• Klevis Balliu mbahet në burg, me arrest politik, me urdhra të drejtpërdrejt politikë ndaj prokurorëve të kapur e të nënshtruar të partisë shtet, organizatës kriminale të Rilindjes
  • Në qeli, aty ku kanë çuar Klevis Balliun, sepse mbron nënat dhe baballarët që mbrojnë shtëpitë e tyre, duhet të ishte sot Edi Rama me bandën e tij kriminale të Rilindjes
  • 10 kriminelë, kanë në dorë trafikun e drogës. Ata janë nga mëngjesi deri në darkë në telefon me shefat e tyre politikë, me deputetët, qeveritarët dhe më të madhin fare
  • PS është shkrirë! Fushatën elektorale, Edi Rama e ka bërë me dhjetë banda kriminale. Dhe këta të dhjetë, janë shtyllat e pushtetit të tij. Prandaj këta të dhjetë kontrollojnë gjithçka
  • Të vetmit “biznesmenë” që bëjnë hajër, janë ata, që rrinë ngjitur me Ramën, duke grabitur, copëtuar, zhvatur buxhetin, taksat tuaja, bregdetin, naftën, etj. 10 njerëz, 10 hijena grabitqare
  • Gjithçka është në duart e dhjetë oligarkëve dhe dhjetë kriminelëve, Edi Ramës dhe një bande politikanësh të korruptuar rreth tij
  • Kjo bandë hajdutësh dhe kriminelësh, është arsyeja se pse sot, mijëra baballarë nuk i thonë me vetes; kam biznes apo sipërmarrje të vogël, por i thonë vetës: të papunë.
  • Dua ta deklaroj qartë dhe prerë, për ata që nuk e kuptojnë, për ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë, dhe për ata që nuk duan ta kuptojnë: Po, do të ketë një ndryshim të thellë të sistemit politik
  • Ne nuk kemi paragjykime për ndryshimin e sistemit. 100 deputetë me dy dhoma, me senat apo proporcional kombëtar me lista të hapura apo sisteme të tjera
  • Zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë më. Ky përdhunues serial i zgjedhjeve, koka e skemës së bashkëpunimit kriminal duhet të shkojë para drejtësisë.
  • Kushti më minimal që ne kërkojmë, është që përdhunuesi serial i zgjedhjeve nuk mund të jetë më kryeministër i zgjedhjeve, as lokale, as të përgjithshme
  • Me 16 shkurt shqiptarët kanë ndjerë një burim të madhe energjie që lindi me protestën tonë. Pjesëmarrja, qëndresa dhe përballja, janë sekreti i shpresës dhe i besimit që po lind kudo
  • Me 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje lokale. Çdo tentativë për një proces fals, çdo tentativë për t’u imponuar shqiptarëve një proces të diktuar nga krimi do të përballet me rezistencën më totale
  • Zgjedhje farsë më 30 qershor s’do të ketë. Ndaj rruga e zgjidhjes politike është e qartë. Sa më shumë vonohet, aq më shumë dëmtohet Shqipëria e shanset e saj për të hapur derën e mbyllur të Evropës
  • Në shkelje të paktit politik të 22 Korrikut 2016, Edi Rama kaloi në mënyrë të njëanshme ligje, me qëllim që të kapte dhe të kontrollonte proceset kryesore të Reformës në Drejtësi
  • PD nuk mbron asnjë gjyqtar, asnjë prokuror të korruptuar, pavarësisht nga emri, mbiemri, origjina apo koha e emërimit në detyrë, por të gjithë jemi dëshmitarë se ky proces po përdoret politikisht
  • Me PD nesër në pushtet, Reforma në Drejtësi do të shkojë përpara sipas përcaktimeve kushtetuese, jashtë interesave politike, me gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm
  • Në javët e ardhshme nuk do të vendoset vetëm fati i një rotacioni politik, por do të vendoset fati i Shqipërisë për 5, 10, 15 vitet e ardhshme.
  • Beteja nuk mbaron me largimin e Edi Ramës. Është vetëm fillimi. Me largimin e Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore, krijohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.
  • PD do të vijë me programin  më të mirë dhe më efikas, në radhë të parë për të ndaluar krizën ekonomike dhe sociale, së dyti për të çliruar mundësitë për zhvillim ekonomik.
  • Sot jemi maxhoranca e re politike, morale dhe numerike e Shqipërisë. Le ti japim trajtën, konturet, formën dhe entuziazmin kësaj maxhorance duke u bashkuar të shtunën me 11 maj në Tiranë

 

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË AKTIVIN E ZGJERUAR TË QARKUT KORÇË

 

Mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj, vëllezër e motra, qytetare e qytetarë të Korçës!

Demokrate dhe demokratë, përfaqësues dhe drejtues organizativë dhe politikë të degëve të PD në Korçë, Devoll, Maliq, Pogradec dhe në Ersekë!

Zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike të Korçës!

Zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike të Maliqit!

Zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike të Devollit!

Zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike të Pogradecit!

Zoti kryetar i degës së Partisë Demokratike të Ersekës!

Zoti kryetar i bashkisë së Devollit, zoti kryetar i bashkisë së Pogradecit!

Të nderuar të ftuar, anëtar dhe përfaqësues në grupin e fundit parlamentar të PD-së, që keni përfaqësuar me kaq dinjitet interesat e qytetarëve që ju zgjodhën.

