• Sot është 9 Maji, Dita e Europës, dhe sot nga Gjirokastra, kjo energji e jashtëzakonshme, frymëzuese për kauzën tonë të drejtë, i thotë çdo shqiptari, pavarësisht prej bindjeve politike, pavarësisht prej moshës, pavarësisht prej krahinës, pavarësisht prej fesë, se ky komb është i bashkuar dhe i vendosur për Shqipërinë si gjithë Europa.

 

  • Nuk është rastësi që gjithsecili prej hapave drejt Evropës është ndërmarrë nga demokratët shqiptarë, nga PDSH, që në antarësimin në Këshillin e Europës, firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit, marrjen e ftesës për në NATO, anëtarësimin në NATO, heqja e vizave për shqiptarët, si dhe rekomandimin pozitiv për anëtarësim në BE.

 

  • Në skenën e vendimit të madh politik, ne demokratëve dhe ne shqiptarëve, po na thërret vokacioni ynë i patjetërsueshëm perëndimor, ndaj thirrja ime e parë ndaj gjithë qytetarëve gjirokastritë, të Libohovës, qytetarëve të minoritetit etnik grek në Dropull dhe kudo ku janë, bashkëqytetarëve tanë vllehë kudo ku jetojnë, të Tepelenës, të Memaliajt, të Labërisë, Këlcyrës dhe Përmetit, është: Të bashkohemi me 11 maj për Shqipërinë si gjithë Europa!

 

  • Sot në këtë Ditë të Evropës mesazhe kanë ardhur, të qarta dhe të prera, për qeverinë e paligjshme të Edi Ramës. Mesazhe të qarta nga Berlini se pa u hetuar e pa shkuar në burg, pa u dënuar politikanët që vodhën zgjedhjet e 2017-s, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat.

 

  • Dua t’ju them tellallëve dhe haberxhinjve të Edi Ramës, se në këtë betejë nuk jemi futur as për pushtet personal, as për karrige personale, nuk është se duam thjesht dhe vetëm një rotacion politik, jo thjesht të kapërcehet për t’i zënë vendin një krizë tjetër, por të lihet prapa njëherë e mirë, ndaj na duhet një reformë e thellë e sistemit politik.

 

  • Ky transformim politik është garancia reale që pushteti i ri që do të vijë, i kryesuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë do të bëjë realitet programin e saj, do t’i japë fund mjerimit social, do të godasë në zemër padrejtësitë me të cilat janë përballur qytetarët e Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë.

 

  • Do ti japim fund emigracionit të të rinjve. Nuk do të shkojnë në punë të zeza në rrugët e Evropës, por do punojnë këtu, sepse Shqipëria me sistemin e taksës së sheshtë 9 %,  do thithë investime të huaja. 2 milion vende të reja pune kërkon ekonomia gjermane në fushën e teknologjisë së informacionit.

 

  • Reforma politike që po vjen, e cila do të ketë vulën e sovranit, do të sanksionohet me votë në referendum kombëtar, ku do të votojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, do të mundësojë me dy fjalë, që çdo qeveri, çdo parlament, të jetë peng vetëm i vullnetit të qytetarëve shqiptarë dhe votës së tyre.

 

  • Sot janë përballë, Shqipëria e frikës me Shqipërinë e shpresës, por si asnjëherë këto 6 vite, Shqipëria e frikës është tkurrur në një grusht njerëzish, me në krye një vulëhumbur, një grusht kriminelësh, një grusht hajdutësh grabitqarë, dhe Shqipëria e shpresës që është derdhur në sheshet dhe rrugët e vendit

 

  • Shqipëria e shpresës po ngrihet. Kjo është një betejë për jetë a vdekje. Këto dy Shqipëri, nuk mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën. Ose Shqipërinë e frikës, varfërisë, mjerimit, hajdutërisë dhe krimit, ose Shqipërinë e shpresës, lirisë, demokracisë, mundësive, punësimit dhe mirëqenies

 

  • Le ta bëjmë ne demokratët edhe njëherë këtë detyrë të madhe ndaj kombit, pa shikuar përfitimin tonë të ngushtë politik, por të vendosur për ta çuar deri në fund, premtimin tonë ndaj shqiptarëve, misionin tonë hyjnor për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa

 

  • Këtu në këtë sallë, përmblidhet sot emocioni që ndjej kudo nëpër Shqipëri. Le ta bashkojmë këtë energji, le ta bëjmë këtë energji edhe më të madhe, me pjesëmarrje maksimale dhe vendosmëri patriotike. Të gjithë në Tiranë, të shtunën në orën 18.30.

