Solidaritet me banorët e Vlorës dhe Durrësit, të cilët po përballen vetëm pak orë pas nisjes së reshjeve, me një situatë të përsëritur të përmbytjeve.

 

Përmbytje në Shqipëri ka patur gjithmonë, por përmbytja në vetëm disa orë shi është treguesi i degradimit total të pushtetit vendor dhe të qeverisë, braktisjes totale në veçanti në ato zona që kanë një predispozitë të përmbytjes, të mungesës së investimeve, të mungesës së vëmendjes dhe në tërësi të largimit total të vëmendjes qeveritare, të qeverisjes nga njerëzit nga qytetarët.

 

Dhe ky është padyshim produkt i asaj që në fakt është sot e gjithë ditën bashkëqeverisja me krimin.

 

Bashkëqeverisja me krimin ka sjellë, prodhuar pushimin e qeverisjes, nuk ka më qeveri që punon, që bën detyrat para njerëzve, ka sjellë degradimin total të pushtetit vendor i cili është faktuar thjesht dhe vetëm si një vegël elektorale e partisë në pushtet dhe pasojat i vuajnë qytetarët.

 

Sipas informacioneve të para që më kanë mbërritur nga përfaqësuesit tanë në Durrës dhe në Vlorë, bëhet fjalë për dëme të mëdha në banesa dhe në njësitë tregtare, por edhe për situata që mund të përshkallëzohen drejt rrezikut për zonat të cilat mund të përballen edhe me përmbytje që mund të kërcënojnë jetën e njerëzve.

 

Thirrja ime ndaj qytetarëve është të marrin të gjitha masat për të shpëtuar dhe siguruar familjet e tyre. Dhe ndaj atyre hallkave të institucioneve që e kanë për detyre dhe paguhen për këtë punë të mos presin shfaqjen e radhës nga Edi Rama apo kryebashkiakët e dështuar, të korruptuar, e të inkriminuar, por të veprojnë për t’u ardhur sado pak në ndihmë njerëzve në këtë gjendje kritike,  e cila ka precipituar shumë shpejt dhe ka gjasa të rëndohet jo vetëm në këto dy bashki por edhe bashki të tjera të vendit.

 

Dua ta kthej vëmendjen tuaj edhe një herë tek çështja kryesore, të cilën kemi diskutuar në ditët e fundit, në javët e fundit në dritën e provave dhe fakteve zyrtare dhe ligjore të dala edhe nga çështjet në Prokurori atë të bashkëpunimit të Edi Ramës me krimin.

 

Çështja e  parë dhe kryesore që u evidentua tashmë është fakti se bashkëpunimi me krimin e Edi Ramës ka qenë një strategji e qëllimtë.

 

Ngjarjet e muajve të fundit dëshmojnë një të vërtetë të thjeshtë: Nuk është rastësore dhe as e pjesshme, as në nivele të ulëta, por është e shtrirë në të gjithë vendin dhe ka kapur kupolën e organizatës kriminale fenomeni i bashkëpunimit strategjik me krimin e organizuar për rekrutimin dhe bashkëpunimin me elementë kriminale për të manipuluar zgjedhjet, për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin.

 

Me fjalë të tjera, Edi Rama ka nënkontraktuar fushatën elektorale dhe gjithë përpjekjen elektorale te krimi, proces i cili ka nisur para zgjedhjeve të vitit 2017.

 

Në vend të shtabeve elektorale, ku zakonisht bëjnë pjesë drejtues të partisë dhe drejtuesit lokalë, organizata kriminale e rilindjes ka krijuar shtabe kriminale me qëllim sigurimin e votave përmes blerjes, kërcënimit dhe manipulimit.

 

Këto shtabe kriminale të  organizatës kriminale të rilindjes kanë patur objektiva të qarta, të vendosura nga hierarkia e kësaj organizate kriminale që përbëhet nga drejtuesit më të lartë aktualë socialistë.

 

Bashkëpunimi me krimin si një strategji e qëllimshme e Edi Ramës ka vërtetuar se sot kundërshtari ynë politik, Partia Socialiste është një parti e kapur nga krimi.

 

Nuk ka pothuajse asnjë drejtues të Partisë Socialiste që të mos ketë bashkëpunuar me krimin apo që të mos jetë eksponent i krimit.

 

Edhe po të lëmë mënjanë Roshin, Ndokën, Prengën dhe kriminelë të tjerë që i ka sjellë në vend, të gjithë drejtuesit e ardhur nga karriera politike janë faktuar si njerëz të kriminalizuar; nga Taulant Balla, tek Damian Gjiknuri, tek Vangjush Dako, tek Qazim Sejdini, tek Ulsi Manja e me radhë.

 

Pra, organizata e rilindjes si një organizatë kriminale e ka kthyer Partinë Socialiste po kështu në një parti nën sundimin e krimit, në një narko-parti.

 

Domethënia praktike e kësaj gjendje të Partisë Socialiste është që qeverisja ka mbaruar. Edi Rama ka pushuar, ka ndalur së qeverisuri vendin dhe pushtetin që ka marrë me ndihmën e kriminelëve, nuk e përdor më për të qeverisur, por për të mbrojtur pushtetin dhe lidhjet e tij me krimin.

 

Pjesë e kësaj përpjekje janë edhe veprat e rënda kriminale për të shpëtuar veten dhe bashkëpunëtorët e tij politikë nga drejtësia.

 

Ka pushuar pra, qoftë edhe çdo lloj përpjekje për fasadë apo politika publike, çdo gjë tani bëhet për të mbrojtur veten e tij, për të mbrojtur Vangjush Dakon, për të mbrojtur Saimir Tahirin, për të mbrojtur Gjiknurin dhe për të mbrojtur të tjerët nga drejtësia.