Zoti Salianji, inxhinier Hekuran Hoxhalli, dhe dua tu përcjell sot, këtu nga kjo sallë, përshëndetjet e deputetit tjetër të këtij qarku, Klevis Balliut, i cili mbahet sot në arrest politik me urdhër të drejtpërdrejt të Edi Ramës dhe zagarëve të tij politikë, Sandër Lleshaj, Ardi Veliu dhe kriminelit në krye të policisë së Tiranës.

Mbahet në burg, me arrest politik, me urdhra të drejtpërdrejt politikë ndaj prokurorëve të kapur e të nënshtruar të partisë shtet, organizatës kriminale të Rilindjes.

Mbahet për të vetmin faj: se kur me urdhër të këtyre banditëve iu vërsulën nënave dhe baballarëve që po mbronin shtëpitë e vogëlushëve të tyre, ku i spërkatën në fytyrë, sy gojë dhe vesh me gazin djegës dhe lotsjellës dhe i goditën me shkop gome, Klevis Balliu ndodhej në krahun e tyre, në krahun e qytetarëve për t’i mbrojtur nga dhuna.

Ky është krimi i vetëm i Balliut, se është në krahun e qytetar që dhunohen nga banda kriminale në pushtet.

Mesazhi që Edi Rama do të përçojë është: unë nuk pyes, arrestoj edhe deputetë, arrestoj edhe përfaqësuesit politikë të opozitës. Unë i çoj në prokurori ata që denoncojnë, krimin dhe kriminelët, siç bëri Ervin Salianji në rastin e vëllait kriminel të ministrit të brendshëm.

Mesazhi që Rama çon është se ai këtu është shteti, këtu ai është pushteti, është ligji, është forca, është pushteti, është gjithçka, është oksigjeni, dhe kur do ja merr frymën qytetarit, sipërmarrjes, studentit. Ja prish shtëpinë familjes dhe mbi të gjitha godet me padrejtësinë e drejtësisë së kapur dhe policisë së inkriminuar edhe opozitën politike, që është bastioni i fundit i qëndresës kundër këtij regjimi kriminal.

Më lejoni t’ju them se Klevis Balliu s’ka qenë dhe nuk është kurrë më i vendosur dhe nuk ka qeli burgu dhe Edi Ramë që ta trembë, dhe ne bashkëluftëtarët e tij, PD dhe opozita, nuk trembemi dhe nuk kërcënohemi nga një kufomë politike që i ka orët e numëruara.

Fundi i organizatës kriminale të Rilindjes që bëri kaq shumë gjëma dhe solli kaq shumë mjerim mbi shqiptarët këto 6 vite, po afron, dhe ne jemi më të vendosur, më të fortë dhe më kurajozë se kurrë, për ta çuar betejën tonë drejt fitores.

Në këto 11 javë, ka qenë qëndresa, bashkimi, përballja e shqiptarëve me këtë klikë kriminale, që ka rrotulluar përmbys fatin e oligarkisë, fatin e kriminelëve të veshur me pushtet dhe pushtetarëve kriminelë dhe hajdutë, dhe për herë të parë ka treguar se më të vërtetë Shqipëria do të ketë të ardhme. Kjo e ardhme nuk do ti takojë pushtetarëve të inkriminuar, hajdutëve të bërë njësh me pushtetin. Nuk do ti takojë krimit të organizuar, nuk do ti takojë narkotrafikantëve. Se kjo e ardhme do ti takojë qytetarëve të ndershëm, qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi. Do ti takojë vogëlushëve shqiptarë, rinisë shqiptare, do ti takojë sipërmarrjes së ndershme shqiptare. Kjo do të jetë e ardhmja e popullit të bashkuar në një kauzë, e cila nuk mund të mposhtet nga një grup kriminelësh.

Kjo është kauza jetike për demokracinë, kauza jetike për liri, dinjitet, për mundësi punësimi dhe për jetë me mirëqenie dhe në kërkim të lumturisë dhe pasurisë, që janë themelet e civilizimit europian.Këtij civilizimi që ka frymëzuar kombin shqiptar, si asnjë komb tjetër këtu në Ballkan. Dhe brenda këtij kombi, një qendre qytetërimi, që edhe në orët më të errëta të despotimzmit komunist, apo të orientalizmit që donte ti vinte duvakun aziatik në kokë popullit, ajo qendër ka ditur të rrezatojë gjithmonë, vlerat më të larta të qytetarisë europiane.

Ajo qendër e ka emrin Korçë, dhe banorët e saj janë qytetaria korçare, elitë e kulturës, mendjes dhe e shpirtit të kombit. Po kështu, kjo zonë, njihet jo vetëm për penën, për mendjen, por njihet edhe për burrërinë dhe trimërinë, njihet për qëndresën, njihet për luftën e pamposhtur për liri kombëtare, për demokraci, për Shqipërinë si gjithë Europa.