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË AKTIVIN E QARKUT GJIROKASTËR

 

Mirëse ju gjej zonja dhe zotërinj,

Mirëse ju gjej të rinj dhe të reja.

Zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike Gjirokastër, Zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike të Tepelenës, Zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike Memaliaj, Zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike të Përmetit, Profesor, doktor Tritan Shehu, z. Kryetar i Bashkisë së Dropullit, Zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike të Këlcyrës,

Vëllezër dhe motra, më lejoni ta nis këtë takim me mirënjohjen më të thellë për këtë pritje të jashtëzakonshme, të paprecedentë, nga Krasta, nga Memaliaj, nga Tepelena, nga Luftinja, nga hyrja për në Këlcyrë, për në Përmet dhe në veçanti nga hyrja për në Gjirokastër, qindra automjete, qindra mijëra qytetarë, të rinj dhe të reja dhe në duar simbolet tona, flamurin kuqezi, flamurin e PD, flamurin e BE, flamurin e SHBA, flamurin e NATO-s, simbolet e demokratëve shqiptarë, simbolet e shqiptarëve të lirë që besojnë tek demokracia.

Sot është 9 Maji, dita e Europës, dhe sot nga Gjirokastra, kjo energji e jashtëzakonshme, ngjitëse, frymëzuese për kauzën tonë të drejtë dhe të madhe i thotë çdo shqiptari dhe shqiptareje pavarësisht prej bindjeve politike, pavarësisht prej moshës, pavarësisht prej krahinës, pavarësisht prej fesë, se ky komb është i bashkuar dhe i vendosur për Shqipërinë si gjithë Europa.

 

E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

Me këtë ëndërr nisi kryengritja studentore 30 vite më parë. Më këtë amanet u themelua PDSH. 30 vite tranzicion ka qenë një udhëtim plot dhimbje dhe sakrifica drejt Europës kush më shumë se ju qytetarë, banorë të Gjirokastrës ka qenë dëshmitarë i sakrificave të jashtëzakonshme të eksodit masiv drejt Greqisë, ku jeton akoma dhe sot e kësaj dite diaspora më e madhe e emigracionit shqiptar.

Kush nuk i njeh sakrificat, kush nuk i di se dhjetëra të rinj e paguan me jetë tentativën për tu larguar në muzgun e diktaturës dhe agimin e demokracisë. Kush nuk i di vuajtjet, rropatjen për ta shijuar Europën dhe për të sjellë një copëz të Europës pranë vatrave të mjeruara të shqiptarëve nga diktatura. Kush nuk e di rrugëtimin tonë plot sakrifica që është shkruajtur më mirë se në çdo libër dhe në çdo manual në mëmorien e nënave dhe baballarëve të Shqipërisë dhe në veçanti të qarkut të Gjirokastrës në fytyrat e tyra plot halle, derte. 30 vite rendje drejt Europës. 30 vite për të shkuar në Europë dhe padyshim edhe hapa për të sjellë Europën këtu.

Nuk është rastësi që gjithësecili prej këtyre hapave është ndërmarrë nga demokratët shqiptarë, nga PDSH që në antarësimin në Këshillin e Europës, firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit, marrjen e ftesës për në NATO, anëtarësimin në NATO, heqja e vizave për shqiptarët, rekomandimi pozitiv për anëtarësim në  BE.

Vëllezër dhe motra, të gjithë shqiptarët janë bashkëaksionarë të këtyre arritjeve, por ka qenë vetëm lufta e vendosur, reformat e vërteta që kanë ndihmuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që kanë çliruar tregun, që na kanë afruar me Europën.

Sot edhe një herë po na thërret ne skenë, në skenën e vendimit të madh politik, ne demokratëve, Shqipëria, shqiptarët, po na thërret vokacioni ynë i patjetërsueshëm perëndimor, ndaj thirrja ime e parë, thirrja ime ndaj këtij aktivi të përqëndruar ndaj degëve të Partisë Demorkatike, ndaj gjithsecilit prej jush, dhe gjithë demokratëve që përfaqësoni si organizues politikë të këtyre degëve, ndaj gjithë qytetarëve tanë, qytetarëve gjirokastritë, të Libohovës, qytetarëve të minoritetit etnik grek në Dropull dhe kudo ku janë, bashkëqytetarëve tanë vllehë kudo ku jetojnë, të Tepelenës, të Memaliajt, të Labërisë, Këlcyrës dhe Përmetit, është: Të bashkohemi me 11 maj për Shqipërinë si gjithë Europa!

