• Ne jemi në këtë marshim proteste për ta thënë qartë se e refuzojmë dhunën e qeverisë së ardhur me dhunë. Fuqia jonë nuk është tek dhuna, por tek bashkimi, shoresa dhe vendosmëria për të fituar.

 

  • 48 orë më parë thirrjes sonë për garantimin e votës së lirë si themel i vlerave evropiane, kryeministri ilegjitim i votave të blera me ndihmën e krimit, iu përgjigj me dhunë barbare, rrahje, gaz lotsjellës e helmues

 

  • Çdo shqiptar e di se kjo situatë është rezultat i dhunës shtetërore, e cila është produkt i dhunës zgjedhore. Dhuna zgjedhore është e vetmja mënyrë e Edi Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin.

 

  • Ne nuk jemi këtu për pushtet, për karrige, për mandate. Në këtë betejë jemi për ta çliruar Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni, jemi për zgjedhje të lira e të ndershme, për dinjitetin e çdo shqiptari.

 

  • Ka vetëm një rrugë si do të mbarojë kjo betejë. Që t’i japim fund dhunës së qeverisë të bërë njësh me krimin, ne duhet dhe do ta fitojmë betejën për zgjedhje të lira, për qeveri të qytetarëve, për qytetarët, me qytetarët.

 

  • E sotmja është një marshim proteste kundër zgjedhjeve të blera e të diktuara nga krimi. Nuk do të ketë më zgjedhje fallco në Shqipëri. Çdo shqiptar do të vendosë me votën e tij pa frikën e krimit.

 

  • Banditët me uniformë kanë ndaluar masivisht protestuesit kudo në Shqipëri, por nuk ia dolën dhe nuk do t‘ia dalin të na ndalojnë. Ne do të jemi akoma më shumë derisa kauza jonë europiane të fitojë.

 

  • Frika po vdes, shpresa është ngjallur. Elita, sipërmarrësit, intelektualët, rinia, të papunët, profesionistët, pensionistët janë bashkë me ne në këtë betejë për të çliruar Shqipërinë nga qeveria e krimit.

 

FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË MARSHIMIN PROTESTË PARA KRYEMINISTRISË.

 

 

Mirëmbrëma zonja dhe zotërinj!

Vëllezër dhe motra,

Qytetare e qytetarë.

Të rinj të pamposhtUR të Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë!

 

Mirë se keni ardhur në këtë takim tjetër të madh me historinë, me aspiratën, me misionin tonë “Për Shqipërinë si e gjithë Evropa”. Rama ik!

 

Zonja dhe zotërinj,

 

Vetëm 48 orë më parë, shqiptarët u bashkuan në një protestë të jashtëzakonshme për ta kërkuar një të drejtë të patjetërsueshme të kushtetutës tonë, një të drejtë elementare të demokracisë, garancinë për liri dhe dinjtetin e çdo shqiptari, themelin e vlerave evropiane, votën e lirë dhe të ndershme.

 

Qeveria dhe kryeministri ilegjitim, të dalë nga votat e blera me ndihmën e krimit të organizuar, iu përgjigj thirrjes tonë me dhunë barbare, me provokime, me rrahje, me gaz lotsjellës, me gaz helmues. Qindra mijëra protestues paqësorë, qindra mijëra bashkëqytetarë të Tiranës e ndjenë përgjigjen e vetme, zgjidhjen e vetme që ka ofruar Edi Rama për problemet e mëdha që i ka shkaktuar, për plagët që i ka hapur këtij vendi, familjeve shqiptare, qindra mijëra shqiptarëve, dhe qindra mijëra të tjerëve që i përzuri në kurbet, përgjigjja e vetme e Edi Ramës dhe e bandës së tij kriminale ishte dhuna.

 

Me dhunë i mori zgjedhjet, nuk i fitoi. Ky është një parlament ilegjitim, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim.

 

Tash 2 vjet prokuroria ka vetëm një mision, të ndalë hetimin e dosjeve kriminale, ku janë kapur Edi Rama dhe kupola e “Rilindjes”, në bashkëpunim me kupolën e mafias, për të vjedhur më të shtrenjtën vlerë, më të shtrenjtin investim që ka çdo shqiptar, votën, mundësinë, lirinë për të diktuar me votë, për të zgjedhur me votë, pa të cilën nuk ka mirëqenie, nuk ka punësim, nuk ka shëndetësi, nuk ka arsim. Dhe me të vërtetë nuk i kemi asnjërën prej tyre, sepse Edi Rama i vjedh të gjitha këto, dhe nuk jep llogari askund, përveçse para krimit të organizuar, me të cilët vodhi zgjedhjet dhe oligarkëve, me të cilët vjedh Shqipërinë, blen votat dhe grabit pronat dhe pasuritë e shqiptarëve.