Ndaj ndodhem sot me kënaqësi të madhe në punimet e këtij aktivi të përqendruar të qarkut të Korçës. Së pari për të ju shprehur mirënjohjen për entuziazmin ngjitës, për optimizmin e jashtëzakonshëm, për shpresën që buron nga sytë tuaj, nga shpirtrat tuaj, nga zëri juaj, me të cilin keni infektuar, jo vetëm bashkëqytetarët tuaj anembanë qarkut të Korçës, por që e përcillni kaq mirë, qëndresë pas qëndrese, protestë pas proteste, dhe jam i sigurt që këtë entuziazëm të jashtëzakonshëm që e gjeta që në hyrje të qarkut tuaj, do ta sillni me vete me shumicë dhe dinjitet në Tiranë këtë të shtunë, në bashkimin më të madh, po po, më të madhin që ka njohur ndonjëherë Shqipëria, Ballkani, kundër Tiranisë, kundër krimit në pushtet. Për çlirimin e këtij vendi nga qeverisja e bërë njësh me krimin, si parakusht për Shqipërinë si gjithë Europa.

Vëllezër e motra, orët e këtij regjimi po numërohen mbrapsht.

11 javë më parë, kur organizuam së bashku protestën madhështore të 16 shkurtit, retë e zeza kishin mbuluar vendin. Dhe këtu nuk e kam fjalën për retë e motit, këtu nuk e kam fjalën për asgjë më pak se krizën totale ekonomike dhe sociale që kishte kapluar çdo shtëpi shqiptarësh, çdo qytet, çdo fshat.

Vet kam qënë, bashkë me ju, në rrugët e qytetit të Korçës, në lagjet e ndryshme, nga qendra tek pazari, tek lagjet karakteristike, në fshatrat e kësaj zone, në fshatrat e Devollit, Bilisht, Maliq, Ersekë, Pogradec, dhe kam parë, dëgjuar e prekur me duart e mia mjerimin e thellë në të cilin është kredhur Korça e punës, e mençurisë, Korça e virtytit. Jo për fajin tuaj e as për faj të natyrës, po për shkak të mallkimit që quhet sot: qeveria e Edi Ramës, që më taksat e larta, ka mbyllur në Korçë brenda këtyre 6 viteve, një të tretën e bizneseve të vogla. Kemi qenë bashkë me anëtarët dhe kryetarët e shoqatës kombëtare të biznesit të vogël dhe i kemi vizituar shumë prej tyre. Mijëra, jo qindra, vetëm këtu në Korçë, janë detyruar të ulin qepenat, sepse me çmimin e lartë të energjisë, me çmimin e lartë të naftës, me taskat në qiell dhe mbi të gjitha me sjelljen banditeske, terroriste, të taksidarëve dhe inspektorëve që ua bënin të pamundur të fitonin edhe kotheren e bukës për veten e tyre, jo më të punësonin ndonjë familjar apo dikë tjetër.

Mijëra të shpunësuar për shkak të një politike anti-sipërmarrje, një urrejtje të shfrenuar ndaj sipërmarrjes, që në fakt është palca e një shoqërie të lirë.Është stabilizatori i një shoqërie në demokraci.Është ajo që garanton punësimin më të madh, është sjellësja më e sigurt e mirëqënies, por është po kështu, një rrezik i madh për tiranët dhe autokratët.Sepse sipërmarrja e vogël është e pavarur, nuk ka nevojë për lëmoshën e qeverisë.Nuk ka nevojë për ymrin e padishahut.Nuk ka nevojë ti fusë dorën askujt, mjafton të lejohet të punojë me djersën e ballit.

Edi Rama këtë nuk e duron dot. I del jashtë planit të tij për të pasur gjithçka në kontroll. Ndaj i është vërsulur me egërsinë më të madhe sipërmarrjes së vogël në veçanti, dhe sipërmarrjes në përgjithësi.

Të vetmit “biznesmenë” që bëjnë hajër me qeverinë e Edi Ramës, janë ata, që, që nga mëngjesi deri në darkë rrinë ngjitur me Edi Ramën, duke bërë plane për të grabitur, copëtuar, zhvatur buxhetin, taksat tuaja, bregdetin, naftën, mineralët. Për të krijuar monopolin në industrinë ushimore, në industrinë farmaceutike.

Dhjetë njerëz, dhjetë hijena grabitqare.

Vetëm të ashtuquajtur “biznesmenë” do Edi Rama në gjithë këtë Shqipëri.

Prandaj i ka shkatërruar gjithë të tjerët, sepse me ata të dhjetë ndanë Shqipërinë, pasuritë e saj, buxhetin, PPP-të, koncensionet, tendërat.

Gjithçka për këta të dhjetë, sepse këta të dhjetë i puthin dorën, i puthin këmbën, i puthin dhe atë që nuk thuhet, sepse bashkë ndajnë paratë që grabisin nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Për këtë arsye i ka vënë kazmën biznesit të vogël.

Oligarku ndërton stadiumin në Tiranë, me aferën më korruptive që ka njohur ndonjëherë ndonjë federatë futbolli në botë, sepse e detyron Edi Rama.Sepse hoteli është i tyre, është i Edi Ramës, Damian Gjiknurit, dhe i të korruptuarve të tjerë. Dhe po ky që ndërton 60 milion euro, merr edhe një tendër 50 mijë euro, dhe falimentojnë dhjetëra kompani të tjera me dy-tre muratorë, me dy-tre specialistë.

S’ka tendera për ta!

S’ka, sepse këta të dhjetë marrin gjithçka. Ose këta ose askush!

Dhjetë kriminelë, kanë në dorë trafikun e drogës.Disa prej tyre hyjnë e dalin në burg, burg i thënçin se aty trajtohen si në hotel, dhe janë nga mëngjesi deri në darkë në telefon me shefat e tyre politikë, me deputetët, qeveritarët dhe më të madhin fare.Sepse në fakt ata janë aparati elektoral i Rilindjes.