Sepse ëndrra jonë e papërmbushur është dhe mbetet objektivi kryesor i PD, i demokratëve shqipatrë dhe i koalicionit tonë, maxhorancës së re morale, politike dhe numerike në Shqipëri.

Europa ka qenë ëndrra me të cilën lindëm, bahskimi me Europën jo si refugjat, jo si klandestinë, madje as si punëtorë me leje të përkohshme qëndrimi, por si qytetarë të denjë të Europës me kokën lart, ashtu siç i çuam shqiptarët pa vizë në Europë që rropateshin për ditë dhe javë të tëra para dyerve të ambasadave dhe konsullatave dhe prapë nuk e merrnin dot vizën për të udhëtuar, e për të parë të afërmit e tyre. Ashtu e duam Shqipërinë në Europë me shqiptarët kokëlartë, dinjitozë, krenarë dhe jo klandestinë, apo në shkelje të ligjit dhe mjerimit që ka pllakosur mbarë vendin.

E pra që qytetarët tanë të shkojnë krenarë në Europë, na duhet të sjellim Europën këtu, na duhet të kemi standardin europian në çdo fushë të jetës, punësimi i shqiptarëve, mirëqenia e shqiptarëve, pasurimi i shqiptarëve janë objektivi dhe prioriteti i parë i PD, por parakushtet për ta bërë këtë realiett ëhstë të të ndërtojmë dhe të ruajmë standardet e europiane, të demokracisë, të shtetit ligjor, të përfaqësimit politikë.

Nëse i ndërtojmë si në Europë atëherë do të ndërtojmë edhe ekonominë europiane, edhe shëndetësinë europiane, edhe arsimin europian, edhe pensionet europiane.

Nëse i ndërtojmë si atje ku qeveria i hedh duvakun popullit dhe e merr derr në thes zvarrë atëherë nuk do të kemi kurrë Europë në Shqipëri.

Mund të kemi shumë më shumë shqiptarë në Europë, por nuk do kemi kurrë Europë në Shqipëri.

Kjo të nderuar zonja dhe zotërinj është beteja.

Nuk është thjesht dhe vetëm beteja për rotacionin politik. Sepse rotacioni politik është i pashmangshëm, është beteja për të drejtat, parimet dhe vlerat evropiane. Duke nisur me votën e lirë. Nuk ka Evropë për vendet që nuk kanë votë të lirë, nuk ka Evropë për vende ku sundon krimi, në vend të një qeverisjeje të dalë nga vota e qytetarëve, nuk ka Evropa aty ku të korruptuarit promovohen, lartësohen, pasurohen, dhe të pafajshmit goditen, arrestohen, burgosen, shpronësohen, përdhunohen dhe shantazhohen. Nuk ka Evropë në një vend i cili nuk respekton kriteret minimale të shtetit të së drejtës, nuk ka Evropë në një vend ku qeveria është bërë njësh me krimin, dhe bashkë me krimin ka kapur parlamentin, qeverinë, ka shkatërruar Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, ka shkatërruar procesin politik zgjedhor, dhe u ka dhënë kriminelëve dhe oligarkëve të gjithë pasurinë e vendit, buxhetin e shtetit, taksat e shqiptarëve, lejet e ndërtimit, prokurimet publike, tenderat, çdo favor qeveritar, emërimet në administratë, të gjitha të diktuara nga krimi i organizuar, i bërë njësh me qeverinë e dalë jo nga vota e qytetarëve, jo nga vota e gjirokastritëve, por nga votat e blera me paratë e drogës e të krimit, nga votat e diktuara nga krimi i organizuar dhe mafia.