 

Dhunë ndaj punonjësve të administratës të larguar me të padrejtë nga administrata publike, dhunë ndaj atyre që mbahen në administratë publike e trajtohen si skllevër nga pushtet, dhunë ndaj sipërmarrjes me taksa të larta, me bandat e taksidarëve që sillen si terroristë, i detyrojnë të mbyllin bizneset, u heqin bukën nga goja, dhunë ndaj të papunëve, dhunë ndaj fëmijëve dhe vogëlushëve që flinin në shtëpitë e tyre tek Bregu i Lumit, dhunë ndaj vogëlushëve të Unazës, dhunë ndaj prindërve të tyre; dhuna, dhuna, dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama.

 

Ne jemi sot, në këtë marshim proteste, për ta thënë qartë dhe prerë: Ne e refuzojmë dhunën e qeverisë së ardhur me dhunë. Ne do t’i përgjigjemi me bashkimin e shpirtrave tanë, me besimin tonë në vlerat dhe idealet e Evropës, me fuqinë e bashkimit, me fuqinë e pjesëmarrjes, me fuqinë e vendosmërisë, me fuqinë e shpresës që ka lindur, e nuk e shuan dot as shiu i bekuar i Perëndisë, e aq më pak, dhuna barbare e Edi Ramës dhe veglave të tij kriminale.

 

Nuk ka shqiptar që nuk e di se këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore. Nuk ka shqiptar që nuk e di se dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore, dhe se dhuna zgjedhore është e vetmja mënyrë e Edi Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin.

 

Ne nuk jemi këtu për pushtet, ne nuk jemi këtu për karrige, ne nuk jemi këtu për mandate. Ato i dogjëm sepse jemi e do të jemi në krahun e qytetarëve në këtë betejë, kundër dhunës, kundër krimit, kundër qeverisë së bërë njësh me krimin.

 

Ne jemi në këtë betejë për ta çliruar Shqipërinë nga krimi, ne jemi në këtë betejë për ta çliruar Shqipërinë nga korrupsioni, ne jemi në këtë betejë për zgjedhje të lira e të ndershme, për ndarje dhe kontrollin e pushteteve. Ne jemi në këtë betejë për kushtetutë, për ligj, për shtetin e së drejtës. Ne jemi në këtë betejë për dinjitetin dhe lirinë e çdo shqiptari, që kurrë më të mos ketë asnjë qeveri, asnjë qeveritar mundësinë t’i dhunojë, t’i gjobisë, t’i vjedhë, t’i përdhunojë, pastaj t’i përqeshë e t’i shantazhojë.

 

Dhe ka vetëm një rrugë si do të mbarojë kjo betejë. Që t’i japim fund dhunës së qeverisë të bërë njësh me krimin, të krimit të bërë njësh me Edi Ramën, të kupolës së korruptuar të policisë, që nuk zbaton ligjin, që godet njerëzit e pafajshëm dhe mbron kriminelët, ne duhet dhe do ta fitojmë betejën për zgjedhje të lira, për parlament legjitim, për qeveri të qytetarëve, për qytetarët, me qytetarët. Rama ik!

 

Ndaj rruga jonë drejt Evropës mbetet e bllokuar. Mbetet e bllokuar sepse në Evropë nuk shkohet me zgjedhje të vjedhura, nuk shkohet me pandëshkueshmëri, nuk shkohet me drejtësi të kapur, që mbron kriminelët, që mbron politikanët e korruptuar dhe mbyll sytë para krimit të tyre karshi çdo familjeje shqiptare, karshi vogëlushëve tanë.

 

Ju i dini të gjitha këto fare mirë, ju jeni ngritur si asnjëherë më parë. Shikojeni këtë protestë, shikojeni sa madhështore është. Hidhini sytë këtij sheshi të mbushur e të tejmbushur, shikoni njëri-tjetrin në sy, jepini dorën njëri-tjetrit, t’i japim dorën dhe besën njëri-tjetrit, se ka vetëm një rrugë: Do ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Evropa.

