• Karriget e zaptuara në Parlamentin e blerë nga krimi nuk janë të Maduros së Ballkanit, të narkotrafikantëve dhe banditëve të veshut me pushtet. Ata nuk përfaqësojnë asgjë. Pushteti i vërtetë u takon qytetarëve shqiptarë.

 

  • Kurrë më parë nuk është mbledhur një numër kaq i madh qytetarësh brenda pak orësh. Klikës kriminale i ka ardhur fundi. Nuk do të ketë më asnjë minutë paqe me qeverinë që i shpalli luftë popullit.

 

  • Ne jemi sot këtu, me një mesazh të qartë e të prerë: koha për fjalë ka mbaruar. Le ta dëgjojë e gjithë bota, se ne e kemi nisur këtë betejë, për fatin evropian të vendit, për vlerat evropiane të  zgjedhjeve të lira e të ndershme.

 

  • Ky vend i bekuar nga Zoti, nuk është i varfër, por është i vjedhur. Do të jemi në sheshet e çdo beteje, derisa ta largojmë këtë klikë të korruptuar që ka zënë peng Shqipërinë dhe e ka mbyllur derën evropiane të saj,

 

  • Kjo është një betejë që do ta çlirojë vendin nga klika mafioze, duke çliruar zgjedhjet, duke çliruar parlamentin. Sovrani është populli shqiptar dhe jo kriminelët e ulur në sofrën e pushtetit.

 

  • Vëllezër e motra me uniformë, që qendroni mes hajdutëve e kriminelëve dhe popullit të vjedhur e të dhunuar, bëni detyrën, arrestoni hajdutët dhe nxirrini me pranga në duar, përpara sesa t’i arrestojë populli i bashkuar.

 

  • Edi Rama, Sandër Lleshi dhe të gjithë ata që urdhëruan goditjen me gaz të nënave shtatzana, grave dhe fëmijëve mbajeni mend: Nuk do të fshiheni dot! Do të jepni llogari para ligjit, horra dhe tradhtarë të vendit tuaj!

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA NË PROTESTËN PARA PARLAMENTIT

 

Vëllezër dhe motra!

 

Qytetarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë!

 

Banda e hajdutëve, me hajdutët dhe për hajdutët, edhe sot e bëri aktin e saj tinzar dhe të paligjshëm. Sot prapa asaj godine ku duhet të jetë vullneti i qytetarëve shqiptarë, nuk është më Kuvendi i Shqipërisë, por banda e krimit dhe e hajdutëve që kanë marrë peng Shqipërinë. Ata që kalojnë ligje antikushtetuese për të vjedhur milionat nga populli më i varfër i Europës, Ata të cilët bashkë me krimin e organizuar futën duart në kutitë e vullnetit të shqiptarëve, dhe i dhanë Shqipërisë Maduron e Ballkanit, kryehajdutin dhe kryebanditin Edi Rama, i kanë zaptuar ato karrige në bashkëpunim me krimin, por ato karrige nuk janë në shitje, ato karrige nuk janë karriget e narkotrafikantëve dhe hajdutëve, ato karrige që sot zaptohen nga banditët e veshur me pushtet dhe imunitet, nuk përfaqësojnë asgjë, sepse pushteti i vërtetë u takon qytetarëve shqiptarë, i takon popullit.

 

Ne, të gjithë bashkë, kishim njoftuar protestën tonë të radhës për ditën e enjte, ditën kur sipas rregullave dhe ligjit, duhej të mblidheshin në atë sallë për të reflektuar orët e fundit, përpara se populli t’i fshijë e t’i marrë përpara. Por, nga tmerri i bashkimit popullor, në mënyrë ilegale, ata ndryshuan orarin, ndryshuan që t’i shpëtojnë zemërimit të njerëzve. Unë e di se kurrë më parë nuk është mbledhur një numër kaq i madh qytetarësh brenda një ore, brenda disa orësh, brenda një kohe kaq të shkurtër. Lexojeni këtë mirë, se fundi i ka ardhur klikës kriminale, se nuk do të ketë më asnjë minutë paqe me qeverinë që i ka shpallur luftë demokracisë e kushtetutës, me qeverinë e banditëve që i shpalli luftë popullit , me banditët e veshur me pushtet, që shkatërrojnë pa ligj shtëpitë e njerëzve, që vjedhin taksat e tyre, që i nxjerrin kriminelët nga burgu dhe i bëjnë kryebashkiakë e kryeparlamentarë, dhe që ndëshkojnë popullin e varfër të këtij vendi.

 

Ne jemi sot këtu, me një mesazh të qartë e të prerë në emër të opozitës, që është mesazhi i shumicës dërrmuese të shqiptarëve, të djathtë e të majtë: Edi Rama, ti që u ke hequr bukën e gojës shqiptarëve, ti që i detyron të ikin, nuk ke për ta bërë parlamentin rrulotë me rrota, që ta zhvendosësh sa andej-këndej, të mbushur me kriminelë, ora e së vërtetës ka ardhur dhe koha për fjalë ka mbaruar.

 

Ndaj, vëllezër e motra, le ta dëgjojë Tirana dhe e gjithë Shqipëria, le ta dëgjojë gjithë bota, zërin e vetëm që do të dëgjohet këtej e tutje në këtë vend, zërin e qytetarëve, zërin e njerëzve të thjeshtë e të ndershëm, zërin e popullit evropian të Shqipërisë. Ne e kemi nisur këtë betejë, për fatin evropian të vendit. Ne luftojmë për vlerat evropiane të  zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe jo votës së blerë e të diktuar nga narko-mafia, të pushtetit të ndarë e të kontrolluar e jo të kapjes së drejtësisë për të mbrojtur Vangjush Dakon, për të mbrojtur Qazim Sejdinin, për të mbrojtur Saimir Tahirin, për të mbrojtur Damian Gjiknurin, për të mbrojtur hajdutët dhe kriminelët, të bërë njësh me këtë pushtet të krimit.

 

Ne jemi mbledhur, sepse ne e dimë që ky vend i ka të gjitha mundësitë për t’u dhënë shqiptarëve dhe vogëlushëve të tyre, shanset, mundësitë, lirinë për të ndërtuar jetën e tyre në vendin e tyre. Sepse ky vend është i bekuar nga Zoti, sepse ky vend nuk është i varfër, por është i vjedhur. Ky është fundi i hajdutëve. Rama Ik. Ndaj, sonte, të derdhur në këtë shesh dhe në sheshet e çdo beteje, derisa ta largojmë këtë klikë të korruptuar që ka zënë peng Shqipërinë dhe e ka mbyllur derën evropiane të saj, le të ushtojë zëri juaj, zëri i qytetarëve të lirë të vendit. Të ushtojë papushim zëri juaj derisa ai të kthehet në ligjin e paabrogueshëm të Republikës së Shqipërisë, ku sovrani është populli shqiptar dhe jo kriminelët e ulur në sofrën e pushtetit.

 

Kjo është një betejë që do ta çlirojë vendin nga klika mafioze, duke çliruar zgjedhjet, duke çliruar parlamentin. Kjo është një betejë që do të çlirojë vogëlushët nga makthi i përnatshëm, teksa ndjejnë pamundësinë e prindërve të tyre për t’iu përgjigjur nevojave themelore. Ky është një bashkim që do të çlirojë udhëtimin evropian të Shqipërisë. Do të çlirojë edhe socialistët e ndershëm nga banda kriminale e Edi Ramës.

 

Vëllezër e motrat tona me uniformë!

 

Ju qendroni mes hajdutëve dhe kriminelëve në atë godinë dhe popullit të vjedhur e të dhunuar në anën tjetër. Bëni detyrën, ndiqni modelet, arrestoni hajdutët. Arrestojini dhe nxirrini me pranga në duar, siç e kërkon ligji i vendit. Arrestojini, bëni detyrën tuaj para kushtetutës dhe ligjit. Arrestojini, përpara sesa t’i arrestojë populli i bashkuar.

 

Asnjë fasadë nuk pi më ujë. Kupa është mbushur. Edi Rama ëshë shkaktari i varfërisë, i mjerimit dhe i papunësisë. Me Edi Ramën nuk do të ketë as zhvillim, as integrim, as paqe, as stabilitet, por vetëm betejë të përditshme e të përnatshme, deri në largimin e klikës kriminale që ka zaptuar qeverisjen e vendit.

 

Këto fjalë kisha për të ndarë me ju dhe tani, si qytetar, në krahun tuaj, si qytetar, për t’i treguar Shqipërisë dhe Evropës, që parlamenti i krimit ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.

 

Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë Shqipërinë.

 

 

NDËRHYRJA E KRYETARIT BASHA PAS SULMIT ME GAZ LOTËSJELLËS NGA POLICIA MBI PROTETSUESIT

 

Edi Rama, Sandër Lleshi dhe të gjithë ata që, në mënyrë të paprovokuar, urdhëruan goditjen me gaz të nënave shtatzana, të grave dhe të fëmijëve në këtë protestë, se ne të tjerëve s’keni çfarë na bëni, mbajeni mend: dita do të vijë dhe asnjëri prej jush nuk do të fshihet dot, as pas arbitraritetit të uniformës, as pas imunitetit, por do të jepni llogari para ligjit, nga i pari tek i fundit. Sovrani do t’ju çojë para drejtësisë dhe në burg atje ku e keni vendin, horra dhe tradhëtarë të vendit tuaj.