Sot në këtë Ditë të Evropës mesazhe kanë ardhur, të qarta dhe të prera, për qeverinë e paligjshme të Edi Ramës. Mesazhe të qarta nga Berlini se pa u hetuar e pa shkuar në burg, pa u dënuar politikanët që vodhën zgjedhjet e 2017-s, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat. Kjo është e vërteta dhe jo pallavrat e Edi Ramës, jo propaganda e tij, e cila buçet nga buritë e shpuara të televizioneve kombëtare, të kapura me paratë që u vidhen ju shqiptarëve. Po kjo është e vërteta, e zezë mbi të bardhë, drejtpërdrejt nga Berlini, sot. Pa u ndëshkuar ata që vodhën zgjedhjet e vitit 2017, nuk mund të ketë çelje negociatash. Afërmendsh, se pa u ndëshkuar vjedhësit e votave, si mund të kemi një palë tjetër zgjedhjesh të lira e të ndershme, si mund të kemi një qeveri, një parlament nga populli, për popullin dhe të popullit.

Zonja dhe zotërinj, beteja dhe zotimi ynë i parë është transformimi politik i vendit, sipas standardeve evropiane. Ne demokratët jemi të qartë e të vendosur. Ju e dini, unë e di si shkohet në Evropë. Në Evropë shkohet me zgjedhje të lira, ku parlamenti kontrollon qeverinë dhe jo qeveria parlamentin, ku drejësia është e pavarur, me gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm që nuk mbrojnë por ndëshkojnë politikanët e korruptuar dhe të kapur duke vjedhur votat dhe pasuritë e shqiptarëve. Në Evropë shkohet duke respektuar kushtetutën dhe ligjin, në Evropë shkohet me një parlament që nuk është peng i krimit, nuk është peng i oligarkisë, nuk është peng i trafikantëve, por është peng i qytetarëve shqiptarë, me një parlament dhe një qeveri që kanë frikë vetëm qytetarët shqiptarë, vullnetin e tyre, votën e tyre. Ndryshimi mes një vendi të lirë dhe një vendi që s’mund të jetë kurrë pjesë e Evropës ky është: në një vend të lirë është qeveria që e ka frikë popullin, sepse është populli që e emëron dhe e shkarkon qeverinë, kurse në një tirani të krimit është populli që ka frikë qeverinë, sepse qeveria vjen me krimin, qeveris me krimin, bashkëpunon me krimin dhe dhunon qytetarët me krimin. Ky është realiteti i 6 viteve të organizatës kriminale të “Rilindjes”. Me krimin erdhën, me votat e krimit, me dhunën e krimit e morën pushtetin, me kriminelët e mbajtën pushtetin, me kriminelët qeverisin, prandaj s’u bëhet vonë për qytetarët e Gjirokastrës, nuk ju bëhet vonë për prindërit dhe vogëlushët, nuk ju bëhet vonë për ekonominë e qytetit dhe fshatrave. Ne e dimë fare këtë sepse vij rregullisht këtu dhe sa herë që vij shoh më shumë dyqane të mbyllura, shoh më pak klientë në ato që janë akoma të hapura, shoh më pak njerëz që qarkullojnë nëpër rrugë, dhe kudo ka trishtim dhe depresion ekonomik. Gjirokastra është qyteti i parë fatkeqësisht në Shqipëri për braktisjen më të madhe nga rinia dhe nga qytetarët, shumica e të cilëve në emigracion. Kujtonim se ishte Kukësi, por jo, është Gjirokastra. Në kolaps ekonomia, në kolaps fermerët e Gjirokastrës, në kolaps shëndetësia dhe arsimi, në mbijetesë totale arsimi i lartë. E gjitha kjo, pasi ka një qeveri dhe një kryeministër i cili nuk e ka lidhur fatin me gjirokastritët e thjeshtë, me demokratët jo që jo, por as me socialistët. Të gjithë e dimë si i mori votat në Gjirokastër “Rilindja”, si kudo tjetër në Shqipëri. Me ata që mori votat, me bandat kriminale, me ata e ka lidhur fatin dhe atyre ju shërben nga mëngjesi deri në darkë.

Ndaj sot në Ditën e Evropës, nuk është koha as për të bërë përbetime hipokrite, as për të dëgjuar përbetimet fallco të Edi Ramës. Evropa është armiku numër 1 i autokratëve të korruptuar e të lidhur me krimin. Evropa do të thotë drejtësi, do të thotë shtet i së drejtës, do të thotë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe të kriminelëve që bashkëpunojnë për të vjedhur zgjedhjet, që bashkëpunojnë për të vjedhur pasuritë e shqiptarëve. Prandaj sot, Dita e Evropës është dita e të gjithë shqiptarëve, por nuk është dita e Edi Ramës, është makthi i Edi Ramës. Shqipëria Evropiane është makthi i Edi Ramës, është makthi i hajdutëve që e shoqërojnë. Vetëm një transformim i thellë politik do ta nxjerrë vendin nga kjo krizë.

