• Ky bashkim popullor është asambleja më madhështore e shqiptarëve europianë, të vjedhur, të dhunuar e të tradhëtuar, që kërkojnë zgjidhjen e krizës me largimin e Edi Ramës.

 

  • E sotmja është dita e fundit, kur unë ju drejtohem me argumentet e arsyes gjithë atyre me përgjegjësi në kupolën socialiste. Koha për fjalët po mbaron dhe në protestën e ardhshme fjalën do ta ketë vetëm sovrani.

 

  • E gjithë bota e di që ky është një pushtet i marrë me dhunën e krimit. Ne nuk pranojmë pushtet të marrë me dhunë. Harrojeni se do ta mbani pushtetin me dhunë, kthejani sovranit atë që i keni vjedhur sovranit.

 

  • Hapini rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si zgjidhja e vetme politike. Lereni sovranin të flasë me votë të lirë e të ndershme ose, ndryshe, ndjeja zërin popullit në protestën e ardhshme.

 

  • Edi Rama u kap duke vjedhur votat me banditët. Ai duhet të ishtë para drejtësië për të dhënë llogari për vjedhjen e pushtetit, që shqiptarët do ta marrin mbrapsht me çdo kusht.

 

  • Edi Rama do të hyjë në historinë si hajduti më i madh i të gjithë kohërave. Ai endet në Shqipëri si kufoma politike e njeriut më të urryer që nga diktatura. Vendimi i shqiptarëve është largimi i Edi Ramës.

 

  • Kushtrimi Rama ik është kushtrimi i të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, në shkollat fillore e gjimnaze, sepse Rama i gjobit, u heq nga puna prindërit, i detyron të largohen nga vendi.

 

  • Rama ik është kushtrimi i rinsië shqiptarë, sepse njeriu që për karrigen e tij dhe pasurinë shet gjithçka, shkatërroi arsimin e alartë, mbylli vendet e punës, i detyron të rinjtë të emigrojnë.

 

  • Rama është karikaturë e diktaturës. Ai nuk ka asgjë të përbashkët me dijen, shkencën, prandaj pedagogët dhe intelektualët janë bashkuar me kushtrimin Rama ik.

 

  • Kushtrimi i sipërmarrjes së mbytur në borxhe, në taksa dhe gjoba nga hajdutët e Edi Ramës është Rama ik. Ky kushtrim ushtron edhe në emër të pensionistëve pa kujdes, pa ilaçe, pa para.

 

  • 300 mijë vendet e punës janë mashtrimi më i madh i Edi Ramës. Sot kemi 400 mijë të papunë dhe kjo është dhurata e kryeminstrit më të dështuar. Në emër të çdo të papuni, kushtrimi është Rama ik.

 

  • Edi Rama ka vetëm një propozim për shqiptarët. Ai do t’i vjedhë ata edhe më shumë. Ora kur një njëri vjen në pushtet me bandat dhe vjedh popullin, ka marrë fund.

 

  • Oferta e Ramës për Shqipërinë është si ajo për Lezhën, marrje pushteti me kandidatë që duhet të ishin në burg, si Pjerin Ndreu, në vend të intelektualëve dhe socialistëve të vërtetë.

 

  • Nuk do të pranojmë kurrë errësirën e tiranisë së krimit, monizmin, procesin kriminal që po u ofrohet shqiptarëve. Beteja jonë bëhet për zgjedhje të lira e të ndershme, për vlera evropiane.

 

  • Mos prekni dhe lëndoni asnjë oficer dhe efektiv policie! Përveç pak prej tyre, me këta burra e gra kemi mundur drogën, kemi hequr vizat. Ata nuk flasin, por shpirti i tyre këndon: Rama ik.

 

  • Sot nuk ka forcë që e ndal popullin të marrë në dorë fatet e tij. Bashkë do të ndërtojmë një kontratë europiane të bashkëjetesës, ku të gjithë trajtohen me dinjitet, pavarësisht bindjeve politike apo pasurisë së tyre.

 

  • Koha për lojrat e Edi Ramës po merr fund. Kufoma e tij politike tregon qartë se pushteti i krimit ka vdekur moralisht, por ai duhet kallur dhe politikisht. Kjo është në dorën tuaj.

 

  • Edi Rama ka vetëm një rrugë: Ik. Një qeveri tranzitore, zgjedhje parlamentare, një parlament nga populli është rruga e vetme europiane e zgjidhjes së krizës. Ne nuk do të pranojmë asgjë më pak!

 

  • Mesazhi i qartë, i prerë është se Edi Rama dhe banda e tij kriminale ta harrojnë se pushtetin e marrë me dhunë, mund ta mbajnë duke dhunuar qytetarët, duke dhunuar votën e tyre.

