Bujar Kapexhiu: “Rama ik” është e vetmja zgjidhje që duhet të ekzistojë. Nëqoftëse ikën Rama, do të ikë edhe rreziku për gjithçka. Nëqoftëse arrijmë që të gjithë brenda vetes “Rama ik”, ikën rreziku, nuk prishet asgjë, vetëm ndërtohet.

 

Flutura Açka: Beteja për Teatrin është një nga gjërat më të bukura në këto 30 vite demokraci, është një nga leksionet më të mira sesi mund të protestojmë me konsekuencë dhe në përditshmëri për të mbrojtur një gjë.

 

Taulanda Jupi:  Mesazhi që teatri na jep sot është që qëndresa dhe bashkimi mund të bëjë ndryshimin. Siç luftuam për teatrin, duhet të luftojmë për një demokraci funksionale, që fillon me zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

 

Limoz Dizdari: Mollët e këqija duhet t’i heqim. Mundësisht edhe ato që sapo kanë filluar, duhen pastruar. Kjo është detyrë jo vetëm e partive politike, por e të gjithëve ne që të angazhohemi e të bëjmë këtë gjë.

 

Mark Marku: Beteja për teatrin i ka treguar shoqërisë se për të mbrojtur diçka që është e drejtë, nuk ka nevojë të jesh shumë. Një akt i ngjashëm është akti i opozitës për të dorëzuar mandatet. Duke braktisur një institucion, e ka shembur atë institucion, praktikisht një institucion i krimit që nuk funksionon.

 

Edmond Tupe: Edi Rama ka frikë nga teatri. Të gjithë diktatorët kanë frikë nga teatri, kur ai nuk u shërben interesave të tyre. Sepse në teatër, shikon veten veten sa vlen. E kupton që ti nuk vlen, ti e urren vetveten. Kjo është për zotin Rama.

 

Rudi Erebara: Duhet të jemi të gjithë bashkë jo për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës, por për të rrëzuar një sistemin që solli Ramën në pushtet. kësaj radhe u vertetua se pa votën tonë, do të rrijë Edi Rama ose do na vijnë ca Rama të tjerë. Duhet të jemi të gjithë bashkë që të rrëzojmë sistemin.

 

Lulzim Basha : Duhet të jemi të vetëdijshëm se pa zgjidhur problemin e krimit sepse, çdo sistem do të kapet nga krimi. Nuk është çështje sistemi. Pa i dhënë një goditje të fortë lidhjes së politikës me krimin, nuk ka sistem që e zgjidh këtë.

 

Agron Gjekmarkaj: Jemi në një gjendje të emergjencës kombëtare, ku opozita është në rrugë, ka dorëzuar mandatet. Një lëvizje kaq e fortë, kaq e paprecedentë, të shërbejë si një lëvizje emancipuese jo thjesht për të ndryshuar një qeveri, por për të ndryshuar perceptimin mbi jetën që do kalojmë në këtë vend.

 

Mërtiri: Alarmi më i madh nuk është sistemi, por nevoja që interesat e mafiozëve, oligarkëve, të krimit të organizuar të zhvishen nga ndikimi i tyre në politikë dhe kjo besoj se është një alarm shumë i madh.

 

Mërtiri: Edi Rama e ka masakruar sistemin, nuk po lejon garë politike, nuk po lejon median dhe institucionet të funksionojnë në mënyrë të pavarur. Ajo që na bën bashkë, është lufta me atë që ka kapur sistemin, për ta kthyer politikën brenda sistemit.

 

Mërtiri: Edi Rama ka blerë artistët. Ky njeri ka mundësi të blejë gjithçka. Ne duhet të shembim mekanizëm blerës, kapës, kompromentues, korruptues të Edi Ramës, që është ndërtuar në mënyrë paralele me politikën normale, me shtetin.

 

Edmond Budina: unë e ndjej pranverën dhe vërtet them se pranvera do të vijë. Pushtetet do të ndryshohen dhe demokracia është ajo që sa herë një pushtet nuk shkon, ne ndryshojmë dhe ndryshojmë pushtetet.

 

Lulzim Basha: Besimi juaj se gjërat mund dhe do të ndryshojnë, sensi kërkues edhe me vështrim kritik ndaj opozitës për të bërë atë që kemi në dorë dhe për ta përshpejtuar ndryshimin ëhstë gjëja më e çmuar e këtij diksutimi.

 

Lulzim Basha: Ajo që duhet të shembim është pikërisht kalbësira e një regjimi që ka kapur të gjitha institucionet, përfshirë mediat. Çlirimi i qeverisjes së bërë njësh me krimin, çlirimi i votës nga krimi, është prioritetet absolut.

 

Lulzim Basha: Ju ftoj të bëheni pjesë e kësaj proteste kombëtare më 16 Mars. Nuk është një protestë partiake. Nuk është një protestë për pushtet, është një protestë për ndryshim.

 

 

 

NGA FJALA E ARTISTËVE DHE INTELEKTUALËVE NË DEBATIN PUBLIK  “ARTI NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË DHE INTERESIT PUBLIK”, I ORGANIZUAR NGA PD, NË BASHKËPUNIM ME ALEANCËN PËR MBROJTJEN E TEATRIT.

 

 

NERITAN LIÇAJ

 

Unë dua t’i bëj një apel të gjitha forcave politike. Ne duam të hyjmë në Europë dhe me shumë të drejtë sepse ne jemi një nga kulturat më të vjetra në Europë. Jemi vend europian, pavarësisht se nuk jemi në Bashkimin Europian. Ne nuk duhet të hyjmë në Europë vetëm me punësim, zhvillim ekonomik, etj, patjetër edhe këto shumë të rëndësishme, por ne duhet të hyjmë në Europë me një kulturë dhe me një civilizim, duhet të hyjmë në Europë si shqiptarë. Dhe këtë e bën arti, kultura, shkenca, sporti dhe mediat. Janë këto që pasurojnë qytetarin në shpirt dhe e bëjmë më të mençur. Vetëm duke patur një qytetar më të mençur mund të pretendojmë të ndërtojmë një shoqëri moderne. Nëse nuk kuptojmë këtë, vendi do të jetë gjithmonë duke bërë para-prapa. Prandaj, mendoj se problemet për artin e kulturën janë bazike, prandaj duhen zgjidhur. Politika duhet të ndryshojë qasje drejt artit dhe kulturës. Arti dhe kultura është kuqezi, nuk janë ngjyrime politike, shkon përtej tyre.

 

BASHKIM ZAHAJ

 

Një artist në opozitë dhe një artist që kërkon, nuk është gjë tjetër vetëm është një e ardhme. Ne të gjithë e dimë, kush merret me artin e ka fare të qartë që artisti e sheh të ardhmen jashtëzakonisht mirë. Aq mirë sa ‘smund ta mendoni dot. Ndaj mbajtja larg e artistit është një dëm i jashtëzakonshëm. Ne jemi në grahmat e fundit të vdekjes dhe eleminimit të artit dhe të kulturës. Përderisa ne urrehemi  deri në krijimtari, më thoni mua se si do të zhvillohemi ne?! Përderisa dy-tre studio arkitekture të huaja janë ato që merren me vendin tonë dhe vetëm një kryeministër është ai që pëlqen, më thoni ju mua se si do të zhvillohemi ne?!

