krejt e ndryshme paraqitet situata për Maqedoninë e Veriut. Asnjë kusht për këtë vend dhe një mbështetje gati unanime për hapjen e negociatave, me përjashtim të një vendi.  Megjithatë, kryeministri Zaev paraqiti dorëheqjen, ua riktheu mandatin qytetarëve dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

Nga ana tjetër, qeveria jonë, e cila është refuzuar nga vendet europiane, vazhdon të mos e lëshojë pushtetin, në dëm të popullit shqiptar.

Ne kemi vetëm një rrugë drejt së ardhmes dhe kjo është rruga europiane. Europa ka refuzuar Edi Ramën, jo Shqipërinë. Dështimi është i Edi Ramës, jo i Shqipërisë. Ky mesazh ka qenë më i fortë se kurrë nga Gjermania, që i tha Po Shqipërisë dhe JO qeverisë përmes 9 kushteve që duhen përmbushur.

Në Europë shkohet duke ndërtuar, fillimisht, standartet europiane në vendin tënd. Por kjo nuk i intereson Edi Ramës. Sepse kjo nënkupton:

 

  • Zgjedhje të lira dhe të ndershme
  • Ndarje të politikës nga krimi
  • Ndarje dhe balancim të pushteteve
  • Institucione të forta dhe të pavarura te drejtësisë.

 

Të gjithë biem dakord se rruga e vetme përpara është rruga drejt Europës! Europa ka refuzuar Edi Ramën, jo Shqipërinë. Pa reforma serioze, të cilat ai nuk është në gjendje dhe nuk ka vullnetin t’I bëjë, Europa do të vazhdoje ta refuzojë Edi Ramën, por ne, shqiptarët, do të vazhdojmë të vuajmë pasojat.

Një njeri po na mban peng të gjithëve! Kjo duhet të marrë fund!

 

Është koha që qeveria te ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj dhe t’ia kthejë mandatin popullit shqiptar.

Me një qeveri të re, legjitime që drejton procesin e negociatave, përparimi është i mundur.

 

Ne jemi një popull i talentuar, i mirëarsimuar dhe punëtor. Ne na duhet nje qeveri e re, një qeveri që çon vendin përpara në procesin e integrimit europian, qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Kushtet e BE janë udhërrëfyesi ynë për të dalë nga kriza, për të ndërtuar një Shqipëri demokratike, me mundësi për të gjithë qytetarët e saj.

Me politikat e duhura, me drejtimin europian ne mund dhe do të sigurojmë mirëqenie dhe përparim drejt të ardhmes europiane.

 

Ju faleminderit!