 

  • Pavarësisht prej përpjekjeve tona për të mbrojtur policët e thjeshtë, përgjigja brutale e kriminelëve të kupolës, ishte dhunë disproporcionale.

 

  • Përpjekja e Ramës dhe e Lleshit për t’i faturuar dhunë një proteste kundër dhunës, do të marrë përgjigjen e merituar. Ata do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Asgjë nuk harrohet e fshihet.

 

  • Unë e di që çdo shqiptar lufton të ketë të njëjtat të drejta si çdo qytetar europian. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por nuk do të pranojmë asgjë më pak se Evropa, se vlerat që na bashkojnë: zgjedhje të lira e të ndershme.

 

 

 

FJALA E KRYETART TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË PROTESTËN KOMBËTARE TEK KRYEMINISTRIA

 

Mirëmbrëma vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe të mbarë të Shqipërisë,

Të rinj dhe të reja qe keni vërshuar në këtë bashkim të paparë asnjëherë, që jeni mbledhur dhe jeni derdhur në këtë shesh, këtë energji, këtë vendosmëri, këtë shpresë, të pandalshme, mirë se keni ardhur!

Dua t’ju shpreh sot mirënjohjen time, por në fakt kam nderin dhe privilegjin t’ju shpreh mirënjohjen në emër të çdo vogëlushi shqiptar, duke nisur nga fëmijët tuaj, në emër të gjithë fëmijëve të shqiptarëve, në emër të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, për këtë asamble të paparë, të padëgjuar, të lirisë dhe demokracisë, të mbledhur, të vendosur, kaq të prerë dhe të qartë në kushtrimin tuaj që sonte ushton për ta dëgjuar e gjithë bota: Rama ik!

Ky bashkim popullor është bashkimi i shqiptarëve të mbledhur, është bashkimi i shqiptarëve të shtypur, është bashkimi shqiptarëve të dhunuar, është bashkimi i shqiptarëve të nëpërkëmbur, të mashtruar, të tradhëtuar nga një bandë kriminale që, kurrsesi nuk mund të jetë qeveria e Shqipërisë, dhe nga një kryebandit që ka hyrë në analet e historisë tonë kombëtare si hajduti më i madh i gjithë kohërave, hajduti i bukës së vogëlushëve tanë. Rama ik!

Le ta dëgjojë në bunkerin ku është fshehur, Rama ik!

Zërin tuaj, vendimin tuaj, bëjeni ta dëgjojë e gjithë bota, tani: Rama ik!

Sot endet nëpër Shqipëri kufoma politike e njeriut më të urryer që nga diktatura, Edi Rama është njeriu që u kap duke vjedhur votat e shqiptarëve me banditët më famëkeq të Shqipërisë dhe të Europës.

Sot ai duhet të ishte para drejtësisë. Sot ai duhet të jepte llogari për hajdutërinë e të gjithë hajdutërive vjedhjen e pushtetit që ju takon ju e që do të merrni mbrapsht me çdo kusht, me çdo çmim.

Rama ik!

Rama ik është sot kushtrimi nga Saranda në Shkodër, nga Korça në Durrës e këtu në Tiranë në shkollat fillore dhe në gjimnaze, Rama ik është sot në buzën e çdo fëmije që sot jeton në pamundësi ekonomike;

sepse Edi Rama iu pushoi prindërit nga puna;

sepse Edi Rama iu mbylli bizneset prindërve të tyre;

sepse Edi Rama i dhunon, i gjobit, i fut në depresion dhe i detyron të largohen nga vatrat e tyre në kërkim të një pune në kurbet.

Është sot në buzën e çdo fëmije ky kushtrim që jep gjithçka për të marrë vlerat e arsimit, por nuk i merr dot në shkollat e katandisura në qymeze nga hajdutëria e Edi Ramës. Ndaj sot kushtrimi juaj, është kushtrimi i fëmijëve të Shqipërisë: Rama ik!

Rama ik është sot kushtrimi i rinisë shqiptare që e ka mbushur këtë shesh me energjinë më të madhe, më mahnitëse, më magjike që ka parë ndonjëherë Shqipëria dhe Europa.

Rroftë rinia shqiptare!

Zoti ju bekoftë ju!

Ju shpresa e këtij vendi, ju brezi i parë europian i shqiptarëve, sepse e ka bërë të pamundur, e ka bërë të pamundur jetën për ju, duke ju detyruar të ballafaqoheni me krizën totale të arsimit të lartë, me krizën totale të punësimit duke ju zbehur ëndrrat, shpresat më të bukura që ka parë ndonjëherë ky vend për të ndërtuar jetën tuaj këtu, njësoj si bashkëmoshatarët tuaj europianë.