 

Edi Rama dhe klika e tij kriminale nuk tremb më askënd. Evropa dhe bota e dinë dhe do ta dinë fare mirë, se ne këtu në këtë shesh, me qindra mijëra shqiptarë anembanë vendit, jemi garancia e vetme që lufton për vlerat e Europës, lufton për vlerat e Perëndimit.

 

E sotmja është një marshim proteste, një marshim proteste kundër qeverisë së bërë njësh me krimin, kundër zgjedhjeve fallco, kundër zgjedhjeve të blera e të diktuara nga krimi. Nuk do të ketë më zgjedhje fallco në Shqipëri, Shqipëria do të çlirohet nga zgjedhjet fallco. Ne do të bashkohemi, ne do t’i japim mundësinë çdo vëllai e motre, socialist e demokrat, të vendosë me votën e tij dhe të saj, pa frikën e krimit, pa frikën e oligarkëve. Pa frikën e bandës kriminale në pushtet. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveri tranzitore pa përdhunuesin serial të zgjedhjeve shqiptare, me një kryeministër tranzitor, për të çliruar zgjedhjet, për të çliruar qeverisjen nga krimi.

Rama ik!

 

E sotmja nisi me të tjera dhunime. Masivisht, banditë me uniformë urdhëruan efektivët të shoqëronin qindra protestues në Fier, Shkodër, Lezhë, Durrës, këtu në Tiranë dhe anembanë Shqipërisë. Policia e dhunuar nga krimi, nuk bën detyrat e saj. Krimi qeveris, policia e dhunuar nga krimi hesht dhe një tufë banditësh me kriminelë, kriminelë me uniformë, dhunojnë qytetarët.

Por nuk ia dolën dot të na ndalin! Ja ku jemi, gati për marshimin më historik të protestës. Do të jemi të gjithë bashkë në këtë marshim. Bëhuni gati të nisim marshimin tonë të shpresës, marshimin tonë të lirisë, marshimin tonë të demokracisë. Marshimin tonë kundër dhunës qeveritare, kundër krimit në pushtet dhe pushtetit të bërë njësh me krimin.

 

Dy institucione që ju takojnë qytetarëve, janë sot pjesë e marshimit tonë. Qeveria e cila është e kapur nga krimi, ja ku jemi përballë.

 

Cili është mesazhi juaj ta dëgjojë Shqipëria, ta dëgjojë bota! Të gjithë bashkë vëllezër dhe motra, opozita e bashkuar, të gjithë aleatët e Partisë Demokratike, të gjithë partitë opozitare, dhe në krahun tonë artistët e Teatrit Kombëtar, pedagogët e universiteteve, elita e mendjes dhe shpirtit, drita e syve tanë, rinia shqiptare, studentët shqiptarë të bashkuar për arsimin europian. Njerëzit e larguar me të padrejtë nga administrata, dhe për fat të mirë shumë të tjerë akoma në administratë, që sot kanë thyer frikën dhe janë bashkë me ne në këtë marsh proteste.

 

Mirë se vini vëllezër dhe motra!

Frika po vdes, shpresa po ngjallet. Rama ik! Sipërmarrës, të papunë, profesionistë, intelektualë dhe pensionistë, të gjithë bashkë në një betejë, krah për krah me njëri-tjetrin, për të çliruar Shqipërinë nga qeveria e krimit.

 

Itinerari i këtij marshimi proteste nis tani. Jemi sot, tani në këtë moment, para folesë së kryeministrit të bërë njish me krimin, kryeministrit ilegjitim, që i ka ditët dhe orët e numëruara. Ne do të lëvizim sëbashku në pesë pika që simbolizojnë institucionet që ju ka vjedhur krimi, shqiptarëve.

 

Të gjithë bashkë, së pari drejt një institucioni që nuk garanton më ligj dhe drejtësi, por vetëm krim, vetëm shtypje dhe barabari. Marshimi ynë i parë do të nisë në drejtim të urës së madhe të Lanës, do të kthehet djathtas drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me mesazhin se ne duam dhe do të kemi një polici të ligjit, dhe jo një polici të krimit. Pas kësaj, do të vazhdojmë drejt vendit që duhet të jetë dhe do të jetë, tempulli i demokracisë, por sot është foleja e krimit, drejt Kuvendit, me mesazhin tonë të qartë e të prerë, se nuk e njohim Kuvendin e krimit.

Zgjedhjet e lira dhe të parakohshme, do t’i kthejnë shqiptarëve, Kuvendin e qytetarëve.

