• Grupi parlamentar i PD vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të PD në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017.

 

  • Me vendimin e djegies së mandateve, grupi parlamentar mbështet zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA. 

 

Të nderuar gazetare dhe gazetarë,

 

Të dashur operatorë,

 

Të dashur bashkëqytetarë,

 

Në përfundim të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ju njoftoj për vendimin që grupi mori me votë unanime.

 

Duke patur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare, ku ndodhet vendi:

Për shkak të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore të publikuara nga mediat ndërkombëtare;

Për shkak të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale;

Të eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë;

Të eliminimit të Gjykatës Kushtetuese;

Të kapjes totale të sistemit të drejtësisë;

Të paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve duke përfshirë të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës;

 

Duke shkaktuar një situatë të paprecedentë të krizës ekonomike, të emigracionit masiv kombëtar dhe gjendjes katastrofale të mjerimit social;

 

Duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare;

 

Vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të Partisë Demokratike në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017.

 

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike autorizoi Kryetarin e Partisë të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.