Rama ik është në buzën e rinisë shqiptare sepse Edi Rama njeriu që për karrigen e tij dhe për pasurinë e tij shet gjithçka, shkatërroi arsimin e lartë, rriti tarifat, i bëri universitetet të kemi turp prej cilësisë së mësimdhënies dhe kushteve afrikane ku ndodhen. Arsimi me cilësinë më të ulët, çmimet më të larta  për studentët shqiptarë dhe detyroi 43 mijë studentë të braktisin universitetet për shkak të tarifave të larta, për shkak të paaftësisë dhe hajdutërisë, se paratë e prindërve tuaj i bën rrush e kumbulla, i vjedh me një grusht oligarkësh, ndërkohë që rinia shqiptare, studentët shqiptarë enden rrugëve të pastudiuar, të padiplomuar dhe, kur diplomohen, enden të papunësuar.

Ndaj është kushtrimi ynë sonte, kushtrimi i çdo të riu, i çdo të reje shqiptare: Rama ik!

Bashkë me ta janë edhe pedagogët, mësuesit, intelektualët, akademikët, elita e mendjes dhe e shpirtit të shqiptarëve, të cilët janë trajtuar prej Edi Ramës si armiq të vërtetë, vetëm e vetëm se janë armiq të injorancës, janë armiq të autokracisë orientale. Sepse janë të dashuruar me dijen, sepse duan që dija ta çojë rininë dhe këtë komb përpara drejt Evropës. Sepse nuk e mbyllin gojën, sepse nuk e ulin kokën, ndaj persekutohen, dhunohen, shantazhohen, pushohen nga puna.

Ndaj në këtë vend, si në asnjë vend të Evropës, por as të Azisë, as të Afrikës, 30 vite pas shembjes së komunizmit, Edi Rama asgjeson Akademinë e Shkencave dhe kthen karikaturën e diktaturës në krye të Akademisë së Shkencave, njësoj si në krye të Kuvendit. Sepse ai vetë është një karikaturë e diktaturës, që s’ka asgjë të përbashkët me intelektin, asgjë të përbashkët me shkencën, me artin me dijen.

Ndaj sot, ushton nga ky shesh në emër të çdo pedagogu universitar, në emër të elitës dhe shpirtit, dhe mendjes, në emër të artistëve që mbrojnë Teatrin Kombëtar, për ta dhe për të gjithë intelektualët e tjerë, ushton thirrja: Rama ik”.

Sot janë derdhur këtu në këtë shesh mijëra qytetarë të cilët do ta shpjegonin fare mirë gjëmën që e ka emrin Edi Rama për biznesin e vogël, për sipërmarrjen e vogël shqiptare, e cila është e mbytur në borxhe, është e mbytur në taksa, është e shkatërruar në themel  nga paaftësitë dhe hajdutëria e Edi Ramës dhe bandës së tij qeveritare, që për të favorizuar një grusht oligarkësh, një grusht banditësh grabitqarë, të cilëve po iu fal gjithë Shqipërinë, falimenton çdo ditë 50 biznese të vogla shqiptare. 50 a më shumë kryefamiljarë a punëtorë  në mes të katër rrugëve që të vjedhë Edi Rama, hajduti më i babëzitur i 30 viteve pluralizëm.

Ndaj me ne këtu, me një kushtrim dhe le ta themi në emër të sipërmarrjes, fuqishëm kushtrimin e tyre: Rama ik!

Jemi këtu krah për krah një ushtrie njerëzish të papunë nga paaftësitë kriminale të banditëve dhe hajdute të Edi Ramës që me urdhër politik i nxorri nga administrata publike vetëm sepse i shërbenin ligjit dhe jo bandës kriminale, të cilët dolën sepse ekonomia që premtoi 300 mijë vende pune mbeti mashtrimi më i madh i Edi Ramës. Dhe sot 300 mijë vendet e punës kemi 400 mijë të papunë. Kjo është dhurata e kryeministrit më të dështuar, më të korruptuar, më hajdut dhe më të inkriminuar, ndaj në emër të çdo të papuni, le ta themi sot në këtë shesh kushtrimin e tyre: Rama ik!

Në emër të këtyre 160 mijë familjeve fermere që të shtyra në kufijtë e ekzistencës nga e vetmja qeveri në këtë kontinent, që nuk jep asnjë kacidhe mbështetje direkte për fermerët, që ka vënë traun për produktet e tyre që të shkojnë për eksport, por ka hapur dyert e importit produkteve të subvencionuara, produkteve kontrabandë që e ka kthyer në punën më të vështirë, punën e fermerit shqiptar, punën e blegtorit shqiptar, jo në një bekim, por në një mallkim për ta; ndaj dëgjohet nga fushat e Devollit, fushën e Myzeqesë: Rama ik!

