• Lirimi nga burgu para kohe i Ermal Hoxhës është bërë me urdhër të Edi Ramës, i cili po mbron nga drejtësia vëllain e tij Olsi Rama, garanti kryesor i ndërtimit të fabrikës së kokainës në Xibrakë 4 vjet më parë.

ERVIN SALIANJI, DEPUTET

Lirimi nga burgu para kohe i Ermal Hoxhës, anëtar i bandës së kokainës në Xibrakë, është provë e re sesi krimi i organizuar në Shqipëri kontrollon drejtësinë nëpërmjet kryeministrit të vendit Edi Rama.

Lirimi nga burgu para kohe i një trafikanti ndërkombëtar droge, pjesë e krimit të organizuar, është i papranueshëm jo vetëm për Partinë Demokratike, por për shumicën e shqiptarëve që kërkojnë luftë me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar.

Shqiptarët duhet ta dinë se trafikanti i kokainës Ermal Hoxha është liruar para kohe nga burgu për një arsye: ai ka mbrojtjen direkte të kryeministrit Edi Ramës. Duke mbrojtur Ermal Hoxhën, Edi Rama mbron nga drejtësia vëllain e tij Olsi Rama, i cili është garanti kryesor i ndërtimit të fabrikës së kokainës në Xibrakë 4 vjet më parë.

Kushtet për lirimin para kohe të Ermal Hoxhës dhe organizatës kriminale të kokainës së Xibrakës u parapërgatitën një vit më parë, kur bandës iu ul dënimi përfundimtar me disa vjet nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Ulja drastike e dënimit dhe lirimi para kohe me urdhër të Kryeministrit Rama i trafikantëve ndërkombëtar të drogës është thikë pas shpine edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë. Me ndërhyrjen e partnerëve qeveria u detyrua të arrestojë disa prej trafikantëve të drogës, duke i dhënë kohë për arratisje kreut të rrjetit ndërkombëtar të kokainës, Genci Xhixha, mik i ngushtë me Olsi Ramën.

Prandaj, opozita kërkon vettingun e politikanëve për të bërë të mundur shkëputjen përfundimtare të krimit nga politika dhe qeverisja e vendit.