• Përpjekja fasadë për të arrestuar Vangjush Dakos nuk e shpëton dot nga përgjegjësia politike dhe ligjore Edi Ramën. Ai është kapur duke vjedhur zgjedhjet me bandat e krimit të organizuar.

  • Përgjigja e opozitës dhe e qytetarëve do të vazhdojë të jetë masive, e qendrueshme, e bashkuar. Nuk ka zgjidhje tjetër veç largimit të Ramës dhe krijimit të një qeverie tranzitore, pa lidhje me krimin.

  • Flijimi i Dakos apo njerëzve të afërt të Ramës nuk ndryshon asgjë. Ftoj komunitetin ndërkombëtar të mos gënjejë veten. Nuk është punë koke gjushësh apo sejdinësh. Edi Rama duhet dhe do të largohet.

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, PAS TAKIMIT ME KRYETARËT E DEGËVE TË PD PËR TIRANËN

 

Pyetje: Zoti Basha, keni pasur një takim me krerët e degëve të PD së Tiranës, çfarë u diskutua?

Basha: Takimet në Partinë Demokratike janë intensive në funksion të aksionit opozitar, po ajo që dua të ndaj sot me ju është një paralajmërim i qartë dhe i prerë për Edi Ramën, asnjë përpjekje fasadë nuk do ta shpëtojë dot nga përgjegjësia politike dhe ligjore që ka. Ai është kapur duke vjedhur zgjedhjet me bandat e krimit të organizuar.

Orët e fundit janë intensifikuar informacionet se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Do t’jua them qartë shqiptarëve se arrestimi i Vangjush Dakos duhet të kishte ndodhur që kur “dosja 339” faktoi që ai, bashkë me hierarkë të tjerë socialistë, me emër dhe mbiemër, janë kapur në përgjime zyrtare të Prokurorisë duke bashkëpunuar me krimin e organizuar për të tjetërsuar votën e qytetarëve të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë.

Mosarrestimi është bërë me urdhër të Edi Ramës.

Për të mos arrestuar Vangush Dakon, Edi Rama, madje, flijoi edhe një nga benjaminët e tij, Fatmir Xhafën. Ndaj, arrestimi i Vangjush Dakos duhet të ndodhë, absolutisht, një orë e më parë, por nuk e shpëton urdhëruesin e krimit të të gjithë krimeve, bashkëpunimit të hapur të sektit kriminal të Rilindjes me organizatat e narkotrafikut, nga Avdylajt në Shijak te Bajrat në Shkodër, Çelët e Sanxhaktarët në Elbasan, Shullazi me shokë në Tiranë e kudo që ndodhen. Nuk e shpëton Edi Ramën. Është e njëjta levizje që bëri pas protestës së studentëve, me zevëndësimin e gjysmës së kabinetit me figurina dhe kukulla të tij, por që shqiptarët e kuptojnë se problemi zgjidhet vetëm me largimin e Edi Ramës.

Mund të flijojë Gjush Dakon, i cili e ka vendin prapa hekurave dhe uroj të arrestohet që sonte, mund të shkojë deri në flijimin e njerëzve të tjerë më të afërt të tij, të kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar, por asgjë nuk ndryshon në vendosmërinë e opozitës së bashkuar dhe, jam i bindur, edhe në besimin më të thellë të qytetarëve shqiptarë, të djathtë e të majtë, se vendi nuk mund të mbetet më peng i një njeriu të kapur në vjedhje votash me krimin e organizuar dhe që, pastaj, ka plaçkitur Shqipërinë,për të pasuruar veten e tij dhe një grusht oligarkësh e kriminelësh.

Edi Rama duhet të largohet. Mjaft është mjaft!

Kupa është mbushur dhe veprimi politik i opozitës, sikundër jam i bindur dhe përgjigja e qytetarëve tani që jemi në krah të tyre pa asnjë privilegj dhe asnjë imunitet, të padiferencuar nga ata, do të vazhdojë të jetë masive, e qëndrueshme dhe e bashkuar.

Nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore me njerëz të palidhur me krimin, padyshim, nisjes së hetimeve dhe përfundimit të tyre me sukses, pra t’i zgjidhen duart prokurorisë dhe gjykatat të bëjnë punën e tyre, sa here që të kemi raste të politikanëve që kanë bërë pazare me krimin e organizuar dhe kemi jo pak, sepse 339-ta është vetëm maja e ajsbergut, dhe një parlament që del nga vota e qytetarëve, nga vota e njerëzve, që i takon njerëzve dhe punon për njerëzit.

Prandaj është shumë e rëndësishme që Dako të arrestohet padiksutim një orë e më parë, të arrestohen edhe të tjerët, që çdo politikani, të çfarëdo ngjyre dhe çfarëdo kampi, nesër të mos i shkojë në mendje të ulet me Niçet për të shtrembëruar vullnetin e popullit. Parlamenti do t’i takojë popullit. Qeveria do t’i takojë popullit.  Qeveria dhe parlamenti i ardhshëm do ta lidhin fatin me fatin e njerëzve. Janë njerëzit ata që do të gjykojnë mbi fatin e tyre me votë të lirë dhe të ndershme.

Pra, beteja po avancon. Po avancon edhe aty ku, i strukur në vrimën e miut nga frika, është gati të dorëzojë bashkëpunëtorët e tij në krim, por ftoj gjithë qytetarët dhe, në veçanti, faktorin ndërkombëtar të mos gënjejë veten, se shqiptarët nuk i gënjen dot më. Nuk është më punë kokë gjushësh apo kokë sejdinësh. Edi Rama duhet dhe do të largohet. Me Edi Ramën në krye të vendit, Shqipëria nuk do të bëjë asnjë hap përpara dhe opozita do të vazhdojë e vendosur betejën e saj deri në largimin e kapobandës dhe çlirimin e Shqipërisë, demokracisë dhe të Partisë Socialiste.

Faleminderit!​