Ndaj dua t’ju them tellallëve dhe haberxhinjve të Edi Ramës se në këtë betejë nuk jemi futur as për pushtet personal, as për karrige personale, nuk është se duam thjesht dhe vetëm një rotacion politik, se atë do ta vendosë populli me votë, por duam që kjo krizë kaq e thellë ekonomike, shoqërore, shpirtërore, ky depresion ku e futi vendin Edi Rama dhe klika e tij kriminale, jo thjesht kapërcehet për t’i zënë vendin një krizë tjetër, por të lihet prapa njëherë e mirë, ndaj na duhet një reformë e thellë e sistemit politik. Me një qëllim, që të bëjmë atë që bëhet kudo në Evropë, që pas përfundimit të kësaj krize, fati i çdo politikani shqiptar, fati i çdo deputeti shqiptar, fati i çdo kryebashkiaku shqiptar, të jetë i lidhur pazgjidhshmërisht vetëm me votën e lirë të qytetarëve të këtij vendi, të qyteteve dhe fshatrave tona. Pra, një reformë politike që do t’u rikthejë qytetarëve shqiptarë atë që ua vodhi Edi Rama dhe klika e tij kriminale, vullnetin, votën që i takon vetëm sovranit. Ky transformim politik është garancia reale që pushteti i ri që do të vijë, i kryesuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë do të bëjë realitet programin e saj, do t’i japë fund mjerimit social, do të godasë në zemër padrejtësitë me të cilat janë përballur qytetarët e Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë, me vjedhjen e pronave të tyre, me shkatërrimin e shtëpive të tyre, me shpunësimin masiv dhe largimin e padrejtë nga administrata, me taksat kolosale dhe çmimin e papërballueshëm të energjisë dhe të naftës, me shpopullimin e fshatit, që është i vetmi në Evropë që nuk merr subvencione, por merr vetëm kërbaç, merr vetëm keqtrajtim, dhe atëhere kur i bëhen prodhimet gati për t’i shitur, i kthehet shpina dhe detyrohet t’i hedhë ato prodhime në kanal, me shëndetësinë e cila ka ardhur në ditën e saj më të zezë në kujtesën e njerëzve, sot kemi më pak mjekë për frymë se në kohën e diktaturës, kemi listën më të vogël të barnave të rimbursueshme, dhe këto barna janë në masën më të madhe fallco, të skaduara apo të ardhura nga origjina të dyshimta, kemi 130 mijë nxënës më pak në shkollat tona, 45 mijë studentë më pak në universitetet tona. Ky është kolapsi ku e solli Shqipërinë, jo thjesht një njeri, por etja për pushtet dhe për para e Edi Ramës që e çoi në prehrin e krimit të organizuar.

 

E pra, ndryshimi politik që po vjen do ta bëjë të pamundur për çdo individ, për çdo forcë politike që të lidhë pakt me krimin e organizuar, që të mbetet peng tek kriminelët, që të mbetet peng tek oligarkët.

Reforma politike që po vjen, e cila do të ketë vulën e sovranit, do të sanksionohet me votë në referendum kombëtar, ku do të votojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, do të mundësojë me dy fjalë, që çdo qeveri, çdo parlament, të jetë peng vetëm i vullnetit të qytetarëve shqiptarë dhe votës së tyre.

Në këtë mënyrë do të nisim rrugëtimin tonë për të bërë realitet planin tonë për ekonominë, duke ulur menjëherë çmimin e karburantit me 300 lek për litër, duke hequr taksën Rama mbi karburantin. Duke bërë të mundur që fermerët shqiptarë, si çdo fermer tjetër, të përfitojnë subvensione në masën 100 milion euro në vit, drejtëpërdrejtë. Do të ketë mbështetje direkte, për çdo familje fermerësh shqiptarë, në bazë të prodhimit të tyre blegtoral apo bujqësor.

Do të nderojmë sakrificën e prindërve tanë. Qindra milionë euro, që sot i marrin oligarkët, nesër do ti kthehen buxhetit të shtetit dhe do të destinohen për politikat tona sociale, ku spikat zotimi ynë që brenda katër viteve të para, pensioni minimal për pensionistët shqiptarë do të jetë 250 mijë lekë të vjetra në muaj.

