• Përgjimet e prokurorisë kanë provuar se procesi kundër meje është i montuar dhe përmblidhet në fjalinë “Ervin Salianji ka dashur të dëmtojë politikisht Fatmir Xhafën dhe qeverinë”.
  • Shpresoj që të vijë një ditë, kur forca e ligjit të ketë po aq forcë sa ka krimi i organizuar sot dhe prokurorët të marrin të pandehur trafikantin e drogës Agron Xhafajn dhe jo të jenë ngjitur me avokatët e tij.
  • U kërkova prokurorëve të marrin nën arrest për dëshmi të rreme drejtuesit e policisë, Albert Nushin dhe Andon Markon. Përgjimet në dosje tregojnë se ata jo vetëm e njohin Alizotin, por janë kapur duke i dhënë para.
  • Nuk më trembin dot me kërcënime dhe padi penale. Kam mbrojtur interesin publik, duke futur në burg një njeri që s’e ka futur dot shteti, vëllain e dënuar dhe deri në atë kohë të lirë, të Ministrit të Brendshëm.

 

DEKLARATA E ERVIN SALIANJIT PARA GJYKATËS PENALE TË TIRANËS GJATË SEANCËS KU ËSHTË MARRË I PANDEHUR PËR DENONCIMIN E TRAFIKUT TË DROGËS NGA AGRON XHAFAJ.

 

Seanca po vazhdon. Unë nuk mund të vazhdojë të dëgjoja shokët e tjerë të Ramës. Boll kam dëgjuar shokë të dënuar të Ramës, që ka futur në parlament, me vendime të formës së prerë, të dënuar si trafikantë droge apo si përdhunues. Këtu ishte një rast tjetër i njërit prej shokëve të Ramës që e ka përdorur si dëshmitar të sajuar, prandaj edhe u largova, sapo filloi të merrte fjalën dëshmitari i sajuar.

Gjatë seancës prokuroria bëri parashtrimin e gjatë, por pa asnjë provë të re e pa asnjë element që mund të përbëjë vepër penale, por vetëm me indicie, apo agjitacion e propagandë, themeli i të gjithës përmblidhej në fjalinë “Ervin Salianji si organizator i këtij denoncimi ka dashur të denoncojë politikisht Fatmir Xhafën dhe qeverinë”. Gjatë gjithë kohës unë jam në funksionin publik.

Ua thashë prokurorëve, po e them edhe këtu se unë shpresoj shumë që të vijë një ditë që forca e ligjit të jetë po aq sa forca që ka krimi i organizuar sot, që prokurorët sot duhet të ishin në krahun tonë, duke denoncuar apo duke marrë të pandehur Agron Xhafajn si trafikant droge, për një vepër të re, atë që ishte këtu, dhe jo të ishin ngjitur me avokatët e Agron Xhafajt. Se ne jemi këtu sot për shkak se na ka denoncuar trafikanti tanimë i dënuar, por edhe duke kryer dënimin, Agron Xhafaj. Aty ishin sot, ngjitur me prokurorët, edhe avokatët e tij, për t’i pasur si garanci për rastin.

Pa diskutim që është një proces i montuar, që të gjithë qytetarët shqiptarë, për fat të mirë e kanë dëgjuar, me përgjime të vetë prokurorisë, me prova të vetë prokurorisë.

U kërkova prokurorëve në sallë atë që e kam kërkuar edhe me shkresë, edhe në publik, që të marrin nën arrest për dëshmi të rreme, të paktën dy raste që janë brenda dosjes, Albert Nushin dhe Andon Markon. Të dy kanë deklaruar para prokurorit se nuk e njohim Alfred Alizotin, të dy janë në përgjime, të kapur qartazi duke i dhënë para Alizotit.

