Prononcimi i kryetarit të PD, Lulzim Basha në protestën e banorëve të Unazës së Re

Mirëmbrëma. Dua të përshendes nga zemra qendrestarët e Unazës së Re që të bashkuar i treguan Shqipërisë, Europës dhe botës vlerat e vërteta të protestës qytetare. 56 ditë më parë, Edi Rama, bashkë me klanet e oligarkisë dhe të krimit, kishte bërë gati rrëzimin e 317 shtëpive të mbi 1 mijë familjeve këtu tek Unaza e Re. Dhe nëqoftëse këta qytetarë nuk do të ishin bashkuar, nëqoftëse ata nuk do të kishin qendruar fort, me sakrificë personale e familjare, natyrisht me Partinë Demokratike dhe opozitën në krah të tyre, edhe në momentet e tyre më të vështira, tëdhunës fizike dhe barbare nga policia e inkriminuar, atëhere sot do të ishim përpara gërmadhave të shtëpive të tyre.

Por, sot jemi prapë në protestë, para gërmadhave të qeverisë së Edi Ramës. Kjo protestë ndali rrëzimin e shtëpive të tyre, rrëzoi projektin korruptiv, e nxori atë para syve të të gjithë shqiptarëve dhe gjithë botës, si projekti i cili mishëron më së miri modelin e qeverisjes së Edi Ramës.

Edi Rama nuk qeveris me kushtetutë, nuk qeveris me ligj, ai qeveris kundër kushtetutës dhe kundër ligjit, ai qeveris me një grusht oligarkësh dhe një grusht kriminelësh, paratë e shqiptarëve, ai dhe banda e tij, i zhvasin dhe i grabisin për vete, dhe siç tregoi skandali i Unazës, ata kanë përgatitur edhe skemat e pastrimit të parave të krimit, siç tregoi edhe kompania fantazëm e regjistruar në shtetin e Delaëare-it, në falsifikimin e bërë publik tashmë. Edhe kjo u bë transparente vetëm falë qëndresës së këtyre qytetarëve, vetëm bashkimit dhe përkushtimit të tyre.

Gjithësecili prej tyre është lartësuar në sytë e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, si heronj dhe heroina, porn ë fakt janë njerëz të thjeshtë, janë njerëz si të gjithë qytetarët shqiptarë; ja shikojini fytyrat e tyre, janë prindër, baballarë, nëna, janë të rinj e të reja, janë edhe fëmijë. Por forca e bashkimi të tyre i mbrojti shtëpitë që do t’i prishnin pa ligj, dhe rrëzoi njëri pas tjetrit, projektin, oligarkët, Damian Gjiknurin, sikundër protesta e artistëve dhe qytetarëve për Teatrin, rrëzoi Mirela Kumbaron, sikundër protesta e studentëve rrëzoi Lindita Nikollën.

Por puna vetëm sa ka filluar. Nuk mjafton largimi i shërbëtorëve të Edi Ramës, në vjedhjen tek Unaza e Re, në bashkëpunimin me krimin e organizuar për zhvendosjen e Lanës, bashkë me Erion Veliajn, në grabitjen e tarifave të larta dhe taksave për studentët, apo në skemën për pastrimin e 200 milionë eurove të krimit tek Teatri. Sepse kreu i kësaj pune, njeriu i cili urdhëronte të gjithë këta, në këtë aferë, në këtë megaskandal, vazhdon të mbetet në krye të qeverisë.

Mësimi i madh i këtyre 56 ditëve protestë të qytetarëve, i 10 muajve protestë të artistëve dhe qyetetarëve tek teatri, i protestës së studentëve, është që qytetarët e bashkuar e kanë forcën, e kanë legjitimitetin ta largojnë përfundimisht këtë bandë hajdutësh, më në krye kryehajdutin Edi Rama.

Natyrisht që edhe kjo në vetvete nuk mjafton. Ne duhet të shëmbim këtë sistem që kurrë më në paradhomën e kryeministrit të mos bëhen pazare kokë më kokë midis oligarkëve, kryeministrit, ministrave të korruptuar, dhe njerëzve të krimit të organizuar.

Që të rrëzojmë këtë sistem ne duhet të pastrojmë njëherë e mirë politikën nga krimi. Ne duhet të pastrojmë parlamentin dhe qeverinë nga politikanët e lidhur me krimin. Ne duhet të sekuestrojmë pasuritë e oligarkëve të vëna me gjakun dhe djersën e shqiptarëve të thjeshtë. Ne duhet ta rikthejmë pushtetin tek njerëzit duke dekriminalizuar zgjedhjet dhe duke i dhënë Shqipërisë një Parlament që buron nga vota e qytetarëve,jo nga paratë e krimit, as nga bandat, as nga parëte e korrupsionit.

Dhe kjo është një betejë e madhe. Unaza e Re, Teatri, drama e arsimit të lartë, janë simtomat e një sëmundje fatale që ka kapur këtë sistem të kalbur politik dhe rruga për ta shembur këtë sistem politik është rruga e qendrësës, është rruga e bashkimit. Ndonëse janë mbledhur këtu në muzg dhe në errësirë, e kanë ndritur me praninë, qendresën, me zjarrin e zemrave të tyre e kanë ndriçuar rrugën për të gjithë shqiptarët e ndershëm.

Rruga për ti kthyer Shqipërinë shqiptarëve është rruga e qendresës, është rruga e përballjes, deri në shembjen dhe tullën e fundit, çmontimin deri në vidën e fundit, të këtij mekanizmi, që ka vjedhur, shtypur dhe mashtruar shqiptarët dhe rikthimin e demokracisë, shtetit ligjor, dhe ekonomisë që ofron vende pune, zhvillim dhe dinjitet për qytetarët shqiptarë.

Akoma kjo aferë nuk ka marrë zgjidhje dhe nuk do marrë zgjidhje derisa të gjithë ata që janë përgjegjës të jenë para drejtësisë dhe para hekurave. Por mund ta themi me gojën plot se kjo qendresë e cila nisi në ditët më të errëta dhe më të pashpresa të këtyre banorëve sot është kthyer së bashku me protestën e studentëve në shpresën dhe besimin e çdo shqiptari për një vit ndryshimi të madh. Dhe ky ndryshim do të vijë kur e gjithë Shqipëria do të ushtojë siç ushton Unaza; këtu vendosim ne. këtu vendosin qytetarët.

Jam i nderuar që kam qënë në krah të tyre së bashku me bashkëpunëtorët e mi të PD dhe kolegët tanë opozitarë e kështu do të qendrojmë në krahun e këtyre banorëve, kështu do të mbështesim me gjithçka të mundshme, studentët, bijtë dhe bijat tanë, kështu do të mbështesim protestën e drejtë të banorëve të Bulevardit të ri, të banorëve të Shkozës që protestojnë për shtëpitë e tyre. Kështu do të mbështesim qytetarët dhe artistët që vazhdojnë të mbrojnë Teatrin Kombëtar, kështu do të mbështesim çdo protestë dhe çdo qendresë qytetare derisa të së bashku ti kthejmë shqiptarëve gjënë më të shtrenjtë që u ka vjedhur Edi Rama dhe banda e tij e kusarëve , për shpresën dhe besimin për një të nsërme më të mirë.

Nga zemra dua ti falenderoj edhe njëherë banorët. Zoti i bekoftë banorët e Unazës së Re, familjet e tyre, studentët. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët dhe ti uroj që me këtë shpresë dhe besim ta nisim betejën për një Shqipëri të zhvilluar zitin e ardhshëm me fuqi dhe besim tek njëri tjetri. Me besim tek njëri tjetri, me besim tek Shqipëria, me besim tek e ardhmja, për veten tuaj dhe për fëmijët tanë. Shikojini. Ia vlen të luftojmë për fëmijët tanë, për këta fëmijë të vegjël, për studentët, për të ardhmen e këtij vendi dhe ky është misioni më i rëndësishëm që PD dhe opozita kanë sot, të jenë në krah të qytetarëve dhe prijnë protestës qytetare për ta sprapsur dhe mposhtur të keqen e për ti hapur rrugën Shqipërisë së shpresës, Shqipërisë së zhvillimit, Shqipërisë së besimit.