Do ta ndalim eksodin e mjekëve dhe infermierëve, ashtu si në Kosovë, nuk po them si në Gjermani, edhe këtu shqiptarët do të kenë mjekë të kualifikuar për të trajtuar pacientët. Dhe për këtë hapi i parë do të jetë, ngritja e rrogave të mjekëve dhe të infermierëve të paktën në nivelin e Republikës së Kosovës, 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët. Kjo rritje do të shërbejë si një tregues indeksimi për të gjitha shërbimet e tjera publike në Shqipëri.

Do ti japim fund kolapsit të arsimit parauniversitar, dhe mbi të gjitha do të arrestojmë krizën e thellë në arsimin e lartë me dyfishimin e buxhetit të këtij arsimi. Do bëjmë të mundur që rinia shqiptare, çdo i ri dhe e re shqiptare që ka dëshirën dhe kapacitet për të studiuar, të ketë mundësinë të studiojë pavarësisht mundësive ekonomike të familjes. Për këtë arsye, buxheti i dyfishuar do të subvensionojë drejtëpërdrejtë në masën 100% tarifat Bachelor dhe Master, të gjithë studentëve shqiptarë që vijnë nga familje me të ardhura më pak se 640 mijë lek të vjetra në muaj dhe në masën 50% të studentëve shqiptarë, që vijnë nga familje me të ardhura mbi  640 mijë. Ndërkohë që me pjesën tjetër të buxhetit, jo thjeshtë do të ndërtojmë e rindërtojmë konviktet, auditorët, laboratorët, teknologjinë e informacionit, por do të bëjmë të mundur që Shqipëria të hedhë hapin e saj në këtë revolucion të mahnitshëm teknologjik që po ndodh në Europë dhe në botë, dhe që shumë shpejt, këtu në Gjirokastër, Durrës, Lezhë, Shkodër, në Korçë, Tiranë, Dibër, Kukës, të ketë kampuse teknologjike që do të punësojnë me paga të nivelit europian, rininë shqiptare.

Do ti japim fund emigracionit të të rinjve.

Inxhinierët tanë të teknologjisë dhe elektronikës të sapodiplomuar, nuk do të shkojnë në punë të zeza në rrugët e Evropës, por do punojnë këtu, sepse Shqipëria me sistemin e taksës së sheshtë 9 %, me një qeveri që garanton barazinë para ligjit,  do thithë investime të huaja direkte duke nisur me ekonominë gjermane, motorin e ekonomisë europiane. 2 milion vende të reja pune kërkon kjo ekonomi në fushën e teknologjisë së informacionit.

Nëqoftëse bëjmë investimet e duhura, nëqoftëse bëjmë zgjedhjet e duhura, nëqoftëse paratë e shqiptarëve nuk shkojnë më në duart e oligarkëve, por arrijnë të nxjerrin çdo vit mijëra studentë shqiptarë, programues teknologjie, inxhinierë elektronikë, ekonomistë, menaxherë, atëherë të jeni të sigurtë se mijëra e mijëra prej këtyre vendeve të punës do ti hapim në Shqipëri dhe do ti shërbejnë ekonomisë tonë, por edhe ekonomisë europiane.

Ne jemi gati, shumë shpejt dhe në mënyrë të paprecedentë në historinë e Ballkanit, unë si kryetar i opozitës do të jem i ftuar nderi, në forumin më të rëndësishëm të industrialistëve gjermanë, ku do të diskutoj dhe kërkoj ardhjen e investimeve gjermane për të hapur vende pune të kualifikuara, me paga dhe kushte dinjitoze për rininë shqiptare.

E pra, zonja e zotërinj, mundësitë e këtij vendi janë të pafundme, po për këtë së pari duhet të fitojmë betejën që bashkë kemi nisur.

12 javë mbushen të shtunën nga nisja e kësaj beteje. Kujtohuni ku ishte Shqipëria, 12 javë më parë! Kujtoni Shqipërinë e frikës, Shqipërinë e terrorit qeveritar, Shqipërinë e arrogancës të një palo kryeministri. Shqipërinë e hajdutëve me katër klasë, që i bënin karshillik profesorëve që nuk ushqehen do më shumë se një herë në ditë. Shqipërinë e arbitraritetit total, Shqipërinë e kriminelëve që pastrojnë paratë e drogës dhe prishin shtëpitë e shqiptarëve. Shqipërinë e frikës, Shqipërinë e pakicës që i kishte hipur kalafiç, Shqipërisë së shumicës së dhunuar, kokëulur, të trembur e të shantazhuar.