Në emër të motrave dhe vëllezërve tanë më të rritur, në emër të prindërve, nënave, baballarëve tanë pensionistë që Edi Rama i vodhi me faturën e kripur të energjisë, me faturën e ilaçeve, më faturat barbare të ilaçeve, me listën korruptive të barnave të rimbursueshme dhe spitalet e shkatërruara, me mungesën totale të kujdesit, ku një në tre prej tyre nuk ushqehen dot, ushton jo vetëm si një kushtrim, por si një mallkim. Rama ik.

Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj!

Ky komb është bashkuar në histori rreth kauzave të mëdha dhe me bashkimin e tij ka bërë të mundur mposhtjen e së keqes, largimin e së keqes dhe ka hapur rrugën drejt përparimit të tij. Kështu e hodhëm diktaturën, kështu i hapëm rrugën Shqipërisë për t’u bërë si e gjithë Evropa, kështu e anëtarësuam në NATO dhe i hoqëm vizat për qytetarët shqiptarë. Kurrë më parë kërcënimi për të ardhmen tonë, për të ardhmen e çdo shqiptari, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për vlerat tona si komb e shoqëri, nuk ka qenë përmbledhur në një grusht kaq të vogël banditësh, oligarkësh dhe politikanësh kriminelë, me në krye Edi Ramën.

Prandaj, kjo kauzë kombëtare dhe evropiane do të zgjidhet siç i ka zgjidhur Shqipëria dhe shqiptarët e bashkuar, me vlera, me besim, me kurajo, por vetëm e vetëm pasi të largojmë shkaktarin e kësaj zezane. Rama ik.

Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj!

Ora e tiranisë po numërohet mbrapsht, ora e lirisë po afron. Rama ik.

Askush nuk e ndal dot fuqinë e një kombi të bashkuar për liri, për demokraci.

Rama ik.

Vëllezër dhe motra!

Më lejoni ta ndaj këtë mesazh me ju. E di që jeni të zemëruar, e di që jeni të dhunuar, më lejoni ta ndaj këtë mesazh me ju. Sot, Edi Rama ka një dhe vetëm një propozim për ju. Propozimi për ju është ky: ju vodhi votat në 2017 me kriminelët dhe asnjë nuk mbajti përgjegjësi, vodhi qindra milionë euro me oligarkët e asnjë nuk mbajti përgjegjësi, askush nuk shkoi para drejtësisë. Vodhi 40 milionë euro tek Unaza e Re, banorët në burg, u theu këmbët nënave që mbronin shtëpitë e tyre, asnjë politikan i korruptuar para drejtësisë. Dhe tani, kur ne themi se nuk e pranojmë më padrejtësinë, nuk e pranojmë më hajdutërinë, përgjigjja e tij është: Do ju vjedh 10 herë më shumë. 30 milionë tek Unaza, 300 milionë tek Milot-Balldren. Kjo është përgjigjja e hajdutit, kjo është përgjigjja e banditit. Rama ik.

A munden shqiptarët ta pranojnë këtë përgjigje? A munden shqiptarët ta pranojnë skllavërinë e krimit?

A e pranoni ju?

(protestuesit) – Joooooo.

A e pranon Shqipëria?

(protestuesit) – joooo.

A jeni ju skllevër të krimit?

(protestuesit) – joooo.

Sigurisht që jo. Ne jemi shqiptarët e Evropës, ne do ta mundim krimin, ne do ta shporrim qeverinë e krimit. Rama ik.

Ora kur këtë vend e mbante peng një njeri i vetëm, ora kur qeverinë e drejtonte një njeri i ardhur në pushtet me bandat, ora kur shtëpitë tuaja, xhepat tuaj, buxhetin tuaj, i vjedh një makut i vetëm do marrë fund. Rama ik.

Asgjë mbi tokë nuk e ndal kurajon e prindit që lufton për bukën e gojës të fëmijëve të tij, asgjë nuk mund ta ndalë kurajon e shqiptarëve të bashkuar që luftojnë për liri, për demokraci, për Shqipërinë si e gjithë Evropa.

Sot Edi Rama u kthye në vendin e krimit të dyfishtë, aty ku po planifikon vjedhjen e shekullit, 300 milionë euro, 15 milionë euro për një kilometër rrugë fushore, paratë e vogëlushëve shqiptarë, paratë e prindërve shqiptarë, paratë e pensionistëve shqiptarë. Krimi tjetër; socialistë lezhjanë, ku i keni intelektualët? Ku i keni militantët e vlerave socialiste? Ju ka sjellë njeriun që u largua me urdhër të partnerëve strategjikë, bashkëpunëtorin e bandave kriminale, ju ka sjellë kandidatin për në burg të Dosjes 184, Pjerin Ndreun e krimit, mikun e tij. Kjo është oferta e tij për Lezhën, kjo është oferta e Ramës për Shqipërinë. Rama ik.