 

Në këtë kuptim qeveria e Edi Ramës përbën thjesht dhe vetëm një kosto për shqiptarët dhe një rrezik, një burim rreziku nga i cili do të burojnë vetëm të këqija për vendin dhe për shqiptarët.

 

Detyra kryesore e opozitës, e PD, detyra kryesore e medias së lirë e qytetarëve të angazhuar është të vazhdojmë përpjekjet tona kundër krimit dhe inkriminimit të politikës.

 

Në planin konkret do të thotë se Fatmir Xhafaj nuk mund dhe nuk duhet të shpëtojë pse dha dorëheqjen, ai duhet të hetohet për veprën e rëndë kriminale të fabrikimit dhe manipulimit të dëshmitarit të rremë, duke përfshirë në hetim edhe policinë dhe prokurorinë.

 

Së bashku me të duhet të hetohet Ardi Veliu, drejtuesit e policisë së Fierit dhe gjithë përfaqësuesit e Policisë dhe Prokurorisë, të përfshirë në manipulim.

 

Natyrisht edhe kudogjenduri Taulant Balla që ka qenë garanti politik i këtij operacioni sipas pretendimit të vetë dëshmitari të rremë, por po kështu dhe në mënyrë më domethënëse edhe sipas tabulateve të përgjimit nga Prokuroria.

 

Por po kështu, në një mënyrë më domethënëse edhe sipas tabulateve të përgjimit nga Prokuroria, e cila në mënyrë paradoksale në përpjekjen për të futur në kuth denoncuesit, gazetarët dhe opozitën, i kanë mbetur në çark drejtori i përgjithshëm i Policisë, kryetari i grupit parlamentar, një nga prokurorët e çështjes, dhe natyrisht njerëzit që kanë patur direkt dijeni, kanë mbështetur direkt këtë veprimtari, Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama.

 

Vangjush Dako duhet të arrestohet. Arrestimi i Vangjush Dakos sipas propozimit të grupit hetimor, së bashku me Elvis Rroshin, Gent Dajën, dhe prokurorin Arben Ndojin, është, një hap i paevitueshëm pa të cilin kolapsi total i Prokurorisë dhe kapja e saj totale nga krimi tashmë jo thjesht nga politika, faktohet  para gjithë shqiptarëve, duke delegjitimuar atë si organ të ndjekjes penale, duke e kthyer atë në një shtojcë të organizatës kriminale të “Rilindjes”.

 

As Vangjush Dako, as Elvis Rroshi, as Gent Daja, as eksponentët e tjerë të “dosjes 339”nuk mund të hetohen në akuza të përgjithshme e aq më pak në liri.

 

Prokuroria ka prova, shumë prova, të qarta dhe flagrante, për bashkëpunimin e Vangjush Dakos me krimin, sikundër edhe të personave të tjerë që përmenda.

 

Dhe përgjimet e bëra publike janë vetëm maja e ajsbergut. Janë bërë publike vetëm, aq me qëllim për të mbajtur nën kontroll apo mundësisht për të zbehur rolin dhe përfshirjen e Vangjush Dakos në transaksionet kriminale me bandat e krimit të organizuar, me Avdylajt dhe jo vetëm në shkëmbim të mbështetjes elektorale.

 

Pra në këtë kuptim, Vangjush Dako është një kriminel i mirëfilltë që ka bashkëpunuar direkt me krimin për pushtet  dhe para.

 

Ndërkohë që burgjet dhe institucioni i paraburgimit në Shqipëri vazhdon të procedojë me dhjetëra qytetarë për vepra të ndryshme penale nga më të lehtat te më të rëndat. Është e papranueshme që një kriminel i mirëfilltë, që ka bashkëpunuar me krimin e organizuar, me trafikantë dhe vrasës për pushtet dhe para të vazhdojë të bredhë i lirë.

 

Taulant Balla duhet të merret urgjentisht i pandehur dhe të hetohet për të gjitha çështjet, nga bashkëpunimi me kriminelin e dënuar Edmond Bego, që ka çuar në thyerjen e një sërë ligjesh, më e dukshmja ajo e prokurorimit publik, tek çështja e parave të “Toyota Yaris”, tek ndërhyrja kriminale në çështjen Xhisiela, tek bashkëpunimi kriminal me bandat e Elbasanit dhe presioni ndaj policisë dhe Prokurorisë për t’i liruar ato edhe kur janë kapur në flagrancë në proces kërcënimi, shantazhimi dhe prishje të procesit zgjedhor.

 

Janë të gjitha akuza të bazuara në fakte, prova dhe përgjime dhe duhet të hetohen deri në një.

 

Saimir Tahiri duhet hetuar në thellësi dhe duhet ta heqin nga mendja dhe të heqin dorë nga skenari  se duhet të akuzohet për krime të lehta dhe jo për trafikun e drogës. Saimir Tahiri ka qenë eksponent direkt i krimit dhe i trafikut të drogës dhe këtë nuk e mbulon dot askush e nuk e fsheh dot askush.

 

Këto janë prioritete absolute dhe padyshim në këtë rrafsh PD-ja, opozita dhe unë do të vazhdojmë betejën tonë me krimin politik dhe me regjimin e inkriminuar të Edi Ramës, deri në largimin e tij.

 

Këtë kemi bërë dhe këtë po bëjmë. Pa dekriminalizimin e zgjedhjeve dhe pa ndarjen e politikës nga krimi në Shqipëri nuk do të ketë asnjë sekondë, asnjë ditë, dhe asnjë hapësirë institucionale për proces normal  politik. Procesi normal politik ka marrë fund kur Edi Rama vendosi të bashkëpunojë me krimin për të ardhur në pushtet dhe sot gjendet në pushtet për shkak të krimit.