Kujtojeni ku ishim 12 javë më parë dhe jini krenarë për betejën që nisëm me 16 shkurt, sepse është beteja që po ndryshon Shqipërinë.

Sot janë përballë, Shqipëria e frikës me Shqipërinë e shpresës, por si asnjëherë këto 6 vite, Shqipëria e frikës është tkurrur në një grusht njerëzish, me në krye një vulëhumbur, një palo kryeministër që nuk di se ç’dërdëllet, një grusht kriminelësh, një grusht hajdutësh grabitqarë, dhe Shqipëria e shpresës është derdhur në sheshet dhe rrugët e vendit, nga Gjirokastra në Shkodër, nga Korça në Durrës, në Tiranë e mbarë vendin.

Shqipëria e shpresës po ngrihet.

Kjo është një betejë për jetë a vdekje. Këto dy Shqipëri, nuk mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën.

Ose Shqipërinë e frikës, varfërisë, mjerimit, hajdutërisë dhe krimit, ose Shqipërinë e shpresës, lirisë, demokracisë, mundësive, punësimit dhe mirëqënies.

Kjo është beteja jonë e vërtetë. Prandaj ju them, që nuk është një betejë e zakonëshme politike, sepse nuk është thjeshtë një betejë për pushtet, por as ne nuk jemi një parti e zakonëshme politike.

Ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë! Ne jemi partia e Europës, e Shqipërisë si gjithë Europa. Ne jemi partia e sakrificave në misionin tonë për Shqipërinë si gjithë Europa. Ne jemi partia e vizionit europian dhe euroatlantik, me idelaet e Robert Shumanit dhe Konrad Adenauerit, me vendosmërinë e Ronald Reganit dhe Margaret Theçerit. Me vizionin e lirisë dhe përkushtimit tonë ndaj dinjitetit të çdo shqiptari, të çdo qytetari, pavarësisht prej statusit ekonomik, shoqëror, prejardhjes krahinore apo etnike, besimit fetar, çdo shqiptar, çdo njeri, është krijuar me shëmbëlltyrën e Zotit. Dhe përkushtimi i demokratëve është për të mbrojtur dinjitetin e çdo njeriu, lirinë e çdo njeriu, pronën e çdo njeriu, mundësinë e çdo shqiptari.

Ndaj miqtë e mi, na takon ta udhëheqim këtë betejë deri në fitore. Gjysma e betejës ka mbaruar: zgjedhje me 30 qershor nuk do të ketë dhe do të ketë zgjedhje të parakohëshme parlamentare.

Tani na pret gjysma tjetër e betejës. Në javët e ardhëshme, duke nisur me këtë të shtunë të 11 majit, do të përcaktohet fati i 5, 10, 15 viteve të ardhëshme të Shqipërisë.

Shqipëri e frikës, e nënshtrimit, e krimit, e korrupsionit, Shqipëri e duvakut oriental azitatik, apo Shqipëri e shpresës, lirisë dhe demokracisë, e ndarjes së pushteteve, e kushtetutës, e sovranit, e zgjedhjeve të lira e të ndershme!

Kjo do të përcaktohet nga beteja jonë me datë 11, këtë të shtunë, dhe në ditët e ardhëshme, përcaktohet fati europian i Shqipërisë. Si kurrë ndonjëherë shqiptarët janë bashkuar me ne, ndaj le ta bëjmë natën ditë, orën minutë, që 11-ta, e shtuna që po vjen, të jetë një goditje vendimtare për fitoren e shpresës mbi frikën. Për fitoren e lirisë mbi robërinë, për fitoren e dritës mbi errësirën.

Le ta bëjmë ne demokratët edhe njëherë këtë detyrë të madhe ndaj kombit, pa shikuar përfitimin tonë të ngushtë politik, por të vendosur për ta çuar deri në fund, premtimin tonë ndaj shqiptarëve, misionin tonë hyjnor për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

(E gjithë salla thërret: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!)

Kjo është një pritje e mrekullueshme!

Këtu në këtë sallë, përmblidhet sot emocioni që ndjej kudo nëpër Shqipëri. Le ta bashkojmë këtë energji, le ta bëjmë këtë energji edhe më të madhe, me pjesëmarrje maksimale dhe vendosmëri patriotike.

Të gjithë në Tiranë, të shtunën në orën 18.30.

Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Fitore!