Nuk mund të pranojmë dhe nuk do të pranojmë kurrë errësirën e tiranisë së krimit, nuk mund të pranojmë kurrë monizmin, procesin kriminal që po u ofrohet shqiptarëve në vend të zgjedhjeve të lira e të ndershme. E gjithë beteja jonë bëhet për zgjedhje të lira e të ndershme, e gjithë beteja jonë bëhet për vlera evropiane. Nuk mund të pranojmë Edi Ramën dhe bandën e tij ta mbajnë përherë të mbyllur derën e Evropës, sepse ajo është shpresa jonë, ato janë vlerat tona. Rrugën tonë të Evropës do ta hapim. Rama ik!

Vëllezër e motra!

Mos lëndoni asnjë oficer dhe efektiv policie! Mos prekni asnjë oficer policie!

Vëllezër dhe motra!

Mos i prekni me dorë, sepse, hiq dy a tre servilë të inkriminuar, edhe pse buzët e tyre nuk e thonë dot, mendjet e tyre e mendojnë. Unë i njoh këta burra dhe gra, kam punuar me ta, kemi mundur drogën, kemi hequr vizat. Ata nuk flasin por shpirti i tyre këndon: Rama ik, Rama ik, Rama ik.

Vëllezër dhe motra!.

Kjo pra me dy fjalë është beteja. Edi Rama erdhi deri këtu sepse vodhi votën tuaj, vullnetin tuaj. Kështu kapi parlamentin, kështu kapi qeverinë, kështu shkatërroi gjykatat, kapi prokurorinë, shërbimin sekret, kapi të gjitha pushtetet, nënshtroi mediat dhe mendoi se ja hodhi lumit. Nga 40 milionë tek Unaza e Re, 300 milionë tek Milot-Balldren. Kjo është pacipësia e pushtetit të pakontrolluar. Këto janë gjëmat e të gjithë pushteteve në një dorë. Prandaj Evropa i ka ndarë dhe ne do t’i ndajmë, me kushtetutë, me votën tuaj, me një parlament që buron vetëm nga vota juaj dhe jo nga diktati i krimit. Me një apo dy dhoma, siç do ta vendosni ju. Me balancim dhe ndarje të pushteteve, me zgjedhje të lira dhe të ndershme, do ta hapim rrugën e bllokuar, do ta çelim horizontin e shpresës, të mirëqenies, të zhvillimit, të punësimit, të ekonomisë që punon për ju.

Kjo është Shqipëria që ata duan, Shqipëria e një horr-kryeministri, e një hajduti, ku vetë burimet ndërkombëtare citojnë se ka 200 milionë euro pasuri, e sheikut të Surrelit, që është shkëputur tërësisht nga realiteti. Kufoma politike e rilindjes sot mezi lexonte edhe plagjiaturën e Albin Kurtit nga Lezha, sepse ja keni dridhur këllqet sepse sado t’i mbyllë veshët, i oshëtin në kokë thirrja e një populli sovran: Rama ik. Thirrja e një populli, i cili mbeti në këmbë, u zgjua, u vetëdijësua, u bashkua.

Sot nuk ka forcë që e ndal për të marrë në dorë fatet e tij. Rama ik.

Bashkë do të ndërtojmë një kontratë europiane të bashkëjetesës. Aty do të ketë vend për të gjithë dhe të gjithë njerëzit e dinjitetshëm do të jenë të nderuar dhe të respektuar, pavarësisht prej bindjeve të tyre politike, demokratë e socialistë, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Të gjithë shqiptarët të bashkuar në një kontratë vlerash europiane, ku kurrë më puna e ndershme nuk do të përdhoset dhe nuk do të taksohet për ta nxjerrë jashtë tregu, ku kurrë më i dobëti nuk do të goditet dhe drejtësia të ndëshkojë në vend që të ndëshkojë kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin.

Por që t’i hapim rrugë kësaj kontrate europiane, vëllezër dhe motra, beteja duhet çuar deri në fund me fitoren e popullit të bashkuar.

Rama ik!

Tani ju lus, një minutë heshtje në nderim të vëllezërve dhe motrave tona, besimtarë në agjërim.

Zoti ua pranoftë dhe ua shpërbleftë sakrificën hyjnore. E ktheftë atë në dritë e bekim për gjithë Shqipërinë dhe çdo shqiptar.

