FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA NË PROTESTËN E BANORËVE TË UNAZËS SË RE

Dua t’ju falenderoj nga zemra për këtë shembull të jashtëzakonshëm kombëtar të kurajos dhe qendrësës që u tregoi shqiptarëve rrugën për t’u përballur me padrejtësitë.

Nëse ju do të kishit ulur kokën, nëse ju nuk do të kishit qendruar, edhe përballë terrorit që ushtruan mbi ju, mbi gratë, mbi nënat, mbi fëmijët, nëse ju do të kishit rënë pre e propagandës dhe mashtrimeve të Edi Ramës, sot jo vetëm shtëpitë tuaja do të ishin rrafshuar, por afera e tmerrshme korruptive e kriminale nuk do ishte zbuluar, nuk do ishte zbuluar as skema e pastrimit të parave, as kush qendron pas saj, që është vetë Edi Rama dhe, akoma më keq për të gjithë, shpresa dhe besimi që keni ndezur në zemrat e shqiptarëve se me qendresë dhe bashkim, fitohet çdo e drejtë, nuk do të ishte ndezur pa qendresën e banorëve të Unazës.

 

Respekt dhe mirënjohje për ju vëllezër e motra dhe për gjithë qytetarët që ju kanë mbështetur në këto ditë e netë të vështira të qendresës tuaj.

 

Nuk kanë hequr dorë, e patë dje që vinin si korba e laraska rretheqark, sepse ky projekt ka vdekur, ka vdekur para syve të gjithë botës, por nuk duan ta kallin dhe vijnë rreth e qark si hije e çakej, sepse kanë marrë kaparin, miliona euro.

 

Nuk ka shpjegim tjetër për këtë aferë korruptive për kontot sekrete bankare, përveç kaparit të madh që ka marrë shefi i madh. Veç ai mund të vinte në lëvizje të gjithë shtetin e korruptuar për t’ju goditur ju, për të shkelur kushtetutën, për të shkelur ligjin, për të shkelur ligjin për prokurimet, për të shkelur Planin Urbanistik, vetëm e vetëm që për 1 kilemetër me 20 milionë euro të shënonte një rekord tjetër të zi mes rekordeve të shumta të vjedhjes dhe hajdutërisë, që janë e vetmja që Edi Rama dhe banda e tij e kusarëve kanë bërë për ju dhe shqiptarët.

 

E njëjta situatë është edhe në Shkozë. Dhe atje kanë prishur tashmë disa shtëpi por banorët janë ngritur. Është ekzaktësisht e njëjta situatë. Një projekt korruptiv dhe dy kompani kliente oligarkësh, njëra që ka marrë koncesionin e rrugës në jug dhe tjetra ka marrë stadiumin, të përfshira në një megavjedhje tjetër.

 

Kjo është e vërteta e bëmave të kryehajdutit të Shqipërisë, që Zëri i Amerikës e ka nxjerrë para gjithë shqiptarëve që është siç e kemi denoncuar që prej ditës që parë, siç e ka zbuluar edhe Prokuroria ndonëse presioni politik ia ka mbyllur dhe kyçur sqepin, që ky nuk është kryeministri i shqiptarëve, por i hajdutëve, i oligarkëve, i kriminelëve, peng i tyre, shërbëtor i tyre, ortaku i tyre.

 

Kam ardhur këtu shpeshherë dhe shpesh kemi pasur diçka të re për të ndarë me njerëzit në veçanti përsa i përket skemës korruptive, por edhe përsa i përket masave mafioze që mori kundër jush dhe familjeve tuaja.

 

Sot e mora këtë mikrofon për t’ju thënë se me 16 shkurt  vendi juaj nuk do të jetë këtu, por do të jetë atje, në shesh, në ballë të protestës qytetare dhe se me 16 shkurt nuk është koha më për fjalë, sepse fjalët janë thënë, të vërtetat kanë dalë. Deri me 15 shkurt , Edi Rama ka kohë t’i japë zgjidhje politike krizës, duke u larguar vetë. Me 16 shkurt , koha për fjalë ka mbaruar, do të dëgjohet vetëm zëri juaj, do të veprojë vetëm vullneti juaj, vullneti i qytetarëve dhe asgjë tjetër përveç zërit dhe vullnetit tuaj nuk do të kumbojë e nuk do të veprojë prej 16 shkurtit.

 

Deri më 15 shkurt të largohet nga karrigia që i kanë falur kriminelët, t’i hapë rrugë zgjidhjes politike, qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme, parlament të qytetarëve, qeveri të qytetarëve, përndryshe, prej 16 shkurtit e tutje ka vetëm një forcë që vendos, ajo forcë që vendosi këtu, forca e qytetarëve të bashkuar, forca e sovranit të bashkuar. Me 16 shkurt mbarojnë fjalët, mbaron koha për fjalët e politikës dhe është koha e zërit të qytetarëve të bashkuar.

 

Edhe njëherë mirënjohje për kurajon, qëndresën dhe bashkimin tuaj. Ky është shembulli se si mund të ndalet e keqja, kjo është rruga se si do ta ndalim të keqen. Një ditë e re do të vijë, me vullnetin tuaj, me qëndresën tuaj, me shpresën dhe besimin, që këta fëmijë dhe rinia shqiptare të kenë të ardhmen që meriton.

 

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Të gjithë bashkë me 16 shkurt, para kryeministrisë!

Faleminderit!