 

Më pas drejt Ministrisë së Brendshme, ku sundon sot një njeri që nuk e lidh asgjë me Kushtetutë e ligj dhe as me vlerat minimale të qënies njerëzore, por vetëm servilizmit të verbër, vetëm shërbimit pa kushte ndaj padronit që e ka emëruar, për ta turrur me dhunë e tërbim ndaj qytetarëve, drejt ministrisë së brendshme.

Dhe së fundi, aty ku me të padrejtë mbahen vëllezërit dhe motrat tona, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

 

Para se të nisemi për në stacionin tonë të parë të marshimit të protestës, le t’i japim edhe njëherë shqiptarëve kumtin e shpresës, kumtin e besimit,  misionin tonë hyjnor, fitoren e betejës tonë: Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!

 

Të gjithë njëzëri: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Rama ik!

 

FJALA E KRYETARIT LULZIM BASHA NE MBYLLJE TE PROTESTES, NE SELINE E PD

 

 

Mirënjohje për ju zonja dhe zotërinj, qytetare e qytetarë, vëllezër e motra.

Shqipëria e as Evropa nuk e kish njohur ndonjëherë këtë qëndresë dhe vendosmëri. Për mbi 3 orë litarët e shiut e lidhën shpirtin tuaj me shpresën që buron nga Zoti lart në qiell, me besimin tek vetvetja dhe tek njëri-tjetri, me bindjen se Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë atje ku ishte vetëm 3 muaj më parë, nën thundrën e errësirës, krimit dhe korrupsionit.

Mirënjohje për të gjithë ju, për qindra e mijëra burra dhe gra, të rinj e të reja, pjesë e këtij marshimi madhështor proteste. Mirënjohje e veçantë për të gjithë agjëruesit e Ramazanit, Zoti jua shpërbleftë këtë sakrificë të dyfishtë sonte.

Mirënjohje për të gjithë ata që ju bashkuan qytetarisë së Tiranës, nga Shkodra, Vlora, Saranda, Tropoja, Devolli, Korça, nga të gjitha anët e vendit, nga Kukësi dhe Dibra, nga Hasi, Mati, nga Erseka, nga Elbasani, nga Lushnja dhe Fieri, nga Berati dhe Librazhdi, dhe natyrisht nga gjithë qytetet dhe fshatrat e tjerë të Shqipërisë. E në veçanti një mirënjohje mikpritësve të kësaj proteste, qytetarisë së Tiranës.

Sot treguam se nuk ka forcë mbi tokë të na ndalë në kauzën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme, se nuk ka forcë të na detyrojë të ulemi dhe të bëjmë pazar e kompromis me të keqen. E keqja do të ikë, e keqja duhet të ikë, për t’i hapur vend Shqipërisë si e gjithë Evropa.

Ndaj, në një kohë kaq të shkurtër, me një njoftim prej vetëm 24 orësh, në mbi 3 orë ku s’ka pushuar shiu i bekuar asnjë sekondë, në përfundim të kësaj proteste marshim, jemi edhe më të vendosur, edhe më të qartë, edhe më të bashkuar, për të sakrifikuar gjithçka për demokraci, për liri.

Rama ik!

Le të jetë e sotmja, mesazhi i vendosmërisë obsolute me të cilën do ta vazhdojmë këtë  betejë. Të mbushur me frymëzim dhe shpresë, të vendosur deri në fund, të fortë dhe kurajozë për betejën tonë pa kthim, për liri, për demokraci, për Shqipërinë si gjithë Europa.

Mikrofoni nuk është aq i fortë sa protestuesit. Prej hekuri është, por jo i fortë sa ju.

Forca jonë është bashkimi, forca jonë është pjesmarrja, forca jonë është vendosmëria. Dhe kësaj force nuk i bën dot ballë as Edi Rama, as banda e tij e inkriminuar. Ndaj, le të vazhdojmë rrugën që kemi nisur.

Misioni ynë është mision brezash, është mision për të gjithë fëmijët shqiptarë. Është mission për të gjithë ata, të djathtë e të majtë, që sot e kanë kuptuar, se vetëm përmes bashkimit, pjesmarrjes, vendosmërisë, në këtë familje shqiptarësh të lirë, mund dhe do ta gjejmë të ardhmen e tyre, lirinë e tyre, dinjitetin e tyre.

Ju ftoj ta mbyllim këtë marshim të paprecedentë proteste, duke kënduar sëbashku himnin tonë kombëtar.