Në respekt të tyre i bashkojmë dhe ne lutjet tona, që Zoti i Madhërishëm ta bekojë këtë shoqëri e këtë komb e ta pastrojë nga vesi.

I pranuar qoftë agjërimi juaj! E bekuar sakrifica juaj të dashur vëllezër dhe motra agjërues anembanë Shqipërisë, anembanë kombit dhe, në veçanti, ju që jeni këtu madhërishëm në këtë protestë. E keni bërë sakrificën tuaj personale pjesë të bekimit kombëtar, të kësaj levizje të pandalshme për liri, demokraci dhe për dinjitet.

Zoti ju bekoftë ju!

Dua ta them fare qartë sot, se koha për lojrat e Edi Ramës po merr fund.

Kufoma politike që i dridhej dora teksa lexonte plagjiaturën e Albin Kurtit në Lezhë, tregon qartë se pushteti i krimit ka vdekur moralisht, por ai duhet kallur dhe politikisht.

Pushteti i marrë me votat e krimit, pushteti i ologarkëve grabitqarë, që e mbajnë me serum në koma organizatën kriminale të Rilindjes, pushteti i hajdutëve më të mëdhenj që ka njohur historia më në krye Edi Ramën, ka marrë fund moralisht në sytë e çdo shqiptari. Edhe në sytë e socialistëve të ndershëm.

Por nuk ka marrë fund politikisht akoma.

Kjo është në dorën tonë, kjo është në dorën tuaj.

40 milion euro vodhi te Unaza e Re dhe kur mbeti pa ndëshkuar, kur mbeti pa e marrë atë që po të merrte në çdo vend tjetër të Europës, tani po shkon të vjedhë 300 milion tek Milot-Balldren.

E mori pushtetin me kriminelët në 2017-ën, tani kriminelët politikanë që e ndihmuan, po i bën apo do që t’i bëjë kryetarë bashkie. Ky është propozimi i vetëm i Edi Ramës.

Kjo është sfida ndaj çdo shqiptari. Me fjalë të tjera; më lini këtu ku jam se do t’ju vjedh edhe më shumë. Do t’ju poshtëroj edhe më shumë, do t’ju dhunoj edhe më shumë, do t’ju nëpërkëmb edhe më shumë. Do ta fus dorën për t’ju marrë edhe qindarkën e fundit dhe do t’ju vë kriminelët mbi kokë, zuzarët e këtij vendi, për t’ju menaxhuar ju, pronat tuaja, familjet tuaja, punën tuaj, dinjitetin tuaj.

Unë e di se ky bashkim i madh zemrash sot në këtë shesh, e ka grisur me kohë propozimin e Edi Ramës. E ka hedhur atë në koshin e plehrave.

Ndaj le ta përsërisimin fare qartë kundërpropozimin tonë të vetëm:

Ndërsa ora numërohet mbrapsht, ke një dhe vetëm një rrugë Edi Rama!

Rama ik. Një qeveri tranzitore, zgjedhje parlamentare.

Një parlament të popullit, nga populli dhe për popullin, është rruga e vetme europiane e zgjidhjes së kësaj krize. Dhe ne jemi këtu për zgjidhje europiane, për zgjidhje të standarteve perëndimore. Ne nuk do të pranojmë asgjë më pak!

Rama ik!

Çdo ditë që kalon e shton zullumin. Çdo orë që kalon e bën më akute nevojën për zgjidhje politike.

Bekimi i zotit mbi këtë shoqëri, është bashkimi ynë. imagjinojeni Shqipërinë pa këtë bashkim, imagjinojeni Shqipërinë pa këtë kurajo, nën çizmen e Kryehajdutit dhe bandës së tij. imagjinoni fëmijët tuaj, vajzat tuaja, djemtë tuaj, prindërit tuaj, pa forcën e këtij bashkimi që e ka futur Edi Ramën në vrimën e miut, në dëshpërim, në antimitingje, në dështimin më total. Këtë ka për hak çdo tradhtar i interesit publik, çdo hajdut i së ardhmes së vogëlushëve shqiptarë. Rama ik!

Ndaj ju ftoj ta merrni këtë, jo thjeshtëdhe vetëm si mirënjohjen e një njeriu apo të disa partive, po si mirënjohjen e fëmijëve tuaj, sepse po afron dita e bekuar kur ata ta kthejnë, t’ju shohin në sy e të ju falenderojnë që e çliruat Shqipërinë nga kjo bandë zuzarësh. Që ia kthyet Shqipërisë destinin e saj hyjnor, vlerat e saj të vërteta, drejt të cilave do ta çojmë pa u ndalur, vlerave të Shqipërisë si gjithë Europa.