Partia Socialiste është shkrirë!

Fushatën elektorale, Edi Rama e ka bërë me Safet Bajrin, e ka bërë me Astrit Avdylajn, e ka bërë me Çelët dhe Sanxhaktarët e Elbasanit.E ka bërë me kriminelët që mblidhte Rragami këtu në Korçë.E ka bërë me Shullazin dhe ushtarët e tij në Tiranë.

E ka bërë pra me dhjetë banda kriminale, dhjetë rrjete kriminale.Dhe këta të dhjetë, janë shtyllat e pushtetit të tij. Prandaj këta të dhjetë kontrollojnë gjithçka: emërimet në polici, në dogana, në tatime,. Kush merr tendërat nëpër rrethe, kush merr lejet e ndërtimit.

Gjithçka në duart e dhjetë oligarkëve dhe dhjetë kriminelëve, Edi Ramës dhe një bande politikanësh të korruptuar rreth tij, të cilët janë kapur në përgjimet zyrtare të prokurorisë shqiptare.

Dhe po të kishim minimumin e shtetit të së drejtës, po të kishin aq shtet të së drejtës sa ka Kosova, sot do të ishin të pandehur.

Në qeli, aty ku kanë çuar Klevis Balliun, sepse mbron nënat dhe baballarët që mbrojnë shtëpitë e tyre. Aty duhet të ishin sot, po të kishim një prokurori të paktën sa të Kosovës. Aty duhet të ishte Damian Gjiknuri, aty duhet të ishte Vangjush Dako, aty duhet të ishte Qazim Sejdini, aty duhet të ishte Taulant Balla.

Aty duhet të ishte vetë Edi Rama.

E pra, kjo bandë hajdutësh dhe kriminelësh, është arsyeja se pse sot, mijëra baballarë nuk i thonë me vetes; kam biznes apo sipërmarrje të vogël, por i thonë vetës: të papunë.

Kjo është arsyeja se pse 360 mijë familje fermësh në Shqipëri, sot ju shkon koka vërdallë. Në fakt duhet të ishin duke buzëqeshur, siç buzëqesh pranvera, teksa lulet lidhin fruta, duhej tu kthehej buzëqeshja, që djersa e tyre po prodhon diçka dhe që prodhimi do shkojë në treg e do të shërbejë për të ushqyer qytetarët, në rradhë të dytë për të mbushur xhepat e tyre. Për të paguar kredi, për të larë borxhe pranë bankave apo të afërmve ku kanë marrë borxh.Por në fakt e kanë lidhur kokën me peshqir.E dini pse? Sepse shumica dërmuese, 95 përqind e produkteve shqiptare, të bujqësisë dhe të blegtorisë, nuk do ta shohin dot tregun, ose do ta shohin me çmime më të larta se të njëjtat produkte që na vijnë nga Kosova, Maqedonia, Bosnja, nga Greqia, deri edhe nga Egjipti i largët, nga Serbia, qeveritë e të cilëve nuk mjaftohen me subvensionimin e produkteve të tyre, por subvensionojnë edhe eksportin, drejt një tregiu që nuk është treg më, por është si çdo gjë tjetër me Edi Ramën, tepsi, ku kontrollojnë 5 apo 10 grosistë monopolistë. Që për të marrë produktet e importit, po vdesin fermerin shqiptar.

Si po e vdesin?

Sepse kanë në krah të tyre një palo kryeministër, i cili është i vetmi në botë që nuk jep subvensionet për fermerët. Nuk jep subvensione për fermerët, duke bërë që produktet e tyre të jenë më të shtrenjta se sa produket që na vijnë nga jashtë vendit.

Jo vetëm kaq, por naftën fermerit shqiptar, njësoj si çdo qytetar shqiptar, e paguan më të lartë se në Europë, për shkak të taksës Rama.300 lek mbi litër është taksa Rama. Mos harroni! 300 lek mbi çdo litër naftë, benzinë, është taksa Rama.

Taksën e merr, asgjë nuk u jep fermerëve. As subvensione, as investime, as infrastrukturë për ti mbështetur, si psh: fabrika përpunimi apo frigoriferë. Asgjë! Zero!

Për shkak të Edi Ramës, dhjetë oligarkëve dhe dhjetë kriminelëve, sot studentët shqiptarë, drita e syrit të prindërve, shpresa e kombit, kanë arsimin me cilësinë më të dobët, por me tarifat më të larta në Europë dhe ndoshta në botë.  Më të larta se në Gjermani i paguajnë tarifat e universiteteve prindërit e studentëve shqiptarë, ndërkohë që cilësine dini vetë, e keni dëgjuar nga bijtë dhe bijat tuaja gjatë kryengritjes studentore të dhjetorit, që është në nivele të mjerueshme.

Qindra mijëra dollarë hedhin nëpër spektakle, nga taksat tuaja, nga taksat e shqiptarëve, por nuk gjejnë para për të futur në ndihmë ekonomike, ata që nuk paguajnë dot as bukën e gojës. Ndërkohë që pensionet i indeksojnë me më pak, se sa inflacioni.

Si ka mundësi të qëndrojë në këmbë, një klikë e tillë?!

Si ka mundësi të vijë në pushtet, një grup i tillë horrash, hajdutësh të paftyrë?!

Pse na ndodh ne dhe në asnjë vend tjetër?!

