Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua sot pasdite me fermerë dhe blegtorë të Devollit. Duke i falenderuar për mbështetjen historike që kjo zonë i ka dhënë Partisë Demokratike, ai theksoi se ishte një fatkeqësi kombëtare që Devolli i punës ishte shndërruar në Devollin e mjerimit dhe të braktisjes, për shkak të politikave kriminale që ndjek qeveria ndaj fshatit dhe bujqësisë në përgjithësi.

Duke u ndalur në platformën e PD për nxjerrjen e sektorit të bujqësisë nga kriza, kryetari Basha iu përgjigj interesimit të fermerit Vedat Bruzi për politikën e subvencioneve në bujqësi. “Unë e kam dertin tek ato të shkreta subvencionime, tha Bruzi. Kam frikë se shumë subvencionime do shkojnë tek pak veta që përfitojnë, por ju lutem ulni naftën dhe zgjidhni konsuj që të bëjnë kontrata për të shitur prodhimet tona”.

Patjetër që do të ketë subvencione tha zoti Basha, por ju e keni hallin që nga subvencionet të mos përfitojnë hajdutët. “3 janë shtyllat e programit të Partisë Demokratike për bujqësinë, tha kryetari i PD. Për subvencionet, ne do të kemi një skemë vjetore prej 100 milionë eurosh, ku ekspertët më të mirë po përcaktojnë kriteret se si do të ndahen ato. Kriteret kryesore janë sipërfaqja e tokës që kultivohet dhe numri i krerëve që do mbarështohen. Subvencionet do të jenë shtylla e parë në mbështetje të fermerëve, 100 milionë euro për 360 mijë familje fermere.

Shtylla e dytë është mbështetja për infrastrukturën. 50 milionë euro në vit do jepen për infrastrukturën bujqësore, rrugët e fshatrave, aksesi nëpër ara, shtrirja e linjës elektrike për rrjetet ujitëse, këtu hyn edhe subvencionimi i infrastrukturës ruajtëse dhe përpunuese, si depot, magazinat, apo linjat e përpunimit të prodhimit”.

 

Fermeri Ali Fero ngriti shqetësimin që fshatarët që prodhojnë po mbeten jetimë, jo vetëm me subvencionimet, por edhe për të gjetur tregun ku do të shiten prodhimet.

“Imagjinoni sa mjerim më vjen në shpirt kur ju i kërkoni kryetarit të bashkisë një pikë për të hedhur produktet tuaja, pra një varrezë për prodhimet tuaja, tha zoti Basha. Kurrë s’do ta pranoj këtë realitet. Të ndalet konkurrenca e pandershme nga prodhimet e subvencionuara nga jashtë është kolona jonë e tretë. Trau për këtë konkurrencë të pandershme. Fermerët shqiptarë janë të parët për Partinë Demokratike. Pra, në fillim do të shitet molla e Devollit, pastaj do t’u vijë radha të tjerëve”.

 

Fermeri Florian Bruzi vlerësoi sakrificat e pallogaritshme të kryetarit të PD dhe theksoi se nga ballafaqimi mes 8 viteve të qeverisjes së PD-së dhe 6 viteve të pushtetit të Ramës me vagabondë, perspektiva shihet qartë. “Nëqoftëse ne nuk bashkohemi këtu, në çdo cep, me një mendim të përbashkët për ta shpartalluar këtë pushtet, s’ka mbarësi. Molla, patatja, janë bërë për gjynah. Kështu do të vazhdojë edhe në vitet e tjera nëse nuk kemi bashkimin për ta shpartalluar këtë pushtet”.

Një fermer tjetër theksoi se pakënaqësia ka vajtur në maksimum dhe të rinjtë do të ikin nëse s’bëhet punë, pasi të vijë PD në pushtet, se është e sigurt se ajo do të vijë në pushtet shumë shpejt”.

Kurse fermeri Veror Hoxha u ndal tek mungesa e perspektivës dhe plaga e emigracionit. “Nga 45 fshatra të Devollit, 40 % e shtëpive janë të mbyllura me kyç dhe në të tjerat kanë mbetur vetëm pleqtë. Qeveria na ka vrarë ekonomikisht dhe moralisht. Në 6 vjet, 3 herë i kemi hedhur prodhimet në lumë. Do isha shumë i lumtur sikur ju të realizoni edhe vetëm 50 % të programit që keni shpallur, do të shpallesh hero” iu drejtua ai zotit Basha.

“Demokracia s’është dëshirë, është raport i ndërsjellë: ti më beson programin tim, unë marr përsipër për të qeverisur dhe realizuar premtimet, tha kryetari i Partisë Demokratike.

Duke kujtuar se ishte njeri i fjalës së mbajtur dhe se këtë e kishte treguar edhe më herët, kur ishte vënë në krye të përpjekjeve për realizimin e 105 kushteve që sollën edhe heqjen e vizave për shqiptarët, zoti Basha i ftoi fermerët e Devollit që të mos e ndërpresin qëndresën e tyre ndaj kryeministrit të kriminelëve dhe oligarkëve, të cilën e kishin treguar edhe në 2017-n.

“Na presin beteja të tjera se në pushtet vetëm me zgjedhje vihet, tha Basha. Asnjë zgjidhje nuk vjen pa sjellë votën e lirë. Prandaj, që betejën e nisur me 16 shkurt ta çojmë deri në fund duhet të jemi në këmbë, në protestat që do vijnë, duke filluar nga protesta e kësaj të shtune. Nuk e kemi luksin ta humbim këtë betejë”.