• Shoqëria civile: Përdhunuesi i Xhisiela Malokut, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja, është ende në liri
  • Intelektualët: Nuk kemi besim më tek institucionet shtetërore, shteti po mbron përdhunuesin
  • Opozita: Shteti i shërben vetëm pushtetarëve të lidhur me bandat, jo qytetarëve
  • Opozita: Mbështesim shoqërinë civile dhe qytetarët në tubimin e ditës së hënë, ora 17:30

 

Përdhunimi dhe dhuna ndaj Xhisielës, mbrojtja shtetërore dhe institucionale ndaj djalit të akuzuar të deputetit socialist Rrahman Rrahja, i cili është ende në liri, solli reagimin e shoqërisë civile të mbështetur nga përfaqësueset opozitës.

Në një tubim përpara Kryeministrisë studentë, pedagogë, artistë dhe intetelektualë theksuan se në Shqipëri nuk mund të kesh më besim tek isntitucionet.

Studentja e psikologjisë Sonja Braha theksoi se të rinjtë sot nuk kanë besim tek policia.

“Si do e gjejnë këtë mbështetje kur nuk ka besim tek policia, ku do e gjejnë guximin që të flasin  dhe të tregojnë problemet dhe dhunën që ushtrohet ndaj tyre”?

Avi, studentja e Fakultetit të Drejtësisë i bëri thirrje çdo prindi, motre, vëllai, t’i bashkohen revoltës kundër dhunës ndaj gruas.

“Ajo që më shqetëson është dhuna shtetërore. Është mbrojtja që ky shtet po i ofron përdhunuesit. Çdo ditë ndjehemi të pasigurt. Nesër mund të jemi ne në rastin e Xhiseldës. Nëse ne do të ishim në vendin e saj, asnjë nënë, asnjë baba, as një motër e as një vëlla nuk do të mungonte në këtë shesh”, tha ajo.

Vrasjet e grave janë në rritje vitet e fundit dhe shembujt janë të shumtë, tha artistja Taulanta Jupi.

“Gjyqtarja Firdez vdiq dhe ne nuk reaguam, një vajzë u dhunua për rreth 16 vjet nga i ati dhe ne nuk reaguam, dje një gjyshe vdiq nga dhuna e nipit dhe ne heshtëm. Vërtetë duhet të heshtim? Dhuna ndaj grave ka fytyra të ndryshme por mendoj se dhunuesi i Xhisielës sot ka fytyrën e shtetit. Kjo nuk është Shqipëria që ne duam”, tha pedagogia Jupi.

Pedagogia Enriketa Papa teksa shprehu shqetësimin mbi mbrojtjen politike që i bëhet dhunuesve, theksoi se shoqëria shqiptarepo përjeton kulmin e terrorit.

“Kemi harruar të qeshim. Shihni rreth e rrotull, ne jemi njerëz të trysnuar, të dhunuar. Kjo është një shenjë shqetësuese”, tha ajo.

Tubimi u mbështet edhe nga gratë deputete të opozitës.

“Shenjat e cigares në trupin e Xhisieles janë një këmbanë alarmi dhe një ftesë për të reaguar fort të gjithë e sidomos nënat gratë e vajzat. Është koha të flisni, jo të heshtni”, tha Kryetarja e grave deputete Dhurata Çupi.

“Xhisiela trokiti në dyert e Komisariatit, por ato iu mbyllën, donte një urdhër mbrojtje, por ai nuk iu dha, kërkoi ndihmë por ajo ndihmë nuk iu dha, kërkoi asistencë ligjore nga avokati, por ai u tërhoq dhe nuk e ndihmoi. Ajo sot është e vetme, nuk ka ndihmë e as mbështetje dhe as mbrotje. Shteti është i lidhur me bandat dhe krimin”, tha deputetja Oriola Pampuri.

Kryetarja e Lidhjes demokratike të Gruas Albana Vokshi, shprehu revoltën e saj për heshtjen e  Kryeministrit Rama, Kryetarit të Parlamentit, Ministrit të Brendshëm, ndaj strukturave shtetërore që është bërë palë me krimin dhe me bandat. Sot përdhuesi është i lirë, tha ajo.

“Xhisiela një vajzë jetime e përdhunuar, djegur me cigare në mënyrë çnjerëzore, rrahur në mënyrë shtazore, goditur me tytën e armës dhe shteti e braktisi. Shteti u bë palë me dhunuesin dhe përdhunuesin. Sot ajo vajzë është e braktisur nga të gjitha instancat shtetërore, shteti sot nuk i shërben më qytetarëve, shteti i shërben vetën pushtetarëve të lidhur me bandat dhe me krimin për të ruajtur pushtet. Kemi djalin e një deputeti i cili është dhunuesi dhe përdhunuesi dhe asnjë institucion shtetëror nuk ka reaguar ndaj tij dhe sot ai është i lirë. Ministria e Brendshmë dhe Prokuroria bëjnë ping-pong me përgjegjësinë. Ndërkohë ai, dhunuesi dhe përdhunuesi është i lirë”, tha Vokshi.

Deputetja e LSI-së Klajda Gjosha e cila mbështet thirrjen e shoqërisë civile për të kundërshtuar dhunën shtetërore, theksoi se kjo ka ardhur si rezultat i krimit të organizuar dhe bandave.

“Rasti i Xhisielës është i papreçedentë dhe tregon qartë mosfunksionimin e institucioneve, rënien e sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit, e Ministrisë së Brendshme e cila minimumi duhej të kishte një deklaratë të vetme ku të tregonte të vërtetën e rastit të Xhisielës”, tha Gjosha.

Shoqëria civile, intelektualët dhe e gjithë opozita e bashkuar i bënë thirrje qytetarëve, grave dhe vajzave t’i bashkohen protestës ditën e hënë në orën 17.30 përpara Kryeministrisë.