Për dy arsye:

E para, sepse nuk kanë ardhur me votë, kanë ardhur me krim. Kush vjen me kriminelët, nuk do të ja dijë për qytetarët.

Kaq e thjeshtë është!

Dhe e dyta, sepse gjithë këto vite, Edi Rama ka përdorur me efiçencë, një instrument kryesor të nënshtrimit të qytetarëve: shkurajimin e tyre. I shkurajon me dhunë, me kërcënime për ti larguar nga puna, kërcënime për ti mbyllur biznesin, kërcënime për ti futur në burg.I shkurajon me përçarje, duke hedhur qytetarët kundër qytetarëve.Shkon ti prishë shtëpitë pa ligj, 1200 familjeve tek Unaza e re dhe i quan shpellarë që kanë zaptuar, kur në fakt, të gjitha ata e kanë blerë tokën dhe shteti ka premtuar legalizim.Ky vetë ka premtuar legalizim falas.

Shkurajimi përmes shantazhimit, përçarjes, propagandës, ka qenë vegla e qëndrimit në pushtet të Edi Ramës, të ardhur në pushtet përmes krimit.

Por diçka ka ndodhur miqtë e mi!

Me 16 shkurt shqiptarët kanë ndjerë një burim të madhe energjie që lindi me protestën tonë. Pjesëmarrja, qëndresa dhe përballja, janë sekreti i shpresës dhe i besimit që po lind kudo.

Unë e pashë dhe këtu në Korçë, si kudo tjetër, e pashë tek mikpritja që nuk mu ofrua që në sinoret e qytetit tuaj, por tek të gjithë ata që vinin në krahun e kundërt, shpresën e prek kudo, besimi tek e nesërmja është rindezur. Kjo nuk ka ardhur nga qielli, kjo nuk është thjesht dhe vetëm një mrekulli e Zotit, pavarësisht se pa Zotin nuk bëjmë dot dhe me Zotin para do ta fitojmë dhe këtë betejë. Arsyeja kryesore e rilindjes së shpresës së njerëzve për një të nesërme më të mirë ka ardhur pikërisht nga bashkimi ynë, nga qëndresa jonë, nga përballja jonë, nga beteja e përditshme dhe e përnatshme kundër të keqes, nga vendosmëria për t’i shkuar kësaj beteje deri në fund. Dhe vendosmëria nuk është vetëm fjalë. Nuk është vetëm fjalë vendosmëria, ka një vepër të madhe, mbi të cilën çdo demokrat dhe çdo opozitar sa herë që flisni me bashkëqytetarët, mund ta përdorë si hipotekë të vendosmërisë tonë. Nuk i dogjëm kot mandatet, i dogjëm për t’i treguar çdo qytetari se beteja jonë nuk ka kthim deri në largimin dhe përmbysjen e kësaj klike kriminale. Se nuk ka e nuk do të ketë asnjë kompromis me të keqen, se nuk ka e nuk do të ketë asnjë hap prapa. Se nuk mund të ketë hap prapa, se prapa ka vetëm greminë, ka vetëm krim, ka vetëm korrupsion, ndaj djegia e mandateve është prova dhe hipoteka e vendosmërisë tonë.Mbi këtë hipotekë kemi ndërtuar bashkimin më të madh të shqiptarëve, mbi këtë hipotekë kemi ndërtuar qëndresën dhe përballjen më shembullore.Gjysmën e betejës e kemi fituar. Në 11 javë, ajo që nuk mendohej 12 javë më parë, është realitet, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

 

Por miqtë e mi, ne nuk jemi futur në këtë betejë për një gjysmë-fitore. Zgjedhje të parakohshme do të thotë për ne zgjedhje me standarde. Data natyrisht nuk është e parëndësishme, por vendimtare janë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.

Ndaj sot, nga Korça e qytetarisë, nga Korça e elitës së mendjes dhe të shpirtit, nga Korça e kurajos qytetare, dua t’u drejtoj këtë mesazh të gjithë demokratëve dhe opozitarëve, dhe çdo shqiptari që pret çlirimin e vendit nga qeverisja e bërë njësh me krimin, që pret çrrënjosjen e korrupsionit, që pret një reformë të thellë të sistemit politik që do t’ua kthejë njëherë e mirë qeverisjen njerëzve, por po kështu dua t’u drejtohem edhe kundërshtarëve politikë, dhe kujtdo miq tanë euroatlantikë. Data e zgjedhjeve të parakohshme nuk është e parëndësishme, por zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë më. Ky përdhunues serial i zgjedhjeve, koka e skemës së bashkëpunimit kriminal duhet të shkojë para drejtësisë. Ai nuk meriton të marrë më pjesë në zgjedhje, por të paktën, kushti më minimal që ne kërkojmë, është që përdhunuesi serial i zgjedhjeve nuk mund të jetë më kryeministër i zgjedhjeve, as lokale, as të përgjithshme, dhe jemi të vendosur t’i shkojmë kësaj beteje deri në fund, sepse pa këtë nuk ka zgjedhje, pa zgjedhje nuk ka votë, pa votë nuk ka demokraci, pa demokraci nuk ka mirëqeni, nuk ka Evropë, nuk ka shtet, nuk ka siguri.

Ndaj kjo është betejë jetike dhe vendimtare për çdo shqiptar.