Tani, koha e fjalëve të tepërta ka mbaruar. Mesazhet tona janë të plota dhe të qarta.

Vendosmëria juaj flet vetë, me praninë në këtë shesh, me qëndresën në këtë shesh, me përballjen në këtë shesh, edhe në çdo shesh e në çdo rrugë, deri sa ta largojmë tiraninë e krimit, derisa t’i hapim rrugë Shqipërisë për gjithë shqiptarët, Shqipërisë që çdo shqiptar që do, Shqipërisë burimet e së cilës nuk grabiten nga një grup oligarkësh, port ë prodhojë mirëqenie e punësim për të gjithë banorët e këtij vendi.

Ne e kemi gati programin dhe vizionin, vendosmërinë tonë për ta çuar betejën përpara, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Mjerë ai që kujton se këtë energji mund ta injorojë me antimitingje dhe me plagjiatura. Mjerë ai grusht oligarkësh e ndonjë pronar mediash, dhe grusht kriminelësh kudo që të jetë, që mendon se mund ta mbajë me serum kufomën politike të organizatës kriminale të Rilindjes dhe kreun e bandës, Edi Ramën.

Ka vetëm një rrugë për ta zgjidhur këtë politikisht një orë e më parë, përndryshe, fatura do të jetë për Edi Ramën dhe ju o grusht horrash dhe banditësh që nuk e mbani dot më Shqipërinë peng.

Rama ik!

Ndaj dua t’ju pyes sonte, në këtë orë të bukur dhe të magjishme të muzgut të bekuar të perëndisë, në këtë orë të muzgut politik të tiranisë dhe lindjes  së një lirie të re, të një demokracie të re, të një Shqipërie si gjithë Europa.

A jeni të gjithë bashkë për ta çuar betejën deri në fund?

Të gjithë protestuesit: Poooo

Të vendosur?

Të gjithë protestuesit: Poooo

Të qartë?

Të gjithë protestuesit: Poooo

Plot me shpresë?

Të gjithë protestuesit: Poooo

Për ta çuar këtë mesazh kudo në vendin tonë, cep më cep të Shqipërisë dhe bashkë me mesazhin edhe kurajon, qëndresën, për ta ndriçuar çdo pëllëmbë të vendit ku errësira e dëshpërimit, të mposhtet nga drita e kurajos tuaj dhe për t’ia bërë ferr të tiranisë së krimit, orë që po i mbarojnë . Tik-tak-tik-tak.

Ju ftojmë ta ndezim në këto momente dritën e shpresës nga ky bulevard e ta shtrijmë atë, si imazhin e bekuar të fitores që po vjen.

Le të ushtojë nga ky shesh i magjisë së sovranit, thirrja juaj: E duam Shqipërinë si gjithë Europa

E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

Do të doja shumë të ishit këtu me mua e ta shikonit siç e shoh me sytë e mi, magjinë e kësaj energjie hyjnore nga shpirtrat tuaj, nga duart tuaja, nga mendjet tuaja.

E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

Me dritën lart, të bashkuar sup me sup e krah për krah me njëri-tjetrin, ju ftoj të marshojmë sëbashku drejt asaj që është akoma strofkulla e krimit, por që energjia juaj do ta çlirojë e do t’ja kthejë sovranit.

Të gjithë bashkë drejt parlamentit, për t’ia bërë kështu të qartë Shqipërisë dhe gjithë botës se beteja jonë do të vazhdojë deri në fitore.

Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Fitore!

 

FJALA E KRYETARIT TË OPOZITËS, LULZIM BASHA, TEK SELIA E PARTISË DEMOKRATIKE PAS MBYLLJES SË PROTESTËS.

 

Së pari dua t’ju falenderoj nga zemra, për qytetarinë, për shpirtin e qëndresës, për vendosmërinë që demonstruat sot me praninë më të madhe që ka parë ndonjëherë Shqipëria, Ballkani dhe Evropa në një protestë për liri, për zgjedhje të lira, pa të cilat nuk mund të ketë demokraci.

Vëllezër dhe motra, qindra mijë prej jush, në këtë protestë sollët me vete energjinë, vendosmërinë, shpresën e besimin tek e nesërmja e re që po lind.

Mesazhi i parë, i qartë dhe i prerë është se Edi Rama dhe banda e tij kriminale do ta harrojnë njëherë e përgjithmonë se mund ta mbajë pushtetin e marrë me dhunë duke dhunuar qytetarët, duke dhunuar votën e tyre, duke vënë kriminelë dhe bedelë të krimit në një proces fals për të imponuar krimin në çdo nivel të qeverisjes. Edi Rama dhe banda e tij ta harrojnë, shqiptarët nuk do të pranojnë dhe nuk do të lejojnë mbajtjen e pushtetit me dhunë.