Prokuroria nuk kishte ndonjë pretendim shtesë, nuk kishte as përgjigje për rastin, por e ritheksoj se jo vetëm nuk më intimidojnë dot, pavarësisht se, së paku në dijeninë time, gjatë periudhës së qeverisë “Rilindja” kam nja 39 procedime, padi apo kallëzime, jo vetëm që nuk më trembin apo frikësojnë dot, por më nxisin më shumë për të kryer atë që pakkush beson sot se politika është një mision, por misioni i politikës është të tregojë të vërtetën. Dhe një prej detyrave kryesore të saj është të mbrojë interesin publik. Unë e kam mbrojtur duke futur në burg një njeri që s’e ka futur dot shteti, vëllain e ish-ministrit të brendshëm Agron Xhafaj, i dënuar.

Pyetje: Pas mbylljes së hetimeve dhe dërgimit të dosjes në gjyq, ju keni publikuar një sërë përgjimesh, të cilat janë pjesë e dosjes, që sipas jush komprometojnë figurën e dëshmitarit kryesor në këtë proces. A e keni ngritur këtë pretendim sot në sallën e gjyqit dhe a e vutë në dyshim figurën e këtij dëshmitari?

Ervin Salianji: Padiskutim që prokurorëve u thashë atë që kemi thënë në publik dhe prokurorët duhej ta kishin marrë nga kallëzimi ynë që është i sajuar, është i paguar dhe këta duheshin marrë të pandehur, që nga dy drejtorët e policisë, duhej marrë një deputet i PS-së dhe pa diskutim prokurorët që kanë marrë këta të krimeve të rënda, dy prokurorët të cilët dalin në përgjime. Do të kemi surpriza të tjera. Nuk është një çështje që është mbyllur në kuptimin e bërjes publike të përgjimeve të bëra nga vetë prokuroria. Imagjinoni që në tre apo katër muaj përgjime, në çdo skutë ku është futur prokuroria nuk ka gjetur një kontakt të vetëm, se nuk ka si të gjejë një kontakt timin me Alizotin.

Pyetje: A kishte ndonjë përgjigje nga ana e prokurorit në sallën e gjyqit?

Ervin Salianji: Jo, fare, nuk ka pasur asnjë përgjigje dhe nuk ka pasur asnjë komunikim shtesë. Kanë qenë duke lexuar vetëm atë që kanë lexuar më parë, thua se nuk ka pasur ndryshime, a thua se nuk ka përgjegjësi për ata që nuk i kanë zbardhur përgjimet apo akoma më keq, për disa që kanë ndërhyrë, duke prerë përgjimet të cilat do t’i bëj publike besoj në orët apo ditët në vijim. Nuk ka vepër penale, prokuroria duhet të provojë fajësinë time. Unë nuk fajësohem dot për agjitacion dhe propagandë. Duhet që të mos kalojë fare në seancë, sepse nuk ka vepër penale dhe nuk ka asnjë provë. Ka vetëm indicie. Telefonata apo thirrje hyrëse që më ka bërë mua Albert Veliu i njohur si Babalja, ka po njësoj me deputetë apo drejtues të Partisë Socialiste. Janë në tabulatet që i ka prokuroria dhe kjo nuk do të thotë asgjë. Unë isha deputet në momentin që u bë denoncimi, në momentin kur mora garancinë për mbrojtjen e personit që erdhi të denoncojë bashkë me gazetarin që ka kryer investigimin. Unë nuk e kam lënë rrugëve, e kam shkruar që kam ndihmuar bashkë me Partinë Demokratike për familjen që të mos kërcënohej dhe mos intimidohej dhe pa diskutim edhe vetë atë, si personi që nëse do të ishte sot këtu, do të ishte në burg. Kjo është një rrugë dhe një mënyrë e pisët që ndjek prokuroria në shërbim të qeverisë për të intimiduar cilindo që denoncon. Në këtë rast i japim garanci çdo qytetari tjetër për çdo denoncim që duan ta bëjnë publike. Unë pa diskutim që do të jem në shërbim të publikut, duke bërë denoncime edhe më të forta se këto.