Po kështu është e qartë se me 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje lokale. Çdo tentativë për një proces fals, çdo tentativë për t’u imponuar shqiptarëve një proces të diktuar nga krimi do të përballet me rezistencën më totale, më të vendosur, më sypatrembur, lagje më lagje, fshat më fshat, qytet më qytet, kuti votimi për kuti votimi. Zgjedhje farsë në Shqipëri më 30 qershor nuk do të ketë.

Ndaj rruga e zgjidhjes politike është e qartë.Sa më shumë vonohet, aq më shumë dëmtohet Shqipëria dhe shanset e saj për të hapur derën e mbyllur të Evropës. Derën e përplasur Edi Ramës që sot tregohet me gisht si njeriu që e ktheu vendin tonë në bazë operacionale të rrjeteve kriminale, për të cituar Departamentin e Shtetit, në autostradë të drogës, për të cituar antimafian italiane, në vendin më të korruptuar të Ballkanit, sipas statistikave zyrtare të agjencive ndërkombëtare që rankojnë korrupsionin në Evropë dhe në botë.

 

Miqtë e mi, kjo është një arritje jo e vogël. Sot, në furinë e ngjarjeve që po ndodhin ditë pas dite, mund të duket sikur kjo erdhi vetvetiu, por jo. Kjo erdhi kur shqiptarët kishin humbur kurajon dhe shpresën, kur largimi nga vendi arriti dimensione të papara e të padëgjuara që nga fillimi i viteve ’90.Arsyeja e vetme pse kemi ardhur deri në gjysmë të kësaj rruge është qëndresa, është bashkimi, është puna e palodhur, në radhë të parë e demokratëve shqiptarë, dhe i të gjithë opozitarëve, për të zgjuar kurajon dhe vetëdijen tek çdo shqiptar se pa fitoren e kësaj beteje asnjë betejë nuk do të fitojmë dot. As betejën kundër papunësisë, as betejën për sigurinë e familjeve të tyre, as betejën për shëndetësinë, as betejën për mirëqenien, asnjë betejë nuk do të fitonim dot. Ndërsa me fitoren e kësaj beteje, hapet rruga për dy fitore të mëdha.

Sot nga Korça dua ta deklaroj qartë dhe prerë, për ata që nuk e kuptojnë, për ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë, dhe për ata që nuk duan ta kuptojnë: Po, do të ketë një ndryshim të thellë të sistemit politik. Do të ketë një rikthim tek vlerat europiane të kontrollit dhe balancës, me institucione të pavarura që kontrollojnë njëra tjetrën. Parlamenti nuk do të jetë kukull e qeverisë, por do të jetë kontrollori i qeverisë.

Prandaj na duhet që parlamenti të burojë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, të jetë peng vetëm tek qytetarët shqiptarë, jo te kriminelët, as te oligarkët, as tek kryetarët e partive. Për këtë arsye, kemi nisur një debat dhe dialog kombëtar, i cili do të shtrihet kudo në Shqipëri.

 

Ne nuk kemi paragjykime për ndryshimin e sistemit.

100 deputetë me dy dhoma, me senat apo proporcional kombëtar me lista të hapura apo sisteme të tjera që bëjnë të mundur primaret brenda partive në mënyrë të detyrueshme ligjore; Forcimi i kompetencave të tjera, duke përfshirë ato të presidentit, pse jo, një president të zgjedhur nga populli

Sanksionimin se asgjë nuk mund të ndodhë pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe jopartiake, Referendumet popullore, referendumet kombëtare e lokale.Qytetarët pyeten për çdo vendim të rëndësishëm.Jo të ndërtohen inceneratorë dhe fabrika plehrash apo termocentrale për të helmuar qytetarët e Korçës pa i pyetur qytetarët e Korçës. Jo! ne do të bëjmë të mundur që, me një ligj të ri për referendumet, qytetarët të kenë mundësi të pyeten e të vendosin për gjithçka që ka të bëjë me shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e tyre.

 

Ky ndryshim i thellë i sistemit politik nuk do të ndodhë në dhoma të mbyllura, në takime të izoluara kryetarësh të partive politike, por do të ndodhë në sytë e qytetarëve shqiptarë. Sa i takon PD dhe mua si kryetar, ndryshimet do të jenë efektive vetëm pasi të sanksionohen në një referendum kombëtar, ku do të pyetet dhe do të vendosë çdo qytetar shqiptar me të drejtë vote.

 

Vëllezër dhe motra!

Rreth 3 vjet më parë bëmë reformën kushtetuese për reformën në drejtësi, për të pastruar drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët  e korruptuar, që bënin drejtësi me 2 standarde: të pafajshmin të pambrojturin, njeriun pa akses, pa pushtet, e godisnin egërsisht, madje e godisnin edhe padrejtësisht, duke sanksionuar vjedhjen e pronës, duke u dhënë burg pa afat në paraburgim njerëzve që nuk paguanin dot faturën e dritave, duke i çuar drejt vetëvrasjes ata apo të rinjtë për 1 cigare hashash, ndërkohë që bosët e trafikut të drogës hanin e pinin si derra me Edi Ramën dhe me kupolën socialiste, ndërkohë që korrupsioni qeveritar arriti rekordet e 29 viteve pluralizëm. Pra drejtësi me dy standarde, që ndëshkonte të pafajshmit dhe mbronte të pushtetshmit. Ky ishte qëllimi pse e bëmë Reformën në Drejtësi.

 

Por çfarë ndodhi?

