• Qeveria hesht për kamerat e policisë së Fushë Krujës, për të mbrojtur Taulant Ballën për praninë e tij atje gjatë kërcënimit me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut.

 

  • Sa herë Edi Ramës i kapet në krim një deputet brenda në komisariat, kamerat ose fiken, ose fshihen, si në rastin e përplasjes me armë të bandës së Armando Prengës në komisariatin e Laçit.

 

GENT STRAZIMIRI, DEPUTET PD

 

Policia dhe prokuroria janë përfshirë në operacionin e fshirjes së gjurmëve dhe shkatërrimit të provave që implikojnë Taulant Ballën në krimin e kërcënimit të nënkomisar Emiljano Nuhut.

 

Partia Demokratike i kërkoi dje Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës t’i tregojnë publikut çfarë është bërë me kamerat e Policisë së Fushë Krujës dhe me kamerat rreth saj.

 

Në vend të përgjigjes, Edi Rama ka angazhuar të gjithë makinerinë e propagandës për të hequr vëmendjen nga dëshmia kyçe e nënkomisar Nuhut: se Taulant Balla, Artur Bushi dhe Rrahman Rraja kanë qenë të pranishëm, kur atij i është vënë pistoleta në kokë për të mbyllur çështjen e djalit përdhunues të deputetit të Edi Ramës.

 

Partia Demokratike njohu dje shqiptarët me denoncimet e punonjësve të policisë dhe të SHKB-së, që varet direkt nga Fatmir Xhafa, se me kërkesë të Taulant Ballës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, urdhëroi në korrik fshirjen e çdo kamere që mund të provojë praninë e deputetëve socialistë në policinë e Fushë Krujës më 21 korrik.

 

Punonjës të policisë kanë denoncuar se si grupi i ngritur nga Drejtori i Policisë së Qarkut Durrës, Alfred Çepe, me detyrë specifike fshirjen e kamerave dhe serverave të bizneseve pranë Policisë, ka kërcënuar me tatimorë, banditë dhe armë këdo që ka refuzuar të bashkëpunojë për shkatërrimin e provave.

 

Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj nuk përgjigjen se çfarë është bërë me kamerat e policisë së Fushë Krujës, sepse sa herë atyre iu kapet në krim një deputet brenda në komisariat, kamerat ose fiken, ose fshihen, si në rastin e përplajses me armë të bandës së Armando Prengës në komisariatin e Laçit.

 

Megjithëse u vu në dijeni nga nënkomisar Emiljano Nuhu për krimin e Taulant Ballës, Artur Bushit dhe Rrahman Rrajës, shërbëtorja e Edi Ramës nuk nisi hetimet kryesisht. Arta Marku që nuk guxon as ta përmendë me emër Taulant Ballën, provoi se nuk ka ndërmend të hapë një çështje penale kundër tij.

 

Krimi mbrohet nga qeveria, prokuroria e kapur dhe policia, sepse kryeministri është në të njëjtin grup parlamentar me bandën e Fushë Krujës, me bandën e Emiljano Shullazit, me bandën e Agron Xhafajt; sepse Prokurorja e Përgjithshme caktohet me dhunë nga përfaqësuesit e bandave në Parlament dhe sepse qeveria varet nga bandat që mbajnë peng kukullën e krimit – Edi Rama.