 

 

ERVIN GOCI

 

Unë shoh që kjo krizë që në të cilën ne jemi sot nuk është krizë mes partive politike, por është krizë mes sistemit politik dhe qytetarit. Gjithë kjo krizë, ngërçi politik ka një memecëri të qytetarit për të pasur aksion politik, qytetari nuk është gjëkundi. Njësia e qytetarit është një zero e madhe dhe qytetari sigurisht katandiset ose militant, që unë kam shumë respekt për militantin, por jo medoemos duhet të shkojë militant, ose është njëri i nënshtruar ekonomikisht dhe në të gjitha hallkat, ose pastaj duhet të lërë Shqipërinë dhe të ikë.

Qytetari sot nuk ka mundësi, është zero në vendimmarrje, të gjitha i ka parlamenti dhe i ka të mbyllura. Neni 177  e bllokon komplet këtë dhe i vetmi që mund ta delegojë një pushtet, nga për ndryshimet Kushtetuese nga Parlamenti drejt qytetarëve është prapë Parlamenti me 2/3. Kjo do të thotë që gjithçka është e përqëndruar këtu dhe ne jemi në mëshirën tuaj; doni ju e bëni, nuk doni nuk e bëni.

Këtë gjë unë e refuzo ta pranoj sepse jam qytetar i këtij vendi dhe dua të kem të drejtën që të kem lirinë e veprimit dhe pastaj se ku aderoj unë dhe ku shkoj unë kjo është çështja ime. Unë dua të jem qytetar i barabartë në të gjitha hallkat e veta ku sigurisht partitë politike janë përfaqësuese, nxjerrin një model, një platformë dhe qeverisin në varëSI të asaj që iu delegohet.

Unë mendoj se e gjitha kjo mund të kalojë në një platformë referendare që duhet ta shtyjë opozita përpara  dhe ta bëjë platformë programore e cila ka padyshim konsensusin e kësaj. Nëse kjo kalon në referendum po e them publikisht që jam gati të shkoj në fushatë të bëj fushatë në terren që kjo gjëja të kalojë, bashkë me opozitën

 

LULZIM BASHA

 

Nëse mundem, një minutë jo më shumë, meqenëse z. Goci u fut drejtpërdrejt në thelbin e problematikës, pa dashur të komentoj dhe as të marr përsipër që në një minutë të kthej përgjigje. Dua ta garantoj z. Goci dhe ata që ndajnë të njëjtat mendime si ai, se në pikëpamjen qe shtroi, jemi absolutisht në të njëjtën anije, në të njëjtën faqe. Problemi kryesor i vendit është që e gjithë vendimmarrja është përqendruar në një grusht njerëzish në një rreth të mbyllur. Po mos jesh brenda këtij rrethi nuk ke asnjë mundësi të influencosh vendimmarrjen dhe ky është një problem i cili duhet zgjidhur me patjetër.

 

Po kështu vitet e fundit, këtij problemi i është mbivendosur një dramë. Thjesht elita politike e vendit qe nuk lë qytetarët janë në një konspiracion që të sundojnë politikisht dhe ekonomikisht, tani kemi krimin dhe kriminelët brenda. Kemi krimin e organizuar qe nuk është vetëm aksioner por në shumë raste imponues i vendimmarrjes. unë besoj se kemi prova të mjaftueshme se afera e Teatrit Kombëtar është në thelb një aferë e pastrimit të parave të pista të drogës, kokainës spanjolle.

Hapi i parë dhe kryesor që duhet hedhur në kuptimin sistemik të fjalës, është, të mundësojmë referendumin.

 

Sot në Shqipëri Ligji për Referendumin ka një qëllim; të pamundësojë Referendumin.

 

ne e kemi shqyrtuar disa herë  mundësinë për Referendum gjatë këtyre gjashtë viteve, si hapi i fundit, si mundësia e fundit që mbetet pasi shterohen të gjitha mundësitë e tjera institucionale dhe ekspertët tanë kushtetues dhe ligjorë kanë parë se si është e pamundur. Diku hyjnë afatet kohore, diku hyjnë pengesa të tjera… T’i drejtohesh qytetarit me një Referendum lokal apo qendror  është praktikisht e pamundur.

 

Rasti i fundit kur u ndeshëm me këtë ishte kur kërkuam Referendum për hartën territoriale të pushtetit lokal që u futën tre koka bashkë aty dhe vendosën se si do e ndanin Shqipërinë në një hartë administrative që sot besoj se qytetarët e kanë kuptuar se s’ka prodhuar asgjë të mirë për ta. E ka larguar vendimmarrjen nga ata, e ka rritur faturën e administratës, e ka kthyer në një vegël më shumë të kapjes së zgjedhjeve.

 

Dje isha në Dibër. Më thanë që në Bashkisë Dibër kanë kaluar nga 270 personeli, ka kaluar në 1 mijë veta. 1 mijë veta nuk ka pasur Bashkia e Tiranës. 1 mijë ka Bashkia e Dibrës tani, nga të cilët pothuajse 600 nuk punojnë fare aty, marrin rrogën dhe e ndajnë në tresh rrogën. Nga ato 600 paguhen 1 mijë e 800 veta. Në qoftë se rroga është 270 mijë lek, marrin nga 90 mijë lek tre njerëz të ndryshëm dhe kjo është klientela politike e bosit të krimit të organizuar në Dibër, një person me emrin Ymer Lala që është edhe aleati politik i Edi Ramës. Ka shumë emra që duhen përmendur dhe jo vetëm ai, por ta kuptoni se deri ku ka shkuar rrjeti i mbyllur i vendimmarrjes politike dhe i vendimmarrjes ekonomike. Tani është shkrirë, është bërë njësh me krimin dhe shikoni si i përdor paratë e taksave të shqiptarëve. E merr grantin Bashkia e Dibrës, ka 1 mijë veta në punë, 600 nuk vijnë fare dhe ata 600 i marrin dhe me marrëveshje i ndajnë në tre pjesë dhe kjo është pjesë e strukturës klienteliste, se s’quhet elektorale, këta nuk janë elektor, këta janë skllevër. Marrin 90 mijë lek dhe kur vjen dita duhet të dorëzojnë votën Ymeri në emër të Edit, apo Edi në emër të Ymerit.

 

Të gjitha këto çështje që nga zgjedhja e Prokurorit të Rrethit nga populli, ky është sistem amerikan, District Attorney, tek juria e çështjes së krimit të organizuar  apo të korrupsionit qeveritar, apo çështjet e mbrojtjes së ambientit, të interesit publik, por edhe vetë Referendumi janë mundësi për ta mbyllur rrethin e mbyllur të vendimmarrjes, por këto mundësi janë zero dhe do të mbeten iluzion sa kohë ne nuk ndërpresim lidhjen e politikës me krimin. Sepse edhe votën e Referendumit edhe votën e Referendumit për Referendum, edhe votën për të zgjedhur Prokurorin e Rrethit, edhe jurinë për të gjykuar politikanin e kapur me presh në duar duke vjedhur taksat e shqiptarëve, do t’i diktojë përsëri krimi, siç i dikton sot zgjedhjet parlamentare.