 

Në shkelje të paktit politik të 22 Korikut 2016, Edi Rama kaloi në mënyrë të njëanshme ligje, me qëllim që të kapte dhe të kontrollonte proceset kryesore të reformës në drejtësi. Ndaj sot nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, se po të kishim Gjykatë Kushtetuese, një institucion do të ndalte padrejtësitë e mëdha që po bëhen sot në emër  të reformës në drejtësi.

 

PD nuk mbron asnjë gjyqtar, asnjë prokuror të korruptuar, pavarësisht nga emri, mbiemri, origjina apo koha e emërimit në detyrë. Të gjithë ata që janë larguar se janë gjetur në shkelje të rregullave të vettingut, rrugë e mbarë u qoftë e mos u kthefshin më pas, por të gjithë jemi dëshmitarë se ky proces po përdoret politikisht për të mbajtur brenda sistemit njerëz të korruptuar nga koka tek këmbët, si Donika Prela, që duhet të ishte sot në burg, e dënuar për pastrim parash.

 

Në vend që të jetë e dënuar për pastrim parash, është kryeprokurorja antimafia. Kjo do ta hetojë mafian, pastruesja e parave, e akuzuar që, për të liruar një njeri, merrte 50 mijë euro? 50 mijë euro për të liruar një njeri.E kapi SHISH dhe e shpëtoi Edi Rama. Do t’i themi gjërat hapur se nuk kemi më çfarë të fshehim. Kjo është kryeprokurja antimafia.Pse?Që të mbyllë dosjet.

Prandaj nuk hetohet dosja 184 e 2016-ës se, bashkë me Ymer Lalën, shkon direkt në burg edhe Damian Gjiknuri.Prandaj nuk hetohet 339 e 2017-ës, se shkon direkt në burg Vangjush Dako dhe deputetë socialistë dhe fillojnë pastaj dhe këndojnë nga qelitë dhe tregojnë për të gjatin, të gjatin që i porosiste “I dua të gjithë deputetët e Durrësit, 10 deputetë të Durrësit.”Kë porosiste?Jo shtabin e PS, por nxiste direkt kriminelët, narkotrafikantët që, me urdhër të Gjermanisë ishin vënë në përgjim dhe, përveç trafikut të drogës, kishin marrë përsipër trafikun e votave.Asnjë prej këtyre nuk është në burg, se kryeprokurore e antimafias, e krimeve të rënda është një person që për vete duhet të ishte në burg.

Prokurore e Përgjithshme “e Përkohshme”, po mbush dy vjet në detyrë, është një tjetër kukull, e emëruar aty vetëm me një qëllim: të paralizojë çdo hetim kundër korrupsionit qeveritar dhe të godasë me hetime politike kundërshtarët politikë të Edi Ramës. Ky është realiteti dhe për këtë arsye shqiptarët sot, si asnjëherë nuk e besojnë më reformën në drejtësi.

Njësoj si ne, shumica e shqiptarëve e donte Reformën në Drejtësi. Të gjithë deputetët e PD votuan për reformën në drejtësi, por sot, edhe përkrahësit më të fuqishëm të reformës në drejtësi e thonë ca me zë e ca nën zë, se Edi Rama ia ka dalë ta kapë reformën në drejtësi. Kjo duhet të marrë fund.

Dua ta them fare qartë nga Korça, se me PD nesër në pushtet, reforma në drejtësi do të shkojë përpara sipas përcaktimeve kushtetuese, jashtë interesave politike, se ne do të bëjmë realitet atë që premtuam para qytetarëve shqiptarë: gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm, që nuk mbrojnë, por ndëshkojnë korrupsionin  dhe fund standardeve të dyfishta, fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin dhe oligarkëve që kanë grabitur pasuritë e shqiptarëve.

Vëllezër e motra,

Këto janë disa prej aspekteve politike të një transformimi të thellë që vjen në fund të kësaj beteje. Prandaj u kemi thënë dhe u themi shqiptarëve të bashkohen me ne, se beteja nuk mbaron me largimin e Edi Ramës.Është vetëm fillimi.Me largimin e Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore, krijohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Në zgjedhje të lira e të ndershme, PD do të vijë me programin  më të mirë dhe më efikas, në radhë të parë për të ndaluar krizën ekonomike dhe sociale, së dyti për të çliruar mundësitë për zhvillim ekonomik.

Disa prej këtyre masave do të merren menjëherë.

Nuk ka masa më urgjente se ato që kanë të bëjnë me gjendjen e rënduar sociale, në veçanti me familjet në nevojë ekonomike. Dyfishimi i ndihmës ekonomike do të jetë vendimi i parë që do të firmosë kryeministri i qeverisë demokratike dhe përfshirja në këtë listë i atyre që janë larguar me të padrejtë.

Po kështu, ne do t’i japim fund një padrejtësisë, e cila shkon përtej padrejtësisë politike. Është padrejtësia brenda familjeve tona, është padrejtësia ndaj baballarëve dhe nënave tona, që u rropatën në 50 vjet komunizëm, hoqën kafshatën e bukës nga goja për fëmijët e tyre  dhe sot me pensionin e tyre nuk paguajnë dot faturat e energjisë, faturat e ilaçeve, sepse nuk u mbetet asgjë për të ngrënë. Në fakt, 290 mijë shqiptarë hanë vetëm 1 herë në ditë, shumica prej tyre pensionistë.Ndaj zonja dhe zotërinj, siç e keni marrë vesh, pjesë e programit tonë, shpërndajeni derë më derë, nuk është premtim, është vendim, është platformë, është program me vulat e mbështetjes europiane: pensioni minimal 250 mijë lekë në muaj, në krye të 4 viteve të para të qeverisë sonë. Ky është angazhimi ynë për t’i dhënë fund mjerimit të pensionistëve, mjerimit të moshës së tretë, është angazhimi ynë për t’i dhënë fund sirenave të urisë që janë produkti i vetëm i qeverisjes kriminale të Edi Ramës.

