• Koha për ndryshim po vjen. Kukësi, Vlora, Shkodra, Fieri, Durrësi, Korça dhe Tirana po vlojnë nga padurimi për t’i dhënë fund padrejtësisë. Kuksianët kanë vuajtur më shumë nga të gjithë aktet prej pushtuesi të Ramës, i cili ka spastruar zonën dhe e ka zhytur në varfëri.

 

  • Masa e menjëhershme e Partisë Demokratike do të jetë heqja e taksës së “Rrugës së Kombit”, duke sjellë drejtësi për kuksianët, që arritën ta reduktojnë atë përmes qëndresës që i dha kurajo të gjithë shqiptarëve,

 

  • Vendi po lëngon, sepse ne nuk kemi një qeveri të zgjedhur nga populli dhe që jep llogari para popullit. Ne jemi sot duke u sunduar nga një bandë e cila e ka marrë pushtetin nga një grusht shteti, jo me ushtarakë, por me bandat e krimit dhe oligarkët.

 

  • Zëri i Amerikës publikoi fakte tronditëse, që tregojnë se si vetëm nga disa minuta përgjim, del vjedhja dhe manipulimi i votave në 4 qarqe të Shqipërisë. Del se si nga Durrësi në Lezhë, nga Kavaja në Dibër, Edi Rama dhe krimi i organizuar vodhën pushtetin që u takon qytetarëve shqiptarë.

 

  • Përgjimet tregojnë se kjo mazhorancë, nuk është mazhorancë, se ky kryeministër, nuk është kryeministër, se këta janë kukullat e krimit të organizuar, të oligarkisë që ka uzurpuar pushtetin. Përgjimet provojnë se mendja dhe përfituesi kryesor i shkatërrimit të zgjedhjeve të vitit 2017 është Edi Rama, kryeministri i krimit dhe  i oligarkëve.

 

  • Ne i kemi zgjidhjet për t’i dhënë fund krizës. Ne kemi zgjidhje emergjente, për të ndalur rrënimin ekonomik, për të rifilluar investimet private që do të krijojnë vende pune, me paga dhe kushte dinjitoze nëpërmjet uljes së taksave për biznesin dhe qytetarët, heqjes së taksës Rama mbi karburantin, uljes së çmimit të energjisë elektrike.

 

  • Mbyllja e filialit të Universitetit të Kukësit, ishte një akt kriminal dhe racist. Hapja e këtij universiteti dhe financimi i tij për ta kthyer në një qendër ekonomike-akademike midis Tiranës dhe Prishtinës, ku të studiojnë të rinjtë nga qarku i Kukësit deri nga Prizreni, Prishtina e Lipjani.

 

  • Për të zhbërë padrejtësitë e Ramës për Kukësin dhe Shqipërinë, duhet t’i japim fund sundimit nga pakica dhe ta kthejmë pushtetin dhe ekonominë në duart e shumicës së ndershme të shqiptarëve.

 

  • Dy kolonat e shtetit, zgjedhjet dhe drejtësia kanë rënë. Shqipëria është në kushtet e grushtit të shtetit. opozita ka shteruar çdo mundësi në institucione dhe është refuzuar.  Ndershmërisht ju them, më 16 shkurt nuk kam fjalë për t’ju thënë. Më 16 shkurt është gjithçka në dorën tuaj për të çliruar të drejtat tuaja të marra peng.

 

 

  • Një gjë ju siguroj, marrëveshje me Edi Ramën, nuk ka për të pasur më kurrë. Ndaj, ju kërkoj të bëheni pjesë e zgjidhjes. Ju kërkoj ta merrni në dorë zgjidhjen ju, sepse nuk ka e nuk mund të ketë zgjidhje tjetër, përveç asaj që do të diktojë populli i bashkuar.

 

 

FJALA E PLOTË E KRYETARIT, LULZIM BASHA PAS TAKIMEVE ME QYTETARËT NË KUKËS

 

Faleminderit për këtë pritje madhështore,

Zonja dhe zotërinj,

Të rinj dhe të reja,

Sot tek e shoh vendosmërinë tuaj, bindjen tuaj, për të marrë në dorë fatin tuaj dhe të familjeve tuaja të Kukësit, Hasit, Tropojës dhe gjithë Shqipërisë, dhe kur shoh se Zoti e ka bekuar këtë ditë me këtë diell të bukur, po mendoj dhe unë si shumë prej jush që më thanë gjatë kësaj ecje, sa larg e paskemi lënë datën 16, se me sa shoh, kështu siç jemi mund të nisemi sot, e t’i japim fund padrejtësisë.

Apo jo?

Koha për ndryshim po vjen.

Kukësi dhe Vlora, Shkodra dhe Fieri, Durrësi dhe Korça dhe Tirana po vlojnë nga padurimi për t’i dhënë fund padrejtësisë.

Pakkush në këtë Shqipëri, të vjedhur e të grabitur, të dhunuar e të kallur nga Edi Rama dhe klika e tij e oligarkëve grabitqarë dhe kriminelëve në pushtet, e kanë ndjerë thikën në palcë, si banorë të këtij qarku.

Është kështu apo jo?

Aktet e qeverisë së Edi Ramës ndaj kukësit dhe kusianëve, janë akte prej pushtuesi, janë akte armiqsore që kanë pasur një qëllim, nënshtrimin, varfërimin, zbrazjen dhe spastrimin e Kukësit nga banorët.

Dy nga këto akte flasin më shumë se çdo fjalë e imja apo e juaja.

Vendosja e traut korruptiv e taksës që ndalon një nga liritë më të mëdha që Kukësi fitoi, liri që e fitoi për shkak të sakrificës së vetë dhe për shkak të pozicionit në ekonominë mbarëshqiptare, midis Shqipërisë dhe Kosovës duke e vënë një çmim të padrejtë mbi lëvizjen e biznesit dhe qytetarëve të këtij qarku drejt Tiranës dhe në kthim drejt Kukësit.

Le ta nisim me largimin e menjëhershëm të kësaj mase korruptive që do të jetë masa e ditës sonë të parë të qeverisë së ardhshme, heqja e taksës së Rrugës së Kombit.

Heqja e kësaj takse do të jetë jo vetëm drejtësi për kuksianët, që jo vetëm arritën ta reduktojnë atë përmes qëndresës që i dha kurajo të gjithë shqiptarëve, por do të jetë po kështu drejtësi për të gjithë shqiptarët këtej dhe andej kufirit.

Sot dua t’i jap një paralajmërim të qartë organeve të drejtësisë. Kini kujdes. Gjithçka do të shënohet, padrejtësinë ndaj kuksianëve nuk do t’jua falim kurrë!

Asnjë prind apo i ri kuksian që u ngrit kundër padrejtësisë, nuk meriton veçse nderimin, mirënjohjen dhe dekoratën!

Drejtësia duhet dhe do të veprojë ndaj Edi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë të korruptuar që ishin shkaku i vendosjes së kësaj takse të padrejtë.

Të dashur bashkëqytetarë,

Të nderuar banorë të Kukësit dhe miq që keni ardhur sot edhe nga Hasi dhe Tropoja,

Vendi po lëngon sepse ne nuk kemi një qeveri të zgjedhur nga populli dhe që jep llogari para popullit

(Rama ik…brohoritje)

Ne jemi sot duke u sunduar nga një bandë e cila e ka marrë pushtetin nga një grusht shteti.

Ndryshe nga vendet e tjera, ku grushtin e shtetit e bëjnë ushtarakët apo bandat ideologjike, këtu grushtin e shtetit e kanë bërë bandat e krimit dhe të oligarkëve.

Zëri i Amerikës publikoi fakte tronditëse që tregojnë se si, vetëm nga disa minuta përgjim, del vjedhja dhe manipulimi i votave.

Vjedhja e mandateve në 4 qarqe të Shqipërisë.

Vetëm disa minuta, mjaftuan për të treguar, se si nga Durrësi në Lezhë, nga Kavaja në Dibër, Edi Rama dhe krimi i organizuar, vodhën pushtetin që nuk u takon atyre, por u takon qytetarëve shqiptarë.

Imagjinoni, janë me mijëra orë përgjime vetëm në këtë dosje dhe janë me dhjetëra dosje të tilla!

Kjo tregon se kjo mazhorancë nuk është mazhorancë.

Se kjo qeveri nuk është qeveri.

Se ky kryeministër nuk është kryeministër.

Se këta janë kukullat e krimit të organizuar, të oligarkisë që ka uzurpuar pushtetin.

Pushteti, nuk i takon partive politike, ato kërkojnë delegimin me votë dhe për votën që marrin, duhet që japin llogari.

Pushteti i takon qytetarëve, qytetarët janë sovrani.

Në qoftë se Edi Rama do të kishte qenë dorëjashtë, nuk do të heshtte dhe aq më pak, të mbronte Gjushin me shokë.

Do t’i kishte arrestuar, do t’i kishte shkarkuar, do t’ia kishte çliruar duart drejtësisë, në vend që të bënte një mijë manovra, për të mbrojtur Gjushin.

Por, Edi Rama, mbron Gjushin, mbron gjushërit e tjerë, sepse mbron veten e tij, sepse në këto dosje të prokurorisë, qartësisht provohet se mendja, truri dhe përfituesi kryesor i shkatërrimit të zgjedhjeve të vitit 2017 dhe i kapjes së institucioneve, tamam si në një grusht shteti, me ndihmën e bandave, është një dhe vetëm një njeri, dhe ju e dini se kush është ky.

Është Edi Rama, kryeministri i krimit, kryeministri i oligarkëve.

Në qoftë se në një nga vendet më të korruptuara të botës do të bënte vaki ajo që ndodhi me unazën, ku u kap në flagrancë duke vjedhur 20 milion euro kilometrin, në një rrugë të ndërtuar.

Edhe qeveria më e korruptuar e botës do ta kishte çuar Ministrin përgjegjës në burg.

Është kështu apo jo?

Populli: Po!

Ndërsa këtu jo! Sepse po të shkojë Damian Gjiknuri në burg, emri i parë që do të nxjerrë, është emri i atij që ka marrë milionat dhe që i ka çuar në kontot bankare sekrete, dhe ju e njihni fare mirë se kush është ky.

Kush është njeriu që ka përfituar nga kjo aferë korruptive?

Populli: Edi Rama.

2 miliard euro, taksa më shumë, u ka marrë shqiptarëve këto vite të qeverisjes.

I rriti taksat për 100% të qytetarëve. E rriti me 300 lek çmimin e naftës. E rriti çmimin e energjisë. Jo vetëm që nuk u ktheu asgjë, por siç e dini, jo vetëm këtu në Kukës i përgjysmoi familjet që ishin në ndihmë ekonomike. U hoqi bukën e gojës! U hoqi bukën e fëmijëve me një të rënë të lapsit.

2 miliard euro është fatura minimale e korrupsionit, para që iu morën shumicës së shqiptarëve, për t’ia dhënë një pakice, një grushti njerëzish, pesë njerëzve me të cilët ai sundon Shqipërinë.

Kjo është deviza e regjimit që përballemi me 16 shkurt.

Edi Rama i ka marrë gjithçka shumicës së shqiptarëve.

Kuksianëve, korçarëve, beratasve, vlonjatëve, fierakëve, shkodranëve, dibranëve, matjanëve, tiranasve, durrsakëve, të gjithëve.

Absolutisht të gjithëve dhe ia ka dorëzuar, pesë vetave, ortakëve të tij në krim.

Kjo nuk është qeveri!

Qeveria ekziston për t’u kujdesur për sigurinë tuaj. Qeveria ekziston për t’u kujdesur për punësimin tuaj.

E vetmja arsye që një qeveri ekziston, është të kujdeset për qytetarët, për mirëqenien, për punësimin, për rrogat, për pensionet.

Dhe në qoftë se ata janë të papunësuar për ndihmën sociale, për shërbimet sociale, për arsimin, për shëndetësinë.

Edi Rama i ka braktisur këto detyra, që prej ditës së parë, se ashtu si ju, edhe ai e di se nuk është kryeministri i shqiptarëve, nuk është kryeministri i kuksianëve, është kryeministri i kriminelëve, është kryeministri i oligarkëve.

Ne i kemi zgjidhjet, për t’i dhënë fund krizës. Ne kemi zgjidhje emergjente për të ndalur rrënimin ekonomik, për të çliruar energjitë pozitive dhe kapitalin në ekonomi, për të rifilluar investimet private të brendshme dhe të huaja, që do të krijojnë vende pune, me paga dhe kushte dinjitoze, që kuksianët dhe gjithë shqiptarët, të mos e braktisin vendin e tyre, mos të braktisin qytetin e tyre, mos t’ii braktisin fshatrat e tyre.

Ne i kemi këto plane dhe unë kam pasur nderin dhe privilegjin, të shpalos një pjesë të tyre, krah për krah ekspertëve që na mbështesin nga e Gjermania dhe e gjithë Europa demokratike, për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza.

Hapi i parë do të jetë:

  1. Ulja me 300 lek e çmimit të karburantit.
  2. Heqja e taksës korruptive Rama, mbi karburantin, e cila do të mundësojë që prodhimet dhe mallrat shqiptare të kthehen edhe njëherë në fashën e konkurrencës e cila do të mundësojë që ekonomia të fillojë të lëvizë më lirshëm, duke ulur koston dhe duke rritur xhiron e konsumit të shqiptarëve, duke krijuar vende pune, dhe duke mundësuar mirëqenie përmes punësimit.
  3. Energjia elektrike, masakra tjetër e Edi Ramës, po kështu do të njohë një politikë të re. Të paktën 20 për qind do të ulet çmimi për biznesin e vogël 30%-40% për biznesin prodhues dhe do të vendosen fashat mbrojtëse që Edi Rama hoqi për popullsinë, sepse energjia nuk është paja e Edi Ramës, energjia është pasuria e shqiptarëve. Ne do të bëjmë të mundur që asnjë shqiptar, të mos mbetet pa energji, pavarësisht kushteve ekonomike.
  4. Ne, do të vendosim një taksë minimale prej 0.5% të xhiros vjetore, për të gjithë biznesin me xhiro nën 140 milion lek të vjetra në vit, dhe kjo do të jetë taksa e vetme, që biznesi i vogël do të paguajë. E gjitha do të shkojë për pushtetin vendor, por as pushteti vendor nuk do të ketë të drejtë të vendosë asnjë taksë tjetër.
  5. Ne do të vendosim një pullë, në premisat hyrëse, vitrinë, derë apo dritare, që asnjë inspektori të mos i shkojë mendja të shkojë e të terrorizojë biznesin. Sepse biznesi i vogël, është punësuesi dhe vetëpunësuesi më i madh dhe është kjo pjesë e ekonomisë që jep besim në prodhim, jep besim në ekonomi dhe krijon një klimë pozitive. Mundëson punësim dhe jo shpunësim. Sot, 50 biznese në ditë mbyllen në të gjithë Shqipërinë. Mbi 300 biznese janë mbyllur këtu në Kukës, dhe kjo për mua është e papranueshme, është kriminale. Ne do ta ndalim këtë, me politikën më liberale që ka njohur Shqipëria dhe Ballkani. Ndërsa, për biznesin e madh, që gjithashtu është gjenerator pune, ne do të sjellim paketën më konkurruese në rajon; 9% taksë e sheshtë, që është taksa më e ulët që Shqipëria ka pasur ndonjëherë e cila do të mundësojë që bizneset jo vetëm që nuk do të mbyllen e të shkurtojnë vendet e punës, të investojnë këto para që sot ia dorëzojnë Edi Ramës dhe oligarkëve, për të hapur vende pune dhe për të rritur pagat e shqiptarëve të ndershëm, që duan të jetojnë me djersen e ballit.

Unë e di që asnjëri prej jush këtu, nuk kërkon lëmoshë. Ju kërkoni mundësi.

Partia Demokratike dhe unë, jemi të vendosur t’jua japim këtë mundësi kuksianëve dhe të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe punëtorë, përmes lirisë dhe një akti politik, më të rëndësishmin.

Sot shumica punon dhe grabitet nga një pakicë.

Ne do t’i japim fund kësaj.

Ne do ta heqim Shqipërinë nga kthetrat e pesë oligarkëve dhe të Edi Ramës, dhe do t’ia kthejmë gjithë shqiptarëve të ndershëm.

Ne do t’ia kthejmë Shqipërinë, shqiptarëve.

Por, këto janë masa vetëm për stabilizimin e situatës.

Në çdo zonë të Shqipërisë, padrejtësia ka hyrë thellë, askund s’ka hyrë kaq thellë sa në Kukës.

Mbyllja e filialit të Universitetit të Kukësit, ishte një akt kriminal dhe racist.

Hapja e këtij universiteti dhe financimi i tij, për ta kthyer në një qendër të fuqishme të mësimdhënies, të trajnimit të rinisë kuksiane dhe jo vetëm, në një qendër të fuqishme intelektuale universitare, në një promotor të konsumit dhe të rritjes së ekonomisë së Kukësit, në një promotor të vendosjes së Kukësit, në një qendër ekonomike, akademike, midis Tiranës dhe Prishtinës, ku të vijnë e të studiojnë me nder e të diplomohen studentët nga Kukësi, Hasi e Tropoja, por edhe nga Prizreni, edhe nga Prishtina, edhe nga Lipjani.

Është hap kryesor që ne do të hedhim. Dua t’ju them sot, se çdo padrejtësi që keni përjetuar,  këto pesë vite e gjysëm të sundimit nga Edi Rama, do të zhbëhet. Do ta zhbëjmë, duke nisur me rihapjen e Universitetit të Kukësit dhe fuqizimin e tij për rininë kuksiane, për gjimnazistët kuksianë dhe të gjithë zonës.

Unë e njoh shumë mirë problemin e mbi 5 mijë familjeve kuksiane, të përmbytura, që tash sa vjet nuk marrin dëmshpërblimin që meritojnë.

Po ju them, siç diskutova me kryetarin dhe anëtarët e shoqatës, se Partia Demokratike dhe unë e kemi studiuar dhe e njohim këtë problem në detaje. Fatura e dëmshpërblimit, është afro 70 milion euro.

Ne kemi parë vetëm këtë vit se si KESH-i ka nxjerrë 70 milion euro fitim, në një vit, dhe se si në 8 orë, vetëm në 8 orë, një kompani që media hetimore sllovene e akuzon si të lidhur me familjarë të Edi Ramës, vetëm në 8 orë, ka fituar 4.5 milion euro me transaksione të dyshimta, me KESH-in.

Tre hapa do të ndjekim, për të trajtuar dhe dhënë fund kësaj padrejtësie:

Së pari, ju garantoj, se një nga aktet e para do të jetë, firmosja e ngritjes së Komisionit Shtetëror për dëmshpërblimin me vlerë tregu, të gjithë banorëve që kanë pësuar nga përmbytja, në zonën e Kukësit

Së dyti, kalimin e një ligji, ku do të sanksionohet se dëmshpërblimi do të bëhet sipas vlerës së tregut.

Së treti,  nuk ju premtoj dot se këtë vlerë do ta paguajmë menjëherë, por ju jap fjalën, se qeveria e ardhshme do të bëjë gjithçka që brenda dy viteve, ky dëmshpërblim të paguhet për të gjitha familjet të cilat kanë më shumë se 30 vjet që nuk marrin drejtësinë që meritojnë.

Zonja dhe zotërinj!

Këto pjesë të platformës tonë, e të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e studentëve, me mundësinë që çdo bije dhe bir i juaji, të mos privohet nga mundësia për të shkuar në universitet, për t’u diplomuar, për shkak të pamundësive ekonomike.

Të gjitha këto janë plotësisht të mundura.

E vetmja armë me të cilën Edi Rama sot lufton, është gënjeshtra dhe mashtrimi.

Sepse për Edi Ramën, ato 70 milion euro të dëmshpërblimit të këtyre banorëve, duhet të përfundojnë në xhepat e tij, të oligarkëve dhe të miqve me të cilët i ndan.

Sepse për Edi Ramën, ato miliona që duhet të shkojnë për rikthimin në skemën e ndihmës ekonomike, të atyre që u janë hequr me të padrejtë, duhet t’i marrin vetëm 3-4 koncesionarët e shëndetësisë.

Sepse për Edi Ramën, nuk ka rëndësi se çfarë kosto përballon ky qytet dhe kjo zonë, për shkak të taksës së rrugës së Kombit, për sa kohë që taksa e rrugës së kombit dhe koncesionet e tjera të korruptuara të infrastrukturës, mbushin trajsën e Edi Ramës.

Zgjidhja është e thjeshtë.

T’i japim fund sundimit të Shqipërisë nga pakica dhe ta kthejmë pushtetin dhe ekonominë, në duart e shumicës së ndershme të shqiptarëve.

Tani, dy mënyra ka për ta bërë këtë.

  • E para kutia e votimit. Por, ju e keni parë, se Edi Rama i frikësuar nga gjykimi popullor, për gjithë këto të zeza që i ka bërë shqiptarëve, e ka asgjësuar procesin zgjedhor.
  • E dyta është drejtësia. Po ku është drejtësia? Ku është drejtësia? Ku fshihen prokurorët dhe gjyqtarët, kur Gjushi, Gjiknuri, e të tjerë socialistë, kapen gafil duke vjedhur vota me krimin e organizuar?

Të dyja këto kolona të shtetit, kanë rënë!

Prandaj e them dhe e përsëris, se Shqipëria është në kushtet e grushtit të shtetit.

Ne, opozita parlamentare, Partia Demokratike, ka shteruar çdo mundësi.

Mundësia e fundit ishte vettingu politik, që ata e refuzuan.

Prandaj, vëllezër dhe motra, në mbyllje të fjalës sime, dua t’jua them hapur, ndershmërisht, më 16 shkurt nuk kam fjalë të tjera për t’ju thënë.

Me 16 shkurt është gjithçka në dorën tuaj.

Është në dorën tuaj, të derdheni kështu dhe të sillni zemërimin dhe ndershmërinë tuaj, para kryeministrisë.

Është në dorën tuaj, të derdheni dhe të vini kështu, për të çliruar të drejtat tuaja të marra peng.

Një gjë ju siguroj, marrëveshje me Edi Ramën nuk ka për të pasur më kurrë.

Ndaj, ju kërkoj të bëheni pjesë e zgjidhjes.

Ju kërkoj ta merrni në dorë zgjidhjen, ju sepse nuk ka e nuk mund të ketë zgjidhje tjetër, përveç asaj që do të diktojë populli i bashkuar.

Ndaj ju kërkoj, ju ftoj dhe ju pyes: A do të jemi kështu, bashkë në Tiranë, edhe me 16 shkurt?

Populli: Pooooo

Edhe më të shumtë në numër?

Populli: Pooooo

Të vendosur për të hapur një rrugë të re?

Populli: Pooooo

Të lirisë, të mundësive për Kukësin dhe gjithë Shqipërinë?

Populli: Pooooo

Faleminderit!

Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë Kukësin, Tropojën dhe Hasin!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!