 

Kjo është kriza akute që kërkon përgjigje akute dhe mobilizim të madh qytetar. Kjo është ajo që thatë ju që mundohet pala tjetër ta shesë si përplasje midis pallatit të politikës, por në fakt nuk është e tillë. kjo është një kauzë jetike këtu në Shqipëri dhe hapi që kemi hedhur ne. Djegia e mandateve ishte pikërisht që të jemi në krah të njerëzve që të mos jemi pjesë e atij parlamenti, sepse nuk jemi dhe për t’i hapur rrugën të gjithë së bashku si shoqëri në një proces që së pari duhet të asgjësojë lidhjen midis krimit dhe politikës dhe pas kësaj hapen të gjitha opsionet për ta bërë demokracinë pjesëmarrëse dhe për të bërë të mundur që vendimmarrja politike dhe ekonomike të mos mbeten brenda një rrethi të ngushtë njerëzish të cilët kontrollojnë gjithçka nëpërmjet kësaj vendimmarrje. Resurset  e vendit, pasuritë e vendit, taksat, buxhetin dhe çdo lloj tjetër vendimmarrje duke përfshirë edhe Teatrin Kombëtar.

 

Një nga hapat për të cilat ne kemi rënë dakord është ndryshimi i Ligjit për Referendumin. Sado ta përmirësojmë sistemin, sado të biem dakord këtu, besoj ftesën apo ofertën tuaj që të jeni në krah të opozitës me një nisëm të tillë, pa prerë lidhjen e politikës me krimin prapë do të jemi në një tryezë të tillë sepse çdo lloj referendumi do të jetë pre’ e interesave kriminale që sot janë ulur në këtë tryezë në këtë sofër ku  merren vendimet politike dhe ekonomike.

 

 

 

 

LIMOZ DIZDARI

 

Problemi është “Arti në mbrojtje të Demokracisë”, tema është e madhe dhe maksimalisht obliguese për të gjithë ne. Dhe këtu nuk ka vend as për të majtë e as për të djathtë, po ka vend vetëm për vlera të afta apo të paafta.

Unë jam i vetmi që në vitet e para, sa shkeli viti 2000, që dola kundër prishjes së Teatrit.

Pa më ardhur turp, unë vij tek ju jo si parti politike, sepse unë vi tek ju me një kënaqësi të veçantë sepse ka burra të mençur, po ka dhe burra më pak të mençur.

Unë vi me kënaqësi tek ju, jo për të sharë qeverinë, se e kemi për detyrë të mos ta shajmë, por për të thënë të vërtetat, e vërteta është dhe nuk e ndryshojmë dot.

Problemi është se ato mollët e këqija duhet t’i heqim dhe mundësisht edhe ato që sapo kanë filluar duhen qëruar, duhen pastruar. Kjo është detyrë jo vetëm e partive politike, por e të gjithëve ne që të angazhohemi e të bëjmë për këtë gjë.

Ju keni bërë një gjest shumë të madh, tërhoqët të gjithë deputetët. Është një masë të cilën unë si Limos, për aq sa jam në dijeni të politikës e të vlerave që ajo mbart, them se ishte gjëja më e domosdoshme. Nuk kishit më mundësi të tjera.

 

 

TAULANDA JUPI

 

Ajo që bën përshtypje në gjithë këtë rrugëtim është se gjithë këta njerëz nuk i thirri kush ta mbronin Teatrin, secili prej tyre e ndjeu si detyrë qytetare për ta mbrojtur Teatrin Kombëtar dhe për t’u ngritur për një kauzë të drejtë. Dhe mesazhi që teatri na jep sot dhe që shkon përtej kulturës edhe artit, duke u kthyer në një tribunë vizioni dhe idesh përtej artit dhe cultures, është që qëndresa dhe bashkimi i këtij grupimi njerëzish, i këtyre qytetarëve, mund të bëjë ndryshimin. Ne sot duhet të tregojmë se jemi një shoqëri që mund dhe duhet të bëjë ndryshimin e madh. Ky është momenti, ky është çasti, kjo është ora. Dhe çdo kontribut i gjithësecilit prej nesh duhet besimplotë të shkojë drejt projektimit social të Shqipërisë dhe shqiptarëve në të ardhmen. Çfarë duam të jemi ne në të ardhmen? Unë mendoj se Teatri Kombëtar, i kthyer tashmë në një karakter tragjik i gjithë kësaj situate na sjell mesazh shumë të madh, që ashtu siç luftuam për teatrin, ne duhet të luftojmë për një demokraci funksionale, e cila në mendimin tim fillon me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Njerëzit duhet të bashkohen në një pakt me veten. Është një pakt që nuk do të zgjasë një ditë, një javë, një muaj, është një pakt që do të zgjasë shumë, është një proces shumë i gjatë. Por duhet ta bëjmë këtë pakt me vetveten. Duhet të kuptojnë njerëzit që fuqia që ata kanë është shumë më e madhe sesa fuqia që kanë njerëzit e pushtetshëm.

 

MARK MARKU

 

Beteja për teatrin i ka treguar shoqërisë se për të rezistuar dhe për të mbrojtur diçka që është e drejtë, nuk ka nevojë të jesh shumë. Si një nga personat që kam shkruar për teatrin, por edhe kam qenë vazhdimisht në atë ritualin e mbrojtjes së teatrit dhe kam parë që nuk ka rëndësi shumë numri. Ideja është që një grup i vogël por rezistent, i cili nuk tërhiqet nga kauza e vet, arrin ta mbrojë një kauzë dhe mendoj që gjithë grupi “Aleanca për Teatrin”, të gjithë ata që u mblodhën rreth kësaj aleance, them se ia kanë arritur qëllimit. Ky është mësimi i madh që na ka dhënë teatri. E dyta, duke dashur të shembë teatrin, Rama në fakt ka krijuar agora-në e qytetit. Për të dalë tek aktualiteti, mendoj se një akt i ngjashëm është akti i opozitës për të dorëzuar mandatet. Duke braktisur një institucion, e ka shembur atë institucion, praktikisht një institucion i krimit që nuk funksionon. Unë mendoj se këtë akt të opozitës duhet ta vlerësojmë si një akt agora të demokracisë, në kuptimin se sistemi në Shqipëri është në një pikë kritike. Sistemi ka degjeneruar në atë shkallë që ose do të kalojmë në putinizëm, njëfarë diktature e demokratizuar, ose do të rithemelohet demokracia. Mendoj se përfitimi më i madh që i vjen PD nga aksioni i djegies së mandateve është që të krijojë një aleancë të re me të gjithë aferat e shoqërisë, një aleancë që thith problematikat, prodhon vizionet për fushat, por nuk i bën vetë as ligjet e as normat e profesioneve. Them që ky takim i sotëm është një mesazh por edhe një pikënisje. Opozita do të duhet që mendimin që është prodhuar për teatrin gjatë këtij viti të qëndresës ta shndërrojë në një platformë veprimi dhe mbi të gjitha të krijojë një strukturë për ta thithur këtë mendim.

 

FLUTURA AÇKA

 

Sigurisht kam qenë pranë me protestën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ndoshta jo me praninë time, por sigurisht me shkrime dhe me praninë me media. Është një nga gjërat më të bukura në këto 30 vite demokraci, është një nga leksionet më të mira që si mund të protestojmë me konsekuencë dhe në përditshmëri për të mbrojtur një gjë. Dhe sot, falë kësaj proteste kemi teatrin aty.

Ato ditë kur teatri ishte ende në situatë të paqartë nëse do të prishej, nëse do t’i vinin buldozerin apo jo, një mikesha ime e cila ka mbështetur vazhdimisht protestën më shkroi: “Flutura çfarë mendon ti, çfarë mund të jetë hapi i fundit?”. I thashë –“Hapi i fundit të lidhem me zinxhirë, më ftoni dhe unë do të lidhem me zinxhirë bashkë me ju”. Pra, kjo lloj force nga ana e qeverisë, presioni nga ana e qeverisë detyron edhe aleancën dhe njerëzit që protestojnë, njerëzit e lirë, artistët që të marrin pikërisht masa të tilla ekstreme.

 

Nuk është çudi, dhe ky është një paralajmërim edhe për ata që një ditë të bukur mund të vendosin në një natë të errët që të shkojnë kundër dëshirave të artistëve. Kështu që përgëzimet më të mira për Aleancën dhe punëve të mira të saj dhe shërbimit shumë të vyer.  Askush nuk i përfill artistët, sot jemi gati në  një asfiksi të plotë, asfiksuar Galeria Kombëtare, të asfiksuara kinematë, të asfiksuara Teatri, pa menduar për librin, në këtë fazë që jemi ne arti është pothuajse i asfiksuar. nëse mua do të më kërkohet të bëj një platformë për ato që Unë I mendoj si shqetësim për librin, për letrat dhe artin, do ta bëja me shumë kënaqësi për të shëruar këto plagë.

 

APOLLON BAÇE

 

9 vjet më parë, kam patur një gjyq me kryetarin e atëhershëm të bashkisë Edi Ramën, sepse ai dëshironte të prishte Bulevardin dhe trotuaret. Për këtë gjë dola edhe në një intervistë televizive në të cilën unë thashë këtë gjë: Rama na akuzon se jemi nostalgjikë për të kaluarën. Fundja nostalgjia çfarë është, janë kujtimet e njeriut dhe njeriu pa kujtime nuk ekziston më. Në emision vura në dukje se çfarë është Tirana, qyteti im. Është mali i Dajtit, janë ministritë, është Universiteti, është edhe Teatri, në të cilin unë kam kaluar jetën time. Në fund të emisionit, sondazhi nxirrte që 650 ishin në mbështetjen time dhe vetëm 80 kundër meje. Pra, nëse arrihet t’i shtrohet arsyetimi, njeriu e do artin, e do të shkuarën, e do vendin e tij. Këtu dalim tek problemi i referendumit që tek ne për fat të keq nuk ekziston. Tek ne, populli nuk flet asnjëherë. Blihen votat e më pas mendohet se mund të drejtosh në bazë të atyre votave të blera. U fol se është grahma e fundit e artit. Mua më duket se jemi në grahmat e fundit të kombit. Jemi para thirrjes: Doni që Shqipëria të zhduket? Si intelektualë ne nuk duam asgjë për veten tonë, por ama duhet të organizohemi dhe që mendimi ynë të zërë peshë, i takon edhe PD-së një rol i veçantë në këtë proces.

 

BUJAR KAPEXHIU

 

Mendoj se në qendër të gjithçkaje, të çdo aksioni, në mendjen e çdo qytetari sot duhet të ekzistojë vetëm një slLogan: unë po e shpjegoj këtë me krijimin e sotëm që kam publikuar sot në gazetë. Ndodhia është në Elbasan. Janë dy qytetarë, një burrë dhe një grua që po mbajnë tepsitë me ballokume. Midis këtyre të dyve është Edi Rama, i cili shikon si i çuditur, sepse midis ballokumeve, ata të dy kanë të shkruar: Rama ik. Pra, kjo duhet të ekzistojë. Nëqoftëse ikën Rama, do të ikë edhe rreziku për gjithçka. Nëqoftëse arrijmë që të gjithë brenda vetes “Rama ik”, ikën rreziku, nuk prishet asgjë, vetëm ndërtohet.

 

 

EDMOND TUPE

 

Unë kam vetëm një fjali për të thënë, shkurt, i frymëzuar edhe nga miku im Kapexhiu. Qeveria aktuale, në personin e kryeministrit, ka frikë nga teatri. Të gjithë diktatorët kanë frikë nga teatri, kur ai nuk u shërben interesave të tyre. Sepse në teatër, që në kohën e Aristotelit dihet se në teatër bëjmë katarsis, spektatori bën katarsis. të bësh katarsis do të thotë të zhvishesh. Të zhvishesh do të thotë të dalësh lakuriq. Të shkosh lakuriq do të thotë të shikosh veten sa vlen. E kupton që ti nuk vlen, ti e urren vetveten dhe kërkon të shërohesh nga vetvetja. Kjo është për zotin Rama. Kaq.

 

 

 

RUDI EREBARA

 

Ne nuk jemi këtu për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës, por për të rrëzuar një sistemin që solli Ramën në pushtet. Prandaj duhet të jemi të gjithë bashkë, si opozitë, si qytetarë, të shkojmë në votime, sepse vota ka shumë rëndësi dhe kësaj radhe u vertetua se pa votën tonë, do të rrijë Edi Rama ose do na vijnë ca Rama të tjerë. Unë e kam diskutuar edhe me zotin Basha faktin që të miratohet një sistem mazhoritar i kandidaturave brenda partive, primareve siç e quan Basha. Ky diskutim mendoj se do të vijojë, por për momentin, në thelb mendoj se duhet të jemi të gjithë bashkë që të rrëzojmë sistemin.

 

 

BESNIK ALIAJ

 

Nëse doni mendimin tim, përplasja do të jetë shumë e fortë. Kështu që për të shmangur një përplasje të tillë të fortë, ne duhet të jemi po aq të zgjuar për të mësuar nga modele si kjo qytetare e asaj që ndodhi me Teatrin.

Dhe aleanca e opozitës me popullin opozitar duhet të jetë shumë e fortë, shumë inteligjente, jo formaliste për të përsëritur historitë, se është humbur besimi politik. Dhe  e vetmja gjë që  të rifitohet ky besim politik është të ndërtohen aleanca të qenësishme dhe kjo fillon që nga skema që u ndërtua, ku lideri partiak zgjedh njerëzit e vet që rrinë në rrjesht në Parlament dhe nuk ngrenë kokën kur vjen teatri pastaj. Ose kur thërret tjetri; ujku, ujku, nuk ka kush vjen më. Pra, lideri zgjedh njerëzit që pastaj rrinë në rresht.

 

Skema prodhon një model të tillë që të mbyll gojën. Ne duhet ta luftojmë këtë lloj skeme.

 

Pjesa e dytë po kaq e rëndësishme, është përfaqësimi brënda partive. Ju keni një sfidë zoti Basha: Nësae doni të jeni afatgjatë në politikë, nëse doni ta keni mbështetjen e këtyre njerëzve, promovoni garën brenda partisë. Një garë brenda partisë e opozitës, do të ishte prova më e mirë për popullin opozitar.

Garë e hapur, kjo do ta vjetëronte qeverisjen aktuale, maxhorancën, brënda sekondës. Do ti zhvlerësonte çdo lloj argumenti para votuesve.

Duhet një maxhorancë absolute që të garantojë ato ndryshime kushtetuese për të cilat unë po flas, në të kundërt beteja është e humbur përsëri.

 

 

KASTRIOT ÇIPI

 

Është mirë që sot ju nuk jeni më deputetë. Sepse harrohet çdo të thotë të jesh qytetar i thjeshtë, kur ke 10-15 vjet në parlament. Është momenti për t’iu rikthyer dialogut me qytetarët. Duhet shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme me letër të bardhe, dmth që s’ka kufizime e dogma ideologjike. Sot jemi në një pikë të tillë, që ajo që ka ndodhur me teatrin do të ndodhë me të gjitha institucionet e tjera. Sot çështja është a duam të kemi demokraci apo do të pranojmë të kthehemi në diktaturë. Duhet që sistemi të fillojë të korrigjohet atje ku e ka pasur gabimin e parë, tek kushtetuta, që nuk e ndryshojnë dot qytetarët, tek sistemi zgjedhor, ku qytetarët nuk kanë të drejtë fjale dhe tek dialogu i munguar me qytetarët. Mendoj se opozita është në kohë për ta bërë. Jemi gati për një revolucion paqësor.

LULZIM BASHA 

 

Në gjenezë të ndryshimeve 2008 –ës kur për propozimin e sistemit proporcional qëndron tek indentifikimi  i problemit se në maxhoritar futeshin të fortët, kriminelët dhe njerëzit me lek të cilët arrinin të mposhtnin kandidatë politikë.

Pra, siç thotë thënia e famshme; “Rruga drejt ferrit është e shtruar me qëllime të mira”, qëllimi përse u kalua në këtë, një nga qëllimet ishte për të kontrolluar më mirë integritetin e personave që do të kandidonin.

Kjo përvojë kishte një dështim total. Në 2009-ën pati disa individë me rekorde kriminale që hynë në Parlament, në 2013-ën, një në tre deputetë të mazhorancës së dalë nga zgjedhjet nga zero minuta kontribut në PS dhe nga 2 deri në 12 vjet burg për trafik qeniesh njerëzore, për tutorë prostitucioni, për trafik droge në burgje europiane, të dënuar nga drejtësia europiane.

Këta kishin zënë vendet e profesorëve, si profesor Dizdari, apo shumë të tjerë. Këta ishin ulur aty dheshumica prej tyre kishin kandiduar në zona ku historikisht kundërshtari ynë politik ka rezultatin më të dobët, për shkaqe e rrethana që nuk ka nevojë të zgjatemi sot. Ishte një strategji e mirëmenduar.

 

U abuzua sistemi dhe sot problem kryesor që kemi është që rrethi I mbyllur I vendimmarrjes poltiike dhe ekonomike diktohet dhe influencohet më shumë se nga çdo formë e këtij rrethi të mbyllur, nga interesa purokriminale të krkimit ë organizuar. Edhe bumi i ndërtimeve, është i lidhur me interesa kriminale, nuk është i lidhur me konjukturat aktuale ekonomike të tregut. Është e lidhur me nevojën për të pastruar paratë e pista të drogës.

 

Unë kam mendimet e mia personale për sistemin. I kam shprehur duke thënë qartë që unë I pari duher t’ia shtroj ato partisë time për diskutim, aletëve dhe më pas së bashku të diskutojmë.

Ëdhe unë përkrah një sistem ku Parlamenti të jetë mundësisht bikameral më 100 deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt me emër, me një senat, për të ngadalësuar proçesin e vendimmarjeve legjislative, që ligji të mos kalojë brenda 2 javësh me gjoja konsultim, por për ta bërë atë më të ngadaltë. Dikur kishim nevojë ta përshpejtonim sistemin e ligjeve, sepse vinim nga një vacuum I diktaturës, tani nuk kemi nevojë të kalojmë ligje brenda natës, siç kaloi ligji Fusha, apo ligji për t’I kthyer me efekt prapaveprues dividentin oligarkëve.

Tani kemi nevojë për të kundërtën. Për më shumë transparencë, për ta menduar, nje here, dy, tre, katër herë përpara se ta kalojmë në votë. Por përpara se të hyjmë në diskutimin e sistemit, duhet të jemi të vetëdijshëm, sepse çdo system do të kapet nga krimi, pa zgjidhur problemin e krimit. Pa i dhënë një goditje të fortë lidhjes së politikës me krimin, nuk ka sistem që e zgjidh këtë.

Nuk është çështje sistemi.

Shkuam tek proporcionali rajonal për t’I shpëtuar 2-3 kriminelëve që ishin futur në Parlament, u bënë 12, 14, 16, 19. Pa e zgjidhur këtë problem akut, çdo përpjekje tjetër thjesht dhe vetëm për të ndërtuar sistemin, prapë do të bjerë pre’ e kriminelëve.

Le ta marr propozimin tim për një sistem maxhoritar me 100 deputetë.

Apo edhe propozimin tim për primaret që tani është edhe në Statutin e Partisë Demokratike, gara për kandidatët brenda përbrenda partisë.

Duhet të gjejmë në rradhë të parë mekanizmin që të parandalojë qoftë edhe në rikthimin në maxhoritar, qoftë në primare brenda partive, të mos fitojë ai apo ajo që ka meritën, integritetin, kapacitetin, vokacionin për t’I shërbyer publikut, por të fitojë biznesmeni, pareliu, I forti, krimineli ose vëllai I kriminelit, ose vajza e kriminelit.

Ndaj është propozuar vetting për politikanët apo thellimi I dekriminalizimit për politikanët dhe e dyta duhet dhënë fund pandëshkueshmërisë. Janë kapur duke mbushur kutitë, duke blerë vota, duke kërcënuar opozitën politikanë në bashkëpunim me krimin e organizuar.

 

Janë çështje gjyqësore 339 – 184 në 2016-ën duhet të shkojnë përpara drejtësisë.

 

Dhe drejtësisë duhet t’I zgjidhen duart që këta të marrin atë që meritojnë me ligj.

 

Jo dikush që nuk paguan 30 mijë lek që nuk paguan faturën energjisë të shkojë në burg e të vrasë veten, në prag të vitit të ri, dhe politikani që gajaset me orë të tëra me kriminelët dhe tutorët e prostitucionit, vjedh edhe votat e shqiptarëve, dhe nuk e gjen asgjë. Duhet dhënë fund padëshkueshmërisë në tërësi e në veçanti përsa I përket të ardhmes së demokracisë.

 

Shkëputja e lidhjes së politikës me krimin duhet të kalojë përmes këtyre dy proçeseve, një legjislacioni të fortë, si ai që propozuam ne dhe e hodhën poshtë, vetingun e politikanëve, në veçanti sa i përket lidhjes me krimin dhe së dyti bërja shembull.

 

Çdo politikan i majtë apo i djathtë, faturën që duhet të paguajë, nqse edhe në zgjedhjet e ardhshme çfarëdo palë zgjedhjesh, mendon se në vend që t’I drejtohet qytetrëve me platformë, me argumente,  me program, me vizion, mund ta mbyllë çështjen në tavolinë në një benzinatë me kriminelin e zonës.

 

Këtu ka një tension plotësisht të harmonizueshëm midis dëshirës legjitime që unë e përkrah plotësisht për një ndryshim sistemik dhe vetëdijesimit që çdo sistem do të jetë pre’ e krimit të organizuar nqse ne nuk I ndërpresim lidhjet që tashmë janë kthyer në një kapje totale të shtetit nga i pari I ekzekutivit deri tek zyrtari më anonim në qoshen më të largët të vendit.

 

 

AGRON GJEKMARKAJ

 

Lëvizja për teatrin mendoj se ka dëshmuar dy gjëra me vlerë të madhe sociale. E para ka shpëtuar një godinë neoklasike, jo socrealiste dhe ka ndërtuar një vetëdije qytetare që shërben si model edhe për qeveritë që do të vijnë nesër, për të rezistuar ndaj çdo gjëje që mund të konsiderohet kërcënim për artin, apo edhe për çështje të tjera. E dyta, zoti Basha foli për lidhjet e politikës me krimin. Unë e përgëzoj për nismën që ka patur për dekriminalizimin, por vërej me shqetësim se mbi politikën peshon pesha e rëndë e banalitetit. Mjafton t’i hedhësh një sy parlamentit, mjafton ta shikoje dje, mund ta shikoje edhe para 6 muajsh. Shpesh të vjen turp që je “homo meditans”, po përdor një term latin, dua të them me këtë se ka një dekulturim të tmerrshëm të politikës. Është shqetësuese se si partitë politike, lidershipi, pret kontaktet me botën intelektuale, me elitat e vendit. Duhet të jemi të qartë e të vetëdijshëm që sado gjeni të jetë një lider politik, ëshë e pamunndur ta ndryshojë Shqipërinë, nëqoftëse nuk ka mendim kritik dhe nëqoftëse nuk ka botë intelektuale përreth. Mbase jemi i vetmi vend në Evropë ku shpeshherë sharlatanët dhe banditët marrin vendime mbi intelektualët. Jemi në një gjendje të emergjencës kombëtare, ku opozita ëshë në rrugë, ka dorëzuar mandatet. Mendoj se një lëvizje kaq e fortë, kaq e madhe, kaq e paprecedentë, të shërbejë si një lëvizje emancipuese në drejtim për të hapur shumë fronte, për të ndryshuar sistemin, jo thjesht për të ndryshuar një qeveri, por për të ndryshuar perceptimin mbi jetën që do kalojmë në këtë vend.

 

 

ERGYS MËRTIRI

 

Shoh shumë frymë revolucionare lart e poshtë dhe kjo të them të drejtën më shqetëson, pse nga natyra jam i prirur të mos besoj te revolucionet dhe ta shoh revolucionin si problem edhe më të madh se sa problemet që kemi realisht.

 

Unë përsa i përket politikës dhe artikulimit të politikave dhe retorikës antisIstem, në përgjithësi e shoh me shumë skepticizëm. Problemi këtu në këtë vend nuk është se ne kemi një sistem i cili duhet të rrëzuar, problem qëndron se ne kemi një sistem të kapur. Praktikisht, ne nuk kemi sistem dhe unë mendoj se më shumë se për ta luftuar, për ta rrëzuar sistemin, duhet të luftojmë për ta mbrojtur sistemin, për ta mbajtur sistemin. Sepse sistemi është kapur nga njerëz që janë aty jo për intRresa të popullit jo e jo, por as të klimës, të realitetit për ta mbajtur realitetin politik jo ashtu siÇ duhet të jetë, por është aty për interesa financiare, korruptive dhe aq më keq kriminale të cilat janë të papranueshme.

 

Çeshtja qëndron këtu: unë nuk besoj se ka vend të botës ku politika është e mirë dhe nëqoftë se ka njeri që di një vend ku politika është e mirë le të na e thotë. Unë me sa jam në dijeni, në çdo vend të botës politika shahet, sulmohet, politika është e keqe, politika është problem dhe nuk ka sesi që edhe në Shqipëri të mos jetë kështu.

 

Çeshtja është se unë nuk di mënyrë tjetër veç politikës për t’i zgjidhur problemet, për t’i adresuar problemet, për t’i menaxhuar problemet etj. Kështu që në këtë kuptim nëqoftëse ne duam që gjërat të ecin normalisht, jo që të ndërtojmë parajsën mbi tokë, se nuk besoj te këto lloj përrallash, por ne duam të mbajmë një sistem i cili garanton funksionueshmërinë  e gjërave. Prandaj. i adresohemi politikës dhe prandaj mendoj që i gjithë angazhimi jonë është për të mbrojtur pikërisht politikën nga instrumentat jo politike, të cilat e kapin sistemin në funksion të interesave jopolitike.

 

E theksoj këtë se është shumë e rëndësishme. Ne kemi nevojë që interesat e mafiozëve, oligarkëve, të personave që janë të lidhur me krimin e organizuar, të zhvishen nga ndikimi i tyre në politikë dhe kjo besoj se është një alarm shumë i madh.

 

Nëqoftëse Shqipëria është depolitizuar për shkak të krimit të organizuar, unë besoj se ne duhet të politizohemi dhe ta kthejmë qeverisjen në hollitë e politikës.

Pra është shumë e rëndësishme,

  • E para ta zbresim me këmbë në tokë atë që ne kërkojmë dhe
  • E dyta të kuptojmë se ky sistem është shkatërruar pikërisht nga këta njerëz.

 

Nëse ka një njeri që është më antisIstem në një farë kuptimi, është pikërisht Edi Rama.

  • Edi Rama e ka masakruar sistemin.
  • Edi Rama nuk po lejon garë politike.
  • Edi Rama nuk po lejon median të funksionojë.
  • Edi Rama nuk po lejon institucionet të funksionojnë në mënyrë të pavarur.

 

Dhe pikërisht, unë besoj që ajo që na bën bashkë, na bën të gjithë të jemi në të njëjtin front është lufta me atë që ka kapur sistemin. Pra për ta kthyer politikën në hollitë e sistemit, jo në ullitë e antisistemit.

 

Në këtë kuptim unë them që edhe protesta e Teatrit, pikërisht këtë dëshmoi dhe këtë shoh si vlerë. Protesta e teatrit nuk ishte revolucionare, nuk morëm hunjtë të dalim e të rrëzojmë diçka, por ne ishim aty çdo ditë për të dëshmuar dhe demonstruar revoltën tonë ndaj një politike e cila nuk i përfill institucionet, nuk përfill ligjet, nuk përfill qytetarët, nuk përfill të drejtën, nuk përfill gjithçka që është në dobinë tonë. Dhe pse e bën këtë? Sepse përfill njerëz që janë të përfshirë në aferat që natyrisht janë kriminale.

 

Këtë mendoj se duhet të jetë thelbi i gjithë kësaj: çfarë është bërë te Teatri, është demonstruar diçka interesante, fakti që kemi të bëjmë me një kryeministër i cili ka ardhur me idenë që është një artist në politikë dhe që po mikson politikën me artin, duke thënë që në fillim “se unë nuk jam politikan”, pra duke u depolitizuar në thonjëza, duke e paraqitur veten si një politikan anti-politikë dhe në fakt atë po bën.

 

Nga ana tjetër të gjithë njerëzit apolitikë, artistë, intelektualë, pedagogë, janë politizuar pikërisht për shkak të mënyrës se si po e bën politikën ky anti-politikani. Nga ky concept përthyhet një lloj kontrasti shumë interesant se janë politizuar njerëzit jopolitikë, janë thërritur nën armë për të ju kundërvënë kësaj politike, ndërkohë që vetë politika ka dalë nga hollitë e politikës.

 

Në këtë kuptim unë them se thelbi i gjithçkaje është të mbrojmë konstitucionalizmin, parimet, rregullat e lojës, sepse rregullat e lojës e mbajnë një vend që të funksionojë. Nëqoftë se dalin njerëz që shpikin rregulla të tjera, duan të rinegocohensistemet çdo 4 vjet, unë besoj se këtu nuk arrijmë asgjekundi përveçse i japim duar të lira liderve të cilët janë totalitarë në mendësi, përgjithësi kjo lloj politike është politikë totalitare, politikë e cila funksionon nëpërmjt vullnetit jo nëpërmjet ligjeve dhe rregullave të lojës.

 

Kjo mendoj se do të jetë gjithmonë kërcënuese. Gjithmonë do të dalin njerëz që do të premtojnë rilindje, parajsën mbi tokë dhe do të na sjellin ferrin nëpërmjet rretheve që kanë rreth vetes. Për mua është e pakonceptueshme dhe këtu duhet të luftojmë fort, sepse edhe tek teatri është demonstruar kjo.

 

Edi Rama ka blerë artistët, është shumë shqetësuese kjo. Pra ky njeri ka mundësi të blejë gjithçka, ka blerë një pjesë të akademikëve, ashtu siç ka blerë shoqërinë civile, ashtu siç ka blerë mediat dhe ne detyrohemi të jemi në opzitë, sepse ne jemi të pablerë. Detyrimisht në një vend ku një pjesë blihet, pjesa tjetër do politizohet kundër asaj që blihet.

 

Në këtë kuptim, ky është problem, që ne duhet të shembim këtë mekanizëm blerës, kapës, kompromentues, korruptues që është ndërtuar në mënyrë paralele me politikën normale që ka të bëjë me qeverisjen, me shtetin.

 

Sot PS është në opozitë, sepse PS është një parti politike. PS nuk udhëheq, nuk është në qeveri. Sot edhe ministrat nuk janë, një pjesë e vogël janë nga PS.

 

Dmth këtu kemi të bëjmë me diçka që nuk ka të bëjë fare me politikën, nuk ka të bëjë fare me shtetin dhe kjo është forma më e keqe se si mund të kapet një sistem, një shoqëri. Unë besoj se kjo duhet të jetë ajo që të bëjë emëruesin e përbashkët dhe jo të shpikim gjëra, të cilat janë përtej mundësisë tonë për t’i bërë.

 

ANDI TEPELENA

 

Thelbi i reformimit duhet të jetë decentralizimi i buxhetit kulturor. Nëse kjo frymë shoqërohet edhe në institucionet e tjera publike, besoj se arrijmë qëllimin që individi të jetë i fortë. Faktikisht gjithë këto vite, buxheti i kulturës ëshë parë si një barrë financiare për shtetin e për qeveritë e jo si një oportunitet ekonomik. Ajo që ka qenë interesante është shndërrimi i protestës së teatrit në një forum të të papërfaqësuarve. Në protestë kemi parë ish-pronarë, protestues të rinj si të Astir-it, kemi pasur emigrantët, etj. Shtresa e mesme ka qenë aty sepse është ndjerë e papërfaqësuar. Po ashtu edhe shoqëria civile, është e papërfaqësuar. Ne kemi sot një agjenci në mbështetje të shoqërisë civile me një buxhet prej 1 milionë eurosh, që nuk janë pak, por këto fonde vjetore 70-80 % kanë shkuar për ojf-të e lidhura me Partinë Socialiste. Nëse duam një shoqëri civile vërtet të pavarur atëhere duhet të ketë një autonomi financiare, sepse ndryshe s’do kishim shoqëri civile me integritet.

 

ARTUR ÇANI

 

Po rrëfej diçka që më ka bërë më shumë përshtypje dhe që ka lidhje me aktualitetin. Isha dikur i ftuar nga një ish-kryetar parlamenti dhe kur i hyra në zyrë i thashë: Duke parë fotot e paraardhësve tuaj nëpër mure nga koha e Zogut, kuptova se ku është katandisur sot parlamenti shqiptar, në ca mospërfaqësues, që vijnë aty vetëm për rrogën. Prandaj unë nga zoti Basha kam vetëm një kërkesë, të mos ta përkeqësojmë parlamentin vit pas viti, por të vijmë duke e përmirësuar. Ju këtë e keni në dorë. Bëjeni parlamentin me përfaqësues të popullit, jo me njerëz që kanë vetëm interesa vetjake për të vjedhur. Se kur nuk vjedhin përfaqësuesit e politikës, askujt tjetër nuk ja mban të vjedhë.

 

 

 

EDMOND BUDINA

 

Do të ishte shumë mirë që rinia të përfaqësohej në parlament nga njerëz që të kishin një eksperiencë, qoftë edhe moshore, edhe një eksperiencë jetësore, të aftë në profesionet e tyre, që të vijnë e të japin vend në parlament. Dhe të mos hyjnë aty djemkat e çupërlinat që dinë t’i bëjnë elozhe dhe t’i thurin lavde vetëm pallës – më falni për fjalën – ose jataganit të Skënderbeut të radhës. Këtë unë nuk dua ta shikoj më. Prandaj, në këtë aspekt them se është shumë e rëndësishme të dimë të gjejmë njerëzit që dinë të përfaqësojnë shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare. Dhe për hir të kësaj shoqërie, them se të shembësh teatrin që na ka rritur e emancipuar, është njësoj si të bësh harakiri, si të vrasësh veten. Dhe unë besoj – unë e ndjej pranverën – dhe vërtet them se pranvera do të vijë. Pushtetet do të ndryshohen dhe demokracia është ajo që sa herë një pushtet nuk shkon, ne ndryshojmë dhe ndryshojmë pushtetet.

 

FJALA MBYLLËSE E KRYETARIT BASHA

 

Unë e konsideroj këtë një kohë dhjetëra herë më të vlefshme sesa ajo që jemi detyruar të kalojmë, në veçanti, këto dy vitet e fundit në Kuvend. Kjo është cilësia me të cilën duhet të përfaqësohet mendimi qytetar në Kuvend. Kjo mbetet ideal, sepse shumica prej jush, edhe po t’u jepej mundësia, edhe në kushtet e reformimit politik, do ta refuzonit këtë.  Por ky duhet të jetë ideali i përfaqësimit të interesave të qytetarit dhe interesit publik.

 

Ajo që kam marrë nga ky diskutim është një gjë shumë e çmuar: besimi juaj se gjërat mund dhe do të ndryshojnë, si dhe sensi kërkues, natyrisht edhe me vështrim kritik ndaj opozitës në tërësi, PD-së në veçanti dhe ndaj meje, për të bërë atë që kemi në dorë dhe për ta përshpejtuar atë ndryshim.

 

Dua t’ju them fare qartë se një nga asetet kryesore, një nga potencialet kryesore që mund të bëjë këtë proces të ecë më shpejt është pikërisht ky dialog, ky ndërveprim i hapur mes opozitës, në këtë rast PD dhe elitës të shpirtit dhe mendjes së këtij vendi; elitës intelektuale, elitës akademike, artistike dhe profesionale të vendit.

Shpresoj që, në këtë kuptim kjo e sotmja të jetë vetëm fillimi i një procesi ku të paktën tre apo katër prej parafolësve në mënyrë të qartë, skripuluan nevojën për ta strukturuar.

 

Dua t’ju them fare qartë se ky është edhe qëllimi im, është dëshira ime që ta strukturojmë këtë që shumë prej gjërave të vlefshme që u hodhën këtu në këtë tavolinë, disa prej tyre jo për herë të parë, i keni thënë edhe në sheshin e protestës, i kemi diskutuar edhe në disa takime jopublike që kemi patur, të bëhen pjesë e një konsultimi publik në funksiono të një projekti kombëtar për një ndryshim të vërtetë. Pra, jo thjesht për largimin e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri por për një ndryshim të vërtetë.

 

Së fundmi, duke aprovuar plotësisht dhe duke ju kërkuar unë që të mos e lëmë thjesht në kuadër të kësaj tryeze, por ta vazhdojmë ta strukturojmë këtë hapësirë ndërveprimi mes opozitës politike dhe elitës intelektuale, elitës së shpirtit, mendjes dhe asaj profesionale, se ndoshta na mungon një pjesë e elitës profesionale, por edhe asaj pjesë të sipërmarrjes që nuk është pjesë e tepsisë në kuptimin e ngushtë të fjalës, ju kërkoj ta strukturojmë këtë. Dhe po kështu ju kërkoj të jemi së bashku pjesë e vetëdijes se gjërat janë akoma në tehun e briskut edhe për teatrin, nesër, pasnesër, gjithçka është e paparashikueshme.

 

Natyrisht atë që kam thënë për vijën e kuqe, dua ta përsëris tani, t’u jap garancitë që në këtë situatë do të jemi edhe më të lehtë të mobilizueshëm dhe çdo akti dhune ndaj teatrit do t’i përgjigjemi me dhunë proporcionale për të ndalur me çdo kusht, me çdo mjet përpjekjet për të shkatërruar godinën e Teatrit. Nuk e di nëse do të mjaftojë, sepse ajo që duhet të shembim është pikërisht kalbësira e një regjimi që ka kapur të gjitha institucionet, duke përfshirë edhe mediat, çlirimi i qeverisjës së bërë njësh me krimin, çlirimi i qeverisjes nga krimi, janë prioritetet absolute, vota, se të gjitha këto marrin kuptim vetëm kur kemi votën e lirë të qytetarit shqiptar, kur qytetari voton me vetëdije, me ndërgjegje, dhe korr rezultatet e votës që ka hedhur me vetëdije. Ky në fund të fundit është thelbi i demokracisë.

 

Dhe për votën kemi një betejë akoma më të rreptë, e cila vazhdon edhe me aktin tjetër, që është këtë të shtunë, protestën e datës 16 mars, në orën 11. Ne kemi një protestë kombëtare për themelin e gjithçkaje në bashkëjetesën demokratike, që është vota e lirë dhe ndarja e politikës nga krimi, çlirimi i Shqipërisë nga një qeverisje e kapur në bashkëpunim me krimin, çlirimi i qeverisjes nga krimi, për të cilën, në radhë të parë si qytetarë të këtij vendi dhe në radhë të dytë si përfaqësues të elitës, ju ftoj edhe ju të bëheni pjesë e kësaj proteste, kësaj proteste kombëtare, nuk është një protestë partiake. Nuk është një protestë për pushtet, është një protestë për ndryshim. Ju i dini fare mirë vlerat e protestës, ato bënë të mundur pezullimin e planit ogurzi për prishjen e teatrit. Nuk ka nevojë të zgjatem shumë për këtë, ju ftoj edhe ju të jeni pjesë e kësaj proteste kombëtare. Natyrisht, çmoj në mënyrë të jashtëzakonshme atë që keni bërë për teatrin, dhe atë që keni përftuar në procesin e mbrojtjes së teatrit, frymëzimin, thellësinë e mendimit, dhe kapacitetin për t’i shërbyer mbrojtjes së demokracisë.

 

Mendoj se e kemi goditur, kushdo që e ka menduar temën “Arti në mbrojtje të demokracisë” e ka goditur, sepse në procesin e mbrojtjes së artit, në procesin e mbrojtes së teatrit, ju keni krijuar një korpus vetëdijeje kombëtare, që është i domosdoshëm në këtë moment kaq delikat që po kalojmë, për mbrojtjen e demokracisë, shtetit të së drejtës, ndarjes dhe balancimit të pushtetit, si të vetmet forma, unë nuk njoh të tjera, për të garantuar liritë dhe të drejtat themelore të individit në një shoqëri.

 

Edhe njëherë, ju jam mirënjohës për kohën që shpenzuat. Ju jam realisht mirënjohës. Jam i sigurtë se bashkëpunëtorët e mi në këtë sallë dhe shumëkush që vazhdon të na ndjekë përmes rrjetit social dhe përmes atyre mediave që vazhduan pasqyrimin, u shprehin mirënjohje të thellë për kohën që ndatë në këtë ditë kaq simbolike, në ditën e parë të pranverës, në Ditën e Verës, që shpresoj të jetë një ditë e shpresës dhe e rikthimit të besimit tek vendi ynë, tek shoqëria jonë, tek vlerat e shoqërisë, tek vlerat e familjes dhe tek vlerat e individit, tek vlerat e njëri-tjetrit.

 

Të besojmë tek njëri-tjetri dhe të vazhdojmë përpara në rrugën që kemi nisur, dhe që kaq bukur e keni çuar me guxim deri këtu, si Aleanca për Teatrin. Tashmë për teatrin e keni bërë historinë, por na duhet të hedhim edhe hapa të tjerë që kjo të jetë e pazhbëshme, që kjo betejë të jetë e pakthyeshme, dhe ajo që do të ndërtojmë së bashku të jetë me të vërtetë e cilësisë evropiane, jo thjesht e vokacionit evropian, por e cilësisë evropiane.

 

Faleminderit shumë. Faleminderit nga zemra.