 

Po kështu, edhe platforma jonë për shëndetësinë. Së pari, do të anulojmë të gjitha koncesionet korruptive të Edi Ramës, që marrin nga xhepat tuaj çdo vit 33 milionë euro, i vjedhin, ndërkohë që ne na ikin mjekët, infermierët, ndërkohë që lista e barnave të rimbursueshëm është me e shkurtra në Europë., 450 barna dhe rimbursimi më i vogli, 50-60%. Jo! Këto para do të shkojnë aty ku kanë nevojë njerëzit jo oligarkët e Edi Ramës. Ndaj le ta dijë çdokush, rroga e mjekëve shqiptarë nuk do të jetë asnjë cent poshtë rrogës së mjekëve të Kosovës, 1200 euro rroga për mjekët, 700 euro rroga për infermierët. Hapi i parë për ta zgjuar nga gjendja e komës shëndetësinë shqiptare dhe paratë e tjera do të përdoren për të shtuar lisën e barnave të rimbursueshme dhe për të bërë të mundur që këto barna të jenë të certifikuara europiane, që i shërojnë, nuk i vdesin njerëzit. Barna europiane, jo barna indiane, barna që vijnë nga fundi i botës vetëm për të mbushur xhepat e mafias së ilaçeve.

 

Vëllezër dhe motra!

Këto aspekte të programit tonë social janë shumë të rëndësishme për të trajtuar ata që nuk konkurrojnë dot në treg.Ose se janë tepër të moshuar për të qenë në punë, ose të sëmurë, personat me aftësi të kufizuara, apo vogëlushët, të rinjtë, studentët.Beteja jonë kryesore është me papunësinë. Ndaj, ulja e taksave, ulja e çmimit të aftës, ulja e çmimit të energjisë dhe një qeveri që qëndron në krah të biznesit, në krah të sipërmarrjes, me investime vendase dhe të huaja do të synojë realizimin e një prioriteti madhor të qeverisjes sonë të ardhshme që është punësimi, punësimi, punësimi i shqiptarëve në gjendje pune dhe në veçanti i rinisë, me kushte dhe paga dinjitoze.

 

Pra, vëllezër e motra, në një horizont të tillë, nuk ka vetëm rotacion politik, por ka një qeveri që mendon për njerëzit, u shërben njerëzve dhe është kjo që do të sjellë ndryshimin midis të zezës, mjerimit, të keqes që përjetojmë sot, dhe atij ndryshimi që po i bashkohen shqiptarët. Që kjo të ndodhë, beteja duhet çuar deri në fund.

Edi Rama ka sunduar përmes frikës, përçarjes, shkurajimit.Ne jemi kurajuar përmes shpresës besimit dhe vendosmërisë.Falë këtij bashkimi, në më pak se 3 muaj, kemi ardhur në mes të rrugës sonë për ta larguar këtë klikë dhe për të sjellë ndryshimin pozitiv për çdo shqiptar, që është e vetmja rrugë që do të hapë dyert e Europës. Gjysma tjetër e rrugës na pret.

 

Në javët e ardhshme nuk do të vendoset vetëm fati i një rotacioni politik, por do të vendoset fati i Shqipërisë për 5, 10, 15 vitet e ardhshme.

Shikojini në sy vogëlushët tuaj. Do të vendoset fati i tyre për 15 vitet ardhshme. Ky është një misioni i jashtëzakonshëm, një mision i pazakontë për një forcë politike. Forcat politike, si rregull konkurrojnë në zgjedhje që mbahen çdo 2 apo 4 vjet, por mbi supet e demokratëve ka patur jo rrallëherë gara elektorale, por misione kombëtare, sepse edhe ne nuk jemi një parti e zakonshme. Ne jemi partia Demokratike e Shqipërisë që kemi lindur si mision kombëtra, kemi lindur për të sjellë lirinë, demokracinë dhe Shqipërinë si gjithë Europa.Kemi sakrifikuar, kemi vënë shpesh herë interesat e kombit mbi interesat akute politike, ndaj jemi në këtë betejë, ndaj besimi dhe shpresa është kthyer tek shqiptarët, që sot mbështesin PD dhe aleatët tanë.Sot jemi maxhornca e re politike, morale dhe numerike e Shqipërisë.Le ti japim trajtën, konturet, formën dhe entuziazmin kësaj maxhorance, bashkë me zërin e lartë dhe qëndresën karakteristike, të shtunën më 11 Maj në orën 18.30 në Tiranë.Merreni me vete qytetarinë korçare, merreni me vete idealin tuaj europian, merreni me vete forcën e bashkimit kombëtar dhe mbi të gjitha, vendosmërinë, rezistencën, përballjen.

Të gjithë bashkë, ditën e shtunë në tiranë.

Zoti e bekoftë Korçën, Zoti e bekoftë Shqipërinë europiane!

Fitore!