• Reporterët pa Kufij konfirmojnë përkeqësimin e lirisë së medias në vend. Shqipëria zbret me 7 vende në indeksin botëror.
  • Sulmet ndaj medias si nga qeveria, ashtu edhe nga krimi i organizuar arritën në një nivel të paprecedentë në vitin 2018.
  • Reporterët pa Kufij shprehin shqetësimin për “kapjen e mediave dhe përqëndrimin e tyre në duart e një grushti biznemenësh të mëdhenj.”
  • Projektligjet për median të Edi Ramës forcojnë kontrollin e shtetit mbi median elektronike dhe kufizojnë aksesin tek lajmet dhe informimin.
  • PD u ka kërkuar organizmave ndërkombëtarë të sjellin në Shqipëri misione monitorimi.

DEKLARATË ALBANA VOKSHI

Partia Demokratike ka denoncuar, prej kohësh, situatën alarmante të lirisë së medias në Shqipëri. Pa media të lirë nuk ka transparencë dhe llogaridhënie të qeverisë, nuk ka informim të publikut, rrjedhimisht nuk ka zgjedhje të lira.

Media e Lirë është kushti i panegociushëm për hapjen e negociatave.

Në situatën e rënduar për mediat dhe gazetarët, raporti i sotëm i organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufinj” ngre alarmin se pa liri të medias rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është e gjatë.

“Sulmet ndaj medias si nga qeveria, ashtu edhe nga krimi i organizuar arritën në një nivel të paprecedentë në vitin 2018”-thuhet në raport.

Në publikimin e sotëm të Indeksit Botëror të Lirisë së Medias, Shqipëria ka zbritur 7 vende, duke parë si përgjegjës kryesor kryeministrin Edi Rama.

Ai ka vën nën kontroll shumicën prej tyre, nëpërmjet lidhjeve me pronarët oligarkë, tenderave, koncesioneve, PPP-ve apo licensave korruptive, siç evidentohet në raport.

Reporterët pa Kufij shprehin shqetësimin se për “kapjen e mediave dhe përqëndrimin e tyre në duart e një grushti biznemenësh të mëdhenj.”

“Politikanët, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, i quajnë gazetarët kazan dhe fabrikantë të lajmeve të rreme.” -thekson raporti, i cili kritikon  dy projektligje për median të Edi Ramës si propozime që “forcojnë kontrollin e shtetit mbi median elektronike dhe kufizojnë aksesin tek lajmet dhe informimi.”

Parimi i Ramës është atë që nuk e blen dot me tendera, koncesione, licensa – e kërcënon e shantazhon, fyen, përçmon, e çon në gjyq.

Në indeksin botëror të Lirisë së Medias, Reporterët Pa Kufij ngrenë shqetësimin se “Gazetarët janë subjekte të fyerjes, kërcënimeve me vdekje dhe procedimeve ligjore, që synojnë t’i intimidojnë dhe t’i frenojnë ata nga investigimi i korrupsionit.”

Dy ditë më pare, Partia Demokratike informoi organizatat ndërkombëtare për përkeqësimin e lirisë së medias, duke listuar të gjitha rastet e gazetarëve të kërcënuar dhe intimiduar nga qeveria dhe mafia.

  1. Gjatë vitit të kaluar ka patur raste të rënda të kërcënimit të gazetarëve për shkak të detyrës. 
  • Persona të paidentifikuar qëlluan në mes të natës shtëpinë e prindërve të gazetares Klodiana Lala, vetëm sepse ajo denoncoi lidhjet e deputetit të PS Jurgis çyrbja me bandën e Shullazit. 
  • Gazetari Julian Shota u kërcënua me armë në kokë sepse po transmetonte një shpërthim në një biznes në Laç. 
  • Policia goditi në kokë kryeredaktorin e RD Bledi Kasmi, ndërsa po raportonte protestën e opozitës para MB.
  1. Intimidimi përmes padive në Gjykatë:
  • Kryeministri Rama paditi gazetarin Ylli Rakipi për shpifje dhe prishje të imazhit, vetëm sepse ai ka publikuar disa raste të pastra korrupsioni të Qeverisë. Gazetqari Rakipi zbuloi se firma fituese e projektit 40 milionë euro të Unazës së Madhe kishte marrë tenderin me letra të fallsifikuara.
  • Gazetarja investigative Klodiana Lala u kërcënua me hetim për një raport të publikuar në BIRN dhe Zëri i Amerikës, ku denoncohet blerja e votave në Qarkun Durrës gjatë 2017-ës, ku përfshihet drejt për së drejti Vangjush Dako dhe një nga bandat e Durrësit.
  • Jetmir Olldashi, gazetari investigativ është marrë i pandehur, vetëm sepse publikoi lidhjen e vëllait të ish ministrit të brendshëm Agron Xhafaj me trafikun e drogës.
    Basir Çollaku, një tjetër gazetar investigativ u padit nga kreu i Gruit Parlamentar të PS vetëm sepse ai publikoi një intervistë me oficerin Emiljano Nuhu, i cili denoncoi kërcënimin me armë në kokë brenda rajonit të policisë në prani të Ballës, për të heshtur për akuzën e përdhunimit nga djali i deputetit socialist Rrahman Rraja.
  • Prokuroria e Vlorës kërkoi praninë me forcë të gazetarit Elton Qyno vetëm, sepse ai botoi një artikull për vrasjet dhe zhdukjet mafioze në Vlorë.
  • Edhe rasti i mëparshëm i gazetares Alida Tota, që investigoi vrasjen e të riut Ardit Gjoklaj në Sharrë, bën përgjegjës direkt kryebashkiakun Erion Veliajn, kampion i blerjes së medias.

Të gjithë këto, kanë “krijuar një situatë në të cilën vetë-censura është gjerësisht e përhapur  dhe 80% e gazetarëve nuk kanë besim për të ardhmen e tyre profesionale.” thuhet në indeksin boteror për  lirinë e medias të Reporterëve pa Kufij.

Tejet e shqetësuar nga kjo situatë, Partia Demokratike ka informuar në vijim të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe organizatat ndërkombëtare për Lirinë e Medias.

Partia Demokratike ka kërkuar prej tyre të sjellin misione monitorimi për situatën e rëndë të medias në Shqipëri, si dhe të ushtrojnë të gjithë presionin e tyre ndaj Kryeministrit  për të ndalur sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve.