• Edi Rama dhe Erion Veliaj po shkelin ligjin dhe Kushtetutën për shkatërrimin e shtëpive të mbi 2 mijë banorëve në proces legalizimi, pa dëmshpërblim, për të ndërtuar kulla tek Unaza e Re.

 

  • Shteti ka shkelur ligjin, ministritë kanë shkelur ligjin, kryeministri ka shkelur ligjin. E vetmja gjë e ligjshme këtu është protesta dhe rezistenca e njerëzve për të mbrojtur shtëpitë e tyre.

 

  • Thirrja për shqiptarët është: Mos prisni t’ju vijë e keqja në pragun e shtëpisë tuaj! Mbroni veten tuaj duke u bërë barrikadë kundër kësaj të keqeje që po ndodh këtu.

 

  • PD do të vazhdojë të mbështesë të drejtat e qytetarëve dhe është e vendosur që bashkë me qytetarët të shporrë bandën që ka zaptuar qeverisjen dhe të rivendosë shtetin ligjor.

 

TAKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA ME PROTESTUES TEK UNAZA E RE.

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua sot me banorët që protestojnë tek Unaza e Re kundër shëmbjes së shtëpive pa marrë më parë nga qeveria dëmshpërblimin që u takon. Klevis Hysko, një djalë 12 vjeçar, që Basha e cilësoi si zëdhënësin spontan të protestës së mbi 2 mijë banorëve, e falenderoi Kreun e opozitës që iu gjend pranë në  këtë ditë të keqe, bashkë me deputetët e opozitës. Klevisi tregoi sesa keq po e përjeton ai dhe familja e tij vendimin e qeverisë për t’u shembur shtëpitë

 

“Isha një ditë në shtëpi dhe gjeta prindërit e mërzitur. I pyeta prindërit: o mami çfarë keni? “O mami, po se ça dëgjuam në televizor se ka nxjerrë një ligj zoti Edi Rama”, që nuk dua t’ja përmend emrin se ma ka hequr trurin ai person, që do të prishë shtëpitë dhe njerëzit do t’i nxjerrë në rrugë të madhe. Jo vetëm që u tromaksën prindërit, por u tromaksa edhe unë. Në shtëpi, në shkollë kudo, vetëm qaj. Dhe më pyet mësuesja: O Klevis po çke? Po ja që ka nxjerrë një ligj z.Edi Rama dhe duan të na prishin shtëpitë. Pra, ka një javë, nuk nuk i zë gjumi jo vetëm prindërit e mi, por edhe mua.” – u shpreh 12 vjeçari Klevis Hysko.

 

Klevisi, babai dhe të afërm të tjerë të të cilit janë shoqëruar këto ditë në komisariat, u dha kurajo banorëve të mos dorëzohen derisa të fitojnë të drejtën e tyre.

 

‘Të gjithë fëmijëve, të gjithë bashkëmoshatarët, të gjithë njerëzve ju bëj një thirrje: Protestat mos të ndalen, le të vazhdojnë se po nuk vazhduan e kemi të humbur. Ju falenderoj të gjithëve që keni ardhur dhe mediat dhe zotin kryetar të opozitës që na jeni gjetur pranë dhe gjithë deputetët e Partisë Demokratike. Ju falenderoj nga zemra që keni ardhur. Rrofshin shqiptarët! Poshtë oligarkët, poshtë banditët!” – tha Klevis para mediave në krah të Lulzim Bashës.

 

Kreu i opozitës e siguroi Klevisin dhe të gjithë banorët protestues tek Unaza e Re se PD do të jetë në krah të tyre, në mbrojtje të së drejtës së tyre dhe kundër akteve të paligjshme të qeverisë.

 

“Nuk ka asnjë ligj për shembjen e këtyre shtëpive. Iu kanë çuar lajmërim dhe iu kanë vënë kryqe me bojë tek dera për t’u shkatërruar shtëpitë. Kjo është dëshmi e rënies totale e shtetit. Nuk ka asnjë ligj dhe asnjë akt të cilin t’u jetë komunikuar familjeve, t’u jetë dhënë koha e mjaftueshme që të jetë përgatitur dokumentacioni për shpronësim, t’u paguhen paratë e shpronësimit, t’u jepet kohë për të gjetur një banesë tjetër. Familje të tëra, qindra fëmijë janë në këtë gjendje të territorit psikologjik. Brenda më pak se 48 orëve iu thonë: Ikni se do t’ju prishim shtëpitë!” – u shpreh Basha.

 

Basha tha se rasti i trajtimit të mbi 2 mijë banorëve tek Unaza e re është dëshmia sesi kjo qeveri nuk respekton të drejtat e njeriut, ligjin dhe Kushtetutën.

 

“Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë një projekt bashkë me një grusht oligarkësh dhe bandash që duan të pastrojnë paratë e drogës  për të ndërtuar shumëkatëshe në këtë zonë dhe shkelin ligjin, shkelin Kushtetutën, për të shkatërruar shtëpitë e mbi 300 familjeve, taksapagues të rregullt, të gjithë në proces legalizimi, një pjesë prej tyre edhe të legalizuar pa iu dhënë asnjë lekë dëmshpërblim.”- u shpreh Kryetari i PD.

 

Kreu i opozitës vuri në dukje paligjshmërinë e akteve të shtetit duke bërë kontrastin me të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

 

“Në gjithë këtë skandal gjithçka është shkelur nga shteti. Nuk ka asgjë të ligjshme. Shteti ka shkelur ligjin, ministritë kanë shkelur ligjin, kryeministri ka shkelur ligjin, policia ka shkelur ligjin. E vetmja gjë e ligjshme këtu është protesta e këtyre njerëzve për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Është një e drejtë kushtetuese, e pamohueshme dhe e patjetërsueshme. E vetmja gjë e ligjshme këtu, është rezistenca e tyre.”- u shpreh Basha.

 

 

Basha tha se shkelja e ligjit dhe e Kushtetutës nga qeveria në dëm të qytetarëve të pambrotjur, është paralajëmruar prej tij kohë më parë.

 

“E kam paralajmëruar kur nisi afera “Rama-Fusha” se ajo që nis me prishjen e Teatrit Kombëtar shumë shpejt do të shkojë në pragjet e shtëpive të shqiptarëve. Tani e keqja ka arritur në pragun e shtëpisë së mbi 317 familjeve. Thirrja ime është për të gjithë qytetarët shqiptarë, qytetarët e Tiranës, qytetarët e kësaj zone: Mos prisni t’ju vijë e keqja në pragun e shtëpisë tuaj! Ejani këtu, mbështesni me praninë tuaj, me mesazhet tuaja, me protestën tuaj të drejtën e këtyre fëmijëve, të këtyre familjarëve. Por po kështu mbroni ligjin, mbroni Kushtetutën, mbroni vetën tuaj duke u bërë barrikadë kundër kësaj të keqeje që po ndodh këtu.”- u shpreh Basha.

 

Kreu i opozitës u garantoi protestuesve mbështetjen e plotë dhe të vazhdueshme të PD.

 

“Ashtu siç kanë qenë pranë tyre që prej ditës së parë, deputetët dhe këshilltarët e PD dhe të opozitës, ashtu do të vazhdojmë të qëndrojmë në mbështetje të tyre, në mbështetje të të drejtave të tyre, në mbështetje të ligjit dhe të Kushtetutës. Le të qëndrojmë fuqimisht këtu të bashkuar, ta sprapsim këtu dhe pastaj, po të bashkuar, të rivendosim shtetin ligjor, duke shporrur bandën që ka zaptuar qeverisjen, që i imponohet qytetarëve me dhunë dhe që, po me dhunë, do t’u shkatërrojë shtëpitë e tyre, të ardhmen e tyre, qetësinë e tyre dhe mirëqenien e tyre.”– u shpreh kreu i opozitës.

 

Basha tha se është koha për solidaritet dhe mbështetje për një kauzë edhe më të madhe se ajo e mbi 2 mijë shqiptarëve. “Këtu nuk mbroni vetëm shtëpitë e këtyre banorëve, por mbroni pragun e shtëpisë suaj. Këtu duhet ndalur e keqja.”- u shpreh Basha.