Lideri i opozitës Lulzim Basha u prit me entuziazëm të pazakontë, si në Gjirokastër, ashtu edhe në Mallakastër. Pavarësisht reshjeve të shiut, mallakastriotët dolën me makinat e tyre për të pritur zotin Basha me thirrjen më popullore sot në Shqipëri “Rama ik”. Duke i falenderuar për pjesëmarrjen e jashtëzakonshme, megjithë motin e pafavorshëm, kreu i opozitës tha se Rama Ik është thirrja që oshëtin sot në të gjithë Shqipërinë, nga Jugu në Veri, nga Gjirokstra në Korçë e deri në Tropojë. Në Mallakastër, Basha theksoi se arritja më e madhe e opozitës pas dorëzimit të mandateve është bashkimi i shqiptarëve, pavarësisht bindjeve politike, në betejën për Shqipërinë europiane me zgjedhje të vërteta, me parlament e qeveri të vërtetë, të pakapur dhe të pablerë nga krimi e korrupsioni.

 

“Ndonëse në këtë shesh valëviten flamuj kombëtarë dhe të PD ka edhe vëllezër e motra socialistë mallakstriotë që nuk kanë gjë të përbashkët me hajdutërinë dhe tradhëtinë e rilindjes, me braktisjen nga Edi Rama të shqiptarëve, me korrupsionin dhe krimin. Edhe socialistët kanë të njëjtat halle si demokratët, paguajnë të njëjtat çmime të rritura të naftës e të energjisë, por ndjehen dyfish të tradhëtuar, se sollën në pushtet një njeri që e ndau pushtetin me krimin. Bashkimi i tyre në këtë shesh është parathënia e një bashkimi edhe më të madh më 11 Maj në Tiranë. Përballë nuk janë më Shqipëria blu dhe Shqipëria e kuqe. Jo! Shqipëria kuqezi është bashkuar me PD dhe opozitën.” – tha Kryetari Basha.

 

Lideri i opozitës u shpreh se në këtë betejë, të cilës i janë bashkuar edhe socialistët e ndershëm, janë përballë Shqipëria e shumicës dhe Shqipëria e pakicës.

 

“Sot, në Ditën e Europës, është momenti ta themi qartë se këto dy Shqipëri, e shumicës së shqiptarëve të tradhëtuar, të braktisur, të shpunësuar e të varfëruar të shqiptarëve të shpunësuar, të tradhëtuar dhe ajo e një grushti njerëzish, që nuk janë as socialistë, as të majtë, por politikanë të korruptuar, të lidhur me krimin, që grabisin gjithçka, naftën, mineralet, buxhetin, bregdetin, të ardhmen e fëmijëve tuaj; këto dy nuk rrinë dot në krah të njëra-tjetrës. Njëra do të qëndrojë, tjetra do të largohet. Që Shqipëria europiane të qëndrojë, duhet që Shqipëria e shumicës të fitojë betejën e nisur më 16 shkurt: zotër të fateve tuaja, zotër në shtëpinë tuaja. Kjo është beteja, kjo është fitorja që na pret.” -u shpreh kreu i opozitës.

 

Kryetari Basha, i cili po lëviz në të gjithë Shqipërinë tha se, ndryshe nga herët e tjera, e veçanta e takimeve këto ditë, është shpresa dhe besimi i qytetarëve tek e nesërmja.

 

“Ne do t’i japim fund zgjedhjeve me krimin, që pjellin qeveritë e krimit, me krimin dhe për krimin. Ne do ta presim nyjen që lidh krimin me politikën. Do ta lidhim fatin e çdo qeveritari me qytetarin. Ata nuk do të jenë më peng i krimit dhe i oligarkëve, i besove, që ju thithin gjakun dhe ju vjedhin naftën. Beteja që na bashkon më 11 Maj është beteja për të rrëzuar Shqipërinë e frikës dhe për të lartësuar Shqipërinë e shpresës dhe të besimit.”- theksoi Basha

 

Duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestën kombëtare të 11 Majit, Basha tha se ajo është dita e bashkimit për të larguar politikanë te korruptuar që, duke vjedhur pasuritë e shqiptarëve, janë bërë më të pasur se sheikët arabë.

 

“Të gjithë bashkë në Tiranë më 11 Maj për Shqipërinë si gjithë Europa, për zgjedhje të lira e të ndershme, me qeveri tranzitore pa kasapin e zgjedhjeve, pa Edi Ramën kryeministër. Beteja për zgjedhje të lira e të ndershme ju do të vendosni që Mallakastrën të mos ia dorëzoni krimit, por me Agron Kapllanajn të vazhdoni betejën me një qeveri në krahun e tij dhe në krahun tuaj, për të përmirësuar jetën e përditshme, një qeveri që punon për ju dhe për mirëqenien tuaj” – u shpreh kryetari Basha mes entuziazmit të qytetarëve të Mallakastrës.