Vëllezër dhe motra, gjatë protestës tonë ne bëmë gjithçka, siç kemi bërë gjithmonë, që asnjë punonjës i thjeshtë i rendit, dhe s’e kam fjalën për horrat që hedhin gazin lotsjellës, që ju godasin çnjerëzisht, por e kam fjalën për ata vëllezër e motra, që ju qan zemra njësoj si shumicës dërrmuese të shqiptarëve, që të mos jenë më të çnderuar, sepse uniformën e shtetit, Edi Rama e ka vënë në shërbim të krimit, në shërbim të drogës, në shërbim të hajdutërisë.

Pavarësisht prej përpjekjeve tona, përgjigjja brutale e kriminelëve të kupolës, që s’kanë asgjë të përbashkët me policinë, me ligjin, me kushtetutën, ishte dhunë disproporcionale, si rezultat i së cilës janë plagosur disa protestues, me fraktura në kokë dhe plagë të thella në këmbë.

Po i them sot Edi Ramës dhe sejmenit të tij, zuzar dhe sadist, Sandër Lleshaj se do të mbani përgjegjësi para ligjit. Se asgjë nuk harrohet e fshihet dhe se përpjekja juaj tinzare për t’i faturuar dhunë një proteste kundër dhunës, do të marrë përgjigjen e merituar.

Ne nuk hedhim asnjë hap pas.

E sotmja është dita e fundit, kur unë ju drejtohem me argumentet e arsyes, gjithë atyre me përgjegjësi në kupolën socialiste, sepse koha për fjalët po mbaron dhe në protestën e ardhshme, fjalën do ta ketë vetëm sovrani, vetëm populli, vetëm ju.

E gjithë bota e di që ky është një pushtet i marrë me dhunën e krimit. E gjithë bota e ka parë se ky është një pushtet që mbrohet me dhunën e krimit dhe bedelëve të krimit në kupolën kriminale të Sandër Lleshajt dhe Ardi Veliut.

Ne nuk pranojmë pushtet të marrë me dhunë.

Harrojeni se do ta mbani pushtetin me dhunë, kthejani sovranit atë që i keni vjedhur sovranit.

Hapini rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si zgjidhja e vetme politike.

Lereni sovranin të flasë me votën e lirë dhe jo me kërcënimin e bandave kriminale dhe parave të drogës që përbëjnë sot bandën, kupolën, që i thotë vetes qeveri, por që shqiptarët e njohin si skota më barbare, më e babëzitur dhe më hajdute.

Lëreni popullin të flasë me votë, lerini qytetarët të flasin me votë.

Largohu siç do të ishte larguar me dhjetra herë çdo kryeministër ballkanas, qindra herë çdo kryeministër europian.

Lerë popullin të flasë me votë të lirë e të ndershme ose, ndryshe, ndjeja zërin popullit në protestën e ardhshme.

Asnjë shpresë e vakët e gangove, oligarkëve kriminelë dhe politikanëve të bërë një grusht, se do ta mposhtë apo do ta zvogëlojë bashkimin popullor kundër të keqes, nuk mund të qëndrojë gjallë.

Sot keni bekuar me praninë tuaj, portën e shenjtë të daljes nga kjo krizë e cila është një dhe vetëm një: Porta e vlerave europiane, e zgjedhjeve të lira pa Edi Ramën kryeministër, me qeveri që garanton votën e qytetarëve.

Unë e di që çdo shqiptar sot, nuk kërkon asgjë më shumë se të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutë, po që kjo Kushtetutë ka rënë në këmbët e krimit.

Unë e di që luftoni të keni të njëjtat të drejta si çdo qytetar europian dhe sot dua t’ju përsëris zotimin tim, të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të opozitës së bashkuar, se nuk kërkojmë asgjë më shumë, por nuk do pranojmë asgjë më pak se Evropa, se Perëndimi, se vlerat që na bashkojnë: zgjedhje të lira e të ndershme.

Lëre sovranin të flasë me votë ose dëgjoja zërin në protestën e ardhshme.

Zoti ju bekoftë Ju!

Zoti e bekoftë Shqipërinë e ëndrrave tona, Shqipërinë e vlerave evropiane!

Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa.

Kështu të gjithë bashkë, edhe më të vendosur, sup më sup me njëri tjetrin, ballëlartë para historisë dhe vogëlushëve tanë dhe atyre që do të vijnë, le ta çojmë këtë betejë për Shqipërinë Evropiane drejt të vetmit destin, fitores së popullit, fitores së Shqipërisë.

Fitore! Fitore! Fitore!

Zoti ju bekoftë ju!

Mirë u